Fondacioni Kujto.al akordon Bursë Studimi për studimin e krimeve të komunizmit

0
88

Fondacioni Kujto.al - Arkiva Online e Dëshmive dhe Krimeve të Komunizmit, në bashkëpunim me Departamentin e Historisë në Fakultetin Histori-Filologji, Tiranë, organizoi sot, më datë 16 Maj 2019, konferencën studentore me temë: “Krimet e komunizmit në syrin e studentëve”.

Studentët pjesëmarrës ishin aplikantë të Bursës “KUJTO”, një bursë studimi që nxit dhe mbështet financiarisht një student të degës së Historisë, për studimin e krimeve të komunizmit, në nivel Master. Bursa është një nismë e z. Agron Shehaj, ideator dhe themelues i Fondacionit Kujto.al.

Mes 12 temave të studimit që u paraqitën, juria e përbërë nga pedagogë të Departamentit të Historisë dhe përfaqësues të Fondacionit Kujto, shpalli fituese temën “Terrori komunist në vitet 1945-1955” me autor, studentin Indrit Dervishi.

Tema të tjera që u vlerësuan nga juria, ishin ato tema të fokusura tek aspekte të komunizmit të pastudiuara më parë, si “Trajtimi i fëmijëve në komunizëm”, me autore studenten nga Korça, Najada Pendavinji apo “Trajtimi i grave nga diktatura komuniste”, nga studentja Ada Aga, etj..
Paneli i përbërë nga shefja e Departamentit të Historisë, prof.asoc.dr.Eva Hyskaj, dr.Enriketa Papa, studiuesi Erald Kapri dhe drejtuesja e Fondacionit Kujto.al, Blerina Gjoka, vlerësuan interesin e studentëve dhe vunë theksin tek nevoja për studime të reja e më të thelluara për periudhën komuniste.

Të gjithë studentët pjesëmarrës u vlerësuan me certifikatë mirënjohjeje, për interesin e treguar në studimin e kësaj periudhe të rëndësishme. Për studentët pjesëmarrës u dhurua vepra e Mit’hat Frashërit, botuar nga Instituti i Studimeve Lumo Skëndo, dhe libra të tjerë studimorë për periudhën e komunizmit, botime të ISKK-së.

Kjo bursë studimi është një nxitje për të rinjtë që duan të studiojnë e të mësojnë më tepër për atë periudhë të errët, që akoma nuk është zbardhur siç duhet, e po ashtu, është një mbështetje për të rinjtë e talentuar që duan të bëjnë punë serioze kërkimore e shkencore./kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.