I burgosuri që vuajti gati 27 vjet heqje lirie

0
151
blank

Në historinë e të burgosurve gjatë regjimit komunist emri i Qani Sulo Mulitës (lindur më 1.8.1922 në Vërzhestë të Skraparit), është thuajse i panjohur. Kjo për faktin se përmendja e emrit të tij ka qenë e pakët. Ky qëndrestar, u dënua tre herë dhe vuajti 26 vjet e 10 muaj e 20 ditë heqje lirie në vitet 1953-1971 dhe 1978-1987. Vuajtjet e tij nisën nga koha e ushtrisë. U mobilizua ushtar më 6.12.1952, efektiv i Repartit nr.5390 Elbasan. Hyri në burg kur ishte 31 vjeç e doli 65 vjeç

 

Dënimi i parë

U arrestua më 2.7.1953. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 dhe nenit 72 të Kodit Penal, pa për “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë”. Gjykata e cilësoi “element armik”, me të kaluar të keqe familjare, se dëgjonte e komentonte radiot e huaja, se ishte i pakënaqur me triskat etj, se po përgatitej të arratisej. Midis të tjerash në vendim thuhej: “Edhe pasi vjen në ushtri, duke qenë i pakënaqur se si element armik nuk i qe dhënë triska e Frontit Demokratik, jo vetëm zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit, por njëkohësisht bën vepra përgatitore për t’u arratisur në një shtet armik, në Jugosllavi. Kështu i pandehuri me qëllim të përcaktuar, i thotë ushtar Hysen Rustemit, pse qëlloi mirë në qitje, çfarë i duhej, jeta është e padurueshme, etj.”.

Gjykata Ushtarake Territoriale Korçës, me veprim në Elbasan, me vendimin nr.124, datë 24.12.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet.

 

Ridënimi në Kampin nr.4 në Tiranë

U arrestua më 23.6.1954 teksa vuante dënimin në Kampin nr.4, i cili ndërtonte pallatet “Agimi” këtë kohë. U akuzuan në bazë të nenit 75 (organizatë kundër pushtetit) në kombinim me nenet  64 (tradhtia ndaj atdheut) e 10 (përgatitja e tentativa) dhe neni 65 (spiunazhi) të Kodit Penal.

Të burgosurit e kishin quajtur “tuneli i lirisë”. Mirëpo për të mos u kuptuar e për të krijuar çoroditje, disa ditë përpara arrestimeve masive, më 5.6.1954 u arrestuan Mark Zef Pali, Kolë Pepa dhe Zyhdi Mancaku. Në njoftimin e dhënë thuhej se ishin tërhequr nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës për arsye se kishin zhvilluar aktivitet për arratisje.

U ridënuan 20 të burgosur. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.189, datë 17.7.1954, në seancë të mbyllur, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Nga ky proces u dënuan me vdekje, pushkatim dhe u ekzekutuan më 12.8.1954: Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami. Dënime të rënda vuajtën të dënuarit e tjerë. U lirua më 3.5.1971 nga Reparti nr.303 Spaç.

 

Dënimi i tretë

U arrestua më 10.2.1978. U akuzua në bazë të neneve 72/1 dhe 42/a të Kodit Penal. Këtë kohë punonte në ndërmarrjen e ndërtimit Çorovodë. Në një informacion të datës 19.1.1978 thuhej se nga viti 1974 e në vijim, raportuan për të 5 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët raportonin se ai ishte “armik i këtij pushteti”, “nuk linte rast pa vjellë kundër tij”, fliste keq për Enver Hoxhën, shprehte mosbesim te ligjet, përbuzte gjendjen ekonomike të vendit.

Gjykata çmonte se nuk kishte ndërprerë “veprimtarinë armiqësore”. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “I pandehuri në rrugën e tij armiqësore, i vendosur është përpjekur të errësojë realitetin socialist në vendin tonë, kujtuar me nostalgji dhe ka mburrur ‘trimëritë e mençuritë’ e ish-krerëve të Ballit, ka dashur të pengojë rininë tonë të punojë për ndërtimin e veprave të ndryshme, ka folur për ‘jetën e mirë’ që bëhej para çlirimit, etj...Me qëllim që të ulte fuqinë mbrojtëse të vendit, i pandehuri thoshte se zboret ushtarake nuk janë të mira, ato na lodhin kot. Në biseda të ndryshme ka mburrur armiqtë si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani, etj, duke i paraqitur trima e të mençur e duke ruajtur shpresën se do të përmbysej pushteti popullor”. Gjykata e Rrethit Skrapar, me vendimin nr.13, datë 29.4.1978, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 2.3.1987 nga Reparti nr.305 Përparim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here