I arrestuar ditën e Pashkës!

0
390
blank

Ndrek Bazhdari: Isha vetëm 17 vjeç, më dënuan 14 vjet burg i akuzuar për tentativën e rrëzimit të pushtetit popullor

Ishte data 21 prill 1957, ditë Pashke. Mbi qytetin e Shkodrës, mbërthyer nga zymtësia e diktaturës kish rënë drita e festës. 17-vjeçari Ndrekë Bazhdari bashkë me dy të tjerë të rinj të Liceut të Shkodrës ishin nisur drejt kishës Françeskane, e cila ndodhej në rrugën që të çonte te Pazari i Ri, atje do të kremtohej festa dhe tre të rinjtë ishin në korin e kishës.

Gjatë rrugës për te kisha, Ndreka kishte vënë re disa persona që po e ndiqnin hap pas hapi deri tek godina e Degës së Brendshme, që gjendej afër kishës. Kur Ndreka mbërriti para degës, një polic e urdhëroi të ndalonte. 17-vjeçari bashkë me shokët e tij do të arrestohej aty, atë ditë të Pashkëve. Ja si e rrëfen Ndreka ditën e arrestimit të tij dhe kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet komuniste:

“Unë, që në mëngjes, munda të vija re që më ishin vënë mbrapa dy persona të mbajtur e të veshur mirë, për të cilët, më vonë, mora vesh se paskëshin qenë ish-kryetari i Degës së Shkodrës, Feçor Shehu dhe kryetari i hetuesisë për Tiranën, Besim Selita. Në kohën kur mbërritëm para derës së Degës, që ndodhej tek Selvia, dërguan një polic, na ndalën dhe blankna morën e na futën brenda. Të treve. Unë kisha një parandjenjë që diçka e keqe po ndodhte. Në Degë, salla ku na futën, ishte mbushur me oficerë, sikur të ishte ndonjë ditë feste për ta e jo Pashkët tona. Njëri prej atyre policëve, më drejtohet mua e më thotë: “Hajde, ti bjondi që je në mes”. Shkova pas tij dhe e kuptova që nuk do dilja më prej atij vendi. Isha 17 vjeç.

Ngjita shkallët i rrethuar me policë, a thua se kë kishin kapur; sikur kishin kapur ndonjë të “rrezikshëm”, sikur të kishin kapur Hamit Matjanin. Më ngjitën lart në një zyrë, e kur ç’të shoh! Aty përballë, i ulur në tryezë, ishte po ai person që më ishte vënë pas, dhe anash tij qëndronin shumë oficerë. M’u prezantua: “Unë jam Feçor Shehu.” Pastaj më tha: “Në emër të popullit, je i arrestuar!” S’kisha ç’të thoshja por pashë edhe dy oficerë nga Shkodra dhe më vonë, e mora vesh që këta ishin të autorizuar nga Dega e Shkodrës, për të ndjekur hetuesinë tonë në Tiranë. Mbasi u prezantuan, më dhanë edhe mandatin e arrestimit, për t’i vënë një firmë, pastaj më ulën në katin poshtë. Kur më ulën poshtë, më çuan në ca biruca, që ne në atë kohë, i quanim “qela”. Biruca ku më futën, ishte në formë varri dhe kishte një birë të vogël për dritare, rreth 20 cm me 20 cm, por afër tokës. Kështu që biruca ishte krejtësisht në terr.

U futa aty brenda dhe s’kisha as rroba e asgjë tjetër. Ishte rregull që kur hyje në birucë, duhej të hiqje e të lije jashtë rripin, ndonjë bluzë të trashë, lidhësat e këpucëve, kopsat, --gjithmonë me idenë se i burgosuri mund të tentonte vetëvrasje. Ditën e parë, natyrisht që isha shumë i trishtuar, sepse dihet se si mund ta përjetojë atë terr, atë ambjent varri, një 17-vjeçar. Të nesërmen, motra bëri çmos që të më sillte të paktën një batanije, një fije bukë Pashkësh që quhet “Përpeç” dhe disa vezë, se vetëm kaq lejohej të hynte. Ditën e parë, s’më kishin dhënë asgjë për të ngrënë, se nuk kisha hyrë akoma në “forcë”, pra, në listën e të burgosurve.

Kjo punë vazhdoi për disa ditë. Në hetuesi, na merrnin nga ora 1 apo 2 e natës, atëherë kur ishim të rraskapitur. Natyrisht, hetuesia ishte vend i trishtë për moshën që kishim, por jo e krahasueshme me atë të shokëve tanë, të cilët kishin kaluar tortura nga më të tmerrshmet; hetuesit nuk kishin se çfarë prisnin prej nesh, sepse kishin traktet në dorë, kishin shkrimin tim, kishin faktet. I kishin të gjitha çfarë u duheshin, për ta na dënuar.

blankPas nja tre muajsh e gjysmë, afërsisht katër, na nxorën nga biruca. Kishte ardhur një “Jeep”, një nga ato makinat e zakonshme të Degës e po priste. Më nxorën mua të lidhur, e më hipën. Nxjerrin dhe një tjetër dhe e lidhin aty. Tani po prisnim se ku po na çonin. Unë përfitova prej rastit kur dy oficerët që na shoqëronin, po bënim muhabet dhe e pyeta të burgosurin tjetër: “Prej nga je ti?” Më thotë: “Jam prej Shkodre. Po ti?” “Edhe unë prej Shkodre jam”- i them. Kur e pyeta për emrin, ai më tha: “Karlo Çefa, po ti?” Unë i thashë se jam Ndrek Bazhdari. Përfytyroje: nuk njohëm dot njëri-tjetrin! Sepse ishim zbardhur komplet dhe sytë nuk punonin pas katër muajsh në errësirë të plotë. “Po Nikun, ku e kemi; a di gjë?”- e pyeta. Ai më tregoi se Nikun e kishin marrë më përpara. “Po ku e kanë çuar?”- i them unë. “S’di gjë, - thotë ai. -po ne ku po na çojnë?” Edhe na morën prej aty dhe na çuan në birucat e Burgut të Ri, për arsye se kishin kapur një kontigjent tjetër oficerësh pasi iku Panajot Plaku dhe duhej të liroheshin birucat për ta.

Tek Burgu i Ri, na lanë në birucë nja një muaj e ca. Pastaj na nxorën në gjyq. Në gjyq, dihet si shkojnë punët dhe ne u akuzuam si grup anti-Parti, si grup që do të rrëzonte pushtetin me forcë.

Në fakt, ligji e ndalonte burgun nën 18 vjeç, pasi Shqipëria, atë kohë, ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kishim nënshkruar disa karta. Por, këta, e justifikuan me dhënien e “gjysmë-dënimit” këtë shkelje. Në atë kohë, nuk ishin hequr avokatët dhe secili prej nesh kishte dy avokatë. Më kujtohet që ne kemi pasur një avokat me mbiemër Tirana dhe një tjetër që quhej Koço Dilo.

Dhe si përfundim, na dhanë dënimet maksimale për moshën që kishim, “gjysmë-dënimet”. Mua më dënuan me 14 vjet burg.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here