Falja që nuk u kërkua kurrë!

1
354
blank

Shtator 1991/ Fillimet e lirisë pas diktaturës, debati për krimet e komunizmit  dhe një thirrje e deputetëve socialistë për shkrirjen e shoqatës së të dënuarve politikë

Nga Luljeta Progni

Pranvera e vitit 1991 do të mbetet e paharruar për mijëra njerëz që vuanin dënimin në burgjet e kampet e internimit në Shqipërinë komuniste. Kishte rënë diktatura pas 45 vitesh dhe më në fund ata do të ishin të lirë.

Një grup intelektualësh të liruar ato ditë nga qelitë e burgjeve komuniste, mblodhën bashkëvuajtësit e tyre në një takim pas shumë vitesh vuajtje nën diktaturë. Modestisht e pa bujën e podiumeve politike që gumëzhinin ato kohë nëpër Shqipëri, më 28 prill 1991 shpallën organizatën e tyre, shoqatën e ish-të burgosurve politikë. Ishte koha kur çdo organizim politik përflitej gjerësisht nëpër kryeqytet dhe sigurisht themelimi i kësaj organizate do të pritej me kërshëri. Gazeta Rilindja Demokratike e kishte pasqyruar këtë aktivitet bashkë me fjalimet e disa prej themeluesve të asaj shoqate. Çfarë ra në sy në Tiranën e zhurmshme të asaj kohe, ishte qëndrimi fisnik i atyre njerëzve që sapo kishin lënë qelitë e ftohta të burgjeve e godinat e rrënuara të internimeve, duke lënë atje rininë e tyre, vuajtjet, gjithë jetën në mjerim dhe në shumë raste lanë atje të afërmit e tyre që humbën jetën gjatë diktaturës e për shkak të diktaturës.

Askush prej tyre nuk artikuloi për asnjë çast fjalën hakmarrje. Përkundrazi, e përbashkëta e të gjitha fjalimeve ishte thirrja për pajtim kombëtar, një shprehje që kishte nisur të shpërdorohej nga politika e re e ditëve të para të pluralizmit.

Qëndrimi i tyre fisnik vinte në një kohë kur shumë miq e familjarë të tyre ishin ende nëpër burgjet komuniste, bazuar në disa nene djallëzore që pengonin lirimin e tyre. Ndërkohë që shpallja e pluralizmit i bënte ata automatikisht të pafajshëm sepse ishin të dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë. Megjithatë, burrat dhe gratë që shpallën më 28 prill themelimin e shoqatës, nuk shprehën asnjë fjalë urrejtjeje kundër askujt përveç thirrjeve që historia e diktaturës të mos përsëritej.

Në një tjetër godinë, atë të kuvendit popullor, ishin 250 deputetë që vinin në atë sallë pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991. Deputetët kishin nisur të diskutonin në kuvend se si do t’i quanin të burgosurit politikë të sapo liruar, të pafajshëm, të fajshëm të amnistuar…. Një lojë fjalësh që dukej se kishte për qëllim vetëm të shmangte vendimet e  politikës për t’iu dhënë atyre çfarë iu takonte: pafajësinë e menjëhershme, rehabilitimin dhe padyshim, një ndjesë që duhet të vinte nga ajo sallë pikësëpari dhe nga e gjithë elita e vjetër dhe ajo e reja që po krijohej ato kohë.

Pak muaj më vonë, në shtator të atij viti, po vinte fundi i diskutimit për ish-të burgosurit politikë dhe ishte koha të merrej një vendim. Një prej deputeteve të reja të PPSH-së, që ato javë kishte marrë një emër tjetër, PS, Elvira Shapllo, ishte kundër pafajësisë për të burgosurit e ndërgjegjes dhe propozonte që të kërkonin pafajësinë e ta fitonin me gjyqe, madje bazuar në ligjet e kohës kur ishin dënuar.

Elvira Shapllo deputete e PPSH-së, shtator 1991

Duke u nisur nga sa thashë më lart, Kuvendi Popullor ka të drejtë të japë amnisti dhe të bëjë rehabilitimin, ndërsa fajësinë apo pafajësinë e jep gjykata, organet gjyqësore duke u bazuar në ligjet e asaj kohe e jo në ato që aprovojmë ne sot. Çdo gjë duhet gjykuar në kohën e vet, se ndryshe do t’i kërkonim Hamuratit të Babilonisë apo Dragonit që të ishin demokratë si ne. Pra, nga sa parashtrova, duhet të jetë e qartë një gjë: ndërsa amnistia është e përgjithshme, fajësia apo pafajësia është individuale dhe duhet të gjykohet nga organet gjyqësore.

Zonja Shapllo vinte nga koha e diktaturës në Kuvendin e parë pluralist, por me sa duket e kishte të vështirë të ndahej nga lufta e klasave që me sa duket e kish dashur kaq shumë. Zonja Shapllo vazhdoi  karrierën e saj duke mbajtur poste të ndryshme në administratën shtetërore, por edhe karrierë në politikë. Madje në vitin 2009 ishte kandidate për deputete e  Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama.

Në atë seancë të shtatorit të vitit 1991, kur debatohej për pafajësinë e të dënuarve politikë, Pjetër Arbnori ishte në sallën e Kuvendit, deputet, por, në këtë debat, si njëri prej të dënuarve politikë. Arbnori kishte kaluar 28 vjet nëpër burgjet komuniste.  Në fjalën e tij, ai solli në vëmendjen e  deputetëve si Elvira Shapllo e të tjerë një mesazh nga shqiptarët e diasporës.

Pjetër Arbnori Kuvend shtator 1991

Kur isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam takuar me shqiptarë të të gjitha shtresave, të të gjitha grupimeve. Kam biseduar me ta, u jam përgjigjur pyetjeve që më kanë bërë. Shumë prej tyre më thoshin: “Ne nuk kemi nevojë për amnisti, nuk kemi nevojë për falje, nuk e ndiejmë që kemi bërë ndonjë faj, kemi ikur nga diktatura që të mos na arrestonin. Megjithëse kemi ngrënë, kemi pirë e punuar, edhe këtu kemi qenë të burgosur përderisa nuk shihnim nënat tona, baballarët tanë, motrat e vëllezërit tanë. Prandaj ne nuk kemi nevojë për falje, nuk kemi nevojë për amnisti. Neve shteti nëpërmjet Kuvendit Popullor duhet të na kërkojë falje për persekutimin tonë”.

Ato ditë, shoqata e ish-të dënuarve politikë kishte paraqitur pranë Kuvendit një peticion ku parashtroheshin disa kërkesa të tyre drejtuar shtetit shqiptar. Kuvendi kishte refuzuar ta lexonte në seancë plenare atë letër që vinte nga të vuajturit e diktaturës komuniste.  Deputetët e PD-së kishin kërkuar që peticioni të lexohej por kryesia e Kuvendit e kishte refuzuar kërkesën. Nuk gjendej koha, ndoshta kurajo më shumë, për t'i dëgjuar ata, por më së shumti për t'i dëgjuar shqiptarët sepse seancat parlamentare të asaj kohe transmetoheshin drejtpërdrejt përmes televizionit publik shqiptar.

Për më tepër, pati deputetë të PS-së që kërkuan të shkrihej shoqata e ish-të dënuarve politikë sepse Kuvendi do t'i plotësonte disa nga kërkesat e të dënuarve dhe më pas shoqata nuk kishte pse ekzistonte.

Zef Nikolla deputet i PS-së Parlament shtator 1991

Duke bërë një amnisti të plotë të të burgosurve politikë dhe rehabilitimin e tyre me të gjitha të drejtat e parashikuara në ligj, si atë të pensionit, rikthimin në qendrat e punës etj., me të cilat jam dakord, besoj se në këtë mënyrë bëhet e mundur edhe mosfunksionimi i mëtejshëm i shoqatës së të burgosurve politikë, gjithmonë në kohën kur Qeveria të ketë realizuar këto detyrime që merr përsipër dhe ato që i vëmë ne përsipër.

Pse e them këtë? Jo se shoh ndonjë rrezik nga kjo shoqatë, sepse ata luftojnë për të drejtat e tyre dhe për kthimin në jetë, ashtu siç po kërkojnë, por do të barazohen, do të bëhen njësh me ne dhe nuk do të mbetet më nevoja e kësaj organizate.

Kishte edhe më shumë se kaq, deputetë të caktuar që propozonin amnisti ose falje për të gjithë të dënuarit para dhjetorit të vitit 1990, edhe ata ordinerë me qëllim për të relativizuar peshën e krimeve të diktaturës komuniste, ndaj kundërshtarëve politikë e familjeve të tyre.

Fran Pjetri  deputet i PS-së, Parlament, shtator 1991

Amnistia e përgjithshme edhe për ordinerët do të ishte një akt politik dhe human i këtij Parlamenti, politik se shumë nga këto vepra janë kryer nga përpjekjet për të mbijetuar në kushtet ekzistuese të atëhershme, dhe human se i japim gjithsecilit mundësinë të shprehë aftësitë dhe individualitetin e tij. Gjithashtu do të na jepte dorë që të përmirësonim dukshëm edhe kushtet e burgjeve tona, për të cilat të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se duhen përmirësuar.

Kështu nisi historia e rehabilitimit të të dënuarve politikë në Shqipëri, fill pas rrëzimit të diktaturës. Urrejtjen ndaj të dënuarve politikë nuk e kishte vetëm deputetja Elvira Shapllo, Fran Pjetri, Zef Nikolla, por shumë të tjerë që u ulën në karriget e deputetit në Parlamentin pluralist pas vitit 1990.

Ka edhe sot prej tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë që nuk e artikulojnë këtë urrejtje, por e shfaqin atë sa herë iu jepet rasti përmes qëndrimeve dhe veprimeve si deputetë apo zyrtarë të niveleve të ndryshme në vendimmarrje. Ka në Parlament hetues që i kanë torturuar të burgosurit politikë dhe familjarët e tyre, gjyqtarë që kanë dhënë dënime politike, zyrtarë të lartë të administratës që kanë marrë vendime për përkeqësimin e jetëve të tyre e familjeve të tyre. U duk qysh në fillim se rruga e lirisë për të dënuarit politikë në atdheun e tyre, kishte ende shumë pengesa. Ndoshta për këtë arsye, shumica e tyre u larguan menjëherë nga Shqipëria bashkë me familjet e tyre për ta ndërtuar jetën në liri e me dinjitet në vendet e Perëndimit.  Ikën duke lënë pas një mision të parealizuar, betejën për t'i detyruar xhelatët dhe pasardhësit e tyre që minimalisht të kërkojnë ndjesë për krimet që shkaktuan ndaj jetëve të tyre.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Kush eshte virusi?
    E para ishte fjala e fjala u be njeri e banoi nder ne.
    Krijuesi e la te lire njeriun ne vullnetin e tij. E beri ne perngjasimin e vet dhe zbriti fjalen e tij si udhezim per nje jete me beselidhje.
    E perforcoi beselidhjen dhe me vdekjen e Krishtit u dha jete te gjith atyre qe besonin ne te.
    Tani Zoti ka perforcuar Beselidhjen me :
    Kthehuni dhe besoni e ndertoni nje jete me Zotin prijes, jo me vetveten e per vetveten ; duke pare njeri tjetrin :Te gjith vellezer!
    Kjo eshte epoka e drejtesise se Zotit mbi dhe dhe e ndertimit te nje sistemi jete : Ne Zotin ,drejt tjetrit, me Zotin perjete.
    Sistemi i jetes ndertuar deri tani mbi dhe u ka sherbyer :
    Egoisteve,te korruptuarve,narcisteve.
    Deri tani vetem per vete dhe rrethin e ngushte . Cdo arritje vetem per keto qellime!
    Eshte cenuar rende dinjiteti qe Zoti i dha njeriut. Tani kemi njeriun ,masen te kontrolluar,mashtruar,te zvoglimit te se drejtes se tij deri ne nivelin e mbijeteses.
    Interneti,celularet,gjenetika gllabrimi i hapesires,intiligjenca artificiale,robotika,arma atomike e biologjike,korrupsioni ne cdo qelize te jetes,amoraliteti dhe mashtrimi ,konkurenca e eger dhe shkaterrimi i planetit e kane cuar njeriun ne shperberjen e thelbit te tij,per pasoje ne shperberjen e familjes.Ne masken e lirise universale mendja e semure njerezore ka punuar kunder vetes duke shkuar ne fund vetem me erresire. Te gjitha rruget e ndjekura deri tani vetem dispoporcion,disekujliber,disharmoni me vetveten natyren tjetrin! Tani eshte nje epoke tjeter,tani boshti ka levizur, shenje beslidhje; renje e ngritje njeheresh!
    Ne keto 14 dite te mundimeve : hapje vetedije,pendim i thelle e kthim i njemend,renje muresh 14 , kthim fisesh14.
    Drita, Shenje e Paqes,Hyjni, Elter ,I Shuguruar:
    Une JAM!
    .. .... .. .... ..... . ........ ......!
    UNE JAM

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here