Hija e zymtë e burgut të Burrelit

0
213

Çfarë kishte të veçantë burgu i Burrelit? Pse u quajt “rrethi i nëntë i ferrit” apo “burgu i shfarosjes”? Si ishte të shkoje drejt atij vendi që në mendjen e kujtdo mbështillej me një hije gati mitike? Uran Kalakulla krijon një pikturë të gjallë të burgut ku kaloi pjesën më të madhe të dënimit

Nga Uran Kalakulla

Çdo burg ka hije të keqe. Kuptohet pse. Por hija e burgut të Burrelit kishte një zymti të veçantë që binte erë vdekjeje. Jo më kot, ndër burgjet shqiptare të diktaturës enveriste, Burrelin e kanë quajtur “rrethi i nëntë i ferrit” dantesk. Domosdo, ai kishte shumë “shokë” të tij, nëpër gjithë vendin, si: burgu i Kalasë së Gjirokastrës, burgu i ri i Tiranës, burgu i Shkodrës (më mirë të themi burgjet e Shkodrës), e kështu me radhë. Por, nuk më duket se gaboj kur them se ai i Burrelit kishte diçka të veçantë: pamjen e një përbindëshi. E, ky përbindësh rri gjithmonë me gojën hapur dhe ç’hyn në grykën e tij, nuk del më gjallë, por veçse kufomë. Dhe këtë e vërtetonin vetë komunistët kur, në fillimet e vënies në përdorim të atij burgu, kishin vënë në ballë të tij, pas emërtimit: “Burgu i armiqve të popullit”, edhe një parullë fort cinike, që të kujton atë të shkruar në hyrjen e Ferrit të Dantes. Ja, krahasoni këto parulla dhe do të shihni se janë krejt të ngjashme, si dy pika uji:

Te Ferri i Dantes: “Lini çdo shpresë, o ju që hyni brenda!

Te hyrja e burgut të Burrelit:

“Këtu i thonë Burrel,

Kush hyn, nuk del!”

A thua bejtexhiu të ketë pasur ndonjë reminishencë poetike danteske? Sido që di mjaft gjëra nga burgjet e tmerrshme të historisë së njerëzimit, nuk besoj se në ndonjërin prej tyre të jenë shkruar parulla të tilla, të kobshme! Gjykoni vetë tani shpirtin sadist të sigurimsave komunistë!

E pra, vendi ku ishte ngritur, nuk kishte aspak ndonjë zymtim rreth e qark. Madje, rreth e rrotull kishte edhe blerim, si anë qyteti që ishte. Por, kur ajo ndërtesë u zyrtarizua si burg, duket që i gjithë mjedisi përreth mori një hije të zymtë e të frikshme, diçka si Kështjella e lugatit Drakula, aq i njohur përmes kinematografisë amerikane, si burgu i bodrumeve të Koloseut romak, i viktimave të kristianëve të parë, siç dëshmon historia. Edhe një tullë e zakonshme, po qe se përdoret nga një kriminel për t’i thyer kokën e për t’I hapur trutë një viktime të pafajshme, kur ajo del në gjykatë si armë krimi, shihet nga njerëzit sa me frikë, aq edhe me mëri. E sigurimsat komunistë kishin një aftësi të veçantë: çdo objekt, kur e preknin me dorë, e nxinin, e kthenin në diçka të zymtë, të frikshme, të urryer, mjet i vuajtjes, torturës, i vdekjes së njerëzve. Pse, a nuk i kthyen në Shkodër faltoret e Zotit dhe disa shtëpi të familjeve të ndershme e të dëgjuara të atij qyteti në burg? Po kështu, edhe në disa qytete të tjera të vendit tonë fatkeq. Pra, si për një ligj të pashkruar të historisë njerëzore, edhe një faltore hyjnore, në duart e çdo diktature, kur përdoret për krimet e saj, merr hije të keqe, sepse njehsohet me vetë diktaturën. Gulagët e Serbisë, Ljubjanka e Moskës, Aushvici hitlerian e kështu me radhë, pa anë e pa fund, nga vende të qeta, në duart e Xherxhinskit dhe të Himlerit, morën mallikimin e popullit dhe damkën e turpit të historisë. Ja, pikërisht kështu ndodhi edhe me burgun e Burrelit e burgjet e tjerë të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, është shumë më keq, është një bela më vete, kur ke që më parë njohuri mbi atë burg të mallkuar e ku po të fusin brenda. Është një shokim i pashmangshëm, i shkaktuar nga frika, nga tmerri. Edhe në mendje të torturon pyetja e pashmangshme: A do të dalësh dot andej i gjallë apo si kufomë, i mbështjellë me një batanije të qelbur, tërhequr zvarrë, si një kafshë e cofur drejt gropës së një varri të humbur, pa shenjë e pa emër, ku nuk do të vijnë dot kurrë njerëzit e tu të derdhin së paku dy pika lot e të të vënë sipër një tufë me lule? Prandaj, duhet një qëndresë e rrallë, një burrëri epike, për t’i bërë ballë që në fillim kalimit me këmbët e tua të asaj dere fatale.

Jehona e ka përcjellë emërtimin “Burgu i Burrelit” pothuaj në tërë Shqipërinë, qysh në kohën e diktaturës së kuqe. Ky emërtim, për shqiptarët, ishte sinonim i ferrit dhe vazhdon të jetë i tillë ende sot në mendjen e njerëzve.

…Për ata që nuk kanë as përvojën vetjake dhe as dijeni të saktë për burgjet e diktaturës në vendin tonë, por kanë dëgjuar diçka për burgun e Burrelit, thonë se ai burg ka qenë nën tokë si një lloj galerie, pa dritë e pa afër. Siç duket, janë ndikuar nga filmat që kanë parë hera-herës me subjekt burgun, si “Konti i Monte Kristos” apo ata mbi Neronin. E pra, burgu i Burrelit nuk ishte aspak i tillë. Ai ishte një burg i zakonshëm, jo nën tokë, madje me mjaft dritare dhe me ajër të bollshëm, sepse dritaret atje nuk mbylleshin pothuajse kurrë. Padyshim që ai burg, nga pikëpamja higjienike, nga pozicioni dhe ndërtimi ishte shumë më komod, sepse ishte më i ri nga burgu i Gjirokastrës. Madje, do të shtoj me bindje se, si ndërtesë, ishte edhe më i mirë se burgu i vjetër i Tiranës. Atëherë, pse gjithë ai nam i keq? Dhe ja pse.

Kuptohet se, sikur edhe në një kafaz floriri të të fusin dhe të të mbajnë me pasta e çokollata, prapë do të ndjeheshe keq, sepse ato do të të vinin në majë të hundës. Vini re zogjtë e bukur të kafazeve se si kapen pas telave të tij dhe syri u mbetet vetëm jashtë tyre! …vetëm në burg e kuptoje se sa shumë kishe humbur. Kishe humbur gjithçka…

Po në burg, çfarë gjen? Ngushtësinë e një vendi që të merr frymën, mungesën e higjienës normale, ushqimin e keq, sharjet e fyerjet e policit, lëvizjet shumë të kufizuara në atë hapësirë tepër të ngushtë, ajrin e ndotur nga pluhuri, tymin e cigareve, erën e trupave të palarë, erërat e këqija të natës (pse jo edhe të ditës), njerëz që flasin të gjithë njëherësh si në një qoshe të ngushtë pazari, fjalë shpesh të marra (pa kuptim, pa pikë vlere), tipa të vështirë (që shpesh nuk mund t’i gëlltisësh, por që je i detyruar t’i kesh pranë), “oratorinë” e shpifur të një injoranti mendjemadh, leksionin e neveritshëm të komisarit të burgut, arrogancën dhe shkelmin e policit, “orarin” me sekonda të nevojtores, torturën e urinës apo nevojës së madhe natën, mungesën e shpeshtë të cigareve, mungesën e gjatë të lajmeve nga familja, survejimin e pandërprerë të operativit, spiunllëkun e agjentëve të tij pranë teje, kapadaillëkun dhe arrogancën e të barabartëve të tu, që kanë më shumë kilogramë e forcë fizike, racionin e vogël të bukës, mungesën e librave, etj. Nuk duhet të harrojmë, gjithashtu, edhe dëshirën e natyrshme për të parë një lule a një fije bari, për të dëgjuar një cicërimë zogu, blegërimën e një qengji, zëthin e ëmbël si të zogut të një fëmije apo zërin e këndshëm të një gruaje, durim të dëgjosh gjithë natën gërhitjen e atij që fle pranë teje, atë afrim fizik tepër të ngushtë me një të panjohur më parë (si sardelet në konservë), grindjet e marra deri në rrahje për një centimetër vend fjetjeje, futjen në birucë në palcën e dimrit për një muaj të tërë për hiçmosgjë, jetën e kthyer në një vegjetim primitiv organizmash njëqelizore, prekjen gati në çdo çast të dinjitetit të njeriut, fundin e padukshëm të asaj torture të pafund që të shkatërron nervat, humbjen e shpresës për të dalë ndonjë ditë nga ajo skëterrë, frikën e rënies prapë në burg etj.,etj. Pra, një jetë që, edhe po t’ia falje dreqit, nuk do ta pranonte. Ja, kjo ishte, me pak fjalë, jeta e burgut komunist.

…Burgu i Burrelit, si gjithë burgjet e tjerë shqiptarë apo të botës, ka edhe historinë e tij. Ai nisi të ndërtohej nga qeveria e Zogut, por, meqë nuk arriti të përfundonte, italianët e kthyen në stalla kuajsh për ushtrinë e tyre. Komunistët e kthyen në burgun më të rrezikshëm të vendit se…ata ishin mjeshtra në ndërtimin e vendeve të torturës njerëzore.

...Vendi ku shtrihet ai burg vjen disi i pjerrët dhe burgu, nga një anë, del sipër mbi një xoklaturë muri dhe, nga ana e kundërt, futet në dhe (gati dy pëllëmbë). Ai burg është i gjatë rreth njëqind metra. Sot është ndryshuar diçka nga brenda, por, kur isha unë, kishte dhjetë dhoma (kausha), pesë në secilin krah, me nga një korridor të ngushtë në çdo radhë të tyre.

Këto dy grupe dhomash, ndaheshin mes tyre nga një nevojtore me vetëm tri bira, një si korridor me një govatë kur rridhte uji i tri çezmave dhe, fill pas tyre, vinte një tjetër korridor i gjatë dhe i ngushtë, me nga trembëdhjetë biruca në secilin krah të tij. Dy dhomat e skajshme, ajo me nr.1 dhe nr.10, ishin paksa më të mëdha se të tjerat, të cilat ishin krejt të barabarta mes tyre. Në fund të korridorit të ngushtë të parë, që niste nga dhoma nr.1, ishte kabina e rojës apo rojave të brendshme. Muret ishin të trashë rreth gjysmë metri, e gjithë dyshemeja ishte prej betoni, ashtu si tarraca sipër. Mes ndërtesës dhe murit rrethues (nga para), ishte një shesh i caktuar për ajrosjen e të dënuarve. Por, murit nuk mund t’i afroheshe, se kishte një zonë të ndaluar, në të cilën ishin vendosur tabela me mbishkrimin: “Rrezik vdekje”. Po të shkelje aty, rojat, nga pozicionet e tyre (mbi kullat e mbi tarracë), të linin në vend me një breshëri plumbash. Kurse, nga ana e derës së hekurt, në krah të saj, ishte ndërtesa e komandës e, pas saj, ajo e ushtarëve. Ata bënin rojë ditë e natë, pa pushim. Ja, ky ishte burgu i Burrelit.

Ai burg mori nam të keq që kur nisi të funksionojë si i tillë, rreth vitit 1946; në të u mbyll ajka e inteligjencies dhe shumë prej tyre vdiqën aty. Ushqimi ishte vetëm 400 gr. bukë misri (e mykur) dhe një gavetë ujë në 24 orë. Ujë të rrjedhshëm atë kohë nuk kishte, por vetëm një pus në mes të oborrit, ku të burgosurit, ngaqë nuk kishte as çikrik dhe as kovë, enkas për mundim, mbushnin ujë me gavetat e tyre, të lidhura me gjalmë, të sajuar vetë nga halli. Komandanti i parë i atij burgu ishte sadisti me gradën e togerit, me emrin e mallkuar Vangjel Rrëmbeci. Dhe, deri në vitin 1949, ai burg mori emrin burgu i shfarosjes. Sepse, nga uria, nga sëmundjet, nga të ftohtët, nga lagështia, nga trajtimi i keq në dhoma e nga dënimet e kota në biruca, humbën jetën me dhjetëra njerëz, numër që nisi të rritej gjithnjë e më shumë. Unë nuk e di numrin e saktë të të vdekurve në atë burg, por mund them se vetëm gjatë kohës që kalova unë aty, për 14 vjet rresht, dhe u sakatuan dhjetëra të dënuar. Mbaj mend disa prej tyre: Sazan Hadëri, Salo Lezha, Karafil Kalaci ( në spitalin e të burgosurve në Tiranë), e sidomos Mustafa Bajraktarin.

Ish-kryeministrin e mbretit Zog, Koço Kotën, e vranë policët e Vangjel Rrëmbecit me hunj, duke ia stërpikur gjakun dhe trutë në muret e birucës. Intelektualin Xhevat Korça e bënë të vdiste me grevë urie. Në atë burg kanë vdekur mjaft intelektualë patriotë,  figura të shquara të shtetit dhe të kulturës shqiptare, ndër të cilët mund të përmend: Et’hem Haxhiademi, Arqile Tasi, Gjergj Kokoshi e plot të tjerë. Madje, ky i fundit, pat qenë edhe ministër në kabinetin e parë të Hoxhës. Në atë burg kaluan kalvarin e tyre edhe plot intelektualë të tjerë, laikë apo klerikë, si Koço Tasi, Zef Mala, Kudret Kokoshi, Suat Asllani, Arshi Pipa, Patër Mushkalla, Nikollë Mazreku, Hafiz Durguti, Foto Bala, Andon Frashëri, etj.

Marrë me shkurtime nga libri “21 vjet burg komunist” i Uran Kalakullës, botimet Fjala. Autori u lirua nga burgu i Burrelit në janar të vitit 1982.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here