“Meritat dhe mbrojtjen time ia kam besue Historisë së nesërme”

Zef  Mala ka lindur me 14 prill 1915. Sipas disa burimeve ai ka lindur në Lagjen “Skanderbeg”në Shkodër, ndërsa sipas të tjerave në fshatin Plan të Dukagjinit. Do të mbaronte me rezultate të shkëlqyera kolegjin e urdhrit Jezuit në qytetin e Shkodrës. Një vit më pas në Tiranë do të niste të botonte gazetën “Besa”. Në periudhën e monarkisë do të fitonte një bursë studimi nga mbreti Zog në Universitetin e Vjenës, në Fakultetin e Filozofisë.
Në vitin 1937, do të themelonte grupin komunist të Shkodrës në bashkëpunim me Qemal Stafën,Vasil Shanton dhe Tuk Jakovën. Gjatë kësaj periudhe ai do të kërkonte jo vetëm një organizim sindikalist kundër mbretit Zog, por gjithashtu rrëzimin e sistemit monarkist. Për këtë arsye do të dënohet me 10 vjet burg dhe do të dërgohet në fshatin Mbreshtan të Beratit. Më vonë, duke përfituar prej pushtimit italian, do të arratisej në 6 prill te vitit 1939 së bashku me Vasil Shanton. Do të kapej sërish nga autoritetet fashiste dhe do të sillej në Shqipëri për t’u dënuar me 14 vjet burg. Ai do të dilte sërisht pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943. Me kërkesë të Enver Hoxhës do të bëhet pjesë në batalionin e dytë në grupin e Pezës. Në këtë grup ndodhej dhe i dërguari i posaçëm i Beogradit, Mladin Popoviçi. Këtu diskutohet dhe se çfarë qëndrimi do të mbahet në lidhje me Kosovën pas luftës. Zef Mala do të hedhë idenë që kjo çështje duhet të zgjidhet me anë të një referendumi. Në vitin 1946, pas kthimit në Shqipëri, kur punonte në bibliotekën kombëtare, arrestohet papritur dhe dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit: “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste Jugosllave”. Kryen dy vjet dënim, lirohet më 19 janar të vitit 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koci Xoxes.

Më 1950, përgatiti një dispencë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924", e cila më vonë do të konfiskohet dhe do të humbasë. Në vitin 1955, arrestohet e dënohet me 5 vjet burg; motivacioni “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim”. Në vitet 1961- 1964, internohet në Zvërnec të Vlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me Kasem Trebeshinën. Këtu do të shkruante dhe një traktat filozofik me rreth 140 faqe, i cili gjithashtu do të zhdukej. Pas lirimit, do të internohet sërisht prej Enver Hoxhës në vitin 1977 në Labovë të Gjirokastrës. Aty më 15 korrik 1978, shkruan një Promemorje Emblematike, drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu. Në po këte vit ai nuk pranon të marrë pjesë në votime dhe për këtë arsye e dënojnë me 10 vjet burg në Ballsh, ku dhe u verbua plotësisht. Më 26 dhjetor 1979, ndërroi jetë në Tiranë.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.