Dënimi i “grupit amerikano-francezo-italian” dhe persekutimi i familjes Popa

0
297
blank

Një proces qesharak i larmishëm në poliagjenca, u zhvillua në vitin 1953 në Durrës. Në të ishin të pandehur çifti Popa dhe fëmija e tyre. Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10, 72/1, 75, se bashkë me të tjerët ishin vënë në shërbim të agjenturës imperialiste për të dhënë dhe marrë informata në legatën italiane, por që gjoja kishin pasur lidhje edhe më parë me amerikanët apo francezët. Ky proces bashkoi shtetasit: Maria Mediçina, Petraq Janku, Moisi Popa, Eleni Popa, Arqile Moisi Popa, Dhora Miho. Ata ishin:

-Petraq Sandi Janku, lindur në vitin 1913 në Durrës, banues në Tiranë, me origjinë tregtar i mesëm, me arsim të mesëm, bëhej fajtor se nga shkurt-marsi 1945 ishte vënë në shërbim të “zbulimit amerikan”, në lidhje me kapiten Thoma Stefanin, duke propaganduar për SHBA-në në disfavor të Bashkimit Sovjetik. Pas ikjes së Stefanit, sipas akuzës ishte vënë në lidhje me sekretarin e legatës franceze në Tiranë, Titino Bonati. Po ky në “pamundësi” ia kaloi në lidhje nëpunësit të Bankës së Shtetit, Ndoc Naraçit, e më pas në lidhje me Haki Pepën. Pastaj kishte kërkuar të arratiset në bashkëpunim me Injac Baqllin, Ndoc Naraçin, etj., por ishte arrestuar më 19.12.1952.

-Maria Dhionis Medicina (Dvorani), lindur në vitin 1923 në Korçë, me arsim të mesëm, infermiere, akuzohej se ishte vënë “në shërbim të kundërspiunazhit italian”, “që në ditët e para të okupimit italian”. U arrestua më 28.12.1952. Ajo ishte martuar me një italian dhe u paraqit në legatën italiane për të bërë dokumentet. Kjo praktikë e thjeshtë konsullore, paraqitej si veprimtari spiunazhi, pa specifikuar se çfarë dinte personi që mund të kishin interes italianët. Në fund, akuza nxjerr dëshirën e saj për arratisje në Jugosllavi.

-Moisi Themistokli Popa, lindur në vitin 1895 në Durrës, banues po aty, me origjinë shtresë e mesme tregtare, me arsim të lartë, akuzohej (në vitin 1952) se kish qenë në shërbim të Gestapos. Po pse ishte lënë i lirë gjithë ato vite “i rrezikshmi” i Gestapos, kjo nuk thuhej. Por përveç Gestapos, Moisiut i lidhnin njohjet me Thoma Stefanin, sekretarin e Fultzit, etj. Për ta bërë më të besueshëm skenarin, akuza thotë se informatat i dërgonte nëpërmjet vajzës së tij Polikseni në legatën franceze.

-Eleni Jovan Popa, lindur në Berat në vitin 1904, gruaja e Moisiut, nënë e 8 fëmijëve, akuzohej për pasje dijeni të ekzistencës së organizatës së fshehtë.

-Arqile Moisi Popa, lindur në Napoli; në vitin 1925, me arsim të mesëm, akuzohej për pasje dijeni të ekzistencës së organizatës së fshehtë.

-Dhora Koço Miho, lindur në Labovë të Gjirokastrës në vitin 1924, me arsim unik, akuzohej se ishte në dijeni nga Maria për arratisjen e tyre.

Gjykata Ushtarake Territoriale Durrës, e drejtuar nga kapiten II Bektash Ismaili, me pjesëmarrjen e prokurorit major Simo Dhami, me vendimin nr.83, datë 4.7.1953, deklaroi fajtorë Marien dhe Petraqin dhe i dënoi me vdekje, pushkatim dhe heqjen e të drejtave civile. Moisiu u dënua me 25 vjet, Eleni me 15 vjet dhe Arqileja e Dhora me nga 10 vjet.

U ndryshua me vendimin nr.288, datë 20.7.1953 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, duke iu kthyer dënimi në 25 vjet privim lirie dhe humbjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Maria u lirua më 6.4.1965 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë. Petraqi më 24.11.1967; Moisiu më 12.8.1957; Eleni më 28.11.1957; Arqilea më 18.2.1960; Dhora më 27.11.1953.

blank

 

Me familjen Popa

Ky persekutim ndikoi në familjen Popa. Vite më vonë, më 12.12.1985, fëmijët e Moisiut: Arqilea, Nikolla (vitlindja 1933), Eliana (1930), Teona (1938), Ermioni (1939) dhe Zhaneta (1941), hynë në ambasadën italiane në Tiranë dhe kërkuan strehim politik aty. Të gjithë ishin të pamartuar e në gjendje të keqe sociale. Qëndruan deri në vitin 1990.

Në foton kryesore: Marie Medicina Dvorani

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here