Ekzekutimi i Namik Bardhit se “nuk e ka hedhur hekurin sipas udhëzimeve të inxhinierit jugosllav”

0
228
blank

Proceset e stisura ndaj grupit imagjinar “tekniko-intelektual” janë të shumta. Ato nuk njihen për publikun tërësisht sepse më shumë vëmendja është përqendruar te procesi i parë i Maliqit, i cili u filmua dhe mediatizua shumë. Në fund të vitit 1947 dhe fillim të vitit 1948 kemi procese kundër nxënësve të tjerë të Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë.

Më 27.10.1947 u ekzekutuan në Tiranë Ymer Xhemal Begeja dhe Mustafa Selman Qosja, të akuzuar për “lidhje me UNRRA-n”, teksa kishin disa muaj që kryenin shërbimin e detyruar ushtarak. Më 23.2.1948 u ekzekutua Kamber KazaziElbasan. Më 2.3.1948 u ekzekutua Kostaq Stefa në Berat, etj.. Këto procese dënimesh me vdekje, janë pjesë e dosjes së zezë të dënimit të intelektualëve, të cilët akuzoheshin të gjithë njësoj: për sabotime dhe spiunazh.

Një tjetër i dënuar me vdekje ishte Namik Hajdar Bardhi, lindur më 3.5.1912 në Prevezë të Çamërisë. Banonte në Durrës. Kish mbaruar Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, me profesion gjeometër. Gjatë kohës së Zogut kish ardhur në Shqipëri dhe marrë shtetësinë shqiptare. Edhe ndaj tij u përdor skema e njohur e dënimit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, por historia e tij duke qenë se procesi i tij u zhvillua në vitin 1947, pothuajse nuk njihet. Si edhe shumë të tjerë edhe ndaj tij ra akuza se bënte pjesë në “grupin tekniko-intelektual”.

Namiku arrestua më 27.5.1947. U akuzua në bazë të nenit 4 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe të nenit 15 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, se kish marrë pjesë në kurset e Harry Fultz-it, të cilave u jepej ngjyrë agjenturore, si dhe për sabotime në zonat ku kish punuar. Përmendej edhe Beqir Çela në akuzë, person që u pushkatua në procesin e parë kundër deputetëve.

Bëhej fajtor se “ka sabotuar në fabrikën e cigareve duke ngadalësuar punën dhe prishur motorët; ka sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit (1945)”, sabotim në kanalin e Sulovës si dhe Llixhat në Elbasan, sabotim në spitalin e ri të Gjirokastrës. Te kjo e fundit thuhet (si edhe në Maliq) se “nuk e ka hedhur hekurin sipas udhëzimeve të inxhinierit jugosllav”, se kish paguar punëtorët më shumë nga ç’duhej, etj.. Po ashtu bëhej fajtor se kish shoqëruar një gazetar amerikan të cilit i kish folur se zgjedhjet nuk ishin të lira, ndërhyrë pranë misionit amerikan në Tiranë, shpërndarë trakte.

U përfshi në një proces së bashku me Haxhi Sejkon, i cili ishte nëndrejtor i kantierit të spitalit. Gjykata e bënte fajtor se kish marrë përsipër detyrën për të furnizuar amerikanët me informacione.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e drejtuar nga kapiten II Llazi Polena, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit toger Mustafa Beqo, me vendimin nr.249, datë 22.11.1947, e deklaroi fajtor dhe dënoi me vdekje, humbjen e të drejtave civile e politike dhe pagimin e shpenzimeve gjyqësore. U la në fuqi me vendimin nr.13, datë 7.1.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here