Dënimi i Veli Zleushës, prijësit antifashist që kishte demaskuar komunistët

0
172
blank

Në një nga gjyqet komuniste të vitit 1945, Veli Zleusha, krijuesi i çetës së armatosur kundër pushtuesve në zonën e Dangëllisë së Përmetit, u shpall armik i popullit dhe u dënua me ekzekutim. Ishte i njëjti komunistët bënin çmos për ta përfshirë në Frontin Nacionalçlirimtar gjatë vitit 1943, por që nuk ia arritën sepse, sipas nacionalistit, pas Frontit fshihej Partia Komuniste dhe komunistët ishin agjentë të Rusisë

 

Pasi morën pushtetin, komunistët vunë pas hekurave ose ekzekutuan shumë persona me akuzën “armik i popullit”. Në të vërtetë, ata ishin vetëm kundërshtarë të komunistëve. Sa për popullin, kishin një ndikim të madh në të, falë veprimtarisë së spikatur patriotike. Një prej tyre ishte Veli Zleusha.

Zleusha formoi në nëntor të vitit 1942 një çetë të armatosur në zonën e Dangëllisë kundër pushtuesve italianë. Duke parë ndikimin e madh të tij në zonën e Përmetit, disa herë komunistët tentuan ta përfshinën në radhët e frontit nacionalçlirimtar, por nacionalisti duke ditur se pas frontit fshihej partia komuniste nuk pranoi të bashkohej me ta. Ky refuzim i vendosur e vuri atë në listën e armiqve, që do të dënoheshin në vitin 1945. Rëndë.

Sipas Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, të ISKK, më 27 tetor 1945, Gjykata Ushtarake Korçë, duke pasur pranë prokurorin Nevzat Haznedari, e dënoi me vdekje. U shpall fajtor si “armik i popullit”. Në një shkrim të botuar në gazetën 55, Kastriot Dervishi shkruan se në këtë proces u dënuan me vdekje edhe Sadik Vrecka dhe Haxhi Arëza.

Xhafer Sadiku në librin e tij “Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990)”, duke iu referuar dokumenteve, e përmend Veli Zleushën si një nga personat e ekzekutuar nga regjimi komunist, por sipas Arkivit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunimit ISKK, gati dy javë pas vendimit të tetorit 1945, më 12 nëntor, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm, çfarë lë një shpresë ndezur se jeta e Zleushës nuk ka përfunduar nën plumbat e togës së pushkatimit.

Dokumentet e mbajtura gjatë luftës, nxjerrin në pah qëndrimet nacionaliste të Veli Zleushës, por, krahas tyre, edhe arsyet se përse për komunistët ai nisi të shndërrohej në armik. Xhafer Sadiku sjell përmbajtjen e këtyre dokumenteve ku spikat veprimtaria patriotike e Veli Zleushës, një nga themeluesit e çetave të para nacionaliste në zonën e Përmetit.

“Gjatë vitit 1942, në zonat e Përmetit u formuan çeta të armatosura me orientim kryesisht nacionalist. Në nëntor të atij viti, në Dangëlli u formua çeta e ish-togerit të xhandarmërisë, Veli Zleusha, ndërsa në Frashër ajo e Avni Radovickës…Komandanti i batalionit të Rojës së Financës, tenente koloneli Francesco Murgia, informonte për çetat që vepronin në zonën e Prefekturës së Gjirokastrës. Për zonën e Përmetit përmendeshin çetat e Safet Butkës, Dervish Kurtesit, Kristaq Cekës nga Peshtani, Veli Qamilit (Zleusha), të nëntogerit Gani Pavari dhe “të tjerë krerë rebelë në periferi të Këlcyrës””, shkruan Sadiku.

Përpjekjet e para, siç shkruhet në dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit, të shfrytëzuara nga Sadiku në librin e tij, për formimin e celulës komuniste në Përmet u bënë në gjysmën e dytë të vitit 1942, por pa sukses. Edhe ndikimi i këshillit nacionalçlirimtar që u krijua ishte i papërfillshëm në jetën e qytetit. Ndër detyrat kryesore që komiteti qarkor u vuri komunistëve të celulës së Përmetit, ishte që për të influencuar në Dangëlli duhej të shkëpusnin Veli Zleushën nga influenca dhe marrëdhëniet me Safet Butkën. Në të vërtetë, komunistët bënë përpjekje të mëdha për të tërhequr në lëvizjen nacionalçlirimtare ish-togerin e xhandarmërisë, Veli Zleushën, i njohur për pikëpamjet e tij nacionaliste dhe antifashishte, i cili ishte larguar nga xhandarmëria në shtator 1942 dhe kishte krijuar çetën e tij në krahinën e Dangëllisë. Në librin “Lëvizja nacionalçlirimtare në rrethin e Përmetit 1943-1944” Apostol Kotani, shkruan se u zhvilluan disa takime që në fund të vitit 1942, por ato u intensifikuan në mars 1943, kur me Veli Zleushën u takuan Dr.Musa Ohri, Fuat Gaçe, Dhimitër Lamani, Alqi Kristo, Mustafa Matohiti dhe Dashnor Mamaqi, figura të njohura të Frontit në Përmet, këto.

“Duke ditur mirë se pas frontit nacionalçlirimtar fshihej partia komuniste, Veli Zleusha refuzoi, duke propaganduar me çetën e tij fshat më fshat dhe duke ngritur këshillat e fshatrave. Ai ishte për pluralizmin politik, madje në takimet që organizonte me fshatarët merrnin pjesë dhe debatonin edhe komunistët. Kështu, në një mbledhje që organizoi në mesin e marsit në fshatin Gosnisht, morën pjesë edhe Mustafa Matohiti dhe Dashnor Mamaqi me çetën partizane. Po kështu ndodhi edhe disa ditë më vonë kur organizoi një mbledhje në “Hauzin e Topojanit” me fshatarë të zonës së Dëshnicës, ku ishin të pranishëm edhe simpatizantë të partisë komuniste. Në një mbledhje me banorë të zonës, që u organizua në prill të atij viti në fshatin Gosnisht, morë pjesë e debatuan edhe të dërguar të celulës komuniste.

Në debatet politike me komunistët, Veli Zleusha përqendronte propagandën tek rreziku i ndikimit sllav në Shqipëri, madje nuk kursente as simbolet komuniste. Ai deklaronte se “Ylli i kuq është i ushtrisë së kuqe ruse dhe pra është njësoj si sopata fashiste”. Se “Partia Komuniste është organ i U.R.S.S. (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) dhe komunistët janë agjentë të Rusisë dhe nuk bëjnë një politikë shqiptare. PKSH është e nënshtruar dhe zbaton verbërisht urdhrat e Kominternit rus, Këshilli Nacionalçlirimtar është vetë PKSH””, shkruan Xhafer Sadiku në librin “Skenarë të Përgjakur”.  Këto deklarata të ruajtura në dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit, nga i ka marrë Sadiku, nuk mund të mos i kushtonin shtrenjtë autorit të tyre, kur të akuzuarit prej tij, u bënë udhëheqës në vend. Veli Zleusha bashkë me Ali Këlcyrën ishin figurat qendrore nacionaliste në debatet politike mes palëve të kësaj periudhe në zonën e Përmetit. Shkresat e udhëheqësve komunistë shprehin qartë ndikimin që kishte Ali Këlcyra në zonë dhe porositë për të gjetur mënyra për ta ulur reputacionin e tij në popull.

Nëse nuk do ishte larguar nga Shqipëria, edhe ai do të ishte ulur në bankën e të akuzuarve dhe do të shndërrohej nga një njeri, ndikimi në popull i të cilit, komunistët i kishte shqetësuar gjatë gjithë luftës, në armik të popullit, por Këlcyra u largua pak kohë para se komunistët të shpalleshin fitues. Veli Zleusha, i mbetur në Shqipëri, provoi, përkundrazi, hakmarrjen e komunistëve të cilët e dënuan me pushkatim dhe më pas, të paktën sipas disa dokumenteve, me burg të përjetshëm.

Në foto: Pamje nga një gjyq ushtarak i vitit 1946.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here