Dëshmia/ Shpresa Merdani: 21 vite internim në “Siberinë” shqiptare

0
871

Një jetë e jetuar në kufijtë e mbijetesës. Pas arrestimit të babait për një copë tokë fëmijët e tij vuajnë urinë, punën e rëndë dhe internimin në “Siberinë shqiptare”, fshatin Shtyllas ku bora shkrinte në maj. Shpresa Baholli Merdani është një nga të persekutuarat e regjimit diktatorial ku fëmijërinë e saj e kaloi përmes dhimbjeve dhe varfërisë të tejskajshme e jetën si grua e nënë u përball me sfida të vështira të krijuara nga regjimi komunist. Origjina e saj është nga një familje e madhe dhe e shquar korçare, familja Ballolli, e cila u përndoq nga sistemi komunist në pesë breza duke kaluar një kalvar të gjatë mundimesh dhe vuajtjesh. Shpresa e bija e Veli Ballollit ka vuajtur sistemin e përndjekjes që në vitin 1969 ku internua sëbashku me familjen e saj në Shtyllë të Vithkuqit për 21 vite përgjatë të cilave kaloi gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Kalvari i vuajtjeve përfundon në 1990. Sot ajo është 78 vjeç dhe menjëherë pas ndryshimeve demokratike u aktivizua me Shoqatën e të Përndjekurve Politikë Antikomunist në qytetin e Korçës duke i shërbyer për gati 25 vite kësaj shtrese. Dëshmia e plotë dhënë Kujto.al

Intervistoi: Najada Pendavinji

Znj. Shpresa, si nisi persekutimi komunist ndaj familjes tuaj? Pse u arrestua dhe u dënua babai juaj?

Unë jam Shpresa Veli Merdani, e bija e Veli Bahollit nga Suli i Bilishtit. Babi im u rrit jetim, i vdiq blanke ëma në moshë të vogël dhe babagjyshi për ta zhvilluar ekonominë, për të rritur të birin me një edukatë për punën e dërgoi në Amerikë që në moshën 16 vjeçare. Babai im spikaste si punëtor, djalë kokulur dhe përpiqej që çdo fitim ta mblidhte dhe tja dërgonte të atit. Punoi për 13 vite në hekurudhat e Amerikës, thyenin akullin sa babai tregonte se aq shumë punonin, jo vetëm atij por edhe kushërinjve të tjerë që ishin sëbashku në Amerikë, i binin mishrat e krahëve nga i ftohti. Babai ishte shumë patriot dhe ato para që fitoi në Amerikë donte ta investonte këtu në Shqipëri se ishte shqiptar. U kthye nga Amerika, fitimin ja dhuroi të atit, ku të dy blenë një tokë prej 500 dynymësh në Llabanicën e Tresenikut, kufi me Greqinë. Atje babai ndërtoi shtëpi, ndërtoi qilare për bagëti të imta dhe të trasha, plevica për të mbajtur zahjre, mulli për të mblojtur bereqenë, domethënë krijoi një ekonomi për të mbajtur familjen. Babai ishte shumë mikëpritës, kushdo që vinte dhe i trokiste në derë qofshin këta grekë, maqedonas, ballistë, partizanë, ai ua hapte derën për t’u strehuar dhe për t’u ushqyer. Mbaj mend kur tregonte babai se i ndihmonte aq shumë sa i çonte bereqet partizanëve edhe në Lavdar të Korçës. Mbaroi lufta… Ndoshta çlirimtarët e kishin në program se këta njerëz që ishin punëtorë dhe të dëgjuar në atë krahinë të persekutoheshin për të vënë mësim të tjerët. Një ditë prej ditësh babain e fusin si anëtar të grupit të Deputetve të Devollit. Në atë moment ai ishte duke lëruar në Llabanicë, në tokën që na kishin lënë pasi ne familjarisht na hoqën nga Llabanica dhe na çuan në Tresenik në një vendbanim tjetër ku e vetmja gjë që na kishte ngelur ishte kjo tokë. Dhe babai i thotë vëllait Hiqmetit që të vinte kur t’i zbriste ai qetë nga puna, dhe t’i kulloste nëpër meshtat në Çiflik. Kështu që vëllai bashkë me një kushëri shkoi në Llabanicë, ashtu siç i porositi babai. Kur arritën në një moment ata panë babain në mes të dy ushtarëve me automatic, të cilët nuk i lejuan as të takoheshin me njëri-tjetrin. Por e vetmja gjë që i tha babai ishte: “Hiqmet zbrehi qetë nga zgjedha dhe kulloti”. Ky djalë i vogël 10 vjeç ishte, i trembur nga ajo që pa i thotë: Baba! Çfarë ke? Pse të kanë marrë ushtarët? Çfarë ke bërë? Dhe babai vazhdonte t’i thoshte: “Ik Hiqmet zbrehi qetë!” Dhe ashtu veproi vëllai…

Çfarë ndodhi me ju gjatë kohës që babai juaj ishte në burg?

Babanë e futën në burg.  E la nënën me gjashtë fëmijë dhe gjyshen shtatë. Unë kam qenë e vogël asaj kohe rreth 5 vjeç, por në kujtesën time e kam ende sot, kur qante nëna duke bërtitur: ç’të bëj unë e shkreta me 6 fëmijë, në një fshat të huaj?! Babain e dënuan me vdekje, pa bërë asgjë. Më vonë ia ulën dënim me 101 vjet, ku nga 101 bëri 15 vite burg. Që në atë kohë nëna u vesh me të zeza deri në ditën që vdiq unë nuk e pashë nënën kurrë të vishte një fustan të çelur ose të vinte një shami të bardhë, por vetëm me të zeza. Ajo i vuri vetes si qëllim të na rriste, të na shkollonte, të na edukonte ne fëmijët e saj. Gjatë kohës që babi ishte në burg, në do përpiqeshim të mbijetonim. Vëllain e futën në punë në Vëntrok, (Tren), ishte i vogël dhe iu ndante ujë punëtorëve që punonin atje. Vuajtjet ishin shumë të mëdha, nuk kishim bukë të hanim. Në familjet që i kishim miq apo të afërm, nuk na ndihmonte njeri, pasi edhe ata i trembeshin persekutimit. Ndonjë njeri dashamirës i jepte nënës dhe gjyshes, nga 3 kile- 5 kile miell misri. Dritëshkurtra nënë mblidhte ndredhje ose lëpjeta i grinte dhe na i bënte qull me mill misri ne fëmijëve që t’i hanim. Atëhere nëna detyrohet dhe vjen në Korçë, kërkon punë, ku dikush u ndodh zemërmirë dhe e futi nënën në punë në fermë. Dhe ne vajzat e vogla, motrat e vogla shkonim pas saj dhe mblidhnim lulëkuqe, maraqka, mblidhnim tartulla, dhe i çonim tek dyqani i bimëve medicinale, të cilat i shisnim duke fituar në ditë 50- 60 lekë sipas luleve që mblidhnim. Mbasdite përsëri nuk e kalonim ditën duke luajtur si fëmijët e tjerë, por në artizanale ku jepnin kashtë prej thekri, ne e thurrnim këtë kashtë për të bërë kapele.

blank
Pesë fëmijët e familjes Baholli

E keni takuar babain tuaj në burg?

Babi vuajti dënimin e tij me burg. Herën e parë që e kemi takuar babain në burg, unë nuk e mbaj mend pasi isha shumë e vogël, por dritëshkurtra nënë më tregoi se kur e sollën babain te Burgu i Madh, këtu në Korçë, ndoshta dhe këtu në kjo ndërtesë ku jemi ne tani, e kemi takuar sëbashku. Unë kur isha e vogël kisha një si plagë në kokë që babai ma mjekonte gjithmonë me ilaçet që ai gjente, sigurisht para arrestimit. Gjatë takimit, unë i tregoja babait duke i thënë: baba shiko m’u shërua plaga, kanë filluar të më dalin leshrat! Dhe dritëshkurti baba qante. Dhe atëherë një nga policët që qëndronte atje gjatë takimit, i thotë nënës: “Hiqeni këtë fëmijë përjashta se na mallëngjeu të gjithve”. Unë e fjalosja babain me shumë dashuri, me shumë dhembshuri, i tregoja për motrat, për vëllain. Hera tjetër ka qënë kur babai vuante dënimin në kampin e Rinasit. Edhe pse kishin kaluar vitet dhe babai gjatë kësaj kohe kishte përjetuar edhe kampet e tjera si: kampin e Rrogozhinës, Kanalin Peqin-Kavajë, Levan-Shtyllë të Fierit. Por që nuk kishim mundësi ekonomike të shkonim ta takonim në këto Kampe. Ndërsa kur e caktuan në Kampin e Rinasit, ku është ngritur sot Aeroporti i Rinasit, ne kemi vajtur të pesta motrat, bashkë me villain i cili asokohe ishte ushtar në Qafë-Shtamë të Krujës, por arriti të vinte dhe kështu kemi shkuar të gjashte fëmijët dhe e kemi takuar në Rinas. Atje kemi pritur që nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 4:00, kur të burgosurit e linin punën dhe ktheheshin në kamp. E mbaj mend babanë në një vend të rrethuar me tela me gjemba. Dhe kur mbas shumë vitesh, pasi babai kishte ndrruar jetë, kam shkuar në Rinas pasi prisnim një të afërmin tonë, mua më dëgjohej sikur më thërriste babai: Shpresë ja këtu jam! Këto janë momente shumë të vështira. Babai si e hoqën nga Rinasi ka punuar edhe në Sanitoriumin e Tiranës, edhe atje e njëjta gjë më ndodhte, sikur babai më fliste: “Kudo që shkel Shpresa jam këtu”. Kalonin vitet e burgut të babait, dhe gjatë kësaj kohe ai i shkruante nënës: “Hasbie, dua që tre çupat e vogla t’i dërgosh në shkollë dhe mundësisht të venë në shkollën pedagogjike, të bëhen mësuese, se mësueset janë vajza të nderuara në të gjithë njerëzit e botës”… dhe ne ia plotësuam dëshirën e tij. Studiuam dy motrat, në shkollën pedagogjike, ndërsa të voglës nuk iu dha e drejta e studimit pasi ashtu ishte atëhere me plotësim kuadri për arsim në pedagogji. Kështu që dolëm vetëm dy mësuese Fëllëza dhe unë. Punuam me përkushtim, ishim të rregullta, i donim fëmijët, hynim në botën e tyre, na prokuponte çdo gjë e mirë ose e keqe e tyre. Dhe sot që ata janë rritur, ku dikush është bërë mjek, dikush mësues, dikush ka marrë një zanat tjetër, kur na takojnë na respektojnë. Kjo është një arritje, një sukses i qëllimeve tona fisnike. Jemi dekoruar nga Presidenti me urdhërin e klasit të dytë të Naim Frashërit.

Kur filloi internimi juaj?

blank
Shpresa me nënën e saj në internim

Mbaroi dënimi i babait dhe fillimisht ai punonte në NSHN, në ndërtime që bëheshin në qytetin e Korçës, pastaj e dërguan në pyjore. Ne, disa prej fëmijëve u martuan, vëllai po ashtu, ndërsa unë isha beqare, e pamartuar, isha vajzë në shtëpi. Në vitin 1969, na lajmëruan për të na hequr nga qyteti i Korçës. E thirrën babain në Komitetin e qytetit dhe e lajmëruan që të bënte rrobat gati se do të ikte në Shtyllë të Vithkuqit familjarisht. Gjithmonë të bindur ndaj ligjeve të qeverisë asnjëherë nuk u kundërshtuan nga ne urdhrat e saj. Edhe ne si një pjesë e mirë e qytetarëve Korçarë që u dëbuan nga qyteti, na mori policia dhe na çoi në Shtyllë. Atje na strehuan në shtëpitë që ishin bosh pasi një pjesë e tyre ishin bërë për vullnetarët, por ata nuk i rezistuan dot të ftohtit të atij vendi dhe na shpunë ne. Ishte një shtëpi, gjysma e çatisë e  mbuluar me kashtë dhe gjysma tjetër kishte pak qerramille. Muri nga ana e sipërme rridhte ujë. Mirëpo siç të thashë, edhe babain e vëllain i kisha shumë punëtor,  e rregulluan atë shtëpi, hapën kanale rreth e qark që të mund të kullonte uji jashtë jo brenda dhe e bënë vend për të jetuar, ku jetuam për 21 vjet. Fillimisht puna ishte shumë e vështirë pasi unë isha mësuese për gati 8 vite dhe nga një mësuese më duhej të punoja në bujqësi. Më vriteshin duart, më bëheshin flluska. Ngrihesha në mëngjes i thoja nënës: “oj moj nënë si do punoj unë sot? Unë jam shumë e lodhur! Unë nuk jam çlodhur natën”… Dritëshkurtra më thosh: ‘Bija e nënës lutju Zotit para se të fillosh punë dhe ai do të japë forcë që ta mbarosh punën edhe sot”. Nganjëherë e ngrohte në sobë bishtin e lopatës ose të ndonjë vegle tjetër dhe më thoshte; Shtrëngoje bishtin e lopatës që të të thahen këto flluskat në duar. Ndihmesa e nënës, kurajoja që na jepte ajo, forca e Zotit, më bënë që ta përballoj këtë një çerek shekulli në Siberinë e Shtyllës.

Si ishte jeta aty në internim?

Nuk më shlyen nga kujtesa ime momentet e vështira që kemi kaluar në internim. Diferencimet që na bëheshin nga njerëzit e partisë. Më caktonin punë më të vështira në bujqësi pasi unë isha me biografi të keqe dhe duhet të punoja si kafshë edhe në pjesët që nuk më takonin mua. Duke fitur më pak se shoqet. Atje gjeje elementë të indoktrinuar deri në palcë, të cilët tregonin gjithnjë e më shumë përbuzje dhe mllef ndaj nesh. Mbaj mend një sekuencë ku u vendos të mblidhej Këshilli për mua, pasi sipas tyre unë po sillja modën nga jashtë duke bërë qëndisma. Isha e re dhe asaj kohe duhet të përgatisja dhe pajën e nusërisë kështu që në kohën e lirë unë bëja qëndisje, mirpo punën time e mori si model dhe një vajzë tjetër. Këtë gjë e kuptuan bajraktarët e kuq të PP-së dhe e  shtruan si problem duke më thirrur në mbledhje. Unë isha një vajzë e ditur, ku e dija deri në çfarë pike qëndronte inteligjenca e tyre dhe kështu që jam ngritur në këmbë duke i thënë: “Më shikoni pak, ku qëndron indoktrinimi im i sjelljes së modës nga jashtë dhe përhapja e saj këtu në Shtyllë. Se kam të veshur një palë pantallona të babait me andre, një pallto të gjërë që më rri e madhe në trup, një palë çizme të grisura, dhe një kapele me vrima”. Qëndismat janë pjesë e traditës dhe zakoneve tona të cilat duhet tja përcjellim dhe brezit që po vjen në mënyrë që të mos humbasin pasi janë vlera shpirtërore të kombit tonë”. Kjo tregon që ata kishin një frikë paranojake ndaj çdo gjëje. Kujtoj e tronditem kur kthehesha me lot nga puna sepse më hanin në pjesë, as djersën e ballit nuk na jepnin…  

Mund të më thuash si e kujtoni momentin e ardhjes në jetë të dy fëmijëve tuaj, atje në kamp?

Si të gjitha vajzat e reja, edhe unë kisha ëndrrat e mia. Kisha lidhur fjalën time me Ylberin.

blank
Shpresa dhe Ylber Merdani

Atë e burgosën ndërsa mua më internuan. Unë ja kisha dhënë fjalën Ylberit se do ta prisja dhe vërtet e prita. Në 1977 Ylberi lirohet nga burgu, u takuam në Shtyllë, e përsëritëm edhe njëherë fjalën e dhënë me njëri-tjetrin dhe i dhamë fund asaj historie, ai është liruar në mars dhe ne në korrik bëmë martesën. Bëmë një ceremoni të vogël, erdhën ata njerëz që na kishin ndjekur për sebepe të tjera atje në Shtyllë, që e dinin dhe historinë tonë. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e bukur dhe ajo me kujtimet e saja, pasi që të gjithë ishim krushq dhe krushka të burgosura dhe të internuara. Mbas disa ditësh të martesës Ylberin e caktojnë për të korrur elb. Ylberi nuk dinte as si zihej drapri me dorë jo më të korrte elb. Filluam punën kur shikoj në krah Ylberi s’ishte. Thashë me vete po ç’u bë, kur shikoj ishte ulur tek shelgu ku i kishte mbushur sytë me lot dhe po lidhte gishtin të cilin e kishte prerë me drapër. I them: Çfarë ke kështu? Dhe ai më kthehet: Po ç’doje që u martove me mua, unë nuk mbaj dot veten dhe jo më të mbaj familjen! Dhe i them për ta qetësuar se do punoj unë për të dy, atë ditë kam bërë dy norma. Dashuria ishte e madhe. Kaluan ditët një nga një, isha shtatzënë me fëmijën e parë, por jo gjithmonë kishte punëra të lehta, unë isha më e madhe në moshë për të krijuar familje dhe vështirësitë e barrës ishin më të mëdhaja. Domethënë doja një trajtim më njerëzor, kisha ilaçet që më kishin dhënë mjekët, por edhe ushqimin apo punën e doja pak më të mirë për t’i dhënë mundësi fëmijës që të zhvillohej në bark. Me vështirësi kaluan muajt, erdhi dita e lindjes së fëmijës, paraqitem tek mamia e fshatit e cila më thotë që je gati për të lindur, por nuk kemi makinë që të të çojmë në Vithkuq. Ishte 30 marsi, po në Shtyllë kishte akoma dëborë, rruga ishte e mbuluar me akull, makinat nuk vinin. Atëherë detyrohet Ylberi me të vëllanë dhe të kunatën më morën në këmbë për të më çuar në Vithkuq. Vajtëm deri në një farë vendi ku munda t’i rezistoj dhimbjeve, më tej nuk ecja dot, nuk bëja dot as edhe një çap. Kështu që jam ulur në një gur dhe i them Ylberit: “Unë nuk mundem më, nuk vij dot, do rri këtu, ikni ju”! Atëherë Ylberi, edhe ai është besimtar te i madhi Zot më thotë: Shpresa! Lutju Zotit dhe Zoti do na ndihmojë, do të japë forcë që të arrijmë deri në spital. Ashtu vepruam. Më morën në një guvertë së bashku me kunatin dhe më ngritën. Arritëm në spital, e linda vajzën, në sajë të ndihmesës së mamisë Marika nga Vithkuqi. Lindi vajza mirpo ajo sa vinte dhe binte nga pesha, nuk ma pinte gjinë, duhej me patjetër ta vizitonte doktori. Maminë nuk e linin të vinte në shtëpi ta vizitonte fëmijën pasi ishim të deklasuar. Atëherë detyrohem bashkë me kunatën të shkojmë në spitalin e Vithkuqit, ku Ylberin nuk e lejonin të më shoqëronte se ishte i dënuar politik. Arritëm në Vithkuq ku u lajmërua ambulanca dhe më sollën në pediatrinë e Korçës. Mirëpo mendo ne ishim të veshura me çizme, me pallto të vjetër, dhe kur na panë mjekët e pediatrisë në këtë gjendje po na sillnin vërdallë, jo e shtroj jo se shtroj fëmijën. Si përfundim vjen një mjeke me zemër të mirë, më shtron në spital mua sëbashku me fëmijën. Kam ndenjur disa muaj në spital se fëmija nuk kishte zhvillim. Pas disa muajve kam dalë nga spitali, por që kuptohet fëmija donte trajtim, donte ushqim më të mirë, në na jepnin vetëm 300 gram për familje, ne ishim dhe familje e madhe nuk dilte edhe pse ia linim fëmijës. Kur Bardha është bërë 7 muajshe atëherë filloi një karvan tjetër i sëmundjeve që kishte ajo. Ka qene fundi i tetorit, atëherë në Shtyllë në 24 tetor ka rënë mbi 40 pont dëborë ku Këshilli nuk e lejonte maminë e fshatit të vinte të mjekonte fëmijën. Kështu që detyrohemi të shkojmë në këmbë duke çarë dëborën për ta shpënë fëmijën në spital.  Arritëm në Vithkuq me një fëmijë pothuajse të mbaruar, vjen ambulanca dhe Ylberin përsëri Operativi i zonës e ndalon për të më shoqëruar dhe jam nisur vetë në spitalin e Korçës ku kam qëndruar një muaj dhe pas kësaj ata më dërguan në Tiranë për gati 6 muaj pasi fëmijës nuk i binte temperatura. Sjellja e mjekëve të Tiranës ishte krejt më ndryshe se të Korçës. Ata kujdeseshin edhe për vendin e krevatit të fëmijës që të mos e kapte era. Kur më sëmurej fëmija dhe humbiste fare ndjenjat, ishte një doktor që e vizitonte Sami e kishte emrin, ishte Shefi i Pavjonit. Unë i lutesha me lot në sy duke i thënë: Aman doktor të lutem ma shpëto fëmijën! Dhe ai më thoshte se ne do bëjmë të pamundrën, por e ka tjetërkush në dorë, e ka Zoti që do ta shpëtojë apo jo. Mbas tre muajve ata ia ulën Bardhës temperaturën nga 39 oC ja shpunë në 37 e gjysëm dhe më nxorën nga spitali. Zoti ma fali fëmijën.

Çfarë ndodhi pasi u kthyet nga internimi?

blank
Shpresa me vajzën e saj Fatbardha në internim

Kam bërë internim plot 21 vjet. Më 6 gusht të 1969 na internuan nga Korça në Shtyllë të Vithkuqit, po më 20 gusht të 90-ës, na vjen lirimi, dhe jemi të lirë të jetojmë në qytetin nga ku ishim internuar, se na i kishin hequr edhe pasaportizimin e gjendjen civile. Gjendjen civile që e kishim më përpara në Korçë, tanimë e kishin vendosur në Vithkuq. Na i dhanë të drejtën të ktheheshim në Korçë, mirpo as shtëpi, as punë nuk na gjetën. Pra punë dhe shtëpi duhej të gjenim vetë. Ylberi kishte shok klase Lulëzim Qerebelin kryeinxhinierin e fabrikës së Tullës, dhe shkuam bashkë me Ylberin për të kërkuar punë. Ai po më shikonte mua me vëretje, se nuk kishte besim në punët e rënda që kishte në fabrikën e Tullës. Dhe unë i drejtohem Lulit duke i thënë: mos kij merak se unë jam e zonja të punoj në vende shumë të vështira, qoftë me kazmë, qoftë me lopatë, të ngarkoj dhe të shkarkoj makina, ti ku të kesh punë do më caktosh një vend që të më jepet mundësia për të marrë një rrogë për të mbajtur familjen. Atëherë ai më fut në punë në fabrikën e Tullës, punoja në repartin e dytë atje ku bluheshe qymyri i djegur. Të gjithë habiteshin me punën që bëja unë në atë repart, por njeriu duhet të përshtatet gjithmonë me të papriturat e jetës. Si punova një vit në atë fabrikë, ditët e para të demokracisë unë u aktivizova, isha dhe jam anëtare e Partisë Demokratike, mora pjesë në çdo aktivitet që bënte ajo, në takimet me qytetarët qoftë në qytet apo edhe në fshatra. Mbaj mend që kam vajtur bashkë me Ylberin në fshatin e Podgories ku kam qënë mësuese për 5 vjet. Ishte hera e parë që merrnin pjesë gratë në mbledhje, por kur morën vesh se ishte Shpresa Ballolli, mësuesja e internuar e Podgories nga Korça në Shtyllë, erdhën të gjitha gratë e Podgories në mbledhje ku votat ja dhanë të gjithë Partisë Demokratike. Pas disa muajve më kthyen në arsim, meqënëse unë isha diplomuar për arsim, kisha punuar 8 vjet mësuese, ku punova dhe 3 vjet e gjysëm të tjera dhe që andej dola në pension.

Si anëtare e kryesisë së ‘Shoqatës Kombëtare të të Persekutuarve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë dhe sekretare e degës Korçë, mund të më thoni peripecitë që kalojnë të burgosurit politik në fitimin e të drejtave të tyre në një kohë ku kujtesa kolektive mbi komunizmin duhet mbajtur gjallë?

Mbas daljes në pension kisha fuqi, kisha dëshirë për të ndihmuar njerëzit që ishin si unë të persekutuar pa të drejtë ku duhet të fitonin të drejtat e tyre. U aktivizova me Shoqatën e të Persekutuarve Antikomunistë Demokratë të Korçës, punova për 25 vjet, i shërbeva kësaj shtrese. Qoftë për bërjen e dokumenteve të para që në 93-in, qoftë për dokumentet e tanishme për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë gjë që le shumë për të dëshiruar, se trashëgimtarëve të këtyre të burgosurve dhe të pushkatuarve politikë vetëm tre këste u janë dhënë nga dëmshpërblimi, ku jo të gjithë e kanë marrë këtë këst të tretë. Duke menduar se ata kanë vuajtur barabartë me ish të burgosurit se ata ishin nëpër burgje ndërsa trashëgimtarët vuanin përjashta duke i ndihmuar ekonomikisht ata, punonin që t’i mbanin me ushqime , prindërit ose gjyshërit apo njerëzit e tyre të afërm që kishin nëpër burgje. Nuk është shumë e largët dita kur Ylberin e ftojnë, i cili më mori dhe mua si shoqëruese në kampin famëkeq të Spaçit, ku u bë një takim me  disa studentë. Atje mu dha për herë të parë mundësia ta shikoj kampin mizor të Spaçit. Jam befasuar nga ai vend aq i pjerrët, aq i egër, në atë vend aq të vogël që kanë jetuar mbi 700-800 të burgosur politikë, sa nuk arrita ta mbaj dot mendimin dhe i them Ylberit: Ylber! Ti thua që këtu ju ishit 1000 të burgosur… Si ju ka nxënë ky vend? Ku keni ndenjur? Ai më tregonte që në këtë pallat ishin krevate me tre kate që jetonin të burgosurit politikë. Dhe duke dalë nga kampi pamë flamurin pa yll që e kishte vizatuar Mersin Vlashi. Më kujtohet dita kur Mersini ishte i shtruar në Sanatorium dhe në Gjykatën e Apelit kërkonte vërtetimin e burgut dhe nuk e gjente. Dhe akoma më keq sot thonë se do të marrin ata ish të burgosur që kanë punuar në minierën famëkeqe të Spaçit dhe të Qafë-Barit dhe qeveria nuk ua jep vërtetimet për të marrë këtë shtesë të pensionit. Do të them dhe diçka të fundit që më ka mbetur në mendje dhe mbase Zoti do më japë fuqi që ta realizoj këtë gjë. Të gjitha këto që të tregova ishin si rrjedhojë e asaj toke që bleu babai në Llabanicen e Tresenikut, dhe sot e kësaj dite ne kemi marrë vërtetimet që jemi trashëgimtarë të kësaj prone, por nuk kemi marrë asnjë pëllëmbë tokë, kemi hequr saç heq  “gjarpri nën gurë” dhe si përfundim ne i gëzohemi vetëm atyre kartave. Më është bërë qejfi që dëgjova nga Kryetari i Partisë Demokratike se do të ndryshojë ligji mbi pronat. Ishalla Zoti ua ndryshon mendjen dhe u jepet e drejta pronarëve të atyre tokave. /kujto.al

blank
Familja Baholli
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here