Dëshmia/Refat Paja: Në kënetën e Maliqit, policët shkelnin mbi të burgosurit

0
1225

Dy vëllezërit Paja u arrestuan njëri pas tjetrit. I madhi u dërgua në burgun e Gjirokastrës ku nga kushtet e këqija humbi jetën, ndërsa Refati, i cili dëshmon vuajtjet e tij, punoi në tharje kënetash dhe hapje kanalesh, ku kushtet e vështira të punës, mënyrat shtazarake që përdornin policët për të ndëshkuar të dënuarit dhe mungesa e ushqimit, i morën jetën disa të dënuarve

Dëshmia e plotë:

Z. Refat, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 1928-ën. Kemi pasur babën dhe dy vëllezër.

Çfarë ndodhi me ju?

Në '44-ën u çlirua Shqipëria. Në '46-ën u bë reforma agrare edhe në '47-ën na morën në burg. E morën byrazerin natën. "Pse e morët"?-"Kemi punë në Belsh",- thanë policët. Mua nuk më morën. Të nesërmen, kur dola me lopë, vijnë ata të këshillit me dy ushtarë, thanë: Të kërkojnë në Belsh. Edhe më morën në Belsh, aty ishte dhe byrazeri. Na lidhën të dy. Na çuan në Gostimë, në këmbë. Na morën në mëngjes, dy policë, prapë në këmbë, nga Gostima deri në Elbasan, na vunë në një birucë aty. Ndenjëm një natë aty. Na morën në mëngjes, na çuan në burg. Te Tri Urat ishte burgu. Na futën brenda. Një muaj ndenjëm aty ne, a dy muaj, s'e mbaj mend. Na nxorën në gjyq.

Ju morën në pyetje?

Jo, jo, nuk na morën në pyetje.

Ju thanë pse ju arrestuan?

"Keni hedhur parrullë kundër reformës agrare, kundër pushtetit. Nuk doni pushtetin, Enver Hoxhën. Jeni kundër Enver Hoxhës".

Ku jua bënë gjyqin dhe sa ju dënuan?

Në Belsh. Byrazerin e dënuan 101, mua më dënuan 10. Na morën na çuan, në Elbasan. Në shkurt. Në mars, na çuan në Maliq, dy vjet në Maliq, në ujë.

Në çfarë viti ishit në Maliq?

Në '47-ën, '48-ën. Në ujë, deri në brez. Tetë orë në ujë. Do punoje kështu pa pushim se po të ndaloje një çikë të vinte polici me dajak, të dërrmonte, të fuste në lerë. Torturë e madhe. Bukë, 500 gram bukë misri, në 24 orë, do e haje thatë. U detyruan të burgosurit që hanin bathë të egra...helm.  Nga e keqja...Vdiqën mileti në burg. Torturë e madhe.

Kanë ndërruar jetë të dënuar, në Maliq?

Po.

Nga çfarë shkaku?

Nga tortura, nga ushqimi. S'kishte ushqim.

Çfarë torturash kanë përdorur?

E shtronin të burgosurin në baltë dhe hipnin policët sipër, kalonin matanë, mos të bënin këmbët pis...Si një i burgosur që u leros në behar me lerë. Dha dha ai, u var në mëngjes. Nuk po duronte më. Torturë e madhe, shumë.

Sa vjet qëndruat në Maliq?

Dy vjet punova në Maliq. Një vit punova në kanalin e Hajdarajt. Një vit kam punuar në Cërrik, në kanal të Cërrikut. Një vit kam punuar në Kavajë, në kanal të Hadjarajt. Atje, jam liruar.

Çfarë pune bënit në Maliq?

Kanale. Ishte këneta.

Sa orë punonit?

Tetë orë. Pa pushim hiç.

Ushqimi si ishte?

Nuk kishte ushqim hiç. Bukë, thatë. Gjellë nuk kishte hiç. E shikon këtë gishtin ti? E kam prerë në Maliq. Se e kapje plisin kështu, ai tjetri të binte me bel, edhe më preu gishtin. Ndenja dy javë unë pushim nga gishti.

Ku flinit?

Në kazermë.

Sa veta ishit?

100 shpirt.

Si ishin krevatet?

Shtriu aty, çfarë krevati! Nuk kishte as rroba, asgjë. Po të kishe mbulesa të tuat. Burgu, nuk të jepte gjë.

Po me vëllanë çfarë ndodhi?

Atë e çuan në Gjirokastër. Erdhi urdhri që ata që ishin dënuar 20 vjet e përpjetë i çuan në Gjirokastër se ishte burgu më i keq, kullonte ujë, natë-ditë. Të burgosurit rrinin në ujë natë-ditë. Nga e keqja, atje, vëllai vdiq në burg.

Sa vjet burg bëri?

Bëri nja dy-tri vjet burg, po.

Si ju njoftuan?

Vetëm prunë letër në shtëpi: filani vdiq. Kaq.

I morët eshtrat?

Vajti djali për t'i gjetur. Ata thanë: Nuk ka këtu. Ata që vdisnin, thanë, i tërhiqnin me litar dhe sa nga i çonin, nuk dihet.

Nuk dihet ku i ka eshtrat?

Nuk dihet. Nuk kanë treguar ku i kanë çuar.

Kë latë në shtëpi kur u arrestuat?

Vetëm kalamajtë e tij ishin. Pleqtë kishin vdekur.

Ju ishit i pamartuar?

I pamartuar. Kam qenë 18 vjeç.

Kanë  vuajtur fëmijët e vëllait?

Kanë vuajtur se mbetën vetëm. I la vetëm dhe nuk e panë më babën. Vuajtën shumë derisa u rritën. Pastaj u kishin marrë gjënë, lopët, dhitë, mallin të gjithë, edhe lugët. Me lugë, me kupë, i kishin marrë të gjitha. Krejt. E lanë shtëpinë bosh. Nuk lanë gjë hiç.

Vinte njeri të takonte kur ishit në burg?

Nuk të linin. Edhe të binin ushqime, nuk i linin të futeshin brenda. Hiç. S'të linin të fusje ushqime.

Sa vjet burg bëtë?

5 vjet. Dola në '51-shin.

Çfarë ndodhi pasi dolët nga burgu?

Erdha në shtëpi. Punova në kooperativë. U martova. U bëra me fëmijë.

Ku punuan fëmijët tuaj?

Në bujqësi. Na konsideronin armiq. "Nuk e duan këtë qeveri", thoshin.

Si e pritët ardhjen e demokracisë?

Oj të gëzuar! Kam bërë darkë. U mblodhëm të gjithë.

Nga arkiva e familjes Doko

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.