“Propozimi” për divorc

0
1517
blank

Një propozim, që nëse pranohej, do prishte shumë marrëdhënie të rëndësishme dhe nëse refuzohej, rrezikonte ta vështirësonte edhe më jetën në internim...Mira Zaho Mëhilli tregon për kujto.al çfarë ndodhi me nënën e saj

Nga Mira Zaho Mëhilli

Koha kalonte dhe jeta në internim sa vinte e më e papërballueshme bëhej. S’mjaftonin dhimbja e pashërueshme që kishin prindërit e mi (Kristo dhe Leonora Zaho) për padrejtësinë (internimin) që u ishte bërë, s’mjaftonin vuajtjet dhe mundimet për të mbijetuar, për të siguruar bukën e gojës, por herë pas here prindërit e mi gjendeshin edhe nën trysninë e presioneve psikologjike që u bënin “ata”. Them “ata” dhe këtu e kam fjalën për shtetin e asaj kohe, sepse krejt e kundërta ndodhte me banorët e fshatit Hingë, ku na internuan. Në përgjithësi ata ishin njerëz të mirë dhe shumë miqësorë me ne (kjo falë edhe shpirtit fisnik që karakterizonte prindërit e mi). Por le të kthehem tek “ata”. Si të pashpirt e të paskrupullt që ishin nuk ndaleshin në rrevanshin e tyre për të shkatëruar deri në fund një familje të rregullt e super të ndershme. Një ditë prej ditësh thërrasin në Këshillin e Fshatit mamin e jo babin, siç kishte ndodhur zakonisht (për drejtimin e antenës së televizorit e stisjeve të tjera gricëse). U çuditën të dy, megjithatë mami shkoi.Përsëri e paimagjinueshmja, e pakonceptueshmja ndodhi. Aty kishte ardhur një i dërguar i Komitetit të Partisë së Beratit (e mbaj mend emrin e tij, sepse prindërit e mi e përmendnin shpesh). Dhe përse kishte ardhur?! Me pafytyrësinë më të madhe i kërkon mamasë (në emër të partisë) që të divorcohej me babin. “Sepse, - sipas partisë, - ajo (mami) vinte nga një familje me përbërje të mirë politike dhe partia donte që ta përkrahte atë dhe vajzat e saj”. Kuptohet që kjo gjë e shokoi, indinjoi dhe revoltoi mamin pa masë. Ajo jo vetëm që nuk mund të pranonte, por as nuk mund të përmbahej para këtij “propozimi” të ulët e të ndyrë. Veç të tjerash, mami njihej edhe si grua e fortë dhe kurajoze. Pa e zgjatur shumë, e neveritur për ç’ka dëgjoi iu drejtua të dërguarit të partisë me këto fjalë (i kam dëgjuar shpesh në rrëfimet e mamit, prandaj dhe s’i harroj kurrë): “Si guxon të më kërkosh të shkatërroj familjen?! Kiçua (Kristo) është njeri i ndershëm dhe punëtor. Ai s’ka bërë asgjë, si arritët deri këtu!!!” I la të shtangur me këto fjalë dhe e drithëruar u largua nga zyra e Këshillit të Fshatit për në shtëpi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here