Dëshmia/Anila Seferi: Vdekja e dyshimtë e tim eti

0
496

I dënuar me 30 vite burg nga regjimi komunist, Islam Seferi, ndërroi jetë në spital, në rrethana ende të dyshimta për familjen. E bija, rrëfen për vuajtjet e të atit, hijen e përndjekjes dhe traumat që përjetoi e gjithë familja

Dëshmia e plotë:

Familja ime ka qenë familje nacionalistësh. Babai im ka pasur një dyqan personal dhe merrej me majat e stilografëve, prej floriri, që i montonte. Për stenografi kanë qenë në atë kohë. Dhe aty shitej dhe gazeta "Atdheu" e nacionalistëve. Ka qenë anëtar i kësaj organizate, por në kohën e luftës, duke qenë tregtar dhe në mes të Tiranës, Enver Hoxha shëtiste me pasaportën e tim eti në ilegalitet. Edhe sot është në muzeum kjo, pasaporta dhe fotografia e tim eti, sepse i ngjan. Ia kishte marrë njerëzve sepse ato dhe bëheshin false, me shkrim dore ishin ato. Duke gdhirë 17 nëntori 1944, kur këta i kishin bërë listat kush do arrestohej, u arrestua dhe im atë me intelektualët e Tiranës. Gjyshi im ra në dëshpërim të madh sepse pasuria iu mor totalisht, shtëpitë u dogjën, u bënë me qëllim. Po të lexosh historinë e asaj kohe thotë që shtëpitë i dogji gjermani. Jo, ato nuk i ka djegur gjermani. Ato u dogjën sepse ishin në mes të Tiranës. Im atë nuk e donte regjimin. Edhe gjyshi im nuk e donte regjimin. E shikonte që ai regjim ishte...dhe aq më tepër, i shihte njerëzit. Këto familjet e mëdha tiranase, gjithmonë kanë diskutuar...Ka qenë Mustafa Gjinali, Osman Kazazi...të gjithë këta, edhe pse ishin me parti të tjera, për shembull Osman Kazazi ka qenë me Ballin më duket, këta e njihnin në thelb. Siç është sot pluralizmi, ka qenë dhe në atë kohë, në këtë formë, por kjo nuk do të thotë që ata nuk e respektonin njëri-tjetrin. E donin njëri-tjetrin. Këta e shihnin që Perëndimi ishte diçka shumë e mirë për vendin tonë dhe çfarë bënë ata? Bënë këtë, kasaphanën.

Si është arrestuar babai?

Në momentin e arrestimit ishte në dyqan. Vjen turma e madhe, është dhe në fotografi ajo kur u arrestuan. Pam, pam, pam. Janë vënë rresht dhe kur im atë pa njerëz të tjerë në rresht dhe shkoi, sepse mendoi që nuk do shkonte në burg. Të gjithë këta ishin për pushkatim, por thanë po u bëjmë një gjyq special. Një tallje nga prokurorët ka qenë në atë kohë që mami im shkoi dhe i takoi, domethënë, siç shkohej nëpër takime dhe i thotë: "keni bërë shumë gabim që e keni marrë, sepse vjen nga një familje e pasur, ia dogjët pasurinë..." e këto. I thotë: Bashkëshorti yt do Zogun, por Zogu e shkatërroi këtë vend. U dënua për pushkatim, por një "tolerim", u dënua për 20 vjet. Bëri 16 vjet dhe pasi doli nga burgu, u martua me mamin tim, pas 9 vitesh u arrestua prapë, po për të njëjtin qëllim.

Me familjen tuaj, çfarë ndodhi?

Gjithmonë prapa kemi pasur Sigurimin e Shtetit. Gjithmonë, prapa, gjithmonë.

Në momentin që im atë është arrestuar për herë të dytë, nëna ime jetonte në shtëpi dhe daja im, duke qenë mirë ekonomikisht, e mbante, edhe pse ishte me tre fëmijë, që të mos punonte.

Po s'të linte Fronti. S'të linte Fronti: Ku ha? Me se ushqehesh? Pse je kështu? Pse je kaq kryelartë? Ti ke burrin në burg. Ti duhet të punosh më shumë se të tjerët. Sigurimi i Shtetit, te Pallati i Pionerëve, që sot është Aleanca, seç është, në cep, ka pasur një derë, por të mbuluar me gjethe, jo si shtëpia e gjetheve dhe e ka çuar tri herë atje. Se ai ishte penduar dhe kjo vinte nga pjesa që mami shkonte në burg dhe pas tri ditësh tak vinte letra: Paraqitu atje.

Ku e ka vuajtur dënimin babai?

Në gjithë Shqipërinë. E ka filluar në burgun e Gjirokastrës, në kalanë e Gjirokastrës, që ka qenë burgu më i tmerrshëm që vetë diktatori e mbylli dhe ka bërë hetuesi gjashtë muaj: trupi i babait tim ka qenë në fuçi të ujit dhe kur ka dalë, si ato fijet e peut. Në Spaç, në Vlorë...Atë pjesën e Vlorës e mbaj mend, ishte për herë të dytë, në kripore. Ajo ka qenë trauma ime e parë. Në Rubik, ku ka pasur...në Laç. Ku ka pasur burgje të Shqipërisë, ai i ka shëtitur të gjitha.

Në ç'vit u lirua?

Ai ka dalë nga burgu në 1974-ën.

Sa vjeç ishit kur e takuat për herë të parë?

7 vjeç, për herë të parë. Mbaj mend që unë do filloja klasën e parë dhe doja gjithmonë, e kërkoja tim atë.

Kur ka dalë nga burgu babai, kishte ardhur dhe ajo mosha ime e rritur dhe kisha ftohje në fillim dhe nuk doja ta pranoja që një burrë i huaj po vinte të banonte te ne dhe aq më tepër që ne të gjithë, flinim në një dhomë: nëna me katër fëmijët dhe babai në minder. Komplet familja ime kishte një traumë: me xhaxhallarë, me nuse xhaxhallarësh, me fëmijë, me të gjithë, ishin të traumatizuar dhe e kanë këtë.

Kur ndërroi jetë babai?

Babi ka vdekur 69 vjeç. Dolëm për ta kërkuar gjithandej, nuk e gjetëm. Shkuan në disa shtëpi të këtyre pleqve, disa nga ata pleqtë ishin dhe komunista dhe thoshin: Dikush ia ka bërë. Kur njëri nga ata na thotë: Mos e kërkoni, shkoni në spital se aty do ta gjeni. Ai ka shkuar me këmbët e veta në spital, sepse iu bllokua urina, diçka e tillë edhe morëm takim me mjekët: "Gjë pa shqetësim, nuk është gjë e keqe, do i bëjmë një operacion dhe do jetë shumë mirë". Dita e parë, nata e parë, në spital. Natën e dytë ka qenë me tre oficerë të Sigurimit të Shtetit brenda në dhomë. Erdhi momenti u fut në operacion. Në momentin e daljes nga operacioni e kemi parë dhe operacioni, thënë nga mjekët, doli me sukses. Deri këtu. Dhe kur doli me sukses ne u gëzuam jashtë mase, sepse: "Nuk paska gjë të keqe!". Por do rinte në reanimacion. Vjen dita e dytë, për t'i çuar diçka, një ushqim, një gjë. E marrin...Të heshtur, se atëherë takimet ishin 5.00 me 7.00, më shumë nuk e shikoje. Dita e tretë, i njëjti avaz. "Po duam ta shohim". Dita e katërt, në orën 12.00 e drekës, troket dera. Ishin dy civilë dhe një me bluzë të bardhë: "Burri juaj ka ndërruar jetë. Do bëhen procedurat, do jua sjellim". Se për ta marrë, nuk e merrnim dot. Kam shkuar në spital, duke bëritur në korridoret e spitalit sepse gjithmonë mendoja që do ishte në dhomë. Nuk e quaja të vdekur, nuk e besova. Kur u afrova te infermieria, dëgjoj doktorin që i thotë infermieres, pa dashje, pa e ditur se kush bërtet, edhe i thotë: "Atë të dhomës e çuat atje?" Për në morg.-"Kush ai që shau pushtetin popullor"? Dhe unë i kam rënë dy grushta, doktorit dhe i thashë: Ju e vdiqët babain tim. Për mua kjo vdekje është enigmatike, sepse jam shumë e sigurt që gjilpërat atëherë funksiononin për ta ashtu, edhe "vdiq nga...", për të mbushur kartelën, e mbush si të duash...

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here