Dëshmia/ Alma Liço: Dita e internimit, nga Tirana në kasollet e Dumresë

1
401

Alma Liço nuk e kishte njohur kurrë gjyshin e saj, Muhamer Liço, por pushkatimi i tij nga komunistët në vitin 1945 i shënoi asaj dhe familjes gjithë jetën. Ditën që mbushi 10 vjeç ajo nuk do të festonte siç kishte ëndërruar, por do të hypte në një kamion me prindërit dhe motrën e vëllain e vogël për të përfunduar në darkë në fshatrat e Dumresë, ku e priste një kasolle prej balte. Dita e internimit ishte dita që i mbeti në kujtesë kur kuptoi se ishte rritur brenda natës dhe kishte kuptuar mizorinë e sistemit komunist, luftën e klasave, të cilën e vuajti për 23 vite të tjera në vazhdim.  

Dëshmia e plotë për Kujto.al

Unë jam lindur në Tiranë në vitin 1958 në një familje normale, në normalitetin aq sa ishte e mundur në atë kohë, në ato vite, në Shqipërinë komuniste. Prindërit e mi ishin të dy arsimtarë të ciklit të ulët, në fshatrat e Tiranës. Punonin. Pra, një familje e zakonshme e atyre viteve.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Fëmijëria ime ishte si e gjithë fëmijëve të tjerë: me lodrat në rrugë, me atë çiltërsinë fëminore. Ai realitet që jetoja, ishte i vetmi që njihnim dhe nuk njihnim as një realitet tjetër, aq më tepër që isha dhe fëmijë dhe nuk dija asgjë, as për të kaluarën e familjes sime, për gjyshin tim, për atë gjë që po përgatitej regjimi që ta pësonim.

Si ndodhi internimi?

Internimi familjar ka ardhur në vitin 1968. Unë atë ditë, për një koincidencë të hidhur mbushja 10 vjeç, pra, ishte gjëma e parë dhe përballja e parë me një fenomen që unë nuk arrija ta kuptoja. Kishte filluar një luftë kundër familjes sime dy vite përpara internimit. Tim atë e hoqën nga arsimi, edhe time ëmë. i pushuan, pas një tentative të dështuar të Sigurimit të Shtetit që im atë të bashkëpunonte me Sigurimin. Ai refuzoi me, mund të them, me një farë diplomacie sepse nuk ishte aq e lehtë të sfidoje atë regjim aq kriminal dhe atë shërbim aq kriminal të atyre viteve. Gjithsesi, kur ky shërbim krijoi bindjen që ky person nuk do të bashkëpunojë me ne, erdhi internimi familjar. U kërcënua dhe vërtet erdhi internimi familjar.

Si e kujtoni ditën e internimit?

Ishte sikur jetoja në një dimension tjetër. Nuk arrija të kuptoja se çfarë po ndodhte. I shihja prindërit shumë të tronditur, mblodhën ato pak orendi që kishim në shtëpi, me një lloj urgjence…Njerëz të afërm dhe veçanërisht komshinj na vinin në orët e vona, hynin e dilnin duke qarë, të gjithë shumë të tronditur. Unë nuk po kuptoja çfarë po ndodhte dhe pyetjet e mia ishin shumë të pavend në atë lloj stresi që po përjetonin prindërit e mi. Unë doja të kapja diçka, por ishte e pamundur…10 vjeç. Gjithsesi, mendoja që do vinte momenti që unë ta marr vesh se çfarë po ndodh. Gjej rastin që të falënderoj fqinjët tiranas të lagjes ku kemi jetuar, që në mënyrën maksimale të mundshme na dhanë gjithë mbështetjen e tyre me ndihmat modeste. Ki parasysh, ato vite çfarë varfërie kishte në Shqipëri, na dhanë mbështetje morale dhe, aq sa mundeshin, edhe materiale, për atë që po na ndodhte që, pas dy ditësh, do vinte makina dhe ne do na ngrinte nga Tirana. Dhe ashtu ndodhi. Pas dy ditësh, erdhi një makinë para shtëpisë sonë. Me ndihmën e disa të afërmëve dhe disa komshinjve, ngarkuam ato pak orendi dhe u nisëm në një rrugë pa fund. Ishte 23 shtator, nuk mund ta harroj sepse ajo ditë ishte dhe ditëlindja ime, siç e thashë dhe më përpara, që mbushja dhjetë vjeç. Në ëndrrat e mia ajo ditë…unë e kisha pritur me shumë ëndrra dhe shumë fantazi. Do ishte një festë e bukur me shoqet e klasës, me të afërmit e mi… Kisha thurur shumë ëndrra për atë ditë, mirëpo ashtu si sapo e thashë, ajo ditë ishte majë asaj makine, majë atyre dëngjeve, mbi ato orendi…Një rrugë e pafund majë dëngjeve, rrugë të shkatërruara. Na thanë do ju internojmë në fshatrat e Dumresë. Kemi qëndruar në Belsh për ndonjë orë. U afrua dikush i Sigurimit që bisedoi me shoferin dhe atë që na shoqëronte dhe Belshi ishte ndërmarrje bujqësore në ato vite dhe kishte fshatrat e veta. Për ne ishte caktuar një fshat që quhej Dragot dhe ishte fshati i fundit, të themi, i kësaj ndërmarrjeje bujqësore, dhe kufizohej me një fshat që ishte i rrethit të Beratit. Duke qenë që rrugët ishin në gjendje shumë të keqe, biles as mund të quheshin rrugë se kur janë të pashtruara mund të themi më shumë vend kalimi, sesa rrugë, kemi mbërritur afër mbrëmjes. Na shkoi gjithë dita rrugë. Afër mbrëmjes, u afrua gjithë fshati: “Erdhi një makinë! Një familje!”.  U grumbullua gjithë fshati aty dhe një përgjegjës i fshatit na tregoi se ku duhet të banonim ne.

Aty ishin ndosha nja 15 a 20 kasolle që sot kur e kujtoj… në Shqipërinë e sotme, në ato kasolle, nuk rrinë as bagëtitë. Muret ishin me purteka, të mbushura me baltë dhe në vend të çatisë, kishte kashtë. Ne duhet të jetonim aty. Kasollet e tjera ishin të populluara me familje të tjera të internuara që kishin mbërritur dy muajt e fundit. U afruan disa nga familjet e tjera të internuara. Pjesa më e madhe vinin nga qyteti i Elbasanit, por kishte dhe disa familje që kishin ardhur nga qyteti i Tiranës. Ato patën një lloj solidaritetit të themi, por dhe një lloj frike.  Po jetonin tmerr, ashtu siç po jetonim dhe ne. Po jetonin një periudhë të tmerrshme, pra, patën një lloj rezerve në lidhje me atë suportin fillestar që duhet të na jepnin. Gjithsesi, shoferi e pa këtë gjë dhe i tha tim eti: “Unë, po të duash, të kthej në Tiranë”. Im atë ishte një natyrë shumë e përmbajtur. “Në asnjë mënyrë”, -tha.-“Ky është një lloj rebelimi që unë nuk mund ta bëj, të kthehem me plaçka në Tiranë, kështu që do i shkarkojmë këto dëngje këtu dhe kjo punë merr fund këtu”. Dhe ashtu ndodhi. Ato dëngje u hodhën aty, në shesh. Po ngrysej. Kasollet sigurisht që ishin pa energji elektrike, madje gjithë fshati nuk kishte energji elektrike. Ka qenë viti ’68. Disa familje që kishin shtëpi më të mira se tonat, që ishin ndërtuar me tulla, merrnin energji vetëm 4 orë, orët e mbrëmjes. Ishte një traktor që shërbente si gjenerator dhe prodhonte energji elektrike vetëm për 4 orët e mbrëmjes. Kështu që ne hymë në atë kasolle të errët. Dikush na ndihmoi me një fener, a llambë me vajguri, nuk e mbaj mend. Ajo ishte shumë e papastër. Kishte shërbyer ndoshta si WC për banorët e atij fshati, meqë ishte e pabanuar. Ishim shumë, shumë të lodhur  dhe ime më, hapi në atë ambient aq të ndyrë, dy dëngje dhe ne tre fëmijët…unë isha fëmija i madh, kisha vëllanë dy vjet më të vogël dhe ime motër, akoma më e vogël, ishte vetëm tre vjeçe…Vëllain dhe time motër i zuri gjumi, ishin shumë të lodhur. Edhe unë po përpiqesha të flija, por nga ajo kashta binin insekte pa fund dhe unë ndieja shumë tmerr kur këto insekte më binin, më pickonin, insekte që nuk i kisha parë ndonjëherë. Prindërit e mi u ulën mbi një dëng dhe i kam dëgjuar gjithë natën që flisnin me zë të ulët dhe kanë pirë cigare pa fund. Ajo natë për mua ishte një kllapi, nuk ishte një natë normale. Erdhi mëngjesi. Prindërit ishin majë dëngut, nuk kishin prekur asgjë me dorë. Edhe po të donin, ishte errësirë, nuk mundeshin. U çova, fërkova sytë, i kërkoj tim eti, çfarë po na ndodh, çfarë është kjo që na ndodhi. Im atë më pa dhe nuk po shihte më një fëmijë, por shihte një të rritur. Unë e ndjeva që isha rritur brenda ditës. Më uli pranë vetes, nuk më uli më si një vajzë 10-vjeçare, por si një vajzë e rritur që duhet të merrte përgjegjësi dhe të përballonte atë gjëmë që na ishte servirur. Tekstualisht, unë e mbaj mend shumë mirë, tim atë: “Dëgjo këtu bijë e babës. Kjo që na ndodhi është një luftë e paskrupullt politike, e kësaj klase politike që drejton Shqipërinë”. Më tregoi historinë e të atit, pra historia e persekucionit familjar kishte filluar në vitin 1945.

Si ishte kjo histori?

Gjyshi im quhej Muhamer Liço, kishte studiuar në Amerikë. Ishte avokat në qytetin e tij të lindjes. Kishte një jetë dinjitoze, një jetë prej patrioti, me familje, me katër fëmijë. Në vitet e luftës, organizata e Ballit Kombëtar ka kërkuar mbështetjen e tij në aspektin logjistik dhe ai ka qenë i pakursyer për t’ia dhënë këtë lloj mbështetjeje. Ai ka qenë i përfshirë në sektorin logjistik të organizatës së Ballit Kombëtar. Megjithatë në vitin 1945, menjëherë pas çlirimit që unë nuk do ta quaja aspak të tillë, por që historigrafia e quan, pra në momentin që komunistët marrin pushtetin dhe fillojnë gjuetinë e shtrigave ndaj gjithë personave që vinin nga një background tjetër politik dhe për më tepër ata që ishin të arsimuar jashtë Shqipërisë. Im gjysh, bashkë me 17 persona të tjera, intelektualë dhe ata, në një gjyq ushtarak, u dënua me vdekje, ekzekutim. 17 veta të dënuar në të njëjtin gjyq! Ky gjyq u shoqërua me një vendim për sekuestrimin e gjithçkaje që ata posedonin. U sekuestrua githçka, përfshirë dhe shtëpinë ku banonin katër fëmijët që ishin im atë, dy motrat dhe i vëllai, sepse e ëma e tyre kishte ndërruar shumë vjet më parë, e sëmurë me kancer. Ishin katër fëmijë që u hodhën në rrugë, pa asnjë mbështetje. Halla ime e madhe, ishte e fejuar në Tiranë dhe ajo pjesë e familjes që kishte mbetur, që ishin vetëm fëmijët, u strehuan te i fejuari i hallës sime në Tiranë…U munduan të rindërtonin jetën. Im atë në atë kohë ishte 17 vjeç, kur i ndodhi kjo gjë me të atin. Mbaron shkollën e mesme. Më vonë ka bërë dhe Pedagogjiken e atyre vite, për ciklin e ulët, nuk e di ç’emër ka pasur në atë kohë, por im atë filloi punë si mësues. Fillimisht ka punuar në fshatra shumë të largëta, pastaj u njoh me time ëmë, ishin të dy arsimtarë dhe lidhën jetën. Kështu filluan një jetë të themi, normale, në normalitetin aq sa ishte e mundur në atë kohë. Pas kësaj martese, erdhëm ne fëmijët. Unë isha fëmija e madhe dhe mbas 10 vjetësh erdhi internimi.

Si e kujtoni kohën e internimit, luftën e klasave? Si ju trajtonte pjesa tjetër e fshatit, mësuesit në shkollë?  Çfarë kujtimesh keni nga internimi?

Të gjitha këto kujtime unë i kam shkruar në një libër. E megjithëse i kam jetuar, i kam shkruar, sa herë i kujtoj, emocionohem. Fshatarët ishin të indoktrinuar dhe fillimisht na pritën si armiq sepse të tillë u servirëm. Ishim goxha të refuzuar nga fshatarët, na etiketonin “armiq”. Rezervoheshin punët më të vështira, më të keqpaguara, por kjo periudhë, duke qenë që qëndrimi ynë në këtë fshat zgjati rreth 23 vite, deri në vitin ’9,  pra nëse nuk do të kishte rënë sistemi ai internim do të ishte brez pas brezi. Në familjen time ishin 4 breza që u prekën nga persekucioni komunist dhe kjo do të ishte në pafundësi. Qëndrimi i fshatarëve erdhi duke u zbutur sepse filluan të na njihnin, krijuam raporte njerëzore. Ne punonim me ta, shkonim në të njëjtin dyqan, blinim të njëjtat gjërat, ndanim të njëjtën kohë nëpër ato punët e vështira, pra marrëdhënia me fshatarët erdhi duke u përmirësuar shkallë-shkallë. Shumë e keqe ka qenë dhe pritja në shkollë, të refuzuar nga fëmijët dhe një pjesë e mësuesve. Unë nuk harroj dot, e kam përmendur dhe në libër, në klasë të katërt kam qenë atëherë. Isha nxënëse shumë e mirë në matematikë. Me keqardhje e them që niveli i shkollave të fshatit ishte shumë shumë shumë poshtë një shkolle të Tiranës nga vija unë dhe nxënësit ishin shumë dobët në përgatitjen e tyre, për shumë arsye, edhe për nivelin e vetë shkollës dhe mësuesve që vinin nga shumë larg, vinin të lodhur dhe donin të ktheheshin në qytet, në shtëpinë e tyre, por edhe për shkak të trashëgimisë që kishin nga familjet: prindërit e tyre ishin të pashkolluar dhe në ato vite sillnin në jetë shumë fëmijë. Problemi i tyre më i madh ishte që t’ua mbushnin barkun me bukë këtyre fëmijëve dhe jo të merreshin me arsimimin apo të ishin të kujdesshëm a mësojnë apo nuk mësojnë këta fëmijë. Më kujtohet një herë në orën e matematikës, i kërkova mësueses një zgjidhje alternative për problemën. Isha vetëm në klasë të katërt. Ajo u vu në vështirësi, me sa duket nuk e gjente dot këtë zgjidhje alternative edhe ka bërtitur, ka përplasur grushin në tavolinë: “Mëso sa të duash, se ty kazma të pret!”. E cituar fjalë për fjalë kështu siç e thashë. Unë ngriva. Ngrinë dhe të tërë fëmijët e tjerë. Isha 10 vjeç….Pavarësisht që po filloja të ambientohesha me gjëmën e familjes ishte një goditje shumë e madhe. Gjithsesi ëndrrat e fëmijës ishin të lira që unë të ëndërroja që unë do shpëtoja nga kjo, që do bëja diçka në jetë. Ishte një autosugjestion, mendoja që ajo vuajtje nuk do të ishte e përjetshme, diçka do bëja. Nuk e kam harruar atë mësuese dhe atë që ajo më tha! Pas kësaj, u krijua një paqe e heshtur, një ftohtësi, ajo nuk më provokoi më dhe unë u mundova të përshtatem me atë lloj niveli. Këtë pata nga shkolla, por unë pata një fat të mirë, sepse në Tiranë, kishte mbetur gjyshja ime nga mamaja. Gjyshja ime duke e pasur nënën time, vajzë të vetme, kishte jetuar me ne. Ajo i shpëtoi internimit, sepse internimi erdhi për shkak të tim eti, pra në shtëpinë ku ne kishim jetuar në Tiranë, kishte mbetur gjyshja e vetme.

Edhe për të mos lënë gjyshen vetëm, e moshuar, por edhe për të më shpëtuar mua nga fshati, familja ime e pa të arsyeshme që unë të kthehesha te gjyshja, në Tiranë. Dhe ashtu ndodhi. Pas dy vjetësh të jetës dhe shkollës në fshat, në klasën e gjashtë, 12 vjeç, unë jam kthyer te gjyshja. Sigurisht që gjyshja ishte shumë e lumtur që unë erdha. Ajo më kishte rritur. Ishte një gjyshe e arsimuar, edhe ajo kishte qenë arsimtare, e shëtitur. Madje, unë kam bërë një shkrim shumë prekës për gjyshen time. Ajo ka qenë një mësuese e nderuar në qytetin e saj dhe sot, një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin e saj: Shefikat Sefa është quajtur. Ka qenë një nga mësueset e para të qytetit të Elbasanit. Pra, një grua e arsimuar dhe shumë e dashur me mua dhe ne e gjetëm veten shumë mirë me njëra-tjetrën, por aty më priti një surprizë e tmerrshme sepse dy ditë pasi ne na kishin hequr nga internimi, në dhomën ku flinin prindërit e mi, Këshilli i lagjes kishte sjellë me forcë një person që sapo kishte dalë nga Psikiatria.

Ai jetonte në një shtëpi me gjyshen tuaj?

Meqenëse kjo dhomë tani presupozohej që ishte e lirë, sepse prindërit e mi ishin internuar, Këshilli i lagjes solli me forcë një person të banonte aty, në atë shtëpi. Ç’të bënte gjyshja ime? Atë e sollën dy policë: “Ky njeri do të banojë këtu. Është vendim i Këshillit të lagjes. Kjo dhomë është e lirë. Familjen e sat bije e kemi strehuar në ato kasollet…”Pra, unë gjeta që gjyshja ime kishte dy vite që po bashkëjetonte me këtë të çmendur. Ajo më shpjegoi gjithçka po hiqte me atë të çmendur në atë bashkëjetesë absurde të themi dhe u mësova dhe unë që të bëja të njëjtin kujdes si ajo, të vinim shulat nëpër dyer…Pra, kishte gjithë sjelljet e një të çmenduri, mbyllej me nga katër ditë, nuk dilte. Në një rast, gjyshja kishte lajmëruar se ai person mund të ketë ndërruar jetë. Ishte e tmershme jetesa me atë person sepse dhe unë e provova bashkë me gjyshen. Pra, ai ka jetuar deri në fund, derisa gjyshja ime ndërroi jetë. Unë kam qenë në klasë të tetë kur gjyshja ime ndërroi jetë. Vdekja e gjyshes sime ishte një gjëmë shumë e madhe, e para sepse unë humba gjyshen që e doja aq shumë dhe e dyta, sepse e vetmja mundësi që unë kisha për t’u shkolluar dhe për të pasur një jetë të ndryshme nga ajo e internimit, u mbyll përfundimisht.

U rikthyet prapë në fshat?

Është dhe një histori…Pra isha në klasë të tetë kur më vdiq gjyshja. Më ka marrë familja e një shoqes sime të ngushtë që e pata bashkudhëtare në të gjithë ciklin e ulët të shkollës, më morën në shtëpinë e tyre, si vajzën e tyre, më mbajtën derisa unë mbarova klasën e tetë. Është një mirënjohje e pafundme për atë familje dhe jam shumë e lumtur që unë kam provuar mirënjohjen dhe mendoj që ata persona që nuk provojnë ç’do të thotë të jesh mirënjohëse, e kanë jetën shumë të varfër. Të mbaje vajzën e një familjeje të internuar në ato vite nuk ishte aspak e lehtë. Ishte me shumë pasoja, për fatin e mirë të asaj familjeje ata nuk patën pasoja sepse kishin një status, kishin punëra të mira, por pasoja ka pasur një i afërmi im. Si nxënëse e Tiranës sepse unë mbarova klasën e tetë me të gjitha notat, 10-a, arrita të regjistrohem në Politeknikumin “7 Nëntori”. Nëndrejtori i konviktit të asaj shkolle të mesme që ishte goxha prestigjioze, shkollë profesionale, që ishte i afërm i sime ëme, doli garant duke pasur parasysh që unë kisha mbaruar një shkollë 8-vjeçare të Tiranës dhe isha gjithë 10-a dhe më regjistroi në degën Elektrike. Edhe atë vit, unë dola shumë mirë dhe në vitin e dytë, mua më përjashtuan nga shkolla. Më ka marrë në zyrën e tij, drejtori i degës Elektrike dhe më ka thënë që ti nuk mund të vazhdosh më këtu dhe të lutem mos më bëj pyetje. “Arsyen do ta kuptosh vetë, por që lidhet me familjen tënde…” Dhe filloi të më jepte kurajo: “Jeta nuk mbaron këtu, mos e humb shpresën, se jeta është e gjatë, mund të të ofrojë mundësi të tjera”. Unë isha 16 vjeç, as 16, 15 ndoshta dhe u ktheva përfundimisht në fshat, te prindërit. Pastaj, aty iu nënshtrova internimit në kuptimin e plotë të fjalës që më priti dhe puna shumë e rëndë, skllavëruese, e bujqësisë.

Si mësohet njeriu me atë lloj jete? Si ia del mbanë?

Fjala “përshatje” më duket skllavëri. Nuk dua ta përdor këtë fjalën përshtatje. Megjithatë përshtatesh. Nuk ke, kjo është: o do vrasësh veten, o do rebelohesh, të të fusin në burg, të marrin një masë akoma më të rëndë për ty, ose do jetosh atë lloj realiteti. Nuk ke, absolutisht, asnjë zgjedhje tjetër. Shumë e rëndë ishte.

Po ndonjë grimcë solidariteti a ndjetë gjatë atyre viteve?

Kishte dhe grimca pozitive. Më kujtohet, se po i kthehem historisë mbrapsht: natën që jemi internuar, ka ardhur një fqinjë. I përkiste komunitetit të vllehëve, të çobenëve. Ka trokitur në portën e kasolles dhe ka sjellë një kulaç të ngrohtë. Unë s’e harroj. Një grua, kur i tërë fshati na priti si armiq, sillte një kulaç të ngrohtë: “ta hanë fëmijët”. Nuk e kam harruar. I kam dedikuar një shkrim, e kam shkruar dhe në libër. Solidariteti në ato vite merrte një rëndësi të jashtëzakonshme. Sot, ndoshta duken shumë të pavlera këto lloj ndjenjash: solidariteti, mirëkuptimi, mirënjohja, por ishin shumë të rëndësishme. Ishin stimuj. Ishin shtysa që të bënin të vazhdoje jetën.

Sa  vjeç ju gjeti rënia e sistemit komunist dhe a kompensuat dot arsimimin dhe gjithçka tjetër që nuk kishit arritur dot gjatë internimit?

Regjimi komunist ra në ’91-shin. Shenjat, sigurisht, që ishin më përpara. Filloi rënia e murit të Berlinit, ngjarjet e Rumanisë etj.etj.. Pra, ishin shenjat që diçka po ndodhte me këtë kampin komunist. Megjithëse informacioni ishte shumë i mangët, ne na servirej vetëm shtypi shqiptar, i indoktrinuar dhe i censuruar dhe i kontrolluar pafundësisht nga propaganda komuniste e megjithatë, kishim aftësinë të nuhatnim që diçka e madhe po ndodhte. Unë kam qenë 33 vjeçe kur kam dalë nga internimi. Isha martuar, kisha lindur dy fëmijë. Pra, mund të them që isha në një moshë jo fort të përshtatshme, pas një jete aq traumatike dhe me aq vuajtje, që unë të nisja gjithçka nga e para sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Gjurmët ishin të tilla që ishte shumë e vështirë të ndërtohej gjithçka nga fillimi sepse ne ktheheshim jo në kushte të barabarta me të tjerët. Ndërsa për të tjerët, ndryshimi erdhi dhe kishin një arsimim, kishin një shtëpi, kishin një punë, ne s’kishim asgjë nga këto. Ndodhi ndryshimi, por sikur ne të mos largoheshim me forcat tona, ne edhe sot do ishim në fshatrat e internimit. Nuk pati as edhe një angazhim shtetëror se ç’do bëhet me këto familje që i hoqën me dhunë dhe vuajtën brez pas brez internimin. Të gjithë janë kthyer me forcat e tyre. Po kështu u kthyen dhe ne. U kthyem me forcat tona. Unë jam strehuar në familje të afërmish, fillimisht. Jam kthyer në Tiranë në familjet e të afërmëve të mi, derisa fillova punë dhe pas disa vitesh, arrita të kisha dhe një shtëpi timen. Pra, ishim shumë në minus.

Gjatë kohës që qëndronit në fshat dhe punonit në bujqësi a kishte provokime nga Sigurimi i Shtetit? E keni ndjerë survejimin e tyre?

Po, e kemi ndierë. Tim atë, në fakt, nuk e ngacmuan më pas atij refuzimi. Në fshat, kanë thirrur time ëmë, kanë shantazhuar time ëmë, për të pranuar ajo bashkëpunimin me Sigurimin. Sigurisht që ajo, pas gjithë atyre vuajtjeve, edhe për shkak të gjithë background-it dhe historisë familjare, nuk  do ta pranonte një gjë të tillë, por ishte i pranishëm Sigurimi aty. Kishte terror, kishte shantazhe. Shantazhoheshin bashkëvuajtës. Herë pas here, pati edhe arrestime. Frika e Sigurimit ishte, sa herë që vinte ai xhipsi i Sigurimit ishte një tmerr: Kë do të marrin? Kë do të arrestojnë? Ishte shumë i fortë ndikimi…

Si e gjykoni qëndrimin dhe veprimet e ndërmarra nga shteti shqiptar gjatë këtyre 30 viteve të fundit për dënimin e krimeve të komunizmit dhe rehabilitimin e viktimave të asaj periudhe?

Kanë kaluar 30 vjet nga ajo kohë dhe me keqardhje mund të them që mentaliteti, filozofia e përjashtimit vazhdon të jetë e fuqishme sa më s’ka edhe sot e kësaj dite. Unë jam hequr nga puna, prapë për arsye politike, kur erdhi në pushtet Partia Socialiste që për mua është vazhdim i Partisë së Punës, është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e saj. Lidhur me rishkrimin e historisë, nuk është bërë asgjë. Lidhur me dëmshpërblimin e vuajtjeve, nuk është bërë asgjë. Siç e thashë dhe pak më përpara, familjet që kanë vuajtur si unë, u rregulluan me forcat e tyre dhe nuk pati një angazhim dhe sot e kësaj dite, nuk ka një të tillë që të vendoset drejtësia. Shqipëria nuk ka bërë drejtësi. Nuk ka asnjë të dënuar për këto krime që i janë bërë njerëzimit. Nuk ka pasur asnjë angazhim shtetëror gjatë këtyre 30 viteve që të rikthehen të drejtat e ligjshme. Nuk ka asnjë gjyq politik, ndërkohë që në të gjithë Evropën Lindore ka pasur shumë të tilla: janë dënuar dhjetëra persona për krime kundër njerëzimit referuar periudhës komuniste./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Pse nuk u denuan kurrë këta krimel komunist kur ceken me emër e mbiemer nga te mbijetuarit e regjimit ....apo të le bindjen qe po ata gjakpirës e pasardhësit e tyre janë ne pushtet ..cfarë tragjedie ...krime më makabre se te komunistave në Shqipëri nuk kanë bere as serbet ndaj shqipëtareve ne burgje ....familjet nuk jane internuar kur burgosej ndonjë anëtar i familjes ......

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here