Dy mijë kapuçë të përgjakur në lëndinë!

0
900
blank

Shën Mhilli i 1946 dita kur regjimi vrau burra e djem trima të Nikaj Mërturit … Krimet makabre të komunistëve për të gjunjëzuar këtë krahinë.

Mëngjesin e 29 shtatorit në qendër të Lekbibajve ishin mbledhur burrat e 600 shtëpive. Frati i kishës së Nikajve ishte aty për meshën e festës së Shën Mhillit, një festë që kremtohej masivisht nga krahina e Nikaj-Mërturit. Në lëndinën nën gështenja, frati i Nikajve i tha fjalët e shenjta. Për disa burra do të ishin të fundit fjalë që do të dëgjonin në këtë jetë. Në atë fushë ishin rreth dy mijë burra sepse një natë më parë ishte shpërndarë urdhri i komandës që kush ishte mashkull i moshës 14-80 vjeç duhet të paraqitej me detyrim në këtë mbledhje. Do t'iu kërkohej dorëzimi i armëve. Por jo të gjithë kishin armë e nëse dikush nuk kishte armë do t'i duhej ta gjente medoemos për ta dorëzuar, përndryshe do të pushkatohej aty atë ditë.

Prej rreth dy vitesh, Nikaj-Mërturi mbahej i rrethuar. Askush nuk kishte të drejtë të dilte prej katundit të tij, madje nuk kishin të drejtë as të dilnin nëpër bjeshkët e tyre… nuk kishin të drejtë as të vadisnin arat natën e as ditën... Nuk mund të dilnin nga shtëpia për muaj me rradhë. Nikaj-Mërturi qëndronte i rrethuar nga xhelatët komunistë sepse diktatori Enver Hoxha kishte dhënë urdhër të masakrohej e gjithë krahina. Ishte një ndër krahinat që nuk po e pranonte regjimin komunist. Për këtë arsye diktatura që sapo ishte vendosur do ta ndëshkonte si asnjë vend tjetër në Shqipëri.

Një natë më parë, pasditen e 28 shtatorit në oborrin e kullës së Ukë Çunit zbritën një rreshter bashkë me dy ushtarë. Kërkonin Ukën. “Të kërkon komandanti i operacionit Musa Daci në postën e Nikajve” –i  tha rreshteri.

Ukë Çuni u përgjigj me gjakftohtësi: -"Kot e kini që më arrestoni". Dhe dy ushtarët e kapën prej krahësh dhe i vunë hekurat në dorë… në atë kohë nana Dalinë lëshoi vikamën: - "Mos ma merrni djalin…Pse po ma merrni …Ku po ma çoni  djalin...”! Trishtimi e pushtoi kullën trekatëshe të Çun Kolës së Tetajve. Ukën e çuan në burgun e kodër Shëngergjit. Ndërsa në kullë nisi britma e grave sepse dihej mirë se çfarë e priste Ukë Çunin ditën tjetër. Historia është rrëfyer nga i vëllai, Gjelosh Çun Kola.

Ukë Çuni ishte vetëm 30 vjeç. Kish qenë një ndër djemtë e rinj më në zë, ndër djemtë më aktivë në lëvizjen antikomuniste të Nikaj-Mërturit i angazhuar me grupin e Mark Tunxhit të Tetajve.

Mëngjesin e 29 shtatorit, ende pa u mbledhur gjithë burrat e krahinës, Xhemal Selimi lëshoi karikatorin mbi trupin e Ukë Çunit. Mbeti ashtu, gjysmë poshtë stomit të arës e gjysma në lëndinë…ishte lënë ashtu që t'u ngjalltë frikë e tmerr burrave e djemve të Nikaj-Mërturit, që ata të gjunjëzoheshin para regjimit. Ashtu mbeti gjithë ditën, deri në fund të asaj shfaqjeje makabre.

Fet Sadiku ishte i dyti. Ish një burrë me emër të madh, bir i një kulle me histori të rrallë sepse kish luftuar në çdo kohë pushtetuesit. Ishte i biri i Gjergj Sadikut, heroit të luftës së vitit 1910 kundër pushtuesve dhe të kryengritjes së vitit 1912. Ishte një ndër kullat ku janë zhvilluar beteja të pashoqe për liri. I sulmuar ashpër nga regjimi i Ahmet Zogut pasi iu dogj shtëpia dhe u dënua me internim me 25 anëtarët e  familjes së tij. E megjithatë Fet Sadiku do të ishte i pari i kësaj krahine që komunistët kishin shenjestruar.

Mëngjesin e 29 shtatorit 1946, Fet Sadiku i veshur me tirq e xhamadan me kapuçin e bardhë në kokë, qëndronte krenar përballë Xhemal Selimit e Musa Dacit, dy xhelatët që kishte dërguar diktatori për të gjunjëzuar Nikaj-Mërturin. Fet Sadiku nuk u dorëzua dhe për këtë arsye do të pushkatohej i pari aty në ditën e festës së kësaj krahine në fushën poshtë gështenjave aty ku mileti mblidhej për të dëgjuar meshën e ditës së festës.

Grykat e maleve të Lekbibajve oshëtinë prej zhurmës së frikshme që lëshoi automatiku i Xhemal Selimit kur lëshoi plumba mbi Fet Sadikun. 2 mijë kapuçë të bardhë u drodhën e u spërkatën me stërpiklat e gjakut të Fet Sadikut… u shemb si një lis mbi lëndinë. Xhemal Selimi ulej dhe çante arra mbi kokat e kufomave… gjesti makabër i tij ka mbetur përgjithmonë në memorien e asaj krahine si një ndër aktet më të rënda që janë ushtruar ndaj popullit të Nikaj-Mërturit e Dukagjinit… Dita e përgjakur e Shënmëhillit të vitit 1945, shënon nisjen e masakrës së komunistëve kundër Nikaj-Mërturit. Janë masakra që nuk harrohen kurrë. Janë makabre krimet e komunistëve në Veri të Shqipërisë sepse në stilin e tyre ishte veçanërisht dhunimi i kufomave… ndaj dhe janë ngjarje që kurrë nuk harrohen në atë krahinë.

Shënim: Rrëfimet janë marrë nga tregimet e historianit Dodë Progni, "Shën Mhilli i përgjakur"

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here