Nëntor 1944/ 60 vrasjet e para në Tiranë, terrori nis me instruktimet e Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha

0
436
blank

76-vjetori i masakrës së Tiranës.. Masakra si kjo e Tiranës në vitin 1944 dhe ajo e Krushës gjatë luftës së Kosovës, janë urdhëruar nga jugosllavët...Lidhjet e hershme të komunistëve me Serbinë... Kritikat e Gogo Nushit, Nako Spirut dhe Sejfulla Malëshovës ndaj udhëheqjes: Në ushtri ka tendenca terroriste. Jo vetëm në ushtri, por edhe në parti, në udhëheqje bile..

Nga Kastriot Dervishi

Në mesin e luftës civile në Shqipëri, komitetet qarkore të Partisë Komuniste, të instruktuara hollësisht nga Miladin Popoviçi dhe Dushani Mugosha, përpiluan listat e elementëve kundërshtarë që do ekzekutoheshin dhe atyre që do burgoseshin. Me hyrjen në qytete, komunistët bënë në mënyrë të specializuar atë që kishin bërë nëpër male gjatë viteve 1943-1944. Në tetor-nëntor 1944 masakra të tilla u bënë në kryeqytet. Zëra kritikë ndaj politikës së vrasjeve dhe terrorit ishin Sejfulla Malëshova, Gogo Nushi dhe Nako Spiru. Disa deklarata rreth terrorit në Tiranë janë nxjerrë nga plenumi i 2-të i Beratit, më 23-27 nëntor 1944.

Gogo Nushi: Tuku tha se në ushtri ka tendenca terroriste. Jo vetëm në ushtri, por edhe në parti, në udhëheqje bile. Dihet ç’ka bërë Brigada I kudo…Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, jo kriminelë e kuislingë, ne i konsideronim si armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut. Kjo ka qenë, jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur një direktivë nga Komiteti Qendror që këta t’i zhduknim. …Këto gjëra duhet t’i diskutonin mirë këtu. Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 veta, e kemi dhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’e meritonte të vritej. Kjo është konsekuencë e vijës sonë. Jemi të sigurt që do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar të 100 vetët. Kjo do të na sjelle dëme të mëdha. Unë s’kam qenë dakord, kjo tregon pazotësinë tonë.

Nako Spiru: Vrasjet në Tiranë janë një mur i madh. Ç’t’i themi popullit për këtë? Se do të bëjmë ne një amnisti, kur ne dy ditë më parë i kemi bërë këto vrasje! Populli ka pritur shumë nga ne. Fakti se shumë nga kundërshtarët u dorëzuan, tregonin se ata besonin që ne jemi të drejtë…Terrori zë një vend mjaft të madh në punën tonë politike.

Kristo Themelko: Aliu (Miladini – shënim) më duket, dhe Enveri më thanë: Shko atje dhe do të kesh ndihmën më të madhe prej Lirisë (Gega) për qëndrimin politik. Për sa i përket terrorizmit, për veten time nga jeta e keqe që kishim kaluar gjatë dimrit, krijova bindjen se të gjithë elementët kundra nesh duheshin zhdukur që tani. Këtë bindje ma forcoi edhe një gjë që ndodhi pranë Shtabit të Përgjithshëm, kur pashë që të pushkatohej një njeri po në këtë mënyrë. Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim nëpër qytete, do t’i spastronim elementët e rrezikshëm, prandaj kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata (e PKSH-së shënim) për këta elementë. Më vonë nuk na është sqaruar asgjë e re lidhur me këtë gjë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.