Deri ku e çuan njeriun

0
172
blank

Në një ditë si kjo, kleriku Vlash Muçaj u dënua me burg. E prisnin kampet e punës, por me torturën ishte prezantuar që më parë. Në formën e saj më poshtëruese, siç e tregon fjalia që gdhendi në murin e WC-së së godinës ku mbaheshin të paraburgosurit e që shpreh me pak fjalë si e katandisi diktatura njeriun

Ndonjëherë mjafton një fjali për të thënë diçka për të cilën nuk do mjaftonin me mijëra fletë. Siç janë vuajtja dhe dehumanizimi, që u shkaktoi diktatura mijëra viktimave të saj; siç janë tortura, përdhosja e shëmtia që ajo solli... Një fjali si ajo e Dom Vlash Muçajt, në muret e WC-së së shtëpisë së kthyer në hetuesi në Shkodër, ku të arrestuarit mbaheshin në kushte çnjerëzore dhe masakroheshin në tortura. Një fjali që e lexoi Zef Pllumi, kur mbahej dhe torturohej aty dhe që i mbeti në mendje mes shumë pamjesh të pashlyeshme që iu shfaqën sysh, për ta dëshmuar vite më vonë në librin “Rrno vetëm për me tregue”.

“Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje: “Un, Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet.” U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo!”-shkruan Pllumi.

Kush ishte Dom Vlash Muçaj

Ai ishte një klerik katolik, i diplomuar në Itali, shumë i dashur për komunitetin ku shërbente. Këto ishin njëkohësisht edhe arsyeja pse u arrestua dhe u torturua.

Ai ishte lindur në Mallkuq të Krujës në vitin 1892. Iu bashkua me përkushtim, zell e pasion Seminarit të Jezuitëve të Shkodrës dhe studimet e larta i kreu në Itali ku u shugurua meshtar. Menjëherë më pas u kthye në atdhe. Nga viti 1922 deri në vitin 1946 shërbeu në Selitë, ku hapi edhe një shkollë në vitin 1924, sipas të dhënave të publikuara nga Fritz Radovani, i cili shton se kur Dom Mikel Lezhaj u keqësua nga shëndeti, ndër ato fshatra nisi të shërbejë Dom Vlash Muçaj, i cili la përshtypjen më të mirë në mbarë krahinën.

Jeta e tij prej meshtari vazhdoi deri kur e arrestuan.

Dokumentet shkruajnë: “Me vendim nr. 412, datë 19 shtator 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor se "ka strehuar kriminelë" dhe e dënoi me 2 vjet burg me punë të rëndë dhe humbjen e të drejtave civile baraz me kohën e ndëshkimit”. Mirëpo e vërteta është që dënimi i Dom Vlash Muçajt nuk zgjati vetëm 2 vjet.

“E masakrojnë si pak nga ata që ishin të veshun me veladon e zhgun, dhe i pranguem torturohet aq sa torturat mizore në vitin 1963, Don Vlash Muçajn e zhdukun nga kjo jetë”, shkruan Fritz Radovani.

Janë 17 vjet nga data e dënimit për të cilat nuk dihet shumë, por dëshmitë se ato kanë qenë të mundimshme, nuk mungojnë. Ai përmendet si një nga 29 priftërinjtë që përbënin brigadën e punës në kampin shfarrosës të Bedenit që funksionoi nga viti 1948 deri në vitin 1950 e ku të dënuarit e trajtuar si skllevër duhej të hapnin një kanal që niste në zonën kënetore të Bedenit e  përfundonte në lumin Shkumbin.

Disa klerikë të arrestuar që në vitet e para të regjimit komunist dhe të dënuar me pak vite burg, u ridënuan më vonë për të kaluar thuajse gjithë diktaturën, ose aq sa mund të rezistonin, si të burgosur dhe nën tortura. Tortura që përmblidhen në atë shprehjen e shkruar në muret e WC-së që flet më shumë se një libër i tërë.

Foto: Pamje qelie

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here