Cuklina, nëna fatkeqe që humbi dy fëmijët brenda pak minutash

0
164

Historitë e tmerrshme të kampit të internimit në Tepelenë, atje ku humbën jetën qindra fëmijë, gra e pleq

Nga Lek Pervizi

Tepelena u damkos me njollën e turpit nga komunizmi, që aty krijoi kampet më të tmerrshëm të internimit që kishte njohun ndonjëherë vendi ynë. Duke përfshi edhe Turanin, Memaliajn e Veliçotin, aty u mbyllën për pesë vjet shumë të gjatë, me mija qӫnje njerӫzore. Familje tӫ tana. Pleq e plaka, burra e gra, të rij e të reja, fëmijë të mitur dhe foshnje të varun pas gjinit të nanave të reja, që sapo ishin nda prej burrave të tyne të arratisun në mal ose jashtë shtetit. Nӫ kampin e Turanit konditat ishin tepër të këqia. Një mungesë e plotë e strukturave higjenike, krejtësisht primitive. Sëmundjet ngjitëse filluen të korrin viktima ndër pleqtë dhe fëmijët. Ishin  këta që e paguen shtrejtë këtë gjendje absurde të një pakujdesie të pafalshme nga ana e administratës komuniste. Epidemitë shkaktuen një ekatombë të vërtetë foshnjesh të njoma.

Vdekja nisi tӫ korrte si pas qejfit. Shumë nana mbetën pa fëmijë. Xhelatët përfitonin për t'i nxjerrë menjëherë në punë të detyrueshme. Puna ishte shtazore, me mbajtë mbi kurriz si kafshë ngarkese, barrë të randa drushë, gurësh,  etjerӫ materiale tӫ randa Me kilometra e me orë të tana, nëpër shtigje të pjerrta e të ngushta malore, me shi e me borë, me vapë e me acar, pa ushqim e pa veshmbathje.  Prej vuejtjeve e mundimeve, prej urisë e prej të ftohtit, vdiqën shumë të internuem, sa që u ba problem për varret, që kishin mbulue fushën në hyrje të kampit tӫ Tepelenës e dalloheshin nga rruga automobilistike e binin në sy. Aty kishte kalue njӫ ditӫ vetӫ diktatori, qӫ kur mori vesh ç’ishin ato varre, dha urdhӫr tӫ zhdukӫshin.

Kështu u ndërmor nga komanda tranferimi i parë i varrëve e shumë prej tyne humbën. Varret u çuen në grykën e pë lumit të Bënçës, një gjysmë ore larg, për t'i përdjerrë. Ato varre do tranferoheshin përsëri ma vonë, në 1953, për t'i zhdukun krejtësisht.  Prania e fëmijëve në këto kampe ishte ana ma makabre dhe e tmerrshme. Kur shpërtheu dizanteria apo kolera, ata vdisnin si mizat. Në një natë të vetme, në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë. Si pas dëshmitarëve që përjetuen ato rrethana të llahtarshme, pothuaj çdo ditë vdisnin nga shtatë - tetë veta, në Turan, Memaliaj, Veliçot e Tepelenë.

Për t'u përmendun, vdekja e dy binjakëve të vegjël të nanës malësore Cuklina. Njeni në mëngjes e tjetri në darkë. I gjithë kampi i lemeritun dha kujën. Vogëlushët ishin të bukur si dy engjëj dhe shtëpia e tyne dilte fare, sepse nuk kishte mashkuj të tjerë. Kjo ngjarje u kthye në tragjedi. Motra tyne, që ishte arratisë nӫ Mal tӫ Zi,  kur mori vesh lajmin, vrau veten. Ma vonë lirohet e ama, tashmë e vejë e pa asnjë fëmijë e pa kërkend. Kur kthehet në kullën boshe e të braktisun e zen një dëshpërim i madh dhe e ther veten me thikë.

Këto ngjarje të kobshme, njollosin sistemin e diktaturës, si një sistem nga ma të urryemit e ma kriminelët, që populli shqiptar pati fatkeqësinë të durojë për 45 vjet rresht, duke e pague me flijimin e mija e mija viktimave të pafajshme. Këto mbresa vlejnë për të dhanë ma të qartë përfytyrimin e asaj vale terrori dhe persekutimi që përfshiu vendin tonë gjatë një gjysmë shekulli.

NANE CUKLINES

Dy voglusha kërubina,

N'intemim i pat Cuklina,

Dy voglusha, krrela krrela,

Në një kamp rrethue me tela.

 

Nanë Cuklina, ajo nanë mjera,

N' Tepelenë ku s'pushon era,

Dy binjakët i mban pranë,

Veç buk misri kanë me ngranë.

 

N' at Turan të Tepelenës,

I ka tret pushteti i rrenës,

Një pushtet mizor, barbar,

Kriminel e gjakatar !

 

Rrijnë fëmitë varun në gji,

Mortja e zezë rrin në pusi ;

Kosën n' dorë ia dha partia,

Që t'kositet pafajsija.

 

Shpërthen vaji e lemeria,

Po tmerrohet gjithë njerzia,

Po vjen vdeja t' u zgërdhi,

Kosit pleq, kosit fërni.

 

Dy voglushat kërubina,

S'i shpéton dot nanë Cuklina.

Dy voglushat dorë për dore,

Ia rremben vdekja mizore.

 

Mortja hiq s'po ka meshirë,

Njato kthetra i ka shtrirë.

Dridhen fëmijët prej sikletit,

Llahtariset gjithë mileti.

 

Llahtariset mali e Vjosa,

Natë e ditë po kosit kosa,

Sa shumë vorre janë rreshtue,

Sa shumë foshnje janë gropue.

 

I tanë kampi ban medet,

Në një gropë i kanë mbështet,

Dy binjakët dorë për dore,

Qanë nanë zeza malësore.

 

Fillikat e qyqe mbet,

Kthen Cuklina n'kanak t'vet,

E sheh bosh e pa kërkend,

E therë veten aty në vend !

Marrë nga libri im me vjersha rapsodike popullore ‘Lahutari Shqiptar”, 1944-1990.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here