Aziz Ndreu: Ju rrëfej dhunën ndaj grave e fëmijëve në kampin e Kuçovës

0
655

"Pandi xhelati e rrahu shokun tim 13-vjeçar Ali Bami, aq sa mbeti shurdh për gjithë jetën. Xhelati torturoi rëndë edhe të ën e Aliut, Hane Bamim"

Zoti Aziz, ju kujtohet kur erdhën t’ju marrin për t’ju internuar? E përshkruani dot skenën?

Po, vijnë e na marrin me kuaj dhe mushka. Na veçuan me ç’kishim veshur në trup dhe na nisën për në qytet. Prej andej pastaj, na nisën për në Berat. Në Berat, pas një farë kohe, meqë u bëmë shumë, një pjesë të fëmijëve i liruan. Kuptohet, i kishin baballarët në burg ose të arratisur. Më vonë edhe këta i kanë ri- internuar, mbas vitit ’50.

 A ju kujtohen kushtet e jetesës si të internuar, në Berat?

Shiko, unë po të tregoj se çfarë na jepte shteti. Ne të miturit, quheshim “ordinerë”, dmth, që nuk punonim dhe merrnim vetëm 400 gr. bukë misri në ditë e asgjë tjetër. Nëse sëmureshim, shkonim në spital pa para, dmth, këto shërbime na i mbulonte Ministria e Brendëshme. Ose nëse merrnim ndonjë recetë tek mjeku, në pamundësi për t’i blerë ilaçet ngaqë nuk kishim asnjë të ardhur, e çonim recetën në degë, dhe ata na jepnin të hollat për aq sa kushtonin. Kurse ata që punonin, kishin rreth 600 gr. bukë, në ditë. Dhe asgjë tjetër; as veshje, as pajisje të tjera.

Më vonë, një pjesë të kampit të Beratit, e shpërngulën në Kuçovë. Seleksionuan midis nesh, ata që ishin të aftë për punë, që kishin edhe të drejtën e gjellës. Gjellë me zarzavate , apo supë. Ndërsa për ne, jo.

“Ordinerë” quheshin të miturit?

Po, fëmijët. Deri në 14 vjeç. Aty na strehuan në kazerma, baraka italiane.

Në Kuçovë, kështu?

Po, në Kuçovë. Në disa kazerma të instaluara përgjatë lumit. Ngriheshim në mëngjes herët, bëhej apeli dhe të rriturit shkonin në punë. Në kamp ngeleshin vetëm të paaftët dhe fëmijët. Nga uria, ne futeshim në fushat me misër që ishin diku afër, me shpresë se mos gjenim ndonjë shalqi të papjekur. Dhe e hanim ashtu siç ishte, se nuk dinim as ta qëronim. Por, ishte fitore e madhe, nëse mund të gjenim ndonjë gjë të tillë për të ngrënë. Kjo ishte gjendja.

Njëherë në javë, ai që kishte mundësi, mund të shkonte në Berat për të blerë ndonjë dorë miell apo diçka të tillë.

Zoti Aziz, çfarë pune bënin njerëzit në Kuçovë?

Kryesisht punë bujqësore. Afër nesh, ishte edhe kampi i të burgosurve. Pra, dy kampe: ai i të internuarve, dhe ai i të burgosurve, që drejtoheshin nga e njejta komandë. Komandant ka qënë një nëntoger. Pandi, Pandi…quhej. Nuk më kujtohet mbiemri.  Dëshira më e madhe e këtij Pandit, ishte që të rrihte e të toruronte njerëzit. Ishte një sadist me plot kuptimin e fjalës. Më kujtohet kur ka torturuar një grua, një Hane Bami nga Kruja, të shoqen e Brahim Bamit, sepse Haxhiu, i biri, që ishte fëmijë, me sa duket kishte dalë e kishte marrë një misër. Dhe ai i rrahu rëndë të ëmën dhe të birin bashkë.  Bile ai e ka rrahur kaq shumë Ali Demën, sa e la sakat. Derisa vdiq, Aliu, ishte sakat nga njëri vesh.

Tani nuk e di se si i përballuam skena të tilla; ishim të vegjël e nuk dinim shumë se çfarë është liria, shteti apo të tjera gjëra, por kujtonim se e tillë ishte është bota, si ajo që pamë atje.

Si i godiste kompandanti i kampit të internuarit? Me se?

Me çfarë të mundej: me shqelma, me grushta. Po t’i ndodhej ndonjë dru aty rrotull, i godiste me dru.

Në sy të fëmijve, të të gjithëve, i rrihte të internuarit?

Kishte raste që i rrihte në sy të të gjithëve. Ose i merrte në zyrë, dhe atje pastaj, bënte si dinte vetë. Dhe ky Pandi ishte komandant edhe për të burgosurit.

Bëhet fjalë për vitin ‘47 ?

Viti ‘47 e ’48. Në vitin 1948, kur sapo kishte hyrë vjeshta, doli një urdhër tjetër. Ndërkohë komandant nuk ishte më ai Pandi, por një toger që quhej Xhafer Pogaçe, një njeri shumë indiferent; s’kishte rëndësi për të nëse rroje a vdisje. Ja, i kujtoj mirë këto fytyra tani. Dhe urdhëri ishte që të gjithë “ordinerët”, pra fëmijët, me gjithë nënat e tyre, dhe me gratë e paafta për punë, të shkonin në Berat. Dhe na çuan në kalanë e Beratit. Në Berat, një pjesë prej nesh, i sistemuan në shtëpitë e braktisura, që s’kishin as dyer as dritare. Kur s’kishte të tilla mundësi , u merrnin familjarëve vendas nga një dhomë dhe na fusnin nga dy ose tre familje në një dhomë. Pra, në shtëpitë e beratasve.

Aty na lejuan të fillonim shkollën; njëri në klasë të parë, dhe ai që e kishte kryer klasën e parë, futej në të dytën. Në këtë kohë, meqë filluam shkollën, neve na e bënë racionin e bukës 600 gr. për njeri, deri në pranverë. Por, natyrisht, vetëm bukë e asgjë tjetër. Në pranverë, rreth dy muaj pa mbaruar viti shkollor, erdhi urdhëri për të na transferuar në Tepelenë. Po si do të shkonim në Tepelenë?

Zoti Aziz, edhe një gjë para se të kalojmë te Tepelena: si u sollën qytetarët beratas me ju?

Unë, edhe sot e kësaj dite, ruaj konsiderata të larta dhe respekt sidomos për beratasit, të cilët në atë kohë nuk kishin mundësi të na ndihmonin, por, po t’u jepej mundësia, e bënin. Nuk na shanin, nuk na fyenin, nuk na përbuzinin. Ishte interesante. Ndoshta ngaqë ishte fillimi …

Po si jetonit, dy apo tri familje, në një dhomë?

Shiko, jetohej, sepse ne nuk kishim as plaçka e as të veshura e të mbathura. Mund të kishim një apo dy palë roba sa për t’u ndërruar. Si rroba fjetjeje, mund të kishim vetëm një jorgan për t’u mbuluar. Të gjithë familjarët flinin bashkë, të mëdhenj e të vegjël.

Po nënat çfarë pune bënin?

Nuk bënin asnjë lloj pune, gjatë kohës që ishim në Berat. Nënat, gratë e familjes, kishin këtë përgjegjësi: të shkonin të paraqiteshin në degën e punëve të brendshme çdo të shtunë dhe të raportonin për personat e familjes, d.m.th, që ishim aty. Kur kishte nevojë, dërgonte vetë dega njerëz të caktuar që na thërrisnin për t’u paraqitur.

Pra, për aq sa mbaj mend unë, nuk punonin. Ndonjë nga gratë mund të merrej me ndonjë punëdore kur ishte në gjendje, por pothuajse nuk punonin. Por edhe të lirët, pjesa tjetër e popullit, ishin shumë të varfër. Jetonin me triska në atë kohë.

A vepronte misioni humanitar i UNRRA-s në atë kohë? Ju kanë ndihmuar me ushqim?

Po. Më kujtohet që kur kemi qenë në shkollë, na jepnin një vakt margarinë edhe një gotë qumësht dhe këtë të fundit e pinim ashtu në moment, përnjëherë. Por, kjo ndihmë ushqimore ishte vetëm për ne, nxënësit e shkollës, sepse familjet nuk kishin asnjë lloj ndihme.

Marë nga libri: Zërat e Kujtesës, me autorë, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here