Adelajde Mirakaj: Nga bankat e shkollës në internim… na mohonin edhe ilaçet

0
712
blank

“Racioni ditor i bukës ishte me gramaturë, vetëm 400 gramë, ndërsa ushqimet që na jepnin, ishin gati të pangrënshme: fasule të krimbura, oriz me miza... Sa herë jam afruar nëpër kazanët ku zienin këto lloj gjellësh, dhe shihja se si në sipërfaqe të kazanëve, kishin dalë krimbat. Ishte kaq e pështirë…”

Adelajde Mirakaj, vajza e Pal Bibë Mirakajt, e internuar që kur ishte fëmijë, bashkë me familjen e saj, ka rrëfyer jetën e vështirë kampeve të internimit, në një intervistë dhënë “Panoramës”, në vitin 2012. Nga rrëfimi i saj, kemi shkëputur disa pjesë që flasin për nisjen e kalvarit të vuajtjeve në internim, punën rraskapitëse, jetën e tmerrshme në Tepelenë, urinë e tejskajshme etj..

blank
Adelajda me bashkëshortin dhe dy fëmijët, në kamp internimi

“Për mua është një nga momentet më të vështira të jetës, që u bë shkak për vuajtjet tona familjare. Nuk kam për ta harruar asnjëherë ditën kur na internuan, bashkë me nënë Kunen dhe dy vëllezërit, Simonin dhe Sokolin. Ishte viti 1944, dhe atë ditë, sapo isha kthyer nga shkolla, shoh njerëz dhe një makinë të madhe përpara derës së shtëpisë. Nuk më lejuan as të futesha brenda, të hiqja përparësen e të ndërrohesha, por siç isha me rrobat e trupit, bashkë me familjen, na hipën në një makinë të madhe, ku gjendeshin edhe persona të tjerë, të cilët nuk i kisha parë kurrë më parë. E gjithë kjo ndodhi pasi babai im Pal Bibë Mirakaj ishte arratisur, bashkë me të vëllain, Kolën, i cili për një periudhë të shkurtër kohore kish qenë ministër i Brendshëm në qeverinë fashiste. Me ndryshimin e sistemeve dhe me vendosjen e regjimit komunist, ata i dinin pasojat. Dhe sa të binin në duar të komunistëve, vendosën të arratiseshin. Për më tepër, babai nuk pajtohej dot me dogmat dhe sistemin e mbrapshtë komunist dhe besoj se për të, arratisja ishte një zgjedhje, por jo zgjidhje. Një jetë e tërë në arrati, me një familje që u dënua për vite me radhë nuk ishte aspak e lehtë…

Të internuar në Berat

Shkollën fillore nuk arrita ta përfundoj në mënyrë normale, sepse në fund të vitit të katërt, na internuan. Për një fëmijë, ditët e para në një mjedis të ri, janë përshtatje, hutim. Shpesh gjeja veten duke qarë, pyesja mamanë se çfarë kishte ndodhur me ne që u larguam nga shtëpia, pse jetonim bashkë me njerëz të tjerë, të panjohur... Kampi i parë i internimit ishte në Berat, dhe aty qëndruam nga viti 1944, deri në 1949-ën. Ditët aty ishin shumë të trishta, të vetmuara. Nëna dhe vëllezërit ishin të angazhuar në punë të detyrueshme, shpesh edhe të papaguar, ndërsa aty në kamp, nisa nga fillimi shkollën fillore. Ndërsa në moshën 12-vjeçare, më detyruan që të nisja punën bashkë me gra dhe femra të tjera më të rritura se unë. Punët ishin nga më të vështirat, por ajo që më ka munduar më shumë, ka qenë puna në pambuk. Mua më duhej që të hidhja helmin nëpër sasitë e pambukut, për të mbytur krimbat. Shumë herë, më bllokohej frymëmarrja, më ënjteshin këmbët dhe duart nga helmatisja që pësoja herë pas here. Kur doja që të vizitohesha tek doktori, gjithmonë më shoqëronte kryetari i këshillit të rrethit, i cili hynte i pari, duke i shpjeguar se isha bijë e “Armikut të Popullit” dhe se nuk meritoja të merrja ilaçe apo raport mjekësor.

Në Tepelenë…

Të tilla lëvizje bëheshin gjithnjë për më keq, edhe asnjëherë për të lehtësuar vuajtjet e të internuarve. Sa shumë histori rrëqethëse ka mbartur ndër vite kampi i Tepelenës, në të cilin kalova katër vite të jetës sime. Mua me familjen, na çuan në një kamp internimi në Turan të Tepelenës, aty ku gjendeshin edhe shumë familje të tjera veriore, si ajo e Markagjonëve, Maria e Suzana  Topalli etj. Dikur, ky kamp kishte qenë varrezë, ndërkohë e kishin rrethuar me tela të lartë dhe e kthyen në kamp. Edhe këtu u angazhova në punë fizike të rënda. Mbaj mend, sa herë ngarkoheshim me dru në krahë, unë edhe shoqet e mia dhe në momentet kur nuk ecnim dot më, sepse na dhembte shpina nga lodhja, gjenim një vend me zhavorr ose rërë, i vendosnim aty drutë dhe u jepnim një të shtyrë që të binin në lumin e Bënçës. Prej andej, më pas i ngarkonim në krah dhe i çonim në kamp.

Sfidat e urisë…

Kjo ishte pjesa më munduese. Aq sa, kur ato momente më shfaqen sot në kujtesë, habitem me veten dhe them si jam gjallë. Racioni ditor i bukës ishte me gramaturë, vetëm 400 gramë, ndërsa ushqimet që na jepnin ishin gati të pangrënshme, fasule të krimbura, oriz me miza. Sa herë jam afruar nëpër kazanët ku zienin këto lloj gjellësh, dhe shihja se si në sipërfaqe të kazanëve kishin dalë krimbat. Ishte kaq e pështirë… Ndërsa, një ditë, që nuk kam për ta harruar kurrë, më bëri përshtypje vakti i darkës, një pilaf tërësisht i nxirë që na ishte servirur në pjatë. Ishte thuajse i pangrënshëm, dhe kur pyeta kuzhinieret aty në kamp, më thanë se kazanët që përdoreshin për të zier pilafin apo gjellët e tjera, dikur kishin shërbyer si fuçi benzine për italianët dhe shqiptarët i kishin prerë, duke i kthyer në kazanë për të gatuar ushqime të ndryshme. Atë ditë, stomaku për pak m’u shkul vendit...

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here