Saga e Alizotëve/ Pushkatim, varje dhe burg në tre breza

1
811

Historia e Fejzi Alizotit, që kreu tetë vite burg politik për “agjitacion dhe propagandë”, nipi i Fejzi Alizotit të parë dhe djali i inxhinierit të njohur të naftës, që u var publikisht nga regjimi komunist në Kuçovë. Lindi në internim, u rrit me brengën e humbjes së të parëve dhe frikën, se një ditë fati i tyre do rëndonte edhe mbi të.

Njiheshin si intelektualë, familje aristokrate, të shkolluar jashtë vendit dhe me kontribut të madh në shpalljen e Pavarësisë. Për Familjen Alizoti, pllaka e historisë do të përmbysej kryekëput që me ditët e para të regjimit komunist.

Mbi vuajtjet e sagës së Alizotëve tregoi Fejzi Alizoti (i riu). Ndoshta historia e tij dhe e familjes do të ndriçohet qoftë edhe për pak, mbase është e vetmja që nuk mund të burgoset më. Nipi i politikanit të mirënjohur Fejzi Alizoti (1874-1945), njeriu që u bë një nga zyrtarët e lartë të Perandorisë Osmane, më pas ishte aktiv në shpalljen e pavarësisë dhe pjesë e qeverisë së Ismail Qemalit. Për disa kohë, ministër financash dhe pjesë e qeverisë së Shefqet Vërlacit në vitet 1939-1940, gjatë pushtimit nga Italia, ia morën të gjithë vitet e jetës, atij dhe pasardhësve.

Pas vitit 1945, Fejzi Alizoti nuk e ndjeu që rreziku i kish ardhur në prag, ndaj nuk tentoi të largohej jashtë vendit. Qeveria komuniste nën delirin e të sapoardhurve në pushtet, ishte “betuar” t’ia hiqte kësaj familje “njollën” e bashkëpunëtorëve të fashistëve, duke çuar para skuadrës së pushkatimit plakun 71-vjeçar Fejzi Alizotin dhe pak muaj më pas, në ditëlindjen e 37 të tij, edhe të birin Riza Alizoti, një nga inxhinierët e naftës më të spikatur të kohës. Personazhi ynë mori emrin e gjyshit, pa e ditur se ai emër i madh do e vriste ngapak gjithë jetën. Rininë, ëndrrat, lirinë, dëshirat dhe pasurinë ia morën, gjyshi në plumb, babai në litar, familja në burg e internim, gjithçka e rëndë pasoi për të, ndërsa frymën bashkë me nderin nuk mundën t’ia mposhtnin, ai ka “rrnue për me tregue”….!

“Historia e familjes time do të merrte tatëpjetën që në momentin kur u arrestua gjyshi im Fejziu dhe pas pak muajsh hetuesi dhe një gjyqi të shpejtë krejtësisht politik, ai dhe 16 intelektualë të tjerë u pushkatuan në gjyqin e parë special të komunistëve. Në vitin 1945 pasi arrestuan gjyshin tim Fejzi Alizotin, na sekuestruan gjithë pasurinë dhe internuan pjestarët e trungut, u duk se im atë Rizai mund të shpëtonte, pasi vetëm tre muaj më parë ishte dekoruar me urdhrin e Medaljes së Punës, por edhe ai pësoi fatin më të keq se të gjithë. Babain ma varën në litar si të birin e armikut, kur unë isha vetëm një vjeç”- tregonte Fejzi Alizoti. Atë ditë, më 10 tetor 1947  Rizai do festonte 37-vjetorin e lindjes, por “dhurata” surprizë nuk i erdhi nga familjarët e degdisur në kampet e internimit në Tepelenë, por nga një togë gjyqtarësh që e vendosën në rrepet e Kuçovës dhe pas 24 orësh i varur, trupin ia hodhën në një përrua pranë puseve të naftës. Sikurse e tregojnë diplomat, Riza Alizoti ishte i vetmi inxhinier nafte në Shqipëri që kishte kryer studimet dhe specializime pasuniversitare në Oksford. Pamjet e tij në gjyq paraqesin një transformim nga turturat dhe seancat e zgjatura të pyetjeve të shumta. Madje në vendimin e marrë për dënimin e 16 intelektualëve të profesioneve të ndryshme në vitin 1947 për Shefqet Bejën, Riza Alizotin dhe Sulo Klosin, cilësohet se Beja duhet të varet në Tiranë, Alizoti tek rrepet e Kuçovës, ndërsa Klosi në qytetin e Rubikut. La pas djalin Fejziun, dy vajza dhe bashkëshorten e tij Vera Alizoti Ypi.

Me gjyshin e pushkatuar, babanë e varur në litar, gjyshen, nënën motrat e internuar dhe gjithë Alizotët e damkosur, Fejziu do ishte një qenie e gjallë që priste vetëm përballjen me birucat e errëta, hakërrimin e hetuesve dhe shtrëngimin e duarve nga prangat që ushtria italiane i përdorte për të lidhur këmbët e kuajve. “Kisha një mllef të brendshëm për pushtetin, por ruhesha shumë, pasi e dija se mjaftonte një shkak i vogël që të përfundoja në burg”-kujtonte ai. Ndërsa kishte kaluar fëmijërinë në kampet e internimit, Fejzi Alizoti kreu shkollën e mesme, por vetëm kaq arsim mund të kishte për të bijtë e armikut, shkolla e lartë nuk u bë e mundur për të për shkak të biografisë së keqe. Mendoi seriozisht të kishte një familje, por edhe këtu do i dilnin probleme. Askush nuk mund ti jepte vajzën një djali me njollë në biografi dhe në fund do gjente të “sojit” të tij. Martohet me vajzën e Ilmi Lekës, edhe ky i pushkatuar bashkë me Fejzi Alizotin (të parin), në vitin 1945. Shumë familjarë dhe të afërm të të dy familjeve Alizoti dhe Leka ishin në internim dhe burgje, por Fejzi Alizoti dhe bashkëshortja e tij shpresonin se ndoshta ata dhe fëmijët e sapoardhur në jetë do të shpëtonin nga burgjet e diktaturës. E njihte mire rregullin, apelin dhe privimin e lirisë pasi ishte rritur në kampet e internimit, ndaj Fejzi Alizoti pranon pa asnjë diskutim urdhrin që ai duhet të punonte në minierë. Për shumë vite mendoi se ndoshta e kishin “harruar” se ishte “pjella e armiqve”, por pushteti i kishte të gjithë të skeduar. Në vitin 1979 kur Fejzi Alizoti kishte lënë punën dhe po bëhej gati të futej në dushet e minierës për të hequr pluhurin e zi të qymyrit, e thërrasin në drejtori ku ishte i pranishëm operativi i zonës dhe një punonjës i sigurimit të shtetit. Vetëm pak fjalë i shqiptuan dhe qielli i ra “në kokë” kur i komunikuan krejt ftohtë dhe me urrejtje të stampuar në fytyrë: “në emër të popullit je i arrestuar”… Popull ishin edhe punëtorët e minierës që panë plot dhimbje sesi i kolegu i tyre kaloi me kokë ulur me pranga në duar drejt makinës së burgut. “Ishte mjaft e rëndë, pasi unë nuk kisha bërë asgjë dhe herë mendoja se do më linin të lirë, pasi nuk kisha thënë publikisht asnjë gjysmë fjalë kundër pushtetit, e herë mendoja se ishte fundi im, pasi nuk kishte shumë rëndësi çfarë kisha bërë, por kush isha”. Dhe akuza në fillim lindi si një shaka, sepse i komunikuan se ishte shprehur në minierë se “u lodha”, ndaj për këtë fjalë iu lëshuan akuza e fyerje se përse të ka lodhur pushteti popullor, pasi njerëzit jetonin të lumtur me shokun Enver dhe partinë në ballë të parë. “Edhe mund ta kisha thënë këtë fjalë, pasi realisht lodheshim, por kjo nuk mu duk ndonjë akuzë e rëndë, që dënohej me burg, por më pas më thanë se isha shprehur se Beqir Ballukun e kishin pushkatuar kot”-tregon Alizoti. Ishte e tepërt të pretendonte të drejtat e tij, ndaj në shtatë muaj hetuesi dhe gjyq Fejzi Alizoti edhe pse mohoi çdo akuzë, nuk i shpëtoi dot dënimit, përfundimisht i japin dhjetë vite burgim dhe heqje e të drejtës së votimit për pesë vite. “Më dërguan në burgun e Spaçit, aty ku gjeta Fatos Lubonjën, Spartak Ngjelën dhe shumë persona të tjerë, ruaj ende respekt të madh për Lubonjën dhe Ngjelën, pasi nuk u gjunjëzuan kurrë dhe kanë vuajtur shumë”-kujtonte Alizoti. Nga dhjetë vite dënim që i kishin dhënë, Fejzi Alizoti përfiton nga një amnisti dhe kur kishte kryer më shumë se shtatë vite burg në Spaç dhe Burrel, dërgohet në kampin pranë kompleksit “Dinamo”, aty ku qëndronin të dënuarit që priteshin të liroheshin. “Kisha dëgjuar dhe parë vetë se po brenda në burg të riarrestonin dhe të ridënonin, kjo mu shtua ditën që prisja të dilja. Po vonohej shumë fletë-lirimi dhe më pas pash që erdhi një xhip, aty mendova se ishte fundi im, madje kërkova që një nga të burgosurit të më jepte një pelixhe të vjetër, pasi do më degdisin sërish në Spaç, por për fatin tim nga ai xhip zbritën disa hidraulikë. Pasdite më erdhi fletë-lirimi”. Mirëpo ajo ishte vetëm një liri formale pasi shoqëria nuk e afronte shumë për shkak të frikës. Megjithëse sistemi i kishte ditët e numëruara Alizoti nuk mendonte se pushteti po kalbej, ndonëse ishte fundi i viteve 80’.  Kujton si një humor të zi momentin kur një komunist i lagjes ku jetonte në Manzë, i vjen me gëzim dhe i thotë: “Fejzi, partia të fali dënimin e dhënë që për pesë vite të mos marrësh pjesë në votim, ti tani mund të votosh”. Ky ishte episodi që Alizoti sot e kojton plot siklet, pasi mbajti radhë për të hedhur votën në kutinë e pushtetit, ndonëse krahas me të ishte edhe një tjetër kuti ku për “demokraci” mund të shpreheshe kundër… Por ai ishte votimi i fundit pa dëshirë për të. Era e ndryshimeve kishte kapur edhe këtë cep të harruar të Ballkanit Perëndimor. “Isha i pranishëm në hedhjen e monumentit të Enver Hoxhës dhe kjo ka qenë dita më e gëzueshme”. Ky ishte fundi i një drame të gjatë, por fillimi i një minidrame tjetër…

Flet pa teklif për të shkuarën e tij, gjykon edhe sistemin e kaluar, por kur bie fjala për operativin e zonës që e procedoi penalisht dhe për hetuesin e tij, stepet mjaft, hesht, dhe nis të nxjerrë më shumë shtëllunga tymi nga cigarja dhe fytyra i merr një ngjyrë të errët. Ish-operativi i zonës më vonë në periudhën e demokracisë u bë një nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa hetuesi ngjiti shkallët e karrierës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Është veçori e të gjithë të dënuarve politik që nuk kërkojnë hakmarrje, por drejtësinë e kërkojnë ende.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Ne Shqiperi nuk duhet kerkuar drejtesi, por nje hakmarrje e pameshirshme, asgjesuese per cdo komunist, cdo funksionar te larte, hetues dhe operativ.

    Hakmarrja po vonon sepse te persekutuarit dhe te denuarit politik nuk kane fuqine e duhur megjithate do te vije dhe kur te vije do te jete cliruese...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here