Babë e bir në burgun e Burrelit

0
4368
blank

“Në Burrel gjeta edhe babanë. U bëmë atë e bir në burg. Po vdiste. Qe plak; as gatuante, e as ishte në gjendje t’i shërbente vetes. Shumë i rënë... Mundësia për të kryer nevojat, ishte shumë e kufizuar. Për atë punë, kishin vënë dy qypa në fund të dhomës. Për të gjithë. Pleqtë kishin nga një pagure; ata urinonin në pagure..."

Në familjen e Veliko Maliles në Gjirokastër gjithë jeta do të përmbysej ditën që ai do të arrestohej. Viti 1947 do të shënonte fundin e jetës së tyre të qetë e të lumtur. Ai ishte një prej tregtarëve më të pasur të Gjirokastrës, por regjimi komunist e kishte piketuar që në ditët e para për ta arrestuar e për t'i rrëmbyer gjithë pasurinë. E akuzojnë si pjesë të një grupi armiqësor prej pesë vetësh, me në krye Baba Kamberin e Beratit, babain e Teqes së Suhës. Nga ai grup, u dha dënim me vdekje për Baba Kamberin, i cili u pushkatua ndërsa Veliko Malile dhe Milto Lito, ishin dënuar me burgim të përjetshëm.

Torturat në hetuesi do ishin të tmerrshme dhe arsyeja e vërtetë e tyre ishte dorëzimi i floririt. Veç tij në tortura kishin përfshirë dhe të shoqen, për të cilën Sezar Malile dëshmon se “Nënës i kanë futur edhe macen në dimit që të dorëzonte paratë”.

Veliko Malile do të burgosej fillimisht në burgun e Gjirokastrës, ku do të mbahej i izoluar për 2 vjet dhe më pas do të dërgohej në burgun e Burrelit.

Në familjen e tij gjithçka do të merrte tatëpjetën, në korrik të 1949-ës kur do të arrestohej edhe i biri, Sezari, i cili do të mbahej në hetuesi për afro 10 muaj e më pas do të dënohej për tentativë arratisjeje me 12 vjet burg.

Një pjesë të dënimit, Sezari do e kalonte në kampet e tmerrshme të punës së detyruar në Maliq dhe Kavajë, por pjesën tjetër të dënimit ai do ta kryente në Burrel, në burgun, ku prej shumë kohësh qëndronte i izoluar edhe babai i tij i moshuar. Sezari e kujton kështu takimin me të atin në burgun e Burrelit:

“Në Burrel gjeta edhe babanë. U bëmë atë e bir në burg. Po vdiste. Qe plak; as gatuante, e as ishte në gjendje t’i shërbente vetes. Shumë i rënë. Dhe i porosiste ata të shtëpisë që të kujdeseshin për mua, për djalin. “Bjerini djalit mbrapa, se unë e kaloj.” - u thoshte i gjori. Sakrifica! Por kur shkova unë në Burrel, u rregulluam disi se gatuaja unë, i laja rrobat dhe kujdesesha për të”.

Sezari qëndroi në burgun e Burrelit për 3 vjet e gjysëm, deri në dhjetor të vitit 1957. Kushtet e tmerrshme të jetesës aty, ai i përshkruan me këto rreshta:

blank

“Burreli ishte shumë i rëndë, fillimisht se qe i mbipopulluar. Dhomat ishin të ngarkuara atje ku nuk bëhej. E dyta, përdorimi i banjos ishte shumë i zorshëm. Mundësia për të kryer nevojat, ishte shumë i kufizuar. Për atë punë, kishin vënë dy qypa në fund të dhomës. Për të gjithë. Pleqtë kishin nga një pagure; ata urinonin në pagure. Plaku urinonte në pagure se nuk ishte në gjendje të priste te radha e qypit: që ta merrte qypin, të shkonte e ta pastronte në banjo, ta lante e ta sillte prapë në dhomë, gjë që e bënim gjatë kohës së pushimit kur dilnim në oborr. Kështu që ai që ishte plak, përdorte paguren. Ne të tjerët përdornim qypin, aq sa qypi mbushej fytas. Por, kur ndodhte që thyhej qypi, çfarë të bënim ne? Kur thyhej qypi, fekalet merrnin dheun dhe ne nuk kishim një leckë që ta mblidhnim. I binim derës dhe nuk na e hapte kush. Kjo qe më e tmerrshmja e Burrelit: qypi. Dhe e dalura jashtë ishte një tjetër problem: një orë në mëngjes, një orë pasdite”.

27 dhjetori i vitit 1957, do të shënonte fundin e burgut për Sezar Malilen. Duhej të ishte i gëzuar, por a ishte e mundur kjo? Në burg po linte të atin e moshuar, i cili ende nuk e kishte përfunduar dënimin, ndërsa jashtë e priste një jetë tmerrësisht e vshtirë. I ati do të qëndronte edhe një vit tjetër në burg, ndërsa vetë i duhej të gjente një strehë dhe një punë.

“Babain e lashë në burg. Kur erdha në Tiranë, kërkova pasaportizim por nuk ma dhanë. Më dëbuan e më shpunë në Kavajë. Vajta në Kavajë me dyshekë në krahë. Në kriporen e Kavajës. Ku të rrija? Parà e gjë nuk kisha. Ku do të futesha? Aty në kripore, ishte një ndërtesë; punoja dhe strehohesha aty… Baba doli nga burgu një vit pas meje. Unë isha në Kavajë atë kohë. Pas një viti, më në fund kisha arritur të zija një dhomë. Kur erdhi babai, erdhi edhe nëna e cila deri atëherë rrinte te vëllai. Kështuqë krijova folenë aty. Avash-avash, me nga një leckë me nga një gjë, sikur u bëmë pak shtëpi. Morëm ca lëvozhga misri dhe bëmë minderet, se s’kishim as mindere”.

Për Sezarin internimi apo dëbimi ishte edhe më i vështirë se periudha e burgut.

“Nuk dija ku të shkoja. Në dorë të Zotit. Po të të internonin, shkatërroheshe krejtësisht. Shkatërrohej shtëpia. Kur të fusnin në burg, shtëpia ngelej, foleja ngelej. Pra internimi ishte shkatërrim. Dita më e zezë ajo ka qenë”.

Dëshmia e Sezar Maliles, djalit të Veliko Maliles, është publikuar në “Zërat e Kujtesës”, botim i ISKK, përgatitur nga Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here