75 vjet nga ekzekutimi i 22 personave për dinamitin në legatën sovjetike

0
3
blank

Pas hedhjes së dinamitit në oborrin e Legatës Sovjetike dhe për shkak të një ngjarje tjetër disa ditëve më parë, shkurtin e vitit 1951, në Tiranë, u arrestuan rreth 170 persona. Nga këta, u përzgjodhën për t'u ekzekutuar 22 veta: intelektualë, tregtarë, ish-nëpunës, përfshirë dhe shkencëtaren Sabiha Kasimati. U pushkatuan me një të rënë të lapsit, edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me incidentin. Autorët e ngjarjes dhe organizatorët u zbuluan dhe u ekzekutuan disa muaj më vonë.

Organizata Bashkimi Kombëtar e kryesuar nga Sejfulla Shima, nëpërmjet anëtarëve Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, hodhi dinamitin në legatën sovjetike ora 19.30 të datës 19 shkurt 1951. U zgjodh ajo kohë atentati për t’i dhënë një goditje regjimit komunist në kohën kur në Tiranë po organizoheshin aktivitete për nder të Ushtrisë së Kuqe.

Hysen Llulla dhe Qazim Laçi u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Hyseni hodhi dinamitin me fitil 2 metra të gjatë, ndërsa Qazimi nuk mundi ta hedhë. Shpërthimin e kanë dëgjuar të dy kur ishin në lumin Lana. Zbulimi i këtij grupi u bë rastësisht pas dy javësh, vetëm sepse një anëtar i Bashkimit Kombëtar ia tregoi ngjarjen në formë mburrjeje një personi.

Menjëherë pasi Byroja Politike vendosi mënyrën e veprimit si dhe dënimet me vdekje që do jepeshin, organet e punëve të brendshme në Tiranë nisën një valë arrestimesh me të cilat izoluan gjithë elementin antikomunist të menduar. Të arrestuarit për këtë ngjarje shkuan rreth 170 persona (lista unike kryesore), përfshi ata para ngjarjes që dyshoheshin për një veprim të datës 8 shkurt 1951, por nuk rezulton kurrkund të jetë i vërtetë. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit përpiloi tri lista nga kontingjentet “armike”. Duke menduar se patjetër armiku duhej të ishte këtu, u përzgjodhën për t’u pushkatuar 22 persona (jashtë tri listave, por pjesë e grupit prej 170 personash). Nga Instituti i Shkencave ishin përzgjedhur tre persona, njëra nga të cilët ishte shkencëtarja Sabiha Kasimati. Listat u përpiluan në këtë mënyrë nga degët e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit:

A-Lista e parë, “agjentët e të huajve”, hartuar nga Dega e 1-rë (Zbulimi Politik) drejtuar nga Zoi Themeli dhe Dega e 5-të (legatat e huaja) drejtuar nga Delo Balili përpiluan një listë të përbashkët me gjithsej 19 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Pandeli Nova.

B-Lista e dytë, ballistët, legalistët, pronarët, hartuar nga Dega e 2-të (Grupimet kundërrevolucionare) që drejtohej nga Niko Ceta përpiloi një listë me gjithsej 10 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Ali Qorraliu, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati.

C-Lista e tretë, nëpunësit “sabotatorë”, hartuar nga Dega e 3-të (Mbrojtja e Ekonomisë Socialiste) që drejtohej nga Edip Çuçi përpiloi një listë me gjithsej 12 persona, kryesisht nëpunës në ministri apo ndërmarrje. Nga kjo listë u ekzekutuan: Pjerin Guraziu, Qemal Kasoruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.

Listës iu shtua edhe një person tjetër për t’u ekzekutuar, Reis Selfo, besohet me urdhër të Enver Hoxhës, i cili e njihte personalisht dhe e ka përmendur në kujtimet e veta.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here