Historia i vërtetoi thirrjet e pjesëmarrësve në revoltën e Spaçit, por jo gjithçka ndodhi siç e parashikuan ata. Sot, 50 vjet më vonë, lind pyetja a e meritojmë sakrificën e tyre.
Revolta e të burgosurve në Spaç zgjati rreth 52 orë, që nga incidenti kur zuri fill rreth orës 5.00 të mëngjesit të datës 21 maj 1973 e deri kur qëndrestarët e fundit u mposhtën nga forcat e shumëfishta, në orën 9.00 të datës 23. Gjatë atyre orëve, qindra të dënuar nuk kërkuan vetëm të drejtat e tyre, por të të gjithë shqiptarëve. Kërkuan rrëzimin e regjimit komunist dhe një Shqipëri të lirë duke valëvitur flamurin kombëtar pa yllin komunist. Ato 52 orë ishin një përjashtim i periudhës pothuajse aqvjeçare të diktaturës.
Zhvillimi i revoltës
Sipas dokumenteve, në revoltë u përfshinë 500-600 vetë. Shkak për shpërthimin e saj u bë një ngjarje mëngjesin e së hënës së 21 majit 1973, që do të derdhte një kupë të cilën e kishte mbushur deri në grykë fakti që të burgosurit prej muajsh punonin pa asnjë ditë pushimi, as të dielën.
Atë mëngjes, rreth orës 5.00, roja po u hiqte batanijet të burgosurve që mbaheshin të izoluar dhe harroi ta mbyllte me çelës birucën e Pal Zefit, i cili ndodhej aty sepse nuk pranonte të dilte në punë. Sipas dëshmisë që dha në hetuesi, gjatë atyre ditëve, ai e kishte plotësuar dënimin 30-ditor me izolim dhe megjithatë, roja nuk e kishte lejuar të dilte. Pali, në ato momente, shfrytëzoi gabimin e rojës, doli nga porta, rrëmbeu një shufër hekuri dhe u ngjit mbi një nga tarracat e burgut duke kërcënuar që nuk do lejonte askënd të afrohej. Pati një tentativë për ta kapur, por të dënuar të tjerë i dolën më mbrojtje. Ata nisën të shprehin pakënaqësitë në lidhje me punën dhe gjithçka tjetër në kamp duke kërkuar përmirësimin e situatës dhe respektimin e të drejtave të tyre. Pasdite, pati përforcime nga Rrësheni dhe Palin e morën dhe e nxorën nga kampi, ndërsa të dënuarin Syrja Lame që i kishte dalë hapur në mbrojtje, e futën në izolim.
Dervish Bejko kundërshtoi me zë të lartë arrestimin e shokut të tyre. Të burgosurit u revoltuan, u bashkuan dhe morën situatën në dorë duke shqyer në mbrëmje dyert e birucave për të nxjerrë shokët e tyre të izoluar aty dhe duke djegur këndin e emulacionit, ku ironikisht qëndronin materiale propaganduese sesa i mirë ishte regjimi që po u shkatërronte jetën.
Atë natë, vendosën të ngrinin edhe flamurin kombëtar, pa yllin komunist. Ka disa versione se ku e gjetën bezën e kuqe, por në çdo version, ai që vizatoi shqiponjën është piktori Mersin Vlashi. Rreth orës 3.00 të natës, flamuri u pa të valëvitej në katin e tretë të pallatit të të burgosurve.
Ata thërrisnin kundër komunizmit, pro Shqipërisë dhe Evropës; mbanin fjalime; recitonin vargje patriotike. Mes të tjerëve, Skënder Daja, u bënte thirrje ushtarëve të bashkoheshin me të burgosurit “…kur kam parë orator atë që s'ma merrte mendja kurrë që do ishte orator, veçse një këngëtar dhe një qejfli muzike, ngela, shtanga. Shikoj Skënder Dajën. E njihja për djalë shumë të shkathët, e njihja për qejfli muzike, por për orator s'e njihja…dëgjova Skënderin që iu drejtua ushtarëve: "Jeni vëllezërit tanë. Nuk kemi gjë me ju! Hajdeni me ne! Po luftojmë për liritë tona dhe tuajat!", gjë që i kushtoi jetën”, ka treguar ish-i dënuari politik Shkëlqim Abazi për kujto.al.
Mëngjesin e datës 22 maj, në Spaç, mbërriti zëvendësministri i Brendshëm Feçor Shehu bashkë me qindra ushtarë e policë të armatosur dhe makina të rënda që rrethuan kampin.
Të burgosurit, formuan një komitet me përfaqësues nga krahinat kryesore për të përcjellë kërkesat. Kërkesat kishin të bënin me punën, kushtet dhe trajtimin e tyre. Kërkonin të mos punonin në minierë, por në ndërtim, të mos mbylleshin në izolim, të përfitonin nga amnistitë që kishin ndalur të bëheshin etj...
Me zëvendësministrin doli të fliste Hajri Pashaj, meqë e kishte bashkëfshatar. “Djalë më trim nuk ka si e bën toka e Shqipërisë”, do e quante ish-i dënuari Spiro Nasho.
Kërkesat e të burgosurve nuk u morën parasysh. Ata morën vetëm një ultimatum si përgjigje. "O do dorëzoheshin, o revolta do shtypej me forcë". Pushteti demonstroi forcën me breshëri armësh.
Në këto kushte presioni të të gjitha formave, pasi edhe uji ishte ndërprerë dhe të dënuarit mbështeteshin vetëm në ato çfarë kishin brenda rrethimit, filloi dorëzimi i tyre. Në fund mbetën vetëm një grusht burrash, mbi të cilët ra dhuna e forcave të shumta speciale dhe revolta u shtyp me dhunë. Ishte mëngjes, rreth orës 9.00, i datës 23 maj.
Pasojat e revoltës
Të mëdha i kishte përmasat revolta e Spaçit dhe po aq të rënda pasojat.
Të burgosurit, 370, thuhet në një raport për ngjarjen, u lidhën dy nga dy në pranga. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela para Presidiumit të Kuvendit Popullor deklaroi se u arrestuan 70 të burgosur. Në fillim u gjykuan 12. Nga këta, katër u dënuan me pushkatim: Pal Zefi 33-vjeç, Hajri Pashaj 29 vjeç, Dervish Bejko 27 vjeç, Skënder Daja, 23 vjeç. Mund të kishte qenë edhe dikush tjetër në vend të tyre. Mund të kishin qenë edhe më shumë. Ishin episodet, jo ndonjë krim më i rëndë, që përcaktuan këto dënime siç kuptohet edhe nga fjala e Aranit Çelës: “Ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që katër të dënoheshin me vdekje”. U pushkatuan pranë Urës së Fanit, ose në rrugën Tiranë-Elbasan, ose…trupat e tyre nuk janë gjetur as sot.
Ata tetë që i lanë gjallë, i dënuan me 25 vite burg. Disa nuk do mund të dilnin të gjallë nga burgjet. Sipas dokumenteve, gjyqet vazhduan për 2 muaj dhe 48 të burgosur të tjerë morën dënime të ndryshme.
Spaçi u bë i rreptë si kurrë më parë. Kush shkoi në Spaç pas majit të 1973-shit e njohu revoltën përmes hijes së rëndë që i kishte rënë kampit.
Por çfarëdo që të bënin gardianët, policët e drejtuesit e burgut dhe gjithë sistemi politik, për ta dënuar këtë revoltë, nuk mund ta zhbënin faktin që ajo kishte ndodhur. 11 vjet më vonë, më 22 maj 1984, shpërtheu një tjetër revoltë të burgosurish, këtë herë në Qafë-Bari. Për herë të dytë, në burgjet shqiptare u dëgjuan thirrje që shqiptarët do i dëgjonin vetëm në fillim të viteve ’90, atëherë kur mbushën sheshet për të kërkuar rrëzimin e diktaturës. Vetëm ndonjë që kishte qenë vetë dëshmitar apo ia kishin treguar shokët e tij të burgosur, e dinte se “Poshtë komunizmi” dhe “Rroftë Europa e lirë”, të rinjtë shqiptarë, kishin thirrur për herë të parë në Spaç, që në vitin 1973.
Heronjtë e tradhtuar
Heronjtë e Spaçit parashikuan saktë, atë që do të ndodhte më pas në Evropë dhe në Shqipëri. “Kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, thirrën ata. Historia u dha të drejtë në gjithçka. Vetëm një një pikë, ajo që besonin ata, nuk ndodhi në Shqipëri. “Ju do të vini këtu ku jemi ne!”, thirrën të dënuarit e Spaçit. Ata e dinin që nuk kishin kryer asnjë krim, që po mbaheshin në burg, po shfrytëzoheshin në punë e po torturoheshin nga njerëz që, një ditë, në një shtet të lirë e të drejtë, duhet të dënoheshin për këtë padrejtësi. Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri! Deri në këtë 50-vjetor nuk ka ndodhur.
Shqipëria e kujton 50-vjetorin e revoltës së Spaçit me një pelegrinazh në rrënojat e burgut që ende nuk është kthyer në muze.
Shqipëria e kujton 50-vjetorin e revoltës së Spaçit, pa pasur një vend ku t’i kushtojë nderime katër martirëve të pushkatuar dhe kjo nuk është nder për Shqipërinë e lirë për të cilën ata i ekzekutuan.
Ata kërkuan një vend të lirë dhe të drejtë duke besuar se populli ishte me ta, por këtë, ne ende nuk ua kemi treguar plotësisht.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.