Fjala e Skënder Dajës përpara ushtarëve në Spaç

0
221
blank

Zhvillimet e revoltës së Spaçit, sipas dëshmisë së Lush Prel Vatës njërit prej të burgosurve që u dënua me 25 vjet burg, pas shtypjes së saj. Thirrjet e të dënuarve, shkatërrimi i tabelës së emulacionit, parrulla që kërkonte një komision të OKB-se dhe fjala e Skënder Dajës që u bënte thirrje ushtarëve t’u bashkoheshin të burgosurve

 

Lush (Paulin) Prel Vata u dënua dy herë dhe vuajti në vitet 1968-1991: 22 vjet, 8 muaj, 6 ditë burgim të pandërprerë. Në vitin 1968 arriti të arratisej, por jugosllavët e kthyen në pikën kufitare të Hanit të Hotit. U akuzua në bazë të nenit 64 të Kodit Penal, se ishte vënë “në shërbim të agjenturës jugosllave”, por ishte kjo “agjenturë” që e kish burgosur e në fund kthyer në Shqipëri. Gjykata e konsideronte “element të paqëndrueshëm e parazit”. Midis të tjerash në vendim thuhej: “Vepra e kryer nga i pandehuri paraqet rrezikshmëri të madhe shoqërore, pasi është drejtuar kundër sovranitetit të RPSH-së dhe sigurimit të jashtëm të saj. Por nga ana tjetër edhe i pandehuri nuk është më pak i rrezikshëm”. Gjykata e Popullore e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.128, datë 15.10.1968, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin nr.303 Spaç shënohej se qëndrimi i tij nuk kishte qenë i mirë.

Në revoltën e Spaçit u dënua me 25 vjet heqje lirie. Pjesa më interesante e dëshmisë së tij është fjalimi i Skëndër Dajës para ushtarëve.

Dënimi në revoltë

Ishte një ndër të akuzuarit e grupit të parë. U pyet në 23.5.1973 në Spaç nga hetuesi Irfan Shaqiri. U akuzua për “pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit popullor”, e cila kish pas qëllim “sabotimin e ekonomisë socialiste dhe agjitacionin e propagandën”. Nuk e pranoi akuzën. Midis të tjerash, ngjarjen e tregoi kështu:

Më 21.4.1973 në orën 20.00, të dënuarit Luan Burimi, Fadil Dushku, Demir Pojani, Dervish Bejko, Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Gëzim Medolli dhe Rexhep Lazri (bile ky kishte një listë emërore me rreth 36 veta si agjentë të komandës) janë organizatorë të revoltës, e cila arriti deri në përleshje e personelit shërbyes, hedhjen e parullave armiqësore deri në pezullimin e punës në minierë.

Kur u kthye turni nga puna në orën 22.30 këta folën me njëri-tjetrin dhe u grumbulluan përpara mencës në fushën e volejbollit. Aty e mori fjalën i dënuari Skënder Daja dhe përpara të dënuarve duke u drejtuar kryesisht nga ushtarët dhe nënoficerët e shërbimit duke u thënë se edhe ai ishte ushtar si ata, nuk ishin kriminelë, se na kanë dënuar padrejtësisht, se këta të qeverisë i kanë mashtruar, se ne nuk jemi fajtorë, por për shkak se jemi njerëz përparimtarë dhe për këtë  na kanë dënuar, se ju e shikoni vetë se kjo qeveri po ju heq televizorët sepse nuk do që populli të njihet me të vërtetën e botës dhe përpiqen ta lënë popullin në errësirë e për këtë ata e kanë rrethuar Shqipërinë me tela. Në kohën që fliste Skënder Daja, unë kam qenë aty në turmë dhe i dëgjova. Të dënuarit duke dëgjuar Skënderin që po fliste hapur kundër pushtetit, duke bërë si të dënuarve ashtu edhe ushtarëve për t’i hedhur në armiqësi kundër partisë dhe qeverisë.

Në këtë kohë po grumbulloheshin edhe shumë të tjerë. Më shumë fliste Skënder Daja. Pastaj edhe të tjerë, por për shkak të errësirës nuk i dalloja, por dëgjova parulla të tilla: “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Hiqni telat”, “Duam liri”, “Poshtë padrejtësia”, “Rroftë liria”, “Populli është me ne, ne jemi me popullin”. Kur po fliste Skënderi, afër meje ishte Gjok Marku. Aty kaloi edhe Rexhep Lazri, i cili u drejtua nga unë dhe tha se duhet me i vra spiunët e komandës. Gjoka më tha se Rexhepi kish bërë listën emërore me 36 veta.

Më datë 21.5.1973 në orët e vona të mbrëmjes takova të dënuarin Qemal Demiri, të cilin e pashë se kishte duart me gjak. E pyeta çfarë kishte ndodhur. Ai më tregoi se kishte thyer tabelat e emulacionit dhe kishte prerë gishtat me xham. Gjithashtu po më 21.5.1973, në orët e vona të natës, pashë se Neim Pashaj që kishte një beze të kuqe në dorë, por nuk e pyeta se ç’ishte kjo. Pas pak, rreth 1 ore, kam parë në katin e tretë një flamur të kuq. Atje afër flamurit jam ulur edhe unë me persona të tjerë që nuk më kujtohen.

Më datën ora 22.5.1973, ora 5.00 kam parë të vendosur në murin e ndërtesës ku më përpara ishte vendosur tabela e emulacionit, një parullë me mbishkrim (afërsisht): “Kërkojmë një komision nga OKB për të shqyrtuar çështjen e të burgosurve politikë në Shqipëri ku të marrin pjesë  ërfaqësues të shteteve të mëdha si Bashkimi Sovjetik, SHBA, Francë, Kina dhe Anglia. Tabela ishte shkruar me bojë kine me tush”.

Më 24 maj 1973, Gjykata e Lartë e vendosur në Spaç gjykoi grupin e parë të të arrestuarve pas revoltës duke e dënuar Lush (Paulin) Prel Vatën me 25 vjet burg. Gjithsej, u dënuan me 25 vjet burg, tetë të burgosur, por 4 prej tyre u dënuan me pushkatim.

Gjykata vendosi pushkatimin e Skënder Dajës, Dervish Bejkos, Hajri Pashajt dhe Pal Zefit. Ata u ekzekutuan atë ditë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here