1979/ Ekzekutimi i Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Leshos

0
4503
blank

Në orët e vona të 29 majit 1979, nga Reparti nr.313 Tiranë, në makinën e burgut u futën tre të dënuar me vdekje: Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho. Makina u drejtua në mjediset e një reparti ku bëheshin ekzekutimet në lindje të Tiranës. Nënoficerët ekzekutues, Aliu, Shefkiu dhe Rama do kryenin detyrën e rastit. Terri i asaj nate zbutej pak nga dritat që lëshonin projektorët e makinave të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë. Të tre të dënuarit ishin të lidhur pas krahëve. Xhelatët që rrinin pas tyre, i ulën në gjunjë. Prokurori i procesit, i cili qëndronte përbri të dënuarve, i komunikoi vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor që u refuzonte faljen e jetës dhe u kërkoi shprehjen e vullnetit të fundit. Të tre ekzekutorët i qëlluan të dënuarit në kokë nga prapa me nga një plumb pistolete. Mjeku konfirmoi vdekjet. Fotografi i hetuesisë bërë fotot e tyre. Fotot do u tregoheshin personave të tjerë që ishin në proces hetimor. Ato nuk u arkivuan kurrë. Dyshimet me të forta ishin se po atë natë, kufomat e tyre e çuan në kadavër. Është ky dyshim pasi nga viti 1992 vendi i ekzekutimit të tyre është gërmuar disa herë, por në të nuk është gjetur asnjë shenjë e tre personave në fjalë. Historia e dënimeve të tyre me vdekje i takon viteve 1978-1979. Ajo nisi nga letrat e tyre për udhëheqjen komuniste dhe përfundoi te akuza e krijimit të dy organizatave brenda kampit të Spaçit. Proceset e letrave u zhvilluan në Spaç, ndërsa i “organizatave” në Tiranë.

Xhelal Koprencka

Lindur më 7.6.1932 vuante dënimin nga data 25.3.1967. Ai u dënua gjithsej 5 herë. Në Repartin nr.303 Spaç, mbërriti në shkurt 1977. Me ndihmën e të dënuarit tjetër Veiz Çeçi (sepse Xhelali kishte probleme shëndetësore në duar) i shkroi një letër Enver Hoxhës, letër që përmendet në procesin gjyqësor, por që nuk është administruar në dosjen hetimore-gjyqësore. Për këtë letër u arrestua së bashku Veizin. Të dy u arrestuan më 11.11.1978 dhe u akuzuan për zhvillimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal. Gjyqi u zhvillua në Spaç. Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.5, datë 5.2.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi (duke bashkuar dënimet e mëparshme) me 25 vjet burgim. Veizi u dënua me 18 vjet e 8 muaj burgim. Dënimet fillonin nga dita e shpalljes së vendit.

Nuk kaluan shumë ditë dhe regjimi u pendua për dënimin e parë në Spaç dhe e arrestoi sërish Xhelalin më 23.2.1979. E akuzoi se ishte “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit”, duke bashkuar rreth vetes të tjerë “armiq të betuar” (ata që u dënuan) duke krijuar një organizatë të quajtur “nacionaliste”. Evidentohej shoqëria e ngushtë me Irfan Vrionin dhe Eduard Marash Vatën. Organizata sipas akuzës kishte dy variante: përmbysjen nga brenda me ndihmën e amerikanëve dhe me anën e një revolte brenda në kamp me parullën “pa gjak e sakrifica nuk ka liri”. Gjykimi i “organizatës” u bë në Tiranë. Xhelali refuzon të nënshkruajë aktakuzën. Pranonte formën e agjitacionit të zhvilluar, por jo akuzat e tjera me qëllim organizimi. Para hetuesit Dhimitër Beshiri, e mohonte dhe e quante “thjesht një fantazi”. Asnjë i pandehur nuk pranon akuzat për krijim organizate. Me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, Gjykata e Lartë i deklaroi fajtorë të pandehurit për “pjesëmarrje në organizatës antisocialiste” dhe agjitacion e propagandës sipas neneve 55 e 57 të Kodit Penal, duke dënuar Xhelal Koprencën me vdekje, pushkatim. Dënimi të ndryshme morën Irfan Vrioni, Bardhosh Gjonzeneli, Nuredin Sula, Eduard Marash Vata, Sarandi Lulo, Ernest Kraja, Gaspër Gaspri, Florenc Rusi, Napolon Kaleci, Pal Ndreca dhe Thoma Bejo.

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho

Fadil Kokomani, lindur më 5.5.1933 vuante dënimin nga data 6.8.1963, ndërsa shoku i tij Vangjel Lesho lindur më 1.8.1932, nga data 20.7.1963. Vite më vonë kur vuajtja e dënimit të tyre në Spaç ishte bërë e padurueshme, menduan t’u drejtoheshin udhëheqjes. Fadili dhe Vangjeli më 9.7.1978 i shkruan letra udhëheqësve të lartë të PPSH-së, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë. Letra kishte karakter ankues, kritike ndaj udhëheqjes së PPSH-së, por e mbizotëruar nga respekti për komunizmin e moderuar. Megjithatë mbyllej me fjalët: “Rroftë populli! Rroftë liria!”. Të dy shkruesit u akuzuan në bazë të neneve 55/1, 13, 31/a, 31/b të Kodit Penal.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.12, datë 30.9.1978, me dyer të mbyllura, i deklaroi fajtor dhe i dënoi me 10 vjet burgim. Në bashkimi të dënimeve, Fadili i u dënua me 19 vjet, 8 muaj, 6 ditë burgim dhe Vangjeli me 19 vjet, 7 muaj dhe 20 ditë. Pas këtij dënimi regjimi ngeli i pakënaqur. Për këtë arsye kreu arrestime në Spaç. Pjesëtarë e këtij “grupi” u quajtën anëtarë të organizatës “revizioniste antisocialiste”. Përveç Fadilit dhe Vangjelit, më 23.2.1979 u arrestuan: Robert Vullkani, Xhafer Xhomo, Fatos Lubonja, Beqir Alia, Muho Bala, Dhimitër Stefa, Petrit Orjeti. U akuzua për pjesëmarrjen në një organizatë “revizioniste antisocialiste” në bazë të neneve 55 e 57 të Kodit Penal. Gjykata e Lartë e drejtuar me vendimin nr.4, datë 18.5.1979, i deklaroi fajtorë Fadilin dhe Vangjelin dhe i dënoi me vdekje pushkatim.

 

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here