Vëllai im

0
765
blank

Një episod nga vëllimi i dytë i librit memuaristik të Alma Liços, "Krahë të këputur", ku përshkruhet drama e të vëllait ende të parritur që nuk u lejua të vazhdonte shkollën e mesme, por u regjistrua me detyrim si punëtor në bujqësi, ngjashëm me atë që i kishte ndodhur Almës disa vite më parë

Nga Alma Liço

 

Ishte sezoni i provimeve të përfundimit të shkollës tetëvjeçare. Ndonëse ende nuk kishte mbushur katërmbëdhjetë vjeç, vëllai im e dinte mirë se ç’fat e priste pas kësaj. Nuk mund të imagjinohej ndonjë mundësi për të vazhduar shkollën e mesme. Ky privilegj u takonte çdo vit një ose dy nxënësve, familjet e të cilëve kishin kontribute në forcimin e diktaturës së proletariatit. Madje për këtë mjaftonte edhe eksperienca ime e një viti më parë. Për shkak të persekucionit politik të familjes, isha flakur si leckë në rrugë të madhe. Aq i vogël, me kocka ende të pazhvilluara, edhe atë e priste skllavëria e punës në bujqësi. Arbitrarisht dhe pa asnjë marrëveshje me prindërit, përgjegjësit e fshatit i regjistronin këta fëmijë të fillonin menjëherë punën.

 

Kishte mbërritur fundi i qershorit dhe vapa ishte në pikun e saj. Pikërisht në brigadën ku punoja unë dhe prindërit, të nesërmen do të fillonte punë edhe vëllaçkoja im. Ky fakt e bënte të ndihej i mbrojtur. Nuk manifestoi asnjë trishtim. Përkundrazi, si djalë i familjes, ishte i kënaqur të jepte kontributin e tij për përballimin e asaj jete të vështirë. Ishte aq i brishtë dhe njëkohësisht aq i përgjegjshëm për të mbajtur mbi shpatullat e  njoma detyrime të familjes. Të vetmet sjellje që më kujtonin se ai ishte ende fëmijë, ishin ngacmimet çamaroke që i bënte herë pas here motrës dhe dashuria e pakontrolluar për lojën me top. E cili nga djemtë nuk e adhuronte atë lojë? Nuk kishte rëndësi nëse topi ishte i çarë, deformuar dhe i qepur kuturu me spango.

 

E zgjuam në mëngjes, ndërkohë që ai fërkonte sytë e tij të përgjumur. Mezi arriti të ngrihej nga minderi-shtrat. Atë ditë do punonte pranë serës sime. Së bashku me një djalë tjetër, më i madh se ai në moshë, do të transportonin pleh me një tezgë llamarine, me bishta të shtrembëruar. Ajo ishte një ditë e tmerrshme për mua. Herë pas here, dilja jashtë serës dhe shihja vëllain tim çamarok tek shtrëngonte dhëmbët për të mos lejuar rrëshqitjen e tezgës së ngarkuar me pleh nga duart e tij të vogla. Doja të qaja, të ulërija, por nuk shërbente për asgjë. Nuk do të mundja të lehtësoja vuajtjen e tij.

 

Në pushimin e drekës, erdhi pranë meje. Ndërkohë domatet në serë ishin pjekur dhe unë pa u menduar aspak këputa dy prej tyre. Hëngrëm diçka bashkë. Pas disa minutash humbi në gjumë të thellë, aty i shtrirë ndën mullarin me kashtë. Vura re se dora e djathtë, gjysmë e mbledhur ishte me njolla gjaku. Me siguri, ky dëmtim ishte dhuratë e bishtit të deformuar të tezgës. Disa miza të babëzitura ishin sulur mbi pëllëmbën e tij dhe po e shijonin atë.

 

Përpjekja ime për t’i larguar ishte e padobishme, pasi pas disa sekondash ato ktheheshin sërish. Me zemër të copëtuar ia mbulova dorën me kapelen time. Ndërsa i përkëdhelja lehtësisht kokën, mendoja sa mizor ishte ky trajtim për një fëmijë. U përlota. Ato bulëza vezulluese shpirti flasin me gjuhën e heshtjes. Nuk bëjnë zhurmë. Ai kishte humbur në një gjumë engjëllor dhe nuk i shihte dot lotët e mi. S`doja të përjetonte dhimbjen time dekurajuese.

 

Në mënyrë të rrufeshme, kujtesa më ktheu pesë-gjashtë vite të shkuara, kur kishim veçse dy muaj që jetonim në atë fshat. Asokohe vëllai im ishte tetë vjeç. Një pasdite vonë, në deriçkën e kasolles ai u shfaq i zverdhur e bërë dyllë, me dorën e djathtë që i lëkundej. Ishte rrëzuar keqas duke luajtur me top. Si pasojë e atij aksidenti, parakrahu i tij ishte thyer. Ishte mëse e dukshme. Mamën e zuri paniku, ndërsa im atë u mundua të ruante gjakftohtësinë. Si të vepronte? Në fshat, ishte një shërbim ambulator i një infermierie, por në atë orë ishte i mbyllur. Pastaj, nuk mund të shpresohej të ishte e mjaftueshme dhe efikase ndërhyrja e një infermiereje.

 

Brenda disa minutash, të gjithë banorët e kasolleve përreth morën vesh çfarë na kishte ndodhur. Me tim vëlla në krahë, im atë kishte rendur jashtë kasolles pa asnjë orientim. Teksa i rridhnin lotët, vëllai im vocrrak shtrëngonte dhëmbët nga dhimbjet. Befas u afrua një burrë i ri që banonte në një kasolle karshi sonës. Familja e tij ishte e internuar nga rrethi i Kukësit. Me rezervë dhe modesti, ai kërkoi t’ia besonim fatkeqësinë tonë babait të tij, i cili kishte aftësi të veçantë të ngjiste frakturat. Në mënyrë autodidakte, e kishte ushtruar gjithë jetën këtë dhunti, por që në atë fshat nuk kishte pasur rast ta tregonte më parë. Kishte vetëm katër muaj i internuar aty. Kësisoj, vëllai im u bë “pacienti” i parë i këtij zotërie të urtë.

 

Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, e lamë vëllain në duart e malësorit fisnik. Pasi hoqi llullën që i varej në buzë, nën dritën e një llambe me vajguri, ai filloi të fërkonte lehtësisht parakrahun e tim vëllai. Arriti të konstatonte thyerje në dy pozicione të ndryshme. Me shumë butësi e inkurajoi që të mos kishte frikë, pasi pas disa javësh dora e tij do të bëhej po aq e fuqishme sa më parë. Vetëm se duhej të duronte pak. Mbaj mend se më pas ia fashoi dorën me një gazetë të shpuar qindra herë me gjilpërë, çarçaf të vjetër dhe me të bardhë veze të rrahur. Të gjitha së bashku krijuan një mbështjellje të fortë që ai e quajti “jaki”. Për disa ditë me radhë, vëllai pati dhimbje të mëdha. Dora iu enjt aq shumë sa nuk dukej më e tij. Përveç aspirinave, nuk kishte asnjë medikament tjetër për qetësimin e tyre. E ndjeja tek qante natën pa zë.

 

Një muaj më pas, frakturat e tim vëllai ishin pothuajse të shëruara, por prindërit e mi nuk ishin aspak të qetë derisa të krijohej mundësia e një kontrolli radiologjik. Me shumë mund arritën të bënin një grafi në spitalin e qytetit të Beratit. Mjeku radiolog ishte impresionuar nga saktësia e ngjitjes së atyre frakturave. Ai nuk e besonte dot që një ndërhyrje aq e efektshme ishte bërë nga një burrë i moshuar që nuk kishte asnjë lidhje me mjekësinë.

 

Pas kësaj, në kasollen e këtij zotërie, trokisnin të gjithë hallexhinjtë e atyre rrethinave që kishin fatin e keq të frakturonin ndonjë dorë apo këmbë. Me humanizëm të jashtëzakonshëm, në kasollen e tij të varfër, ky zotëri i moshuar i trajtuar si armik nga shteti komunist, u shërbeu të gjithëve. Nuk u ankua kurrë. I mjaftonin mirënjohja dhe falënderimet e sinqerta të të dëmtuarve dhe familjarëve të tyre...

 

...Isha ende e përhumbur në këto kujtime mallëngjyese, kur vëllai hapi sytë dhe më buzëqeshi. Me shaminë që kisha me vete i lidha si munda dorën e gjakosur nga bishti i tezgës. Sakaq u dëgjua zëri i djalit me të cilin punonte. Po e thërriste për të rinisur punën...

 

(Në foto: Unë dhe vëllai im, "armiq" të partisë. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që manifestonim për përmbysjen e regjimit komunist, u ndëshkuam dy vite pas shkrepjes së kësaj fotoje)!!!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here