Drita e shuar në rrugën “Fortuzi”, internimi i mësuesit 79-vjeçar

0
441
blank

Ishte një nga të arrestuarit e nëntorit 1944, kur komunistët nisën fushatën e vrasjeve dhe burgosjeve të armiqve të tyre. Edhe pse i shpëtoi dënimit atë kohë, mësuesi aq i dashur dhe i përgatitur i letërsisë, u pushua nga puna. Studiuesi  nga Kosova u la qëllimisht në hije, për gjithë vitet e jetës, por aspak i harruar. Sigurimi e mbushi dosjen e tij dhe kur ishte thuajse 80-vjeç, e morën nga shtëpia në rrugën “Fortuzi” dhe e internuan në Çermë të Lushnjës, ku prej tronditjes, nuk jetoi më shumë se katër muaj.

Nga Agim Xh.Dëshnica

 

Tek shikon fotografinë me fytyrën fisnike, sytë rrezatuese të Prof. Jonuz Blakçorit, shoqërues i Bajram Currit në Europë, dallon paraqitja e shkollarit të mençur në Kolegjin e Shën Mitër Koronës dhe laureatit të Universitetit të Romës.

Jonuz Blakçori lindi në fshatin Brojë të Drenicës së poshtme më 15 maj 1895. Mësimet e para i mori në Pejë. Vijoi gjimnazin në Shkup e më pas shkollën Normale në Elbasan. Pas kësaj, kaloi në shkollën arbëreshe të Shën Mitër Koronës, së bashku me Avni Rustemin.

Në moshë të re, kur Blakçori jetonte  në Kosovë, mori pjesë në lëvizjen kombëtare duke shpërndarë trakte e gazeta në përkrahje të  kryengritjeve shqiptare në Kosovës. Disa herë atij iu desh të ndërpriste mësimet për të marrë pjesë në veprime për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë së cunguar padrejtësisht më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në përkrahje të Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë së saj, ai merr pjesë në Luftën e Koplikut të vitit 1920, kundër agresionit jugosllav. Në Koplik, Blakçori dhe patriotët e tjerë mblodhën dhe dërguan vullnetarë  edhe në  Luftën e Vlorës.

Në vitin 1923 Jonuz Blakçori mbaron studimet për pedagogji, gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Romës. I pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i italishtes, frëngjishtes, turqishtes e serbokroatishtes, kthehet në Shqipëri. Në atë vit, emërohet inspektor arsimi në Berat. Mandej, dërgohet mësues në fshatrat e Kurveleshit dhe të Tepelenës i ngarkuar  e detyra për hapje shkollash të reja, i mirëpritur nga prindët, duke lënë kujtime të këndëshme te nxënësit e atyre viseve. Krahas përgatitjes së teksteve dhe mësimdhënies, ai u mor edhe me studimin e dialektit vendas dhe mbledhjen e folklorit të pasur lab si, këngë, fjalë të urta, përralla, gjëegjëza, etj. Në vitet 1923 – 1924, disa nga këto studime i botoi në të përkohshmen “Revista Pedagogjike” në Tiranë.

I zgjedhur në kryesinë shoqërisë Bashkimi në vitin 1924, ndodhet në Tiranë. Punon si redaktor i gazetës “Bashkimi”. Punon edhe në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Fan Nolit, me detyrë sekretar i parë. Pas rënies së asaj qeverie demokratike, u internua në Gramsh. Me shpalljen  e amnistisë nga mbreti Zog, u kthye në Tiranë. Falë aftësive dhe kulturës së tij, nderuar nga njerëz të shquar të arsmit e kulturës, ndërmjet tyre nga Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj, më 1928 punon redaktor i revistës “Mësuesi” dhe i gazetës “Telegraf”. Pastaj emërohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtyre viteve do të botonte një studim të hollësishëm për Makiavelin dhe shkrime të ndryshme albanologjike.

Pushtimin fashist të 7 prillit 1939,  e priti me përbuzje. Duke përfituar, si shumë të tjerë, nga një farë lëshimi i pushtuesve me krijimin e një qeverie shqiptare, të përfolur nga historianët komunistë, vijoi punën e profesorit të gjuhës e të letërsisë shqipe në Shkollën e punës. Më 23 qershor 1941, sipas një dokumenti zyrtar, ministri i arsimit Ernest Koliqi, ngarkoi një mision për studimin e gjendjes në Kosovë  të arsimit fillor e të mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Aso kohe, ai dha ndihmën e vet për shkollat shqipe në Kosovë dhe shkroi artikuj optimistë, sidomos për rininë e Kosovës kundër dëshpërimit. Mbajti qëndrim të ftohtë ndaj njerëzve, që ishin përfshirë në një politikë të paqartë dhe pa rrugëdalje. Qe i bindur se luftën do ta fitonin aleatët me SHBA në krye.

Paslufta – më dëshpëruese se lufta

Herë pas here, profesori kujtonte disi me lodhje dramën e jetës së vet aty nga fundi i luftës, kur brigadat partizane ishin afruar në pjesën veriore të Tiranës dhe hynin shpesh edhe në rrugën e Fortuzit. Një mbrëmje sapo kishte rënë muzgu, pesë partizanë të armatosur u dukën në oborr. Kërkuan profesorin dhe e shoqëruan për te një  vend grumbullimi njerëzish, diku në Tiranë. Ai kishte marrë me vete, për çdo rast, ushqim dhe një triko. Kur hyri në sallë, pa mjaft vetë të ulur ndër stola. Shumë vetë i njihte, ishin mësues, shkrimtarë, avoketë, tregtarë, etj. Zuri vend aty nga fundi. Midis njerëzve të shqetësuar, vuri re  publicistin e njohur Nebil Çika. Herë pas here shfaqej një ushtarak dhe thërriste një emër. I thirruri dilte dhe nuk kthehej më. Salla herë, mbushej me njerëz të hutuar, e herë dukej sikur zbrazej. Disa çanta, me plaçka e ushqime mbeteshin atje si të harruara. Befas Blakçorit iu afrua një partizan, e pa me vëmendje dhe e pyeti:

– Edhe ju, profesor, këtu!? A po më njihni?

– Jo! – iu përgjegj ai.

– Jam nxënësi juaj, “Çakmaku”! – shtoi tjetri dhe hoqi kapelen.

– Ashtu!? Tash po më kujtoheni. Gëzohem!

– Do prisni pak! – i tha ish-nxënësi dhe u largua.

Profesori pati parandjenjën se fati po e ndihmonte. Në kohën, tek po zbardhte dita e re, atë e kaploi dremitja me ëndrra pa kuptim. U zgjua i shqetësuar dhe priti gjithë ditën. Aty afër mbrëmjes dëgjoi t’i thirrej emri.

-Je i lirë, mund të kthehesh në shtëpi! – e njoftoi një partizan tjetër.

Ky rrëfim përkon edhe me ato që shkruhen në librin “Antologjia e Krimit Komunist“, botim i vitit 2006: “Diktatori Enver Hoxha, nga Berati udhëzonte: Asgjësoni të gjithë ata që nuk janë me ne, që janë pengesë për të vënë në jetë vendimet e partisë sonë heroike! Veproni pa mëshirë!“. Më tej: “ Sapo binte nata dhe derisa zbardhte dita, skuadrat e vdekjes me lista në duar, vërtiteshin tutje – tëhu, në rrugicat e kyeqytetit, hynin me dhunë në shtëpitë e të shënuarëve, lidheshin me hekura e litarë dhe çoheshin para shtabit partizan, tek i plotfuqishmi Kristo Themelko ( Shuli.)”

Në vitin 1945, Jonuz Blakçori u thirr të jepte mësim në gjimnazin e Tiranës, për gjuhën e letërsinë shqipe dhe italishten. Më vonë, në pleqëri, do të tregonte, sesi aty nga mbarimi i vitit shkollor 1945 – 1946, u shfaq në gjimnaz një kuadër i luftës, një burrë i shkurtër e vetullzi. U pëshpërit nga dikush se qe inspektor i Ministrisë së Arsimit. Një tjetër tha, se ishte drejtori i ri. Mësuesit u lajmëruan të mblidheshin në sallën e tyre. Profesorin e pushtoi një parandjenjë e keqe. Zëvendësdrejtori, pasi e shoqëroi të sapoardhurin nëpër klasa, e çoi në sallën e mësuesve, dhe ua tregoi me dorë. “Ky është shoku K. Baboçi, drejtori ynë i ri!” – tha. Ai foli shkurt, pa u ulur. Në fund, lexoi emrat e profesorëve që mbeteshin andej e tutje në gjimnaz. “Të tjerët, – shtoi me seriozitet, – nuk  do të punojnë më këtu. Sqarimet do të bëhen më vonë. “ Profesor Blakçori nuk e dëgjoi emrin e tij. Kështu, patriotin, luftëtarin e lirisë, demokratin, mësuesin, gazetarin, studiuesin, profesorin me zë, e lanë pa punë, pa i dhënë asnjë shpjegim. Në ato kohëra të turbullta, Ministria e Arsimit, sipas mësimeve jugosllave, bëri shthurrjen e madhe, prishi gjimnazet me tetë vjet, me programe klasike e reale. Pas shkollës fillore me pesë klasë, vijonin uniket trevjeçare dhe më tej shkollat e mesme katërvjeçare e teknikumet trevjeçare.

Mësuesi i papunë, profesor Blakçori, me ndihmën e miqve, përpiqej të gjente punë. Herë i jepnin orë si zevendësues ndër unike, herë në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, apo në ato të grumbullimit, si nëpunës i thjeshtë, herë kujdestar konvikti i përkohshëm në shkollën bujqësore në Kamëz, duke iu hequr çdo mundësi të jepte mësime, as në shkollat fillore. Pra, në atë gjendje e katandisën profesorin e aftë, që mund të shkëlqente me leksione  për gjuhën e letërsinë  shqipe e italiane në çdo universitet, qoftë dhe jashtë vendit tonë. Në kulmin e pjekurisë ai u largua me një pension të ulët. Bija e vetme, Elizama, së bashku me të shoqin, mjekun e mirënjohur Thoma Nano, vinin shpesh e kujdeseshin për të. Ndërkaq dhe miqtë nuk e harronin.

Studioja që bënte dritë në rrugën “Fortuzi”

Aty nga vitet gjashtëdhjetë, pas një tërheqje të lehtë të diktaturës në arsim e kulturë, Blakçori hapi në studio një kurs me pak studentë dhe qytetarë të rinj, të cilët dëshironin të mësonin gjuhët italisht e frëngjisht, që ishin fshirë tashmë nga programet shkollore. Dhe kështu, merr veten pak prej vështirësive ekonomike. Në ato vite përfundon dy libra, njëra për jetën e Isa Buletinit e tjetra për Bajram Currin. Redakton përkthime të shkrimtarëve të rinj, etj. Shton përkthimet e veta nga poetët e mëdhenj, si Petrarka, Leopardi dhe D’ Anuncio dhe ua lexon miqve. Shkon për vizitë a pret në studio shokët e vjetër, si Ahmet Gashin, mësues e patriot i dëgjuar nga Kosova, Xhevdet Dëshnicën, mësues dhe ish kryetar i shoqërisë Bashkimi për qarkun e Beratit, shokë shkolle dhe përpjekjesh për arsimin dhe demokracinë. Bisedojnë shtruar për problemet e kohës, për letërsinë dhe autorët e saj; kujtojnë së bashku përpjekjet e tyre për atdheun, jetën e shoqërinë, etj. Ndërkohë, vendos lidhje me Institutin e Kulturës Popullore. Dorëzon dosje me studime, krijimet e dikurshme të miqve të vet nga arkivat e tyre dhe fjalë të urta nga gurra popullore, të mbledhura kur punonte në arsim. Duhej të vinte viti 1983, kur profesori nuk jetonte më, që disa nga ato fjalë të urta filozofike të përfshiheshin në një nga botimet e Akademisë së Shkencave, përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore.

Ata që kalonin në orët e vona, nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, vinin re, se drita e studios, në katin e poshtëm, rrinte ndezur deri vonë. Profesori punonte. Një ditë tek mendohej rreth evolimit të gjuhëve në botë, pa dashur bën një gabim, i shkruan një letër shtëpisë botuese të dëgjuar “Zanichelli” në Itali, me kërkesa për fjalorë e metoda moderne të italishtes e frëngjishtes.

Me shtëpinë botuese Italiane

Ishte viti 1971. Profesor Jonuz Blakçori ashtu i gjatë, me beretë në krye dhe me hapin e sigurt, po shkonte, sipas një njoftimi zyrtar, për në hotel Dajti, drejt një takimi fatal, me një nga editorët e Shtëpisë Botuese Italiane, që kishte ardhur me shërbim, sigurisht, për ndonjë kontratë me institucionet shtetërore. Para se të shkonte atje, kërkoi mendimin e Degës së Brendshme.

– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shko takoje! – i thanë.

Nëpunësi italian, pas një bisede të thjeshtë e të përzemërt, i dorëzoi librat e kërkuara, me të cilat pas takimit, profesori shkoi përsëri në Degën e Brendëshme.

– Në rregull. Pa merak, i gëzofsh! – i tha shefi, pasi u hodhi librave një sy të ftohtë.

Ardhja e tyre, nga njëra anë, e ngriti më lart cilësinë e mësimdhënies, dhe, nga ana tjetër, sigurimi i shtetit e shtoi vigjilencën, me gjurmim e përgjim. Dërgoi natyrisht njeriun e vet për të mësuar italisht e të dëgjonte se çfarë thoshte plaku prej Peje për Kosovën, çfarë thoshte për kulturën europiane, çfarë librash fshiheshin të radhitura në rafte pas perdeve vishnje. Pra gracka u ngreh brenda në studio.

Së fundi, mbërriti viti 1975, viti i zi i “vigjilencës revolucionare”, kundër “agjenturave“, “agjentëve“, “poliagjentëve“, “puçistëve“,  koha kur për shkak të paudhësive pa mbarim, E. Hoxha do të pësonte goditje në zemër. Në natën e ftohtë të 8 janarit, trokitën te shtëpia e profesorit, i cili pas katër muajsh do të mbushte moshën 80-vjeçare. I thanë të vishej e të merrte me vete sende vetiake. Ia lidhën duart dhe e nisën. Pas një udhëtimi të tmerrshëm, mori vesh se ndodhej në kampin e Çermës, në Lushnje. Nga të folmet e djemve, që iu ndodhën pranë, kuptoi se kishte të bënte me djem shqiptarë nga Kosova, të internuar aty vite më parë. Pra, bijve shqiptarë të Kosovës tragjedia nuk po u ndahej, me ndjekje këmba – këmbës, jo vetëm në vendlindje, por as në tokën amë. Përveç vuajtjes fizike, kjo që po ndodhte, qe një poshtërim i rëndë, që godiste si varé në krye e në shpirtin e sfilitur të kombit shqiptar.

I fyer dhe i tronditur, në muajin prill të vitit 1975, ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës, Jonuz Blakçori, luftëtari i lirisë, bashkimtari, profesori dhe publicisti nga Peja, me gjithë kujdesin e djemve bashkatdhetarë, të cilët i qëndruan mbi krye, si bijtë e vet, të zhgënjyer në barakat e kampit të shfarosjes, turpit, që do ta ndiqte pas regjimin komunist, me shembje idhujsh e muresh argjili. Lajmi kaloi kufirin dhe dëshpëroi Pejën dhe qytetet e Kosovës.

Kalimtarët, tek ecnin nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, në Tiranë, vërenin se pas bredhave, dritarja e studios nuk lëshonte më dritë. Një hije e trishtë mbulonte shtëpinë dhe ata vetë.

 

Shënim: Ky shkrim është variant i shkurtuar i shkrimit të Agim Xh.Dëshnicës me titull “Mësuesi ynë i letërsisë, Jonuz Blakçori”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here