Dëshmia/ Hasan Bylyku: Babai në burg, Sigurimi presion nënës që ta divorconte

0
303

Babain ia arrestuan në ambulancën e fshatit ku punonte si infermier. La jashtë një djalë tre muajsh, që, pas 11 vitesh, nuk e njohu të atin. Po nuk mjaftoi burgosja, pasi Sigurimi luftoi me gruan e tij të re që ta bindte të divorcohej me “armikun”. Hasani, i cili lindi pas daljes së babait nga burgu, tregon kalvarin e vuajtjeve të familjes.

Dëshmia e plotë për kujto.al nga arkiva e familjes Doko

Zoti Hasan kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në dhjetor të vitit ’63. Rrjedh nga një familje e mesme, kështu kanë qenë që në kohën e Zogut. Kam lindur pas burgut të tim eti, po njëkohësisht edhe të xhaxhait, në një familje të kësaj kohe: të rraskapitur, të dalë nga sekuestrimet e më the të thashë.

Si filloi historia e vuajtjeve të familjes suaj?      

Familja ime, në fshatin tim, ka qenë me goxha reputacion që në atë kohë. Im atë ka qenë infermier në ushtri në Gjirokastër e gjetkë, kurse xhaxhai në fshat, merrej me tokat. Babai duke qenë se ishte me katër klasë shkollë dhe kishte bërë disa kurse për infermier në ushtri ushtrinë e bëri në Itali. Meqenëse këta ishin dy vëllezër dhe shkonin shumë me njëri-tjetrin, i thotë xhaxhai: “Hamdi, ti hajde këtej”. Edhe gjykoi kështu: tre fshatra që jemi ne, Pilo, Vranisht, Bickë, nuk kishin mjek dhe ky vinte me zanatin e tij dhe njëkohësisht ishte pranë familjes. Ishte martuar në këtë kohë im atë. Bën lutje, nuk donin ta linin të largohej nga ushtria dhe të vinte këtu. Pas shumë lutjeve që bën, i thonë: “Nuk duam të të lëmë sepse na nevojitesh, ta kemi nevojën”. Edhe në atë kohë kishte njerëz të mirë. Ky kishte krijuar reputacionin e tij. Megjithatë ky ngul këmbë dhe vjen me kërkesën që bën për t'u liruar nga ushtria si infermier për të ardhur të punonte infermier ose mjek se mjekë, infermierë, në atë kohë para ’50-ës, ata ishin më të saktë. Ia bëjnë transferimin, kalon në Korçë. Korça e cakton në Oçisht: infermier, në fshatin Oçisht. Im atë e dashuronte shumë këtë zanat, madje unë kam akoma sot, libra të shkruara me dorën e tij që kishte studiuar, për malarien në veçanti. Si erdhi në Oçisht im atë, nuk u erdhi mirë këtyre pushtetarëve të asaj kohe që ishin në fshat sepse kujtuan se meqë erdhi Hamdiu kaq afër tani do të na marrë pushtetin edhe familjes së tyre nuk i del më njeri. E kurdisën marifetin. I vëllai i thotë tim eti: “Ti je në Oçisht tani dhe nuk vjen”. Ka qenë djalë i ri, 30- 31 vjeç im atë në atë kohë. “Jo se nuk vij- i thotë ky- mua më bën mirë të bëj një orë rrugë në këmbë, por unë rri atje sepse mua më kanë për ditë dhe për natë”. Edhe vinte çdo të shtunë edhe ikte të hënën për në punë. Të shtunën vinte në shtëpi, ikte të hënën në Oçisht e flinte aty gjatë tërë javës. Nejse, pushteti i asaj kohe bëri punën e vet. Sigurimi shkon e arreston në orën 12.00 të natës në ambulancë, se atje rrinte im atë. Në orën 7.00 të mëngjesit çuan tjetrin, një nga Cangonja, mori në dorëzim ambulancën. Në këtë kohë ishte lindur im vëlla, ishte 3 muajsh. Unë me vëllanë tim luaj një diferencë prej 12 vjetësh. Ka qenë viti ’51, dhjetor i ’51-shit, kur e kanë arrestuar tim atë. Tani këto unë i kam të thëna të mamasë sime edhe të hallës, edhe të tim eti që fliste, por ai pak fliste për periudhën që kishte kaluar, më shumë flisnin këto. U bë gjyqi në Bilisht, edhe kur kthehen në shtëpi këto, gjejnë karvanin: kishin ngarkuar kafshët me bereqet.

Oborri me fasule, me misër, me bereqet. Kishin sekuestruar shtëpinë, këta nuk dinin gjë, këta bënin gjyqin këtej. Mbas dy sekuestrimeve më përpara për detyrim mbi tatimin që i vinin, ky ishte i treti. E sekuestruan shtëpinë, ç’gjetën. Në ’56-ën arrestojnë të vëllanë, xhaxhanë tim. Në qoftë se im atë akuzohej për bashkëpunim me banda të armatosura, bashkëpunim me asfaljan greke, këtë vëlla për tentim arratisjeje. Unë këto i mësova kur mora dëshminë e penalitetit ose atë vendimin e gjykatës që ishte dënuar im atë, që kishte 4 akt-akuza: bashkëpunim me asfaljan greke, bashkëpunim me banda të armatosura, me UDB-në, tradhti ndaj atdheut.

Sa vjet e dënuan?

Im atë dënohet 15 vjet burg. Ata e futën në një grup. Ata të grupit dënohen nja dy me pushkatim, disa me 20. Me 15 dënohet im atë. Edhe ka bërë burg gati 11 vjet, 10 vjet e  8 muaj e 20 ditë. Kur është  kthyer  im atë nga burgu, im vëlla ka qenë 11 vjeç edhe duke mos arritur ta njihte babanë e tij, i thotë hallës sime dhe mamasë sonë: “Po ky burri sa do të rrijë këtu në shtëpinë tonë?”. I thonë ata: "Ky është babai yt”. “Jo, jo unë babanë e kam në Viçiç, ç’ne ky?". Se në Viçiç kishim gjyshin, dajat. Edhe ata e morën pastaj e rritën sepse si arrestuan dhe xhaxhanë, këtu mbetën të gjithë fëmijë: 5 djem dhe 1 motër ishin andej nga xhaxhai dhe ne 2 vëllezër. Unë isha i pasburgut, domethënë 6 dhe 1, 7 ishin. Kaloi një kohë kështu, im atë kuptohet që nuk mund të punonte më në zanatin e tij.

Më ’56-ën kur arrestohet xhaxhai sekuestrohet prapë shtëpia. Edhe në shtëpinë tonë nuk mbeti asgjë prej gjëje më, përveç kapotit  të nusërisë që i gjendet veshur sime mëje dhe atë kam pasur jorgan që kam fjetur, kur është liruar im atë nga burgu.

Hasan si rrodhi jeta juaj mbas daljes nga burgu të babait?

E zezë.

Ku punuan babai dhe xhaxhai pas burgut?

Edhe babai edhe xhaxhai si u kthyen nga burgu, në kooperativë punuan.  Ashtu edhe ata djemtë e tjerë të familjes sonë, se unë jam më i vogli, unë jam i ‘63-shit.

Po presione ndaj familjes ka pasur?

Ata, gjatë kohës që këta ishin në burg, kanë pasur presione nga më të ndryshme, pati presione ime më, djemtë dhe nusja e xhaxhait andej, por më tepër ime më, se ishte goditja e parë që u bë këtu. Deshën ta ndanin, ta divorconin, por ajo qëndroi, nuk bëri asnjë lloj veprimi.

Ia kërkonin ndarjen me babain?

Me forcë.

Kush ia kërkonte?

Organet, nuk e di. E thërrisnin në Korçë se edhe ajo nuk dinte ta shpjegonte, e çonte i ati. I thoshin që të divorcoheshin, të ndaheshin. Në asnjë mënyrë nuk pranoi që të bënte divorcim. “Do të rri-thoshte-do të rris djalin”. Se thashë që e kishte 3 muajsh, kur e arrestuan. "Do të rris djalin”. I Qëndroi, i qëndroi besnike bashkëshortit të saj dhe mbas burgut, kam lindur unë, në ’63-shin. Njëmbëdhjetë vite atje. Vazhdoi punë në kooperativë. Unë pastaj mbarova 8-vjeçaren në fshat, vazhdoj shkollën e mesme në Progë, se sikur filloi të zbutej pak, na dukej ne... Megjithatë ishte  e vështirë për ta mbaruar shkollën, na dërgonin fjalë se "kot që vazhdon shkollën se s’ka për të zënë ndonjë punë se kemi djemtë tanë ne", andej-këtej. Më e keqja dhe më e dhembura për familjen tonë ishte një fragment në 14 gusht të ’81-shit. Im atë, para kësaj kohe, gjatë kohës që punonte në kooperativë, merr një të ftohur, shtrohet në spital. Spitali e nxjerr me punë të lehtë. Ua paraqet atë dokumentin atyre të kooperativës. Edhe ata si për punë të lehtë e caktojnë në lëm, edhe ai hidhte tërë ditën e ditës grurë me lopatë, kjo ishte puna e lehtë që do të bënte ai.

Katërmbëdhjetë gushti ka qenë dita më e keqe. Është drekë unë jam në shtëpi atë ditë. Vjen dreka dhe im atë vjen në shtëpi. I thotë sime mëje: “Mblidhi pak këto qilimat e shtëpisë se do të shkoj në lëm". Sa shkel në lëm shkarkon rrufeja vritet im atë. Nuk qe e keqja kaq se ai iku e vrau rrufeja, por e keqja tjetër ishte sepse nuk na jepnin karrocë për ta çuar në shtëpi.

Ju u rritët pa baba më pas. Çfarë pune bëtë?

Në kooperativë. Me zor, me sakrificë e mbarova shkollën e mesme.

Xhaxhai çfarë bëri?

Xhaxhai në ’78-ën kishte vdekur...

Fëmijët e xhaxhait, punëtorë të gjithë?

Të gjithë në kooperativë. Veç kësaj  ata dënoheshin edhe për hiç, edhe thjesht duke punuar panxharin i merrnin i nxirrnin në gjyq që nga im atë, që nga djemtë e xhaxhait se qenë të rritur. Lagjja jonë atje quhej blloku, se nuk hynte dot njeri dokushdo. Se në qoftë se do të hyje atje në krah të djathtë ku ishte porta e xhaxhait: 9 vjet burg. Në krah të majtë, ishin dy vëllezër edhe ata njëri në burg politik,  njëri ordiner, por të dy në burg qenë edhe ata vëllezër. Pak më sipër ishte porta jonë: 11 vite burg, pak më sipër andej ishte një i burgosur tjetër: 15 vjet burg. Kështu që lagjja jonë ishte e survejuar kurdo e në çdo kohë e quhej blloku, nuk hynte dot njeri.

Hasan, si i keni pritur ditët kur mësuat që në Shqipëri po shkatërrohej sistemi komunist dhe  po vinte demokracia?

Po nuk kishte gëzim më të madh, ne e prisnim dita-ditës, nga momenti në moment se edhe gjatë kohës që ata pleqtë i kishim në shtëpi, ata tërë kohës këto këshilla na jepnin sepse e dinin ata nga periudha e gjatë e vuajtjes.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here