Dëshmia/Guri Velçani: E njoha babanë përmes hekurave

0
1808
blank

Kur Mehdi Velçanin erdhën për ta arrestuar, i biri ishte vetëm 6-muajsh. E njohu të atin përmes hekurave, veshur me rroba burgu, gjatë takimeve të shkurtra që u lejoheshin të dënuarve. Në të njëjtë periudhë u dënuan edhe dy dajat, një prej të cilëve ndërroi jetë në burgun e Burrelit. Përndjekja ndaj familjes, vazhdoi deri vonë, kur në ‘79-ën, arrestuan dhe xhaxhanë e tij, Kujtimin. Guri Velçani tregon vuajtjet e të atit që kishte studiuar Drejtësi në Itali dhe pas 10 vitesh burg, përfundoi punëtor në ndërmarrjen pyjore, pa arritur ta shihte atë që parashikonte me zë të ulët: shembjen e regjimit komunist. Një dëshmi për burgjet e 4 burrave të familjes dhe për frikën që iu bë si lëkurë, nën të cilën jetoi për më shumë se 40 vjet

Zoti Guri, me se merrej babai para vendosjes së regjimit komunist?

Babai kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe kishte studiuar për Drejtësi në Itali. Nga viti 1934 deri në vitin 1944, ai ishte gjykatës në Gjykatën e Beratit. Kishte dy shtëpi: një në Berat dhe një në Gjeroven. Familja ishte në gjendje. Para çlirimit, kishin bagëti, kuaj, prona, kishin bujq e yzmeqarë.

blank
Mehdi Velcani, pas diplomimit, 30.10.1935. Gjykates i Beratit per 10 vjet

Kur nisi goditja ndaj tij?

Në fillim babanë e morën për ta pushkatuar, por shpëtoi. Në fund të tetorit 1944, është thirrur në lokalitetin e Paftalit, nga andej e shoqëruan dy policë deri në Bistrovicë. Ai ishte i hipur në kalë. Në Bistrovicë dorëzoi kalin dhe aty e lidhën. E çuan në kampin e Zharrëzës. Pas tri javësh, erdhi Mehmet Kuta, komandant qarkor për zonën e Mallakstrës, mik shtëpie i babait. Ai i hedh një sy kapanonit dhe nuk i flet Mehdiut. Babai më ka thënë që në atë kohë mendoi: “Buka u bëka gur!” Pas 5 minutash, e thërrasin në zyrë babain. Edhe i thotë Mehmeti: Çne ti Mehdi këtu?-Ju e dini. Unë nuk di gjë, -i tha babai. Atje, komisare ishte bashkëshortja e Abdyl Këllezit. Mehmeti i thotë asaj: “Mos të merret asnjë masë karshi këtij personi, sepse, ky Mustafa Matohitin që e vranë në kalanë e Margëlliçit, e ka mbajtur për darkë në shtëpi dhe e ka përcjellë me të vëllanë dhe yzmeqarin e vet deri në Qafë të Sinjës. Prandaj, sa të bie unë dokumentet, mos bëni asnjë farë veprimi”. Pas dy javësh nga kjo bisedë, e liruan.

blank
Mehdi Velcani, ne kohen kur e arrestuan heren e pare, viti 1944

Pse thoni që e morën për ta pushkatuar?

Sepse të gjithë ata që vinin në kampin e Zharrëzës, ishin për pushkatim. “Kur u futa,-tregonte babai- ishte ora 11.00 e natës. Ata ishin shtrirë në dyshek. Sikur u kishe prerë kokën. U thashë: “Nuk është e thënë që të gjithë ne do pushkatohemi. Është keq kur të merr Perëndia, po kur të merr qeveria, bën merahmet Perëndia. Mua më çuan në mesin e vendit ata dhe ia kthyen me këngë e me valle”. U jepte kurajë.

Shpëtoi dikush tjetër nga ata që ishin në kampin e Zharrëzës?

Nuk e di. Nuk e di.

Pasi e liruan, çfarë ndodhi?

Në ‘45-ën, arrestuan dy dajat, Elmaz Qama dhe Sabri Qama. Sabriu ka vdekur në burgun e Burrelit. Dhe në 1946-ën, u arrestua prapë babai, në 12.00 të natës.

Erdhën e morën në shtëpi?

Po, në shtëpi.

Kë la në shtëpi babai?

Babai ishte i martuar, me dy fëmijë. E madhja ishte motra, 2 vjeç e gjysmë dhe unë që isha 6-muajsh.

Sa zgjati hetuesia?

Tetë muaj. Pas tetë muajsh hetuesi, e nxorën në gjyq.

Ku u zhvillua gjyqi?

Në Berat.

Për çfarë e akuzuan?

Se ishte antiparti, por ai nuk kishte marrë pjesë në luftë me armë. Babai thoshte që më shumë te ne hanin bukë partizanët sesa ata të Ballit, por do dënohej patjetër, se ishte i ditur. Të merrte vesh zona që u dënua ky.

Sa e dënuan?

10 vjet edhe bëri 10 vjet e 1 muaj: 6 vjet e gjysmë në Berat, 6 muaj në Beden të Kavajës dhe 3 vjet në burgun e Vlorës.

Çfarë ndodhi me ju, familjen e tij?

Pasi u arrestua babai, u sekuestrua një pjesë e mirë e pasurisë. Erdhën, bënë kontroll, morën florinjtë e nënës, çfarë s’morën! Në '51-shin, janë cilësuar kulakë vëllezërit e babait, e ëma, mamaja ime…Na morën bagëti e kuaj.

Nga shtëpitë nuk ju lëvizën?

Jo, jo. Ku të na çonin?! Ne ishim të ndarë nga fshati, na kishte ndarë Perëndia. Ishte një lagje që ishte vëllazëria jonë, një yzmeqari ynë që u bë kryetar këshilli pastaj dhe një kushëri i babait që e kisha dhe burrë tezeje.

Si u soll me ju, pasi u bë kryetar këshilli?

Ai yzmeqari… nuk erdhi vetë, por dërgoi një tjetër kur u arrestua babai.

E vizituat babanë gjatë viteve që ishte në burg?

Po. Këtu në Berat, më merrte gjyshja prej dore, ose xhaxhai dhe më çonin ta takoja. Në Beden të Kavajës, nuk më morën. Le që atje nuk pranonin ushqime, i çonin këta 50 kile, asnjë gram nuk u morën, kot sa i çonin. Pastaj, tre vjet shkoi në Vlorë. Në Vlorë më merrte xhaxhai mua, me gjithë nënën. Çdo muaj e takoja babanë. Atë kohë e mbaj mend, sepse u bëra dhjetë vjeç.

Cili nga këto kampe e burgje, ka qenë më i vështiri sipas babait?

Bedeni i Kavajës. Dhe unë nuk e kuptoj përse nuk përmendet shumë. Të gjithë e njohin Spaçin, Burrelin, por Bedenin shumë pak e njohin. Ai ka qenë kamp shfarosës. Kur ishte babai atje, ishte ministër i Brendshëm Koçi Xoxe. Edhe babai thoshte që të kishte qëndruar më gjatë Koçi Xoxe, kishin vdekur ata të gjithë. Kush e di sa djem nënash kishin vdekur atje në Beden të Kavajës! Po mirë, që e hoqën Koçin, që u vunë kazanët me gjellë për të ngrënë dhe që erdhi me frymë në Berat. Këtu në Berat, pastaj, iu vunë të vëllezërit me ushqim dhe ktheu plaku.

Punoi babai gjatë viteve të dënimit?

Jo, shumë intelektualë i lanë në burg, nuk i nxorën në punë.

Po në Beden?

Atje e kishin caktuar ujar, u çonte ujë të burgosurve.

Po dajat sa u dënuan?

Elmazin e dënuan 8 vjet burg: 7 vjet e gjysmë i bëri në Berat dhe 6 muaj në Beden të Kavajës. Me babanë ka qenë dhe ai. Ndërsa daja tjetër, Sabriu, u dënua 30 vjet.

blank
Sabri Qama

Për çfarë arsye i dënuan?

Ai sistem në fillim dënoi kë ishte në gjendje. Këta kishin 3 mijë kokë bagëti. Por daja që u dënua 30 vjet, ishte angazhuar me Ballin Kombëtar, ndërsa daja tjetër ishte analfabet. Sabri Qamën, si u arrestua në ’45-ën këtu, e çuan në burgun e Burrelit. Aty ndërroi jetë.

Nga se?

U sëmur. Vajti e shoqja me gjithë të ëmën, për ta takuar. U thotë gardiani i burgut: Kë kërkoni?-Sabri Qamën.-Ou! Sabri Qama po bën dy javë që ka vdekur. Mirëpo gjyshja nuk dëgjonte nga veshët dhe i thotë nusja e djalit: Hajde se e kanë transferuar, nënë, do ikim. -Po ku e kanë çuar?-Nuk dihet ku e kanë çuar, do e marrim vesh më vonë. Si erdhi në shtëpi, i tha të vjehrrës ajo, çfarë kishte ndodhur.

I morën eshtrat?

Tani në kohën e demokracisë, i morën eshtrat. E kanë varrosur. Një ish-polic i burgut, nga Berati, kur ra muhabeti, tha që e di unë ku është varrosur Sabriu dhe vajtën çunat ia morën dhe ia prunë këtu. Mbështetur te fjala e policit vetëm.

Me familjet e dajave, çfarë ndodhi?

Fëmijët e dajës ishin në Novaj, një fshat afër Shpiragut. Nga Novaj, shkuan në Tiranë, nga Tirana në Berat. Nga Berati, në ’67-ën, i morën, i internuan, i çuan prapë në fshat, në Novaj.

Pasi doli nga burgu, me se u mor babai?

Pasi doli nga burgu, filloi punë në Ndërmarrjen Pyjore, në shfrytëzim, deri në ’72-shin. Në shtator të ’72-shit është paralizuar dhe më 29 gusht të ’77-ës, ka vdekur.

blank
Pasi doli nga burgu

Kishte pësuar dhunë gjatë hetuesisë ose burgjeve? Ju fliste për to? 

“Kur u futa në burg,- thoshte babai-unë nuk kisha parë pëllëmbë me sy”. Se ishte vëllai i këtij Mehmet Kutës, drejtor burgu, në Berat, që ishin miq familjeje. “Sa qe ai, thoshte, mua nuk më preku njeri me dorë. Si iku ai, më thërriti në zyrë drejtori që zëvendësoi këtë. Më thotë: Hë, ç’kemi, organizator i Ballit Kombëtar i krahinës së Shpiragut?-I kam dhënë llogaritë në gjyq!-i thashë. -Ke qenë ti, ke qenë organizator.-Unë s’kam marrë pjesë në luftë. Edhe ma futi me pëllëmbë. Unë nuk kisha parë pëllëmbë me sy. Unë siç kisha duart e lidhura, i ngre dhe e godas në kokë. Ai thërret xhandarët. Më nxorën në oborr të burgut dhe 12 policë me shqelma e me grushta e pëllëmba, deri sa humba ndjenjat.” Daja ishte kryetar kaushi. Ishte në po atë burg, në atë kohë. Tri herë kishte marrë yxhym të shkonte ta ndihmonte se ishte i fuqishëm shumë ai. Tri herë e kishin ndaluar shokët: “Mos se more veten më qafë dhe more edhe atë”. “Që andej më morën më futën në birucë, 9 muaj. Në birucë duhet të rrije mbledhur, nuk rrije dot normal. Edhe bukë thatë. Në krye të 9 muajve më nxorën dhe vetëm nga ushqimet që më sillte familja, e mora veten”. Thoshte babai për xhaxhanë, Kujtimin, që u arrestua në ’79-ën… s’kishte fëmijë ai: “Ma sillte limonin dhe portokallin dhe mandarinën nga Saranda. Mos të them isha i pari, por i dyti nga gjithë të burgosurit që shikoheshin nga familja, isha me çdo kusht”.

Me ju, si fëmijët e armikut, si silleshin?

Mua më pruri babai në 7-vjeçare në Berat. Unë vija nga Gjeroveni, shi, dëborë, vapë. Kishim një mësues matematike që më shihte si ujku, delen. Më njihte që isha i biri i Mediut dhe në qoftë se përgjigjesha për pesë, ai më vinte tre minus, jo katër. Edhe më kujtohet një mëngjes, kishim orën e parë me atë. Unë isha pak me vonesë. Një nxënëse para meje, trokiti, hyri. Me vrap vajta dhe unë. Trokita. -Hyr!-tha ai. Më pa mua.-Dil përjashta!- tha. Ndenja dhe pak unë, trokita prapë. -Hyr!- tha. Më pa. -Dil përjashta! Herën e tretë trokita unë, nuk e hapi derën ai, e hapa vetë. Ai doli, më kapi nga rrobat, ishte një burrë i gjatë, edhe më hodhi në dysheme. Mendo tani… Ai mori udhën për të hyrë në klasë, unë pashë një fshesë aty dhe e qëllova me bishtin e fshesës. Nëndrejtor kishim Hysen Muzhakën ne. -Nëndrejtor, nëndrejtor!-unë edhe vajta atje se të më kishte kapur, më kishte grirë. I thashë nëndrejtorit këtu-këtu dhe ai e bëri pastaj…leckë topi. U detyrova unë e lashë shkollën pastaj. Sa më tha babai: Pse, më është bërë ajo shkolla jote, të keqen babai, sa dhjetë vjetët e burgut tim?-Unë nuk vete më, -i thashë,- me atë profesor, më shikon keq. Dhe u detyrova e lashë unë të shtatën. Unë isha mbi mesataren. Isha nxënës i mirë, por ky mësuesi më shikonte me sy të keq.

Çfarë bëtë më pas?

Ndihmoja babanë. Pastaj punova në kooperativë. Ushtrinë e kam bërë në Batër të Martaneshit, në Burrel, në Bulqizë në 67-ën.

Jetuat gjatë gjithë kohës si të përndjekur apo pati një farë lehtësimi?

Në '71-shin na dhanë triska fronti, por jo të gjithëve. Nëna ime pa triska fronti ka vdekur. Na thirrën në kryesinë e frontit Berat, mua, djemtë e xhaxhallarëve dhe time shoqe. Mora triskat, shkova në shtëpi. –“Hë, tha babai, -i more triskat?”- “Na i dhanë. Po, do vemi në fshat, tani?”

Nuk shkonit te banorët e tjerë të fshatit, deri në atë kohë?

Nuk vinte as fshati, as ne nuk shkonim. –“Ju do vini, por ata nuk vijnë”, -tha ai. E mos ta zgjas, bëhej një dasmë në fshat. Më thotë djali i tezes të shkojmë. Edhe vajta. Rrija atje si dhia e zgjebosur mes dhenve. Hodhëm atë dorovinë, u mor një këngë atje, dy, ikëm. Më vonë, martohej i vëllai i sekretarit të partisë. Më thërrasin. U thashë: "Jo, nuk vij, jam pa qejf". Të gjithë kushërinjtë e mi shkuan. Mirëpo me një kushëri të tyrin ne shkonim shumë se e kishte ndihmuar dikur babai. Kur nuk më kishte parë mua, nuk i kishte ardhur mirë. Më thotë të nesërmen: "Nuk të pashë ty." -"Po mirë,- i thashë,- Gjoleka, për një kushëririn tim, marton vëllanë. Do vish ti?" Ngeli.-"Të drejtë ke!" Martonte vëllanë ky djali i xhaxhait. Edhe më thërret mua. Më thotë: “Hajde, se do therrim mish se vjen fshati”. Ishte e mërkurë, hapej haengu.–“Ore nuk të vjen fshati”,- i thashë. Se mua më thoshte babai. –“Hajde!” Vajta unë, katër mishra kishte therrur.  –“Or Gjolekë, nuk vjen njëri”. –“Do vijnë!”- “Po therr të paktën një, sa për ne”. –“Hajde, hajde, do vijnë ata!” Të mërkurën nuk erdhën. Të enjten nuk erdhën. Të premten nuk erdhën. Të shtunën nuk do vinin më pastaj, se do vinin krushqit. Edhe e premë ne, nuk vajtëm më.

Po fëmijët tuaj e ndjenë përndjekjen?

Po, edhe ata. Nuk i lejonin të vazhdonin shkollat. Ishin të detyruar të punonin.

Ndërkohë, në ’79-ën familja juaj goditet përsëri, arrestojnë xhaxhanë…

Xhaxhanë, Kujtimin, e kishin marrë partizan në Brigadën e 7-të. Është plagosur në Podgoricë. Mbas një periudhe shumë të gjatë, se vazhdonte festa e Vlushës, Moisi Zaloshnja, kur u bë apeli i partizanëve të Brigadës së 7-të, te Pallati i Kulturës, tha: "Po Kujtim Velçani, ku është?". Ata i kanë thënë që Kujtim Velçani është vëllai i Mehdiut, është kulak. -Shkoni merreni!- u kishte thënë. Edhe vajti tri herë në festën e Vlushës, por në ’79-ën, e arrestuan.

Vetëm sepse ishte vëllai i Mehdiut?

Po. E akuzuan edhe për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 8 vjet burg. Bëri 3 vjet e gjysmë. Vajti në Burgun 313 në Tiranë, ndenji tre muaj aty afërsisht, pastaj në burgun e Ballshit.

blank
Kujtim Sabri Velcani

Pas gjithë këtyre dënimeve, e shpresonit ju, të paktën fshehtësisht, rrëzimin e diktaturës?

Në ‘72-shin kur ishte i paralizuar babai, vinin njerëzit këshilloheshin. I thosha: "Pse o baba nuk u hodhe me këta, do ishe ndonjë ministër Drejtësie tani?"-“Do kisha marrë plumbin,- më thoshte mua. -Unë të bardhën, nuk e bëja të zezë dot. Ky sistem do hajë shokët e tij.” Edhe ashtu ndodhi. “Do vijë një ditë,- më tha mua,- nga fundi i ‘88-ës, çdo gjë do ndryshojë, por ti ul kokën dhe shiko punën, nuk të duhet politika, nuk të duhet ty të dalësh me sëpatë të madhe”. Unë nuk besoja. Se gjithë populli shqiptar ishte goditur në ballë nga ai sistem, ne ishim goditur prapa koke, në trurin e vogël. Më 3 tetor të ‘90-ës më thirrën në zyrë të Këshillit. -Do kem bërë ndonjë zarar me lopët, -mendova. Kryetari i Këshillit, sekretari i Byrosë atje: Si je Guri? Si është plaka? Si i ke çunat? -Faleminderit! -Nesër do shkojmë në Korçë, ekskursion, -më thanë. -Nuk vij dot, kam plakën sëmurë,- u thashë. Unë kisha frikë mos më çonin nga Qafa e Thanës e thoshin: “dezertoi çuni i filanit”. Në atë kohë, kishte marrë erë muhabeti, por unë…isha djegur nga qulli i fryja kosit. Shkuam pamë në stadium edhe ndeshjen e Beratit me Korçën. U futëm në hotel. Banakierit i pëlqeu muhabeti, i nxori korçarët, edhe na la vetëm ne, ishim nja 40 veta. Edhe filluan të ngrenë dolli. Kisha një brigadier unë: -Do marrim një për partinë dhe Ramiz Alinë! Ai banakieri që kisha përballë, i ra me grusht tavolinës, u derdhën birrat dhe rakitë! Shau e tha: “Ta ngremë dollinë për Shqipërinë demokratike”! Mua më vajti tensioni 6. Thashë: “Dasma ime kjo”. Po që të mos e zgjas, kështu erdhi ndryshimi: në dhjetor u formua Partia Demokratike, më 20 shkurt u rrëzua statuja e diktatorit. -Çfarë bëhet kështu?-thosha. Se më tha plaku: Po doli fjala ime, hajde më ndiz një qiri te varri, ose më hidh një dorë pleh. Edhe jam ngritur: Të ndrittë shpirti o Mehdi!-dhe i kam ndezur një qiri. Se ai e dinte: “çdo gjë që lind do vdesë”, thoshte. Ne në '91-shin, erdhëm nga fshati në Berat, pastaj. Megjithatë dua të them diçka: Unë i biri i Mediut, jam 76 vjeç. Gjatë 30 viteve, kam marrë tri këste dëmshpërblim. Këto të tjerat, kur do i marr, kur të vdes?

Shënim: Fotoja kryesore është realizuar në burgun e Beratit, në vitin 1946. Në qendër është Mehdi Velçani. Majtas, në këmbë, Sabri Qama, i kunati.

a.çano

qershor 2021/kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here