1946-47/ Dënime për dhjetëra të pafajshëm, anëtarë të “grupeve” që i krijonte vetë Sigurimi

0
201
blank

Organet e Sigurimit i krijonin grupet me armiq në mënyrë që të rëndonin sa më shumë akuzat ndaj kundërshtarëve dhe të dënonin sa më shumë persona. Në shënjestër  ishin njerëz me influencë që e kundërshtonin komunizmin.   Në vitet 1946-1947, Në Përmet u krijua nga Sigurimi “Grupi i Papa Aleksit” dhe një tjetër me emër pak të papritur për kohën, “Grupi miks”. Kleriku Aleksandër Lipe u ekzekutua në vitin 1946 si kryetar i grupit që i dhanë  emrin e tij, ndërsa një vit më vonë i njëjti dënim u ekzekutua ndaj shkruesit publik, Agathokli Xhitomi. Krahas tyre, një numër i madh burrash, që as nuk kishin dijeni për akuzat që u bëheshin, morën dënime të rënda.

Nga Xhafer Sadiku

Gjatë viteve të luftës, partia komuniste e pati të vështirë të ndikonte në popullsinë e Përmetit, duke përfshirë edhe fshatrat e krahinës së Rrëzës. Për këtë, komunistët bënin përgjegjës Papa Aleks Lipen, që, sipas tyre, “zhvillonte veprimtari të fshehtë armiqësore”. Në fakt, Papa Aleksi gëzonte popullaritet në masat e të krishterëve, si të Përmetit, ashtu edhe të fshatrave të Rrëzës. Lufta e komunistëve kundër tij bëhej edhe më e vështirë, pasi që gjatë luftës italo-greke ai ishte internuar në Shkodër nga autoritetet italiane.

Megjithëse komunistëve u thoshte hapur se ishte klerik e nuk merrej me politikë, ata gjithnjë dyshonin se… “fshehurazi vepronte kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Për të bindur komunistët në atë që thoshte, në prill 1943, ai thirri besimtarët në një mbledhje që u organizua në shkollën e Kaludhit, por komunistët e shfrytëzuan mbledhjen për ta demaskuar dhe për të shfaqur pikëpamjet e tyre.

Në një raport të datës 27 korrik 1943, celula në krahinën e Rrëzës na shfaqet një reaksion tjetër nën kryesinë e Papa Aleksit që s’është as ballist, as fashist. Ky, për inat të Riza Çaçit ka kthyer dhe po kthen krahinën kundër luftës. Përkundër pretendimit të celulës, në një raport tjetër të këshillit nacionalçlirimtar, theksohej se “Krahina e Rrëzës qëndron mirë politikisht…”

Me pretekstin për të rivendosur autoritetin e këshillave nacionalçlirimtare, celula vendosi të arrestonte Papa Aleksin dhe Agathokli Xhitomin. Ata u dërguan në Zagori, por pas disa ditësh u lanë të lirë nga Bedri Spahiu.

Megjithë propagandën e tyre, komunistët nuk po e zgjeronin dot ndikimin në atë zonë dhe për këtë vendosën ekzekutimin e Papa Aleksit, i cili, për të shpëtuar, u largua në Greqi. Largimi i tij u mor nga celula komuniste si shenjë fajësie, por për të hedhur poshtë pretendimet e tyre, ndërhyri vëllai i tij në Përmet dhe nga fundi i vitit 1944, Papa Aleksi u kthye në Përmet.

Me marrjen e pushtetit, komunistët, listuan kundërshtarët e tyre në zonën e Përmetit duke përfshirë edhe Rrëzën, e padyshim më kryesorët në këtë zonë ishin Papa Aleksi, Kolo Zoraqi dhe Agathokli Xhitomi. Ata arrestuan Papa Aleksin të cilin e ekzkutuan. Po kështu arrestuan dhe dënuan me afate të ndryshme burgimi Nuli Konomin, Athina Konomin, Ilia Angjelin, Stavro Jovanin, Sotir Kolën, Petraq Poplin, Koço Kajon e Pano Vasilin.

blank
Ne qender, Aleks Lipe. Foto e Arkivit Qendror te Shtetit, marre nga postimet e Foti Cicit

Në fakt, në dosjen hetimore nuk ka asnjë provë shkencore që të vërtetonte akuzën kundër tyre. Ata u dënuan vetëm me shpifjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit.

Pas ekzekutimit të Papa Aleksit dhe burgosjes së të tjerëve, me personat e “implikuar” me “grupin” e Papa Aleksit që nuk u dënuan, sigurimi do të krijonte “grupe” të tjera për t’i dënuar në vitet që do të vinin.

Më 1947 regjimi ndërmori një fushatë arrestimesh dhe dënimesh në tërë vendin. Në kuadër të tyre, edhe në rrethin e Përmetit u arrestuan dhe u dënuan dhjetëra vetë. Për të patur efekte tmerruese mbi popullin, sigurimi realizoi një skenar të vërtetë: krijoi një komitet me dy kryetarë: Agathokli Xhitomi për të krishterët dhe Ilmi Doko për myslimanët. Ilmi Doko ishte inspektor i shkollave fillore për zonën Përmet-Ersekë. Grupin për Përmetin e plotësuan me njerëz me influencë si: Simo Prifti, Apostol Bënja, Andon Kocali, Andon Vasi, Ngjelo Prifti, Miti Konomi, Lluk Kovi, Loni Kristidhi dhe Gjeno Lamani.

Në tërë rrethin ishin 136 persona, kryesisht në Përmet dhe në lokalitetin Këlcyrë e Ballaban. Sipas sigurimit, kishim të bënim me një bashkim të gjoja organizatës që “kryesonte” Agathokli Xhitomi, të shtrirë në qytet, në zonën e Shqerisë e Çarshovës dhe “nënkomitetit” të “Ballit Kombëtar” të krijuar në zonën e Këlcyrës.

Bashkimi i këtyre organizatave, sipas sigurimit, kishte ndodhur në prill 1946, “mbasi bashkohen muhamedanë dhe të krishterë nga katundet e afërme të Këlcyrës”.

Gjithnjë, referuar sigurimit, Agathokli Xhitomi, Simo Hotova, Apostol Bënja dhe Ngjelo Prifti ishin takuar me përfaqësuesin e nënkomitetit të Ballit, Ilmi Dokon dhe kishin arritur që në prill 1946 “të bëhej bashkimi i tyre në një fshat në afërsi të Këlcyrës”. Por në asnjë rast, në dosjet e hetuesisë së sigurimit, nuk jepet emri i fshatit. Në të vërtetë nuk kishte patur kurrfarë takimi. Këlcyra me tregun e saj të famshëm, kishte qenë deri atëherë jo vetëm qendër e rëndësishme tregtare, por edhe vendi ku banorët e zonave të jugut takonin miqtë, lidhnin fejesa, dërgonin letra për të afërmit në emigracion. Pas fitores së komunistëve, gjithçka u venit dhe çdo bisedë me miqtë shihej me dyshim dhe përgjohej nga mbështetësit e regjimit. (Agathokli Xhitomi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 10 tetor 1947. Shënim i kujto.al)

Organet e sigurimit shfrytëzuan mjedisin gjeografik, politik e social për të krijuar atë që ata e quajtën grupi miks dhe… “menjëherë organizuan punën duke drejtuar në drejtim të tyre forcën zbuluese e cila do të vepronte sipas detyrave”. Një rrjet i tërë informatorësh survejonin persona me influencë që ishin skeduar më parë; miqtë e të njohurit e tyre dhe me kë takoheshin.

Skenari i sigurimit u realizua duke arrestuar e dënuar dhjetëra të pafajshëm që nuk kishin asnjë dijeni për akuzat që u bëheshin. Kështu, krahas Sali Gurit që e kishin caktuar si kryetar, arrestuan Hazis Gurin, edhe ky nga Këlcyra, të cilit i jepnin atributet e nënkryetarit, Kristaq Peshtanin, të cilin sigurimi e kishte vendosur si komandant të forcave të armatosura. Krahas tyre, Cacul Asimaqin e akuzonin se kryente ndërlidhje me Përmetin, Mersin Merkon se ishte korrier për Dëshnicën, Petro Rokon si ndërlidhës me Zagorinë, ndërsa Koço Llukanin e akuzonin se kryente rolin e përkthyesit të korrespondencës.

Sipas sigurimit, ndër krerët e “organizatës” ishin edhe Llukan Asimaqi e Kolo Çomo. Pa asnjë provë shkencore, por vetëm me tortura, sigurimi “provoi fajësinë” e tyre dhe gjykata dënoi me vdekje Sali Gurin, Kristaq Peshtanin, ndërsa të tjerët u dënuan me afate të ndryshme. Me të njëjtin “grup” u dënuan Rakip Karamani nga Psarri, Qazim Dajlani nga Pavari, Neim Maksuti nga Çorrogunji, Todhe Todhe nga Limari, Llukan Asimaqi dhe Ismail Harka nga katundi Vinokash i Parë.

Në një gjyq tjetër, po për këtë “grup”, u dënuan nëntë të arrestuar të tjerë. Më 20 nëntor 1947 Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës dënoi me vdekje tregtarin Vasil Duda (sipas ISKK figuron i dënuar me 25 vjet heqje lirie-shënim i kujto.al) dhe mësuesin Hilmi Doko, me nga 15 vjet burg Bektash Nexhipin e Koço Llukanin, me 10 vjet Koço Todhen dhe me nga 8 vjet përkatësisht Cacul Asimaqin dhe Shega Këlcyrën, bijën e vetme të Muhamet bej Këlcyrës.

Marrë nga libri Skenarë të Përgjakur (Përmet 1943-1990), i autorit Xhafer Sadiku, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Shënim: Në foton kryesore, Agathokli Xhitomi.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here