Vrasja e parë në kufi e vitit 1990

0
258
blank

Viti 1990 njihet për vrasjet e shumta në kufi. Si viti i fundit i diktaturës komuniste, duhej të ishte koha që të kishte më pak vrasje në kufi. Por ngjan krejt e kundërta. Fletën e kësaj dosjeje të zezë e hap vrasja e Ilirian Zarit. Ai së bashku me vëllain dhe kunati i tyre, u nisën nga Tiranë në Kolonjë, teksa u orvatën të kalojnë në territorin që ruante posta kufitare e Rehovës. Iliriani u vra, Agimi u kap i spiunuar nga një banor i fshatit Starje, i cili ishte zgjuar nga alarmi i dhënë në fshat. Personi i tretë mundi të arratisej në Greqi. Ngjarja njoftohet në komunikatën nr.28, datë 3.2.1990 të MPB-së, në të cilën thuhet:

“Më datën 2.2.1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje me 3 shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30 roje në depon e armatimit të pikës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave, në orën 5.00 të datës 3.2.1990, u kap Agim Ismail Zari – vëllai i të parit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit që është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.

Njëri nga ushtarët që morën pjesë në këtë vrasje, ushtar Alban Fata, i vitlindjes 1970, më 4.2.1990 në Hetuesinë e Ersekës dëshmoi mbi ngjarjen:

“Unë jam ushtar i vitit të parë në Degën e Punëve të Brendshme Kolonjë, në Postën Kufitare të Rehovës. Më 2.2.1990 unë u komandova me shërbim për ruajtjen e kufirit së bashku me ushtar Astrit Hasanbashën. Ai ishte përgjegjës njësiti, i cili ndau edhe detyrat tona. Te vendi i shërbimit u vendosëm rreth orës 18.30. Rreth orës 24.00, unë pashë 3 vetë të cilët vinin për të kaluar kufirin në Greqi. Kur ata ishin afruar rreth 50 metra, unë i dhashë sinjal përgjegjësit të njësitit për kalim kufiri. Astriti i pa ata dhe doli lart për të bllokuar vijën e kufirit. Kur ai kaloi për të bllokuar vijën e kufirit, unë u ula pak më poshtë. Në këtë kohë, Astriti bëri ndaljen e tyre. Ai që ishte i pari tha “mos qëlloni se jemi edhe ne të armatosur”, kurse dy të tjerët që ishin pas tij u larguan pak nga ai duke u spostuar anash tij. Në këtë kohë desh të largohej edhe ai që ishte i pari. Në këtë moment neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: “O më vratë”. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur. Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë. Unë di të them se ata të dy që nuk i vramë ikën poshtë në drejtim të fshatit Starje”.

Pas vrasjes, kufoma e Ilir Zarit u dërgua në morgun e spitalit të Ersekës. Prej andej u mor me makinë dhe u varros në prani të 6 personave zyrtarë, të prirë nga shefi i policisë së rrethit dhe rojeve shoqërues në vendin e quajtur Mesiçkë. Në procesverbalin e varrimit thuhej: “Lëvizja me kufomën me automjet, i shoqëruar me grupin e caktuar, u krye rreth orës 23.30 të datës 3.2.1990, në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit të kryerjes së veprimit dhe përfundoi ora 3.00 të datës 4.2.1990. Vendi u maskua plotësisht dhe nuk lë asnjë dyshim, as mundësi për t’u zbulua nga persona të interesuar, kafshë apo erozioni i natyrës”.

Disa muaj më pas, i mbijetuar i kësaj ngjarjeje, Agim Zari, me vendimin nr.137, datë 4.4.1990 të Gjykatës së Rrethit Tiranës, u deklarua fajtor për krimin e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes (nenet 11 dhe 47/gj i Kodit Penal) dhe u dënua me mbyllje të detyruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit.

Zhvarrosja e kufomës së Ilirianit u bë më 3.9.1991. Edhe në këtë proces mori pjesë shefi i policisë së rrethit, ai që e kish varrosur. Kufoma iu dorëzua të afërmve të të ndjerit: Agim Zari, Bashkim Zari dhe Xhevdet Shaqja.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here