Dëshmia e Filip Guraziut/  Baba im, martiri i pafajësisë

0
186

Filip Guraziu është djali i Pjerin Guraziut, intelektual i shkolluar në Perëndim, i cili mbante detyrën e shefit të Financave në Ministrinë e Bujqësisë deri sa u pushkatua nga shteti komunist në vitin 1951. Pushkatimi i Pjerin Guraziut lidhet me shpërthimin e dinamitit të hedhur në oborrin e ish-ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951. Njoftimin se babai ishte pushkatuar si “armik i popullit”, familja e Filip Guraziut, i cili në atë kohë ishte vetëm 7 vjeç, e mësoi pas ekzekutimit nga xhelatët e diktaturës. Natën e 22 shkurtit 1951 ai e cilëson si një natë pa yje, ku "rëfeja" do ishte fatale. Në vitin 1993 u zbulua “gropa e kuqe”, në të cilën ishin hedhur të gjallë dhe ku më pas u pushkatuan të 22 viktimat e 26 shkurtit, njëri prej tyre dhe Pjerin Guraziu. Filipi dëshmon që: “përveç eshtnave, dallova e mora në dorë edhe copat e tabares së zezë të babës Pjerin, emocioni thirri kujtesën e kujtesa më solli përpara korridorin e shtëpisë, tabaren e zezë prej leshi e baben në kambë, i qetë që prej larg më lente nji porosi: Kurrë komunizëm!”.

Dëshmia e plotë/ kujto.al

Një nga 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi natën e 22 shkurtit 1951 është edhe babai juaj Pjetër Guraziu. Mund të më thoni si e kujtoni atë ngjarje?

Kohët e fundit kam shkru nji artikull me titull “Rëfeja në nji natë pa yje”, ishte vërtet nji rëfejë e papritun sepse familja ime edhe baba im personalisht baba im, gjatë zhvillimeve të ngjarjeve  politike, periudhës së pushtimit e të luftës së Dytë, nuk kishin bashkëpunu me okupatorin, kishin besim që do vinte nji ditë ma e bukun, kishin kontribu financiarisht gjyshi, financiarisht pro lëvizjeve. Për këtë arsye baba pat qe ftu në Konferencën e Beratit për themelimin e qeverisë së re si intelektual i papërlym me forcat pushtuese për me hi n’qeveri me qënë pjesë e qeverisë sepse në Konferencën e Beratit hala kishte fraksione komuniste edhe fraksione nacionaliste jo të Ballit Kombëtar e të tjerë po ishte nji pjesë tjetër që ishin afër Luftës NacionalÇlirimtare dhe ata kishin ftu. Mbasi erdhi komunizmi në Shqypni, baba për profesionalizmin e tij meqë ishte Doktor i Shkencave Ekonomike me diplomë në Itali, ai u ftu të organizote financat n’Ministrinë Qëndrore, edhe ishte Shef Finance. Pra këto kushte në ishim nji familje krejt e zakonshme që bajshim jetën si gjithë të tjerët, familjare edhe nuk kishim asnji lloj shqetësimi. Unë bile n’atë kohë kur ka ndodh fatkeqësia, unë isha 7 vjeç edhe më kujtohet se pak e kam njoh babën sepse ai shkonte herët në punë edhe vinte shumë vonë. Punë me shumë përgjegjësi sepse n’atë kohë natyrisht ishte organizimi komplet i ri i këtyne gjënave dhe ky si kompetent kishte përgjegjësitë e veta. Mbaj mend vetëm ditë djele që rrisha me babën edhe e zakonshme ishte t’na çonte në kishë, te Kisha Françeskane n’Tiranë e bajshim ndonjë vizitë. Pra kujtimet janë shumë të pakta. Në këtë periudhë nji natë çohem nga gjumi edhe nij lëvizje n’shpi, tanë ishin çu, unë isha i fundit. Ka pak ka pak kuptova se diçka e veçantë kishte ndodh. Dera, kërcite me të fortë. Bam bam: hape derën?! Baba u afru, i tha: Kush jeni? Jemi Sigurimi i Shtetit,  për kontroll. A asht kryetar i lagjes? Këto i di mirë, i mbaj mend mirë. A asht Kryetari i Lagjes? Jo. Nuk e hapi pa kenë Kryetari i Lagjes. At’herë nji za mbrapa u ndi: vrap me thirr Kryetarin. Kalun 10 minuta, çerek ore, erdh Kryetari. U hap dera. Tre personazhe me rroba ushtarake. Ti je Pjerin Guraziu? Po;-Je i arrestum! At’herë na mbetëm të gjithë. Do të vish me ne! Nana, 36 vjeçe ishte  na at’kohë, unë 7 vjeç, motra 11 vjeç, kjo ishte faamilja jonë. I përgatiti teshat. M’kujtohet që veshi nji pallto, po ne i themi “tabare” quhet, nji tabare të zezë, leshi që kishte, ja mbaj mend shumë mirë kët tabare. Kërkoi edhe medicinat e ulçerës se vunte nga stomaku edhe e izoluen në nji pozicion në korridor që kurrkush nuk mujt tu afroheshe me fol me të. Vetëm unë si fëmij shkosha aty afër. Ne kena pas nji dado n’shpij si nanë të dytë që ka jetu gjithë jetën e vet, ka rrit edhe prindërit e mi edhe ajo n’atë moment i thotë: “Si more Pjerin, ça bane na more n’qafë?!” Rrini mo të qetë- i thotë; çfarë na more në qafë”, donë me pyet, do sqarohem për kët punë, unë jam krejt i qetë, s’kam asnjëlloj konflikti, asnji veprimtari asgjë. Mbas kësaj historie, ata tre persona si hije që erdhën në kët natë pa yje ku rëfeja ishte e tmerrshme e morën me vete. Në shtëpi kishte ra nji zi. S’ta merrte mendja kurrë se mund të shkojnë deri në pushkatim. Të nesërmen kuptuem  se në Tiranë kishin arrestuar rreth 150 e 170 persona të tjerë. Dhe tu kalu ditë, kjo ishte nata e 22 shkurtit. Tu kalu ditë, shumë u kthyen në shpijat e veta, at’herë lindi shpresa se do kthehet edhe ky. Ne ishim komplet të bindun se asht i pafajshëm, se e dijshim jetën e tij, çfarë jetë kishte edhe mentalitetin që kishte. Ai ishte antikomunist por pa veprimtari nuk mund të dënohet njeriu pse shef nji andërr. Këto janë absurditete. Kalun ditë mu më çuen në shkollë. Unë isha te shkolla “Ali Demi” në klasë të dytë. Aty në shkollë rrija pa qejf. Kur pas disa ditësh vjen motra më merr në shtëpi. Hajde në shtëpi. Edhe aty shohim të veshun tanë me tesha të zeza. Në vend që me ardh baba kishte ardh nji letër, nji pusullë ku thonte që: “I pushkatuar, si armik i popullit dhe i Partisë, Pjerin Guraziu”…Rrfeja që kishte ra e kishte hedh nanën përtokë pa ndjeja. Aty ishin njerëzit e afërm, që kujtoj kushërinin tonë Emil Shirokën, kujtoj mikun dhe intelektualin Filip Gecin, që nuk ishte kollaj me marrë pjesë në kësi ditë zie n’atë kohë kur po ndodhte por këta ishin miq shpisë, njerëz të ndershëm e besnik. Mandej familjarët tonë, familjen e Gurazezve që kena shumë në Tiranë, kushërinjtë tanë, axha i babës Zef Guraziu, Gjoni e Benjamini, natyrisht që ishin tanë aty.

Çfarë ndodhi me ju pas pushkatimit të babait nga regjimi komunist?

Kaq ishte. Mandej, ne patëm nji shans prej nji axhe të nanës i cili pat nji lidhje me Stavri Xharon sepse e kishte strehue në shtëpi. Stavri Xharo n’atë kohë ishte nji personalitet n’Ministri të Brendshme edhe Stavri i tha; “Merrni e i çoni në Shkodër, kanë me u internue po ne do ta bajmë internimin n’Shkodër”. Edhe përpara se me ardh kamioni që i mori gjithë të tjerët e i çoi nëpër jug të  Shqypnisë, nëpër miniera, nëpër stalla kooperativash, i shpërndau këta njerëz. Përpara se me ardh ne ardhëm në Shkodër nji tu tek ky vendi këtu ku jena tash edhe pritëm aty te oborri që asht atje mbrapa me nanën e me motrën, pritëm derisa erdh Shefi i Degës së Brendshme Hilmi Saiti  në at’kohë, i cili e kishte marrë njoftimin që kjo familje do ta bajë internimin në Shkodër. Po kjo ishte nji gja shumë positive për ne se këtu kishim gjyshin edhe në vend që të shkojshim nëpër baltrat e Myzeqesë edhe në Guronet e Vlonës ne erdhëm këtu te gjyshi. Kjo ishte i vetmi rast i joni nga ata gjithë të tjerat, ishim ne që patëm këtë lloj shansi. Edhe mos me provue manej gjithë ato vujtje të familjeve të pafundme që i kanë provue të tjerët deri gati në vitet kur komunizmi u vetshemb. Se unë nuk them se u shemb komunizmi. Komunizmi u vetshemb, nuk e shembi kush kishte mbarue komplet ishte kalb nga ana e sistemit ekonomik e nuk mund të vazhdonte më.                                                                                                  Kjo asht nji tragjedi personale e familjes time bashkë me të tjerat, po kësij lloj tragjedinash ka shumë në Shqypni edhe këto ngjarje nuk duhet kuptu se; “unë sot këtu dal me kërku mëshirë për ça më ka ndodh, unë dal këtu me nji vendosmëri edhe me nji bindje të plotë që këto ngjarje duhet t’i shërbejnë kujtesës historike të krimit komunist. Që të rinjtë sot, brezi i ri sot që nuk di gjë për këto punë sepse vetë politika shqiptare daç e majtë daç e djathtë nuk e ka vlerësu kujtesën historike që t’i mësojë të rinjve në shkollë se ça ka ndodh. Përpara se të jemi verior-jugorë përpara se të jemi myslimanë e katolikë, fetarë ne kemi nji ideal. Ideali jonë asht Shqypnia, duhet të jemi bashkë por për të qënë bashkë duhet të jemi shpirtënisht të bashkum bashkë. Për të qënë shpirtnisht të bashkum bashkë ne kemi pretendue që të kemi falje prej ish-komunistave. Nuk ka rëndësi me dënue personin, nuk nisem për hakmarrje por nisem për nji ideal m’të madh, për nji pajtim kombëtar. Ky pajtim kombëtar bahet vetëm kur kërkon falje edhe me Kanun thotë: “kur qafa ulet nuk preket”. Do të thotë qi nëqoftëse kërkohet falje ne i japim falje dhe tu i dhanë falje krijojmë nji bashkim shpirtnor shqiptar. Fëmijët e mi me fëmijët e atij tjetrit nuk kanë ma urretje, po vazhdojmë kështu kena me pa urretje sa të dush dhe Shqypnia nuk ec përpara.

A patët dijeni se ku mund të ishte trupi i tij pas pushkatimit?

Tashi ne këto i morëm vesh mbrapa. S’u mbëte fjalë me folë për këto probleme, s’u mbëte fjalë, i morëm vesh shumë mbrapa, i kena marrë vesh dhe në vitin 1991, po fryshin erëra të reja ndryshime edhe vet udhëheqja komuniste, vet Ramiz Alia strategu i transformimeve e kishin vlerësue që duhet të pranojmë diçka gabim që kena bo. Nuk kërkoji falje kush po duhet të pranojmë diçka edhe kishin organizue në 1991 më 8 gusht asht dhanë vendimi i Pleniumit të Gjykatës së Naltë i cili ka analizue procesin dhe ka dalë me konkluzion që këto njerëz janë vra pa proçes gjyqësor. Këto njerëz nuk kishin lidhje me bombën e Ambasadës Sovjetike janë vra pa process gjyqësor vetëm si akt terrorist që Byroja Politike e pranoj nji zani propozimin e Mehmet Shehut natyrisht me dijeninë e Enver Hoxhës që ta bajmë kët akt terrorist që t’i tregojmë rusëve sovjetikëve, babës Stalin që çka bajmë ne, çka bajmë ne për ju, çfarë sakrifikojmë ne për ju. Ishte vetëm kjo që e banë kët akt terrorist. Manej ishte nji heshtje e tmerrshme tashi çdo njeni prej nesh ka pas peripecitë e veta, unë kam kenë ma i përviligjuem se për fatin tem ishte sportist. Unë kam titujt më të madhenj që ekzistojnë në sport. Mjeshtën i  Meritum, Nderi i Sportit Shqiptar, shumë herë Kampion Kombëtar me Medalje të Artë në Spartakiatën të Parë Kombëtare me Mjeshtër Sporti 19 vjeç etj. Edhe këto më mbajtën pak që unë me kenë me pas nji jetë ma të rregullt. Kam pas edhe unë telashet e mija se më kanë hekë manejna jo pe sportit jo pe punës, kam punue hamall, po këto s’kanë pikë rëndësie. Me rininë teme me fuqinë teme unë kam jetue normalisht si të tjerët, vëllezërit e mi fatkeqësisht kanë pas halle ma të mëdhaja.

Si arritët të zbulonit vendin se ku ishin eshtrat e babait tuaj Pjetër Guraziu?

Tashti mes nesh kena pas nji vëllain tonë e quj unë që quhet Hysen Shehu. Hysen Shehi, unë kam ba edhe nji artikull që ka pas shumë sukses “Gjaku që thërret nuk harrohet” e thirrte Hysenin gjaku, ne na thirrte tanëve po Hyseni ishte më aktiv edhe Hyseni gjyrmoj.  Mbas viteve ’90 gjyrmoj edhe kuptoj qi kjo ngjarje ka ndodh në Mënik afër urës që është te lumi Erzen edhe shkoj atje ky, foli me njerëzit aty. Kishte kalue koha e frikës, s’kishte mo dhe nji burrë i vjetën tha; jam unë dëshmitani, e di unë çka ndodhun, kena n’dëgju britma at’natë jena terrorizue të gjithë edhe unë e di vendin”. Në kët kohë Hysen Shehi punonte edhe në Institutin e të Persekutuarve Politikë, administrim sociale dhe kishte mundësi me pas njifarë autoriteti që mund me gjet nji skllavator edhe hapën gropën. Aty qëlluan tamam si tha ai burri dhe panë gropën, tu gjyrmu to gjyrmu gjetën nji unazë, kishin harrue nji unazë ari, unaza e arit nuk prishet. Ishte unaza e të ndjerit Zyhdi Herri që atë natë bashkë me babën asht pushkatue n’gropë. Njerëzit i gjetën të lidhun, eshtnat ishin të lidhuna me tela me gjemba dhe n’kafka kishte vrimë naltë çka vërteton plotësisht se i kanë hedh të gjallë n’gropë bren e i kanë vra nga lart. Për fatkeqësinë e Sabiha Kasimatit  që ishte e vetmja grua aty, nji figurë shumë e ndritun e kulturës shqiptare, specialiste në sektorin e vet të Biologjisë e laurume jashtë shtetit, e re e bukur, fatkeqësia e asaj që paska pas nji njohje me Enverin edhe i paska fol randë Enverit dikun për veprat e tija që paska bo për kofidencën që ka pas ishte n’gropë. Kjo e shkreta nuk vdiq fill, nuk vdiq fill kjo mbeti si e plagosun edhe zanin e saj e kanë n’dëgju fshatarët, klithmat e saja. Gropa ishte jo shumë e thellë, nuk e kanë mbulue mirë edhe qentë e rrugëve mbas ca kohe ka ndi erën e gjakut edhe ka shkue aty tu gërmu te gropa. Shumë kohë mbrapa n’atë vend nji që ka punua me traktor aty, ka pa nji kambë që kishte dalë jashte e qente e kishin tërhek. Pra kjo ishte gjaja e tmerrshme. Ky asht nji ndër veprat ma të shëmtume, komunizmi ka bo shumë, janë të pafundme po kjo asht skandal sepse nuk u ba n’kohë të luftës, nuk u bo n’përpjekje me armikun u bo me njerëz të pafajshëm. Me nji intelektual që në rradhë të parë kishin familjen e tyne në rradhë të dytë kishin atdheun që s’kishin asnjë lidhje me politikën, asnjë lidhje me komunizmin.                                                               T’u them edhe nji gja që e kam kujtu, kur u bo në ’93 Konferenca që i ndjeri Uran Butka mbajti fjalimin dhe tregoi ngjarjen, ia di shumë për nder Uran Butkës që ka shkruajt librin, asht nji libër i shkruem për këtë punë. Lexoj proçesverbalet e fundit të fjalës së fundit që kanë mbajt të këtyne njerëzve në hetuesi, e fundit fare. Tashi unë u ndodha ngushtë sepse jam i ndërgjegjshëm që ne jemi njerëz edhe njerëzit në momente të caktume për hir të jetës dhe për hir të familjes dobësohen edhe kishte mundësi që të ishte gjithë farëlloj bisede, n’fakt ai nuk i lexoi tanë, lexoi nja pesë, pata nderin që të ishte baba im ndër ata që iu lexu proçesverbali dhe mbeta shumë krenar për falët e tija; tha: ‘Unë jam i pafajshëm, unë e urrej komunizmin por nuk kam veprimtari, asnjëlloj veprimtarie as aktive dhe as ideologjike dhe as propagandistike, pra unë nuk kam veprimtari”. Kaq ishin fjalët e tija, me thanë të drejtën më bani krenar. Se baba im ishte dhe asht sipas rezultateve që kanë dalë Rekordmeni i Parë në historinë e Sportit Shqiptar me diplomë, ka rezultatin në moshën 18 vjeçare, Kampion i Universiteteve Italiane ka rezultatin 6 metër e 15cm, sipas Besnik  Bresdarit që asht studiuesi i historisë së Atletikës e Sportit asht Rekordmeni i Parë në Shqypni dhe në vitin ’30 ishte dhe Kampion në garat e para të Atletikës Shqiptare. Pra ishte nji person me energji, nji person me temperament, nji person edhe i guximshëm por edhe i ndershëm edhe i drejtë. Jam krenar që jam biri i tij./kujto.al

Shënim: Dëshmia, pjesë e dokumentarit "Varret pa emër"

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.