Zef Pllumi, njeriu që përmbushi testamentin

0
416
blank

Në shërbim të Zotit thuajse gjatë gjithë jetës. I burgosur për gati një të tretën e saj. E megjithatë asnjëherë nuk e humbi shpresën. As u pendua për zgjedhjen e vet. Dhe arriti të mbijetojë, të provojë çastin më të bukur, të përmbushë amanetin apo testamentin siç e quan ai dhe në fund të jetës, të ishte i lumtur

Më 25 shtator 2007 në spitalin Gemelli në Romë, mbylli sytë Zef Pllumi, kleriku, shkrimtari, studiuesi që kaloi 25 vite të jetës në burgjet komuniste. Vepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një nga titujt më të dëgjuar të memuaristikës shqiptare, një vepër e vlerësuar gjerësisht nga kritika për përmbajtjen, por titulli i saj ka bërë vend si frazë edhe në kulturën masive, ku përdoret vazhdimisht. Dihet tashmë, që ajo frazë, është marrë nga porosia që superiori i Kuvendit Françeskan, Marin Sirdani, i dha priftit të ri në atë kohë, Zef Pllumi, kur komunistët, sapo morën pushtetin, filluan të godisnin klerin: “Fra Zef, Un jam sot për sot Superjor: po të jam urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!” Dhe ai jetoi. Ishte një nga 27 klerikët katolikë të mbetur gjallë në fund të diktaturës e cila kishte pushkatuar, vrarë në tortura dhe lënë të shuheshin në burgje mbi 100 prej tyre. Dhe tregoi. Tregoi sigurisht në librat që publikoi, por tregoi edhe në ndonjë nga ato pak intervista që dha.

Kujto po sjell një intervistë të tij, për Blendi Fevziun në programin Opinion të TvKlan, të 6 qershorit 2006, që, sipas realizuesve, është rrëfimi i fundit i Zef Pllumit. Në të, përveç çasteve kyçe të historisë së Shqipërisë dhe njerëzve të rëndësishëm të saj, Pllumi ka mundësi të rrëfejë edhe gjëra të rëndësishme për veten dhe jetën e tij, nga pespektiva e një 82-vjeçari që vetëm një vit më vonë do mbyllte sytë, gjëra si “a është penduar ndonjëherë për zgjedhjen që i shkaktoi kaq vuajtje”, “cila ka qenë dita më e lumtur e jetës së tij”, “a është i lumtur”.

 

Dua t’ju bëj një pyetje që lidhet me një moment shumë të hidhur të jetës suaj në fakt dhe të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri. Kur e ndjetë ju më 1944 që komunistët po e fitonin pushtetin?

E kemi ndie edhe ma përpara. Në 1920, nji prift katolik ka shkrue që ky popull kur të bajë me ra në kontakt me kulturën europiane o do të bahet jakobin radikal, o do të bahet komunist. Sepse prej nji populli krejtsisht të paqytetnuem, larg kulturës europiane, të veçuem si popull në tanë Europën, të veçuem për 500 vjet, natyrisht të gjithe ata që studiojshin jashtë do të binin në kontakt me kulturën europiane, me idetë socialiste. Kështu që do të baheshin të majtë, do të baheshin komunista. Komunizmi kishte deprtue në Shqipni, intelektualët e rij që kanë pas ardhë ishin gjithë me ide komuniste, pavarësisht se Enver Hoxha i hoqi ata intelektualët, se ata dojshin nji komunizëm idealist, i cili nuk asht zbatue kurrë.

Si e mbani mend mbërritjen e partizanëve në Shkodër, at?

Asht kenë ditë e zezë.

Cila datë ka qenë?

29 nandori asht kenë që kanë hi. Por s’kishte gjermanë ma, gjermanët kishin tri ditë që kishin ikë dhe pritej kush po vjen. U larguen tri ditë përpara. Ishte Marku i Gjon Markut që kishte ndejtë me gjithë ata nacionalista, që mandej thirreshin Balli Kombëtar, Legaliteti etj., që ishin mbledhë të gjithë në Shkodër. Çka nuk ikën me gjermanë, dolën në mal. Partizanët ishin rreth e rrotull, pritshin. Mos mendo që kanë ba luftë me gjermanë. Jane tana prralla, jo histori. Luftën e kanë ba shqiptarët ndërmejt vedit, e kane ba me ballista, me zogista, për pushtet. Me gjermanët? Gjermanët kanë shkue në punë të vet.

Po si kanë hyrë komunistët në Shkodër, ju thatë që ishte një ditë e zezë.

E mbaj mend. Erën e komunizmit ia kishim ndie me kohë. Se në Rusi dihej se ishte terror, koha e Stalinit. Në Spanjë ishte ba gjithë ajo luftë dhe gjithkund ku ishin kalue kishin ba terror, prandej nuk muj të pritshim ndonji gja sen të mirë. Me të vërtetë që ishte një pjesë e rinisë e cila e përkrahte shumë. Rinia janë kenë njerëzit ma të ndershëm e ma të ditun, tue mendue se po çojnë përpara popullin shqiptar, se po zhvillojnë shoqninë shqiptare. Tanë kanë përfundue në burgje e pushkatime, të gjithë intelektualët e Shqipnisë.

 

Kur filluan problemet reale mes klerit katolik dhe komunisteve?

Problemet reale kanë fillue mbas nja dy muejsh që kanë hi, me mbylljen e “Hyllit të Dritës”, me mbylljen e shoqnive të kulturës, sepse na kena pas shoqni kulturale.

E ndjenit ju që po vinin ditë të vështira?

Posi, e ndijshim. Me dijtë se çka janë kenë … kur kanë ardhë … me opinga … e ata me e ba Shqipninë? Jo, padër, me e ba ata Shqipninë …

Në cilin vit ju arrestuan?

Në ‘46 jam arrestue.

Jeni arrestuar dy herë?

Dy herë.

Dhe më pas?

Në ‘67, kur janë mbyllë kishat.

Dhe në të dyja burgjet sa vjet burg keni bërë në 50 vitet e komunizmit?

25 e katër muaj.

…Kur ju arrestuan për herë të parë në ‘46?

Kur u shpërnda Kuvendi Françeskan, më 11 dhjetor 1946, që banë zhurmë e thanë: jo kanë shti armët në kisha …

A ishte e vërtetë?

Jo …. Ndigjo, koha e gjermanëve a kenë nji kohë arnarkiet, se gjermanët s’kanë cenue në Shqipni, kanë kqyrë rrugën e vet. Kur në Kuvendin Françeskan na u dojte me mbajtë armë, mbajshin pesë vetë, i paguejshim për me ba roje ditë e natë me armë në dorë, se me ba mos me i pas pas në dorë, ata, kurrgja me ba, vetëm ca kish muzeumi, që ishte më i miri në Shqipni asokohet, vetëm me ardhë e me vjedh nj’ato … Kishim unazën e Gjeçovit, që i kanë thanë. Ka pas dhanë British Museum 14 mijë sterlina në atë kohë për me ia dhanë e s’ia ka dhanë kush, se ishin vizare t’popullit shqiptar …

E ku shkoi më pas kjo unazë? 14 mije stërlina bënin afro 30 mijë dollarë të asaj kohe …

Tashti e din qeveria ku asht …

Ç’domethënë e di qeveria?

E din qeveria që e ka marrë. Se të parën punë që kanë ardhë, ka ardh Kolë Jakova, fill mnas nji javet, edhe ka kërkue “Unazën e Gjeçovit”, se kështu thirrej, se e ka pas gjetë At Shtjefën Gjeçovi, e ka marrë me procesverbal …

Dhe ku gjendet? Nuk keni pyetur më mbas vitit ’90?

Mbas ’90 nuk kam pyete, por e di që asht kenë në Thesar të Shtetit në vitin 1951.

At, cila ka qenë akuza e parë që ju bënë?

Besa-besë, ato akuza që m’u banë jo vetëm mue, por dhe tanë kolegëve të mi, jane akuza tepër të marra: jo se kena pru fashizmin, se i kena shërbye Austrisë …. Unë s’ishem le në atë kohë t’Austrisë. Unë akuzën e kishem bashkë me tanë tjerët: se kam punue për fashizmin. I kanë thanë akuzë, i kane thanë hetuesi: as kanë ba akuzë, as kanë ba hetuesi. Ata, hetuesat, gjys’analfavetë janë kenë, I bajshin vetë, bajshin hartimet çka u nepte Dega. Të torturojshin me të ba me i firmos nj’ato.

Ka vazhduar rezistenca e klerit katolik, me gjithë burgosjen?

Në qoftë se mund të flitej për ndonji rezistencë kundër komunizmit, unë mendoj që në krye t’asaj rezistence asht kenë kleri katolik.

Ka vazhduar në mënyrë permanente kjo rezistencë?

Permanente.

Në ç’mënyrë?

Janë dy doktrina krejtësisht të kundërta: komunizmi dhe katolicizmi. Ne nuk pranojmë dhunë. Baza asht dashunija. Gjithçka me e ba me dashuni, me vullnet me të mbushun mendjet, me ndërgjegje, ndërsa baza e komunizmit asht dhuna, lufta e klasave dhe tanë marrinat.

T’ju bëj disa pyetje, nëse keni të dhëna. Sa ka qenë numri i klerikëve katolikë në fillim të viteve ’44-‘45?

Janë kenë te 200 vetë, por prej dyqindve nja 30 janë kenë italiane, ishin jezuitë, të cilët mandej ë nxuerën jashtë. Nga italianët, vetëm nji asht pushkatue: Patër Fausti, Giovanni Fausti, tjerët i larguen.

Nga ata që mbetën sa priftërinj u pushkatuan apo kryen burgje?

Në burg besoj që kanë mbetë vetëm 4-5 vetë pa hi, prej tanë klerit. Me u pushkatue edhe me dekë në burg janë ma shumë se mbi 100 e ca vetë.

Sa prej tyre dolën gjallë në vitin 1991?

27 vetë. Por unë jam kenë ma i riu, ishem 65 vjeç.

Ju thoni në kujtimet tuaja që keni njohur baballarët e kombit, ata që quhen politikanët e rëndësishëm të viteve të Mbretërisë …

Njerëz të ditun janë kenë edhe të njerzishëm, se pak a shumë janë kenë të gjithë me shkollë të bame jashtë. Megjithë këtë, rinia në kohë të Zogut ishin edhe ma të ditun se pleqtë. Mjerisht e shumta prej tyre janë pushkatue ose kanë dekë nëpër burgje. Ia ken dje zanin Arshi Pipës? Unë s’kam ndejtë në burg me të, por me të tjerë, pavarësisht se sod kanë ikë në Amerikë.

Po drejtuesit komunistë të kohës?

Zef Malen. Kam ndejt në burg me të. Bile-bile më ka pas lanë testament.

Që të gjeni kujtimet e tij dhe s’i gjetët dot …?

Nuk i gjeta pse nuk ekzistojnë. E shoqja, kur kanë shti Zefin në burg ia ka dhanë ni nierit, Eduard Gjokës, ia ka çue se janë kenë në internim bashkë, ia ka çue me i mshehë, mandej kur kanë ardhë me marrë Eduardin me e shti në burg, në Spaç, e ama i ka djegë …

Po Gjin Marku? Në librin tuaj ju tregoni një bisedë që keni pasur me Gjin Markun, i cili ju ka dëshmuar, në rolin e përkthyesit, takimin e parë të Enver Hoxhës me Stalinin.

Mendoj se kur të dalin procesverbalet ka me kenë nj’ashtu siç ka thanë Gjini. Megjithkëtë Gjini ishte nji komunist puro, nji komunist idealist.

A mund të na e risillini dhe një herë dialogun që Enver Hoxha kishte bërë me Stalinin sipas Gjin Markut?

Simbas Gjinit Enveri thotë: Tashti intelektualët pak a shumë i kemi rregullue, i kemi eleminue, nuk kemi ma rrezik prej tyne, s’ka kush na e merr ma pushtetin. Edhe klerin katolik …. Stalini i tha: po mirë, ç’ka jeni tue ba tash? Kemi fillue luftën kundra kulakëve. Kundra kulakëve? Por keni kulakë në Shqipëri?- i thotë Stalini, Enverit. Po, kemi. Po mirë, nji kulak në Shqipni sa hektare tokë ka?- i thotë ky. -Ka 200 ha tokë. - 200? Po 200 hektarë tokë i ka cdo rus këtu. A e di kush janë kulakët? Kulakët janë ata që kanë 20-30 katunde bashkë, edhe njeni rrin, drejton fshat, villain tjetër e ka oficer në gardë, se e tanë Garda e Carit asht prej këtyne fëmijve, e në qoftë se do na bante nieri puc, nji këta do na e bënin dhe ne na u desht me e ba këtë luftë. Po juve, pse ka nieri 200 hektarë tokë? Jo. Po me klerin katolik ça keni ju? -Asht reaksionar. -Po mirë, se luftën me kler e bajmë edhe na, por a keni vue ndonji ligj për komunitetet fetare, se ju jeni ngjitë me Europën, gjithshka bani ju e merr vesh Europa. A e dini që i bani nji propagandë të keqe komunizmit? Ju duhet me ba nji ligj, me vue disa nene, e mandej t’i kapni që kanë prishë at’ligj.

Si i mbani mend ligjet e burgut? Keni hyrë në 1967 dhe keni dalë në 1989.

Më 11 prill kam dalë, ditën kur ka dekë Enver Hoxha. Ndigjo, komunizmi kishte marrë fund. Kur ka ardhe Gorbaçovi në Rusi, komunizmi kishte marrë fund gjithkund.

Fevziu: At, kur mbani mend se keni bërë shërbesë fetare të lirë dhe mbas sa vitesh që nuk e bënit këtë?

Kur jam lirue, në 1989. Kam ardhë në Tiranë. A kenë nji moter, nji murgeshë e cila ka pas ndejtë tek kisha e vogël që kishem unë dikur. Ajo i kishte ruajtur të gjitha sendet fetare, i kishte ruejtë msheftas. Atëherë ka thirrë njerez, hala s’ishte ba liria … por kishte krye komunizmi.

Si u ndjetë mbasi thatë meshën e parë mbas 25 vjetësh?

Ndigjo, na i kemi shkri tanë jetën çashtjes fetare. Na e keme ditë që do të vijnë dita.

A keni shpresuar dhe në ditët e këqija?

Gjithmonë. Shpresën s’e keme humb kurrë, por a mbërrinin mandej, a mbërrin mbasi mbarojmë na vetë …. Këtë jo, s’e kam besue as unë, as tjerët.

Cili ka qenë angazhimi juaj gjatë këtyre 15 vjetëve? Në kujtimet tuaja ju thoni që në 46-48, kur u kuptua që për klerin katolik do të kishte vështirësi të mëdha, një nga kolegët tuaj tha: Ik dhe rrno vetëm për me tregue. Kujtimeve tuaja prej tre volumesh ju i keni vënë pikërisht këtë titull.

Ishte nji testament …

Që ju e zbatuat?

Që më dha Zoti jetë për me e zbatue.

...

Dua t’ju bëj dy pyetje, por dua një përgjigje relativisht të sinqertë. Tashti, mbas shumë vitesh, mbasi keni vuajtur shumë, keni bërë 25 vite burg, keni qenë i detyruar të jetoni si keni mundur nga viti ‘48-‘67, keni bërë një jetë po aq të vështire mbas vitit ‘90, të lirë, por të vështirë. Do të doja t’ju pyesja: në një jetë të tillë, që duket sikur është e errët në gjithë njëtrajtësinë e saj, cili ka qenë momenti më i bukur i juaji?

Druej se s’më kupton. Atë ditë që a rrëxue statuja e Enver Hoxhës unë kam kja prej gëzimit dhe jam kenë bash tek shkallët aty, jam kenë prezent.

Ky ka qenë momenti më i lumtur i jetës suaj 82-vjeçare? Pse, për ç’arsye?

Nuk asht puna e atij monumenti, asht puna që mbaroi dhuna, asht nji ideal që na e kundërshtojmë.

Pra filozofia juaj, që ishte në kundërshtim me atë komuniste, triumfoi në një farë mënyre?

Triumfoi.

Do t’ju bëj një pyetje tjetër dhe po ashtu dua përgjigje të sinqertë. Fakti që ju në moshën 5 vjeç e gjysmë u larguat nga shtëpia për t’i shërbyer Zotit dhe i shërbyet gjatë gjithë jetës, ju solli shumë vuajtje, vitet e burgut, vitet e komunizmit, trishtim, eliminimin e miqve tuaj më të afërt, të kolegëve tuaj. A jeni penduar ndonjëherë gjatë viteve të vuajtjeve që zgjodhët rrugën e shërbesës ndaj Zotit?

Kurrë, kurrë, kurrë! As me ka shkue nëpër mend ndonjiherë me u pendue.

Keni qenë gjithnjë i bindur se keni zgjedhur rrugën më të mirë edhe kur vuanit?

Atë po ruejsha unë. E dija.

Dhe përse vuanit, cili ishte shkaku i vuajtjes suaj?

Ishte feja. Ndigjo, due me të dhanë nji dokument, lexoje. Lexoje nji këtë dokument.

Është një procesverbal i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Tiranë, proces i shkresës numer 88, datë 8 mars 1948. VFLP …

“Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje, Mosinjor Frano Gjini, Patër Mati Prenushi dhe Dom Nikollë Deda, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan në datë 11 mars 1948, në ora 5 paradite. Dhe fjala e fundit ka qenë:

1. Frano Pjetri tha: “Rroftë Krishti mbret, feja katolike dhe katolikët në botë, rrofte papa! Gjaku dhe trupi em mbetet këtu, por shpirti dhe zemra janë te Papa! Rroftë Shqipnija!”

2. Pater Mati Prenushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Papa! Rrofshin katolikët! Rroftë Shqipnija! Ua baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tanë të pafajshëm!”

3. Dom Nikollë Deda tha: “Rroftë Shqipnija! Po vritem në punën time! Rroftë Krishti mbret! Rroftë populli shqiptar!”.

Regjistri nr.67, 1948. Kryetari i gjykatës, kapiten i parë Misto Bllaci. Ministria e Mbrojtjes. Për t’ia përcjellë Kuvendit Popullor. Refuzohet falja: Kjo gjykatë është e mendimit që mos i akordoet asnjë koncension falje as lehtësim në dënimin e tyre …”

Ky asht kenë ideali jonë. Asht kenë i tanë klerit katolik, jo vetëm i këtyne treve.

Dhe jeni i lumtur sot që ky ideal triumfoi?

Shikjo: lufta s’ka mbarue sot, as ka me mbarue kurrë deri në fund të shekujve. Pse feja ban punën e vet, edhe bota ban punën e vet. Ti mos mendo që asht i vetmi armik komunizmi. Sot, në kapitalizëm kanë zot dollarin. Lufta nuk kryn, por ideali jonë asht nji ky.

At, ju falenderoj shumë për këtë intervistë dhe shpresoj që njeriu duhet të jetë i lumtur kur ideali i tij triumfon.

Sigurisht që jam i lumtur, por e di që ka prapë rrugë të gjatë.

Shënim: Kujto.al ka publikuar një variant të shkurtuar të intervistës. Intervista e zbardhur ndodhet e  plotë në faqen e Opinion dhe video në kanalin e programit në Youtube.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here