“Qofsh i falë…! Mundimet e mija shkofshin për hatër të Zotit”

0
1932
blank

Janë fjalët Gjon Mark Kolës në takimin e fundit me dy njerëzit që e kishin persekutuar për 50 vitet e diktaturës komuniste. Amaneti për fëmijët: tashti ne,  s’na ka kush borxh e as si kemi  borxh kujt…

“Qofsh i falë për çka ka kalue. Mundimet e mija shkofshin për hatër të Zotit … Shkoj i qetë n’at dynja pa lanë mrapa asnji peng..”, ishin këto fjalët që shqiptoi mes mundimesh Gjon Mark Kola, në dekikat e fundit të jetës. Ia drejtonte dy burrave të fshatit të tij në Ndërshenë të Oroshit të Mirditës. Kishte bashkëjetuar me ta mes shumë telasheve, vuajtjeve dhe mundimeve për 50 vitet e diktaturës. Atë ditë maji të vitit 2003, dy burrat tashmë të moshuar, dolën prej odës së Gjonit me lot në sy. Kishin qënë drejtues të Partisë por qëllonte të ishin edhe njerëz të afërm të Gjonit. E kishin lënduar shumë herë gjatë jetës së tij. E kishin përbuzur, sharë, sulmuar, spiunuar e kishin quajtur “Armik të popullit”. Por Gjoni i mbijetoi të gjitha stuhive që i erdhën në jëtë, nga kushërinjtë e tij, nga bashkëfshatarët, Sigurimi i Shtetit e nga organet e Pushtetit Popullor. Mbijetoi për të mbërritur në një moment si ky, kur ishte i lirë, se koha e diktaturës kishte përfunduar e kushërinjtë e tij prej vitesh ndjenin peshën e fajit ndaj njeriut të tyre.  Gjoni nuk deshi ta merrte me vete në varr por vendosi të çlirohet vetë e të çlirojë të tjerët, nga një peshë që nuk i takonte as atij as do të duhej të ishte peshë për autorët e atij faji.  Kështu vendosi t’i thërrasë në fundin e jetës së tij dhe t’iu thotë se i kishte falur për të gjitha mundimet, për sulmet në gjyqin e fshatit, akuzat e pavërteta… përbuzjen që kishte ndjerë bashkë me fëmijët e tij… edhe kohën e tmerrshme të burgut.
***

“I rrethuar me armiq”

Ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë, në shumë raste, që një familje, të ishte familje dëshmori dhe një tjetër, familja e armikut të popullit. Në Mirdite e ndeshim më shpesh këtë fenomen. Ka ndodhur sepse  e gjithë Mirdita u sulmua egërsisht nga regjimi komunist pasi u vra Bardhok Biba, heroi simbol i komunistëve në këtë krahinë. Gjon Mark Kola ishte i afërm i Bardhok Bibës, siç quhet në Mirditë, ishin kushërinj oxhaku, që do të thotë se familja e Bardhok Bibës rridhte nga i njëjti oxhak me Gjonin. Por pas vrasjes së Bardhok Bibës, i ati i Gjonit,  Mark Preng Kola do të ishte nji nga të akuzuarit dhe për këtë arsye ishte dënuar me burg, ndërsa familja e tij do të internohej në kampin e Tepelenës. Në atë kohë, në vitin 1949, Gjoni, i biri i Markut ishte vetëm 5 vjeç. Pas dy vitesh, Mark Preng Kola ndërroi jetë në burg.  Në këtë kohë, në vitin 1951 Gjoni bashkë me të ëmën dhe të vëllanë u kthyen në Mirditë në fshatin e tyre. Nisën jetën mes mundimesh dhe vuajtjesh, të sulmuar, të përbuzur e të etiketuar si “Armiq të Popullit”. Gjoni do të rritej në këtë ambjent të egër, por i bindur se kurrë nuk duhet të fliste kundër pushtetit popullor e kundër askujt sepse burgu ishte më i mundshëm për të, se për seicilin banor tjetër të fshatit. Sepse ai ishte biri i armikut dhe ishte i paragjykuar.

I biri i Gjon Mark Kolës, Antoni, e ka treguar ditën e gjyqit popullor në fshat.

“ Babës tim i bënë një gjyq në fshat. E kryesonte një Gjyqtar nga rrethi. Po përpiqeshin ta akuzonin për agjitacion e  propagandë, por nuk mundën sepse im atë ishte i betuar të mos hapte gojë kurrë dhe me askënd për politike a gjithçka që asokohe quhej propagandë. E meqënëse dështuan ta dënojnë për politikë e akuzuan për një akuzë tjetër që lidhej me marrëdhëniet me komshiun tonë që e kishim kushëri. Djali i xhaxhait të tij, që ishte bir dëshmori, e akuzoi se Gjoni i kishte prishë murin. Fjala  e tij u mor për bazë kryesisht në shprehjen: “unë jetoj mes armiqsh”. E kishte fjalën për familjen tonë.  Në fakt ishte afër djemve të xhaxhait, që e kishin rritur, e kishin martuar e ndihmuar për të ndërtuar shtëpinë. Me këto fjalë babai im u dënua me dy vite burg në Burrel.

Nëna ime Prenë Mark Kola e dinte se babai ishte i pafajshëm dhe u përpoq duke i shkruar letër Qeverisë në Tiranë, e për të kërkuar pafajësi. Përgjigja ishte shumë e hidhur. Erdhën ata të Sigurimit dhe i bënë presion nënës dhe xhaxhallarve tanë që mos të provojnë më ti shkruajnë Shtetit. Në këtë kohë babën e transferuan nga Burreli në Bulqizë  tek miniera  ku edhe e kreu dënimin dyvjeçar.

blank
Prenë Kola, bashkëshortja e Gjon Kolës

Nëna më ka treguar se kur  po e merrnin babën nga shkolla ku u krye gjyqi,  drejt një makine,  krejt fshatarët që kishin armë, ishin aty për të ruajtur  se mos arratisej. Nëna ime kishte marrë disa rroba me vete, që t'ia jepte e t'i kishte për tu ndërruar. Një fshatar me armë  nuk pranoi ta lejonte dhe i kishte thënë se:  nuk ka nevojë për rroba se i gjen krejt aty ku do shkojë. Ia mori thesin me rroba nanës prej dore e ia treti matanë.

Babai im njihej për puntor i dalluar, sidomos në miniere  edhe në burg edhe pas burgut, ku punoi në Kurbnesh. E meqë ishte Kulak nuk i dhanë kurrë as kategorinë  e punës që meritonte. Për këtë arsye nuk përfitoi as pension derisa ndërroi jetë. Megjithse punoi afro 20 vite në miniere.

…Kur vuajti dënimin në burg në Burrel, në atë kohë i qëlloi për disa muaj të ishte në një qeli me gjeneralin Gjin Markun.  E ka përmënd vazhdimisht babai jonë se gjenerali e kishte ndihmuar shumë me këshilla. Ndër të tjera e kishte këshilluar që kur të dilte nga burgu të mos përfshihej në sherre se kjo do t'i sillte të tjera vite burgu. Ndaj në fund të jetës së tij babai im i thirri të gjithë ata që i kishin bërë  keq dhe i fali duke e mbyll kapitullin e vet me dinjitet”,  rrëfen Anton Kola, i biri i Gjon Mark Kolës, i dënuar gjatë diktaturës komuniste.

blank
Anton Kola, pranë varrit të nënës Prenë Kola dhe të atit Gjon Kola

Amaneti

Kur Gjoni kishte përfunduar bisedën me dy personat që i kishte falur, kish thirrë në odë fëmijët e tij dhe iu kishte lënë një porosi:  Tashti ne,  s’na ka kush  borxh e as si kemi  borxh kujt…veç amanet mos i bini kujt në qafë e mos duroni t'ju bijnë në  qafë….

Më 5 maj 2003, Gjon Mark Kola ndërroi jetë duke lënë pas respektin e miqve dhe armiqve të tij. Shkoi i qetë nga kjo botë duke i lënë fëmijëve të tij, amanetin e rëndësishëm, iu la si pasuri të madhe kujtimin e një njeriu fisnik që kurrë nuk u dorëzua por i mbijetoi së keqes dhe në fund fali gjithkënd që i pati borxh.

Historia e Gjon Mark Kolës, është ndër ato raste kur fisnikëria triumfon mbi hakmarrjen, mbi vuajtjen dhe mundimet e një jete, triumfon mbi të keqen./kujto.al

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here