Torturat ndaj një djali patrioti, njeriut që i mbijetoi varjes në shtyllë

0
1935
blank

E dënuan kur ishte vetëm 19 vjeç. I mbeti i pambaruar gjimnazi dhe blloku i ditarit që ia sekuestruan gjatë kontrollit në shtëpi, natën kur arrestuan të atin, patriotin, politikanin e diplomatin e njohur, Kristo Kirka. Nga ai çast, në vend të ngjarjeve e mendimeve në ditar, do t’i nguliteshin në tru, kujtime torturash që Niko Kirka i provoi mbi trup gjatë viteve të dënimit në burgje e kampe pune. Më barbarja e të gjithave, ishte lidhja pas një shtylle për tri ditë e net me radhë ndërsa koka i rëndonte nga goditjet dhe teli i priste kyçet e enjtura. E me të drejtë, disa herë do i ndodhte që, kur e shihnin pas asaj ngjarjeje, e pyesnin të mrekulluar: Niko ti je? Qenke gjallë?!

 

Në familjen e Kristo Kirkës, në vitin 1946, ndodhën dy arrestime brenda një kohe shumë të shkurtër. Në maj, u arrestua babai, Kristoja, 63 vjeç dhe pas një muaji e gjysmë, Nikoja, 19.

Mungesa e informacionit për njëri-tjetrin, ishte një nga vuajtjet më të mëdha të periudhës së dënimit, si për ata që ishin brenda dhe për ata që ishin jashtë. Aq më shumë nëse të dy palët ishin brenda. Letrat ishin e vetmja formë komunikimi dhe kur Niko Kirka, që ndodhej në kampin e Vloçishtit, dëgjoi se të dënuarit e Tiranës do ktheheshin në Tiranë, vendosi t’i shkruajë të atit një letër dhe t’ia dërgonte me ndonjë prej tyre.

Në prill të vitit 1946, Nikon e kishin përjashtuar përgjithmonë nga gjimnazi për “qëndrimet kundër frymës së re”, të shprehura me votën në kutinë e zezë dhe me kundërshtimet në mbledhjet e grupeve rinore të Korçës. Më pas, kur këto veprime dhe qëndrime i panë në ditarin që i gjetën në shtëpi, natën kur morën të atin, vendosën edhe arrestimin e tij. “Më 12 maj erdhën arrestuan babanë. Kanë ardhur natën. Ka qenë Enriko Bimbli, i Sigurimit. Më gjetën ditarin që mbaja si i ri. Atë e morën me vete… Më 29 qershor, duke ecur me shokët në bulevard me biçikletën me vete, vjen po Enriko Bimbli më thotë: Hajde me mua”, ka treguar Nikoja në një intervistë për programin “Histori me zhurmues” të TvKlan. Më 1 tetor u dënua me 8 vite burg sepse, “me forma të ndryshme kishte dashur të përmbyste pushtetin popullor”.

Pas vendimit, e kthyen sërish në burgun e Korçës, deri në prill të vitit 1948, kur, me një grup të dënuarish, u nisën për në Vloçisht, ku punohej për tharjen e kënetës së Maliqit dhe atij, si shumë të tjerëve, i duhej të mbante trarë në kurriz, i zhytur në ujë, nga mëngjesi në mbrëmje. Shumë e vështirë që në kushte të tilla, t’i jepte zemër të atit, por Nikoja i gjeti ca fjalë që ndoshta mund t’ia lehtësonin brengën babait.

blank
Kristo Kirka, i ri

Kristo Kirka, anëtari i çetës së Themistokli Gërmenjit, drejtuesi i organizatës "Besa-Besë" dhe i federatës "Vatra" në ShBA, bashkëpunëtori i Fan Nolit, konsull i Shqipërisë në New York, drejtues në disa prefektura e bashki të vendit para Luftës dhe para Çlirimit, ishte dënuar me 20 vite burg nga regjimi komunist. Patriotit të njohur i kishte mbetur peng që djalit të tij i ishte hequr mundësia e shkollimit dhe Nikoja, siç ka treguar në intervistën e vitit 2009, në programin “Histori me zhurmues”,  i shkruajti: “Mos u mërzit. Për atë që kishe merak ti se mbeta pa shkollë, unë po përfitoj në biseda të ndryshme me njerëz këtu...” , etj.etj.

Varja në shtyllë

Mirëpo, shoku i tij, me të cilin ndante bukën, e spiunoi. Ia gjetën letrën dhe drejtori i kampit Tasi Marko dha urdhër ta rrihnin. Shpesh, si edhe në këtë rast, këto vendime i ekzekutonin të dënuarit ordinerë, nën grushtet dhe shkelmat e të cilëve, Nikoja u rrëzua përtokë. Pastaj e morën dhe e varën në një shtyllë në mes të kampit.  “Më lidhën për shtylle, me tel, në këmbë, në duar, në gjoks dhe më lanë tri ditë, nga e premtja në të hënë. Një nga ata ordinerët mori një opingë, nga ato me gomë makine dhe më binte fytyrës. Arriti një moment që e ndieja kokën shumë të nxehtë, nga syri i majtë nuk shikoja fare dhe vjen Tasi Marko më thotë: “Hë mo, e shikon si je bërë? Sillni një pasqyrë” dhe më vuri pasqyrën. As nëna ime, as unë vetë nuk do e njihja veten, por më e tmerrshmja ishte që duart enjteshin, dhe të shtrëngonin telat. Kur më zgjidhën, bëra tre hapa dhe rashë… Kur erdha në vete, më tha Josif Papamihali: Ti je? Po ti qenke Krishti i ringjallur!”

Tasi Marko e njihte Nikon që nga burgu i Korçës. Ai ishte drejtor atje, kur Nikon e sollën për herë të parë, pas arrestimit. Ca kohë, gjatë paraburgimit, madje e mbylli në një dhomë me dy të dënuar me vdekje, për krime ordinere dhe Nikoja kujtonte që kur kishte ardhur gjykatësi te këta të dënuar, i kishte thënë drejtorit: “Ore Tasi, çfarë bën kështu? E ke futur këtë djalë të ri me këta kriminelë!” dhe Tasi i ishte përgjigjur: “Nuk e dini ju ç’kriminel është ky!”.

Tasi Markos, nga urdhrat për rrahje të të cilit disa të dënuar kishin humbur jetën ndonjëherë duke u varrosur të gjallë në baltën e Vloçishtit, i jepte kënaqësi jo vetëm torturimi, por edhe poshtërimi i të burgosurve politikë. Një i dënuar i asaj kohe, në Vloçisht, Skënder Stefanllari, ka treguar se Tasi nuk u mjaftua që e lidhi Nikon me tel në shtyllë, por u kërkoi shokëve të tij ta pështynin. Dhe të dënuarit e bënë, në një paradë poshtëruese, më shumë për ata vetë, sesa atë që po pështynin. “E lidhën Nikon atje dhe na detyruan ne të shkonim të gjithë edhe ta pështynim. Të tërë, asnjë nuk hezitoi dot. Që të mos e bëje atë punë, e dije ç’të priste”, ka dëshmuar ai për familjen Doko, në një intervistë që është pjesë e kujto.al.

Ishte një mrekulli, që, i lidhur me tel, me gjakun që i rridhte nga plagët, i varur për tri ditë e net, Nikoja mbeti gjallë. “Në vitin 1953, në kampin e Kafarajt, më thërrasin e më çojnë në degën e Fierit, pastaj nga aty në burgun e Vlorës. Takova disa që i njihja. Kur thotë një: “Kush është ky?”- Niko Kirka. –“Ore ka qenë një atje në Vloçisht, me këtë mbiemër, ai sigurisht që ka vdekur, por ky e ka gjë atë”? -Po ky është vetë,-i thanë. “Si vetë?” Më thirrën mua. “Niko, ti je, ai i Vloçishtit?”-Po”. Nikoja ka treguar se  plakut të gjorë i ranë lot duke lavdëruar Zotin për këtë mrekulli.

Biruca me ujë, pagjumësia, kamxhiku i lëkurës

Varja në shtyllë ishte sigurisht sprova më e vështirë gjatë atyre tetë viteve burg, por jo e vetmja. Ai ka kujtuar edhe torturat dhe rrahjet në burgun e Korçës. Prokurori ushtarak i divizionit të rrethit, Aranit Çela kishte shkuar në burgun e Korçës, në vitin 1947 dhe kishte nisur ta provokonte me fjalë Nikon për qëndrimet politike. I riu nuk ia kishte kursyer përgjigjen dhe prokurori, duke dalë, kishte urdhëruar torturimin e tij. E kishin mbyllur bashkë me dy shokë në një birucë që shërbente si banjë për t’u larë. E kishin bllokuar vrimën kulluese me një leckë, e kishin mbushur me ujë dhe i kishin futur aty.  “Kaluan 48 orë. Këmbët na u enjtën. Pagjumësia ishte tortura më e madhe. Mbas 48 orësh vendosëm ta hiqnim atë leckën që të shtriheshim pak dhe e lamë që do themi që u hoq vetë. I thamë policit dhe filluan të na thërrasin me radhë. Morën të parin, të dytin, të tretin mua. Atje ishin katër policë dhe një kapter. Ai më pyeti: Kush e hapi? -Vetë u hap, duke ecur, e kemi hequr me këmbë…Morën e një kamxhik, 2 m të gjatë, të mbështjellë me lëkurë dhe filluan te këmbët. Këmbët ishin të enjtura. Unë mendova: Unë do u tregoj këtyre që jam superior. Shtrëngova gjuhën dhe ndenja. Filloi i pari, u lodh ai, i dyti, i treti, i katërti... U bënë telef. Kapterit iu ngritën flokët përpjetë. Më tha kapteri: O qen, po je njeri apo çelik? Si nuk bëre një herë “o”. Edhe filloi ai. Ai ishte ultra i shpejtë pastaj. Kur binte kamxhiku, dy herë në të njëjtin vend, merrte lëkurën me vete. Djegia qe përcëllonjëse. Nuk durova dot. Pastaj tha: "Merreni, futeni në birucë, shtrijeni atje në ujë!". Më shtrinë mua në ujë. Edhe na mbajtën 3 muaj me bukë thatë”.

Uria

Ishte radha e torturës së urisë. Një 20-vjeçari i duhej të jetonte me bukë thatë për javë të tëra. Edhe nga kjo lloj torture Niko Kirka kujton një episod domethënës. “Një nga ata të burgosurit, i shkreti, më hodhi fshehurazi një copë djathë. Më ra në tokë, e pastrova edhe thashë: “të ha bukë e djathë pas kaq kohësh”. Por ai kishte qenë në një napë prej leshi dhe i kishin hyrë aq shumë qime sa nuk i dilnin. Thashë “po e hedh”, por pastaj mendova: “si ta hedh?” dhe e lashë për natën, kur nuk shihja gjë. Edhe ha bukën, ha djathin.

…..

Niko Kirka shëtiti në disa kampe e burgje. Zhvendosja e fundit ishte në dhjetor të vitit 1953 drejt burgut të Shkodrës, ku edhe u lirua pas gjashtë muajsh, ndërsa ishin plotësuar tetë vitet e dënimit. Arriti ta shihte pak herë të atin, që e kishin çuar në Burrel, ku kaloi 9 vite derisa u nda nga jeta, në moshën 72-vjeçare. “As sot nuk e dimë ku është varri”, ka thënë Niko Kirka në intervistën e tij.

Kristo Kirka është një nga shumë personalitetet e Shqipërisë që patën këtë fund në diktaturë, ndërsa Nikoja është nga ata pak, që i mbijetoi varjes në shtyllë dhe u shua në shtratin e tij, në moshën 91 vjeç, më 2 dhjetor të 2018-ës, në SHBA, aty ku edhe ishte lindur. Shkroi, debatoi dhe u qëndroi deri në fund ideve të tij nacionaliste dhe antikomuniste, i pakompromistë, i drejtpërdrejtë, i pathyeshëm, si thonë për të njerëzit që e kanë njohur nga afër e që i kanë kushtuar shkrime plot respekt. Nuk u pajtua kurrë me qëndrimin e vakët të qeverive postkomuniste ndaj ish-të dënuarve politikë dhe as me faktin që askush nga persekutorët nuk u pendua. “Dhe nuk shoh asnjë shenjë pendimi, madje më shumë na urrejnë ata ne, sesa ne ata dhe kjo ndoshta rrjedh nga kompleksi i fajit se duhet ta ndiejnë këtë, që shkatërruan një popull të tërë. Rrjedhimet e atij regjimi vazhdojnë edhe sot e kësaj dite”. Më shumë sesa dhjetë vjet nga ajo intervistë, jemi në të njëjtën ditë.

Dhe njerëzit që e denoncojnë këtë, si Niko Kirka, janë gjithmonë e më pak…

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.