TË ZHDUKURIT, PAKTI PËR TË MOS I GJETUR

0
846
blank

“Të vdekurit nuk mund të klithin për drejtësi, është detyrë e të gjallëve ta bëjnë për ta”, Lois McMaster Bujold.

Nga Luljeta Progni

Fshehja e krimeve të komunizmit, është një histori që na bën me turp para Bashkimit Evropian, na bën me turp para të gjitha vendeve të lindjes komuniste. Na bën me turp para fëmijëve tanë që nuk mundëm e mesa duket nuk po të mundemi t’iu tregojmë atë pjesë të errët të historisë sonë. Janë 6 mijë njerëz të zhdukur që ndërruan jetë nën torturë ose të ekzekutuar, në kampe internimi apo qeli burgjesh të diktaturës. Nuk janë thjesht numra, por makthi, njolla e zezë e së shkuarës që duket se do të na ndjekë edhe në të ardhmen. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet, të nxisë vullnetin pasiv politik, që tenton të shpalosë imazhin e një shteti demokratik, kur themelet janë të gjakosura.

Mark Shllaku ishtë një mësues në Shkodër në vitet 1940-1949. Ai iu bashkua intelektualëve shkodranë të angazhuar në Partinë Socialdemokrate të Musine Kokalarit. Faji i vetëm i tij dhe i grupit ku bënte pjesë, ishte kërkesa për respektimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Por si shumë të tjerë, ai u cilësua armik i popullit dhe u dënua me pushkatim.

E bija, Luli, ishte në atë kohë vetëm tetë vjeçe. Do të shoqëronte të ëmën, Angjen, në takimin e fundit me babain. Nuk e harroi kurrë atë ditë, as bisedën e porositë e fundit të babait para ekzekutimit. Ishte fjala për disa letra të fshehura në sendet e tij personale, të cilat do t'i ktheheshin familjes pas pushkatimit. I kish shkruar amanetet e fundit në letrat e paketave të cigares që pinte pandalur deri në minutat e fundit para ekzekutimit, më 31 tetor të vitit 1949.

blankI lexoi mijëra herë amanetet e të atit, lënë në ditët e fundit të jetës.

Menjëherë sa mori letrat në dorë, nëna e Julit, Angjia, nisi kërkimet për trupin e bashkëshortit të pushkatuar, në përpjekje për të çuar në vend amanetin e shkruar në këto letra.

Kalvari i vuajtjeve nuk kishte përfunduar sepse Angjia dhe fëmijët e saj do të përballeshin me grabitjen e pasurisë dhe persekutimin e vazhdueshëm në diktaturë.

Juli bashkë me nënën dhe motrën më të vogël, vazhduan jetën e vështirë si familje e “armikut të popullit”. Pavarësisht vuajtjeve dhe mundimeve nuk i harruan amanetet, sidomos njërin prej tyre që do të mbetej brenga e përjetshme e Julit.

Juli jetoi 73 vjet me shpresë se një ditë do ta gjente trupin e zhdukur të të atit… Askush nuk iu përgjigj pyetjeve të saj të përsëritura: Ku është fshehur trupi i tim eti, të ekzekutuar padrejtësisht nga diktatura? …Cilat janë arsyet që kanë penguar institucionet shqiptare që ta kërkojnë varrin e të tij e të rreth 6 mijë personave të zhdukur gjatë ditaturës? Për cilat arsye është mbajtur peng, e pas 30 vitesh nuk ka nisur kërkimi për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste?

Juli Dukagjini u nda nga jeta në gusht të këtij viti në moshën 81-vjeçare. U largua me brengën e madhe për babain e zhdukur, u largua pa marrë asnjë përgjigje.

Si Mark Shllaku, janë rreth 6 mijë persona të zhdukur gjatë diktaturës komuniste: të ekzekutuar, të vdekur në hetuesi e në qelitë e burgjeve komuniste, apo të vdekur nëpër kampet e internimit.

Prokuroria është një ndër institucionet që do të duhet të kishte një përgjigje për këto pyetje. Dhe në fakt përgjigjja e vetme e prokurorisë për Juli Dukagjinin e rreth 6 mijë raste të tjera të zhdukjes me forcë gjatë diktaturës,  është kjo:

“Këta persona janë marrë nga organet e ndjekjes penale, janë gjykuar nga gjykatat e dënuar me ligjet e kohës,”- është deklarata e prokurorit Sokol Stojani, drejtor për Bashkëpunimin Institucional pranë Prokurorisë së Përgjithshme, dhënë gazetarit të BIRN Gjergj Erebara.

I referohemi artikullit të BIRN sepse Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar kërkesën e përsëritur të Vetting për rolin e munguar në procesin e gjetjes së të zhdukurve gjatë diktaturës.

blank

Pyetur nga BIRN se pse prokurorët nuk hetojnë çështjet e zhdukjes me forcë gjatë diktaturës, Stojani iu referua Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2008.

“Zhdukja me forcë në kuptim të konventës dhe Kodit Penal ka kuptimin e marrjes me forcë nga autoritetet shtetërore dhe mohohet  fakti i vendndodhjes se tyre. Pra, ka kuptim te ndryshëm nga mostregimi i varrit ku prehet personi i dënuar me vdekje apo i vdekur gjatë fazës së vuajtjes së dënimit. Identifikimi i vendndodhjes dhe procedurat e gjetjes së eshtrave, në kuptim të marrëveshjes me ICPM dhe ligjeve tona, janë hetime administrative,” tha Stojani për Birn.

Prokurori mohon kështu çdo rol në procesin e kërkimit të të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës. Por qëndrimi i Prokurorisë lidhur me personat e zhdukur me forcë duket se nuk qëndron sepse regjimi komunist nuk ka respektuar as ligjet e veta në procesin e vrasjes dhe zhdukjes me forcë të shtetasve shqiptarë.

Megjithatë, prokurori Stojani këmbëngul duke përjashtuar rolin e Prokurorisë pasi sipas tij, çështja e të zhdukurve është administrative dhe jo penale. Edhe në rastet kur një çështje e kësaj natyre mund të klasifikohet administrative, ministri i Drejtësisë, sqaron se Prokuroria ka një rol për të luajtur.

Shqipëria ka një bazë ligjore për personat e zhdukur, ku ka miratuar disa konventa ndërkombëtare dhe njeh vendimet e gjykatës ndërkombëtare. Por në 30 vite, procesi i zhvarrimeve nuk ka nisur për shkak se institucionet kanë refuzuar zbatimin e ligjit.

Për të shpejtuar këtë proces, Autoriteti për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka tentuar që të bëjë një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Përfaqësuesi i Autoritetit na tregon arsyet pse Prokuroria refuzon ta nënshkruajë këtë marrëveshje.

Ndërsa ministri i Drejtësisë paralajmëron miratimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave që do të detyrojë të gjtiha institucionet që kanë detyrimin të kryejnë rolin e tyre për të nisur sa më shpejt kërkimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë diktaturës.

Një ndër palët në këtë proces është edhe Ministria e Brendshme. Pyetjes së Vetting për rolin e këtij institucioni në procesin e kërkimit të të zhdukurve gjatë diktaturës, Ministria e Brendshm i përgjigjet si më poshtë:

“Ministria e Brendshme koordinon bashkepunimim midis paleve per arritjen e qellimit te marreveshjes perfshi edhe strukturat e Policise se Shtetit dhe pushtin vendor qe jane ne fushen e saj te pergjegjesise. Me krijimin e Autoritetit per Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit te Shtetit procesi i mbledhjes se te dhenave te domosdoshme po vijon sikurse edhe plotesimi e perditesimi i legjislacionit. Nderkohe prokuroria e qarkut Fier ka marre vendimin per te filluar punen ne nje nga pikat e identifikuara si e mundshme per rikuperimin e trupave te personave te zhdukur ne te kaluaren komuniste”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

blank

Ministria e Brendshme lajmëron kështu se Prokuroria e Fierit ka dhënë dakordësinë që të nisin zhvarrimet në Patos, aty ku dyshohet se janë varrosur disa të burgosur që ndërruan jetë gjatë kohës kur ishin të burgosur në kampin e punës për ndërtimin e uzinës së Ballshit. Për aktorët, kjo është një mundësi shumë e mirë që të krijohet precedenti për të vazhduar më pas në të gjithë vendet ku dyshohet se ndodhen varret e personave të zhdukur.

Por rasti i Fierit mbetet i veçuar për sa kohë që disa prokurori në rrethe, pavarësisht kallzimeve të familjarëvë të të zhdukurve, kanë mbyllur hetimet me argumentin e krimit të parashkruar. Përfaqësuesi i Autoritetit të Dosjeve sqaron pse argumenti i Prokurorisë kur refuzon rolin e saj në këtë çështje është i gabuar.

Ministri i Drejtësisë na njeh me një çështje që ka mbërritur në zyrën e tij. Një qytetare që ka nisur proces hetimor për zhdukjen e të atit gjatë diktaturës komuniste. Është ndër ato raste që e shpjegon ekzaktësisht refuzimin e  Prokurorisë për të kryer rolin ligjor për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës.

Vitet kaluan dhe ja ku jemi pas 30 vitesh kur shumica e xhelatëve të diktaturës kanë vdekur. Ata jetuan këto vite të pluralizmit pa asnjë shqetësim për krimet që kishin kryer e as u detyruan prej ndonjë institucioni të tregojnë vendin ku groposën viktimat. E megjithatë, ministri i Drejtësisë beson se nuk është vonë sepse ka ende prova.

Ndërkohë që institucionet shqiptare përballen me njëra-tjetrën në zvarrijtjen 30-vjeçare për gjetjen e të zhdukurve, në Kosovë ka avancuar procesi i gjetjes së të zhdukurve gjatë genocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në muajin maj të këtij viti, në fshatin Kizhevak nisi zhvarrimi në kërkim të trupave të të vrarëve gjatë genocidit serb. Procesi ka ecur me ritme të pakrahasueshme me Shqipërinë. Pala serbe është  detyruar t'i përgjigjet Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur si dhe institucioneve të Kosovës dhe nuk ka mundur të bëhet pengesë për kërkimin dhe gjetjen e eshtrave të të zhukurve gjatë genocidit.

Prokurori serb është i detyruar të kryejë rolin e tij institucional për të lejuar zhvarrimet e aktualisht procesi në Kosovë po ecën normalisht. Gjatë genocidit serb në Kosovë, u zhukën rreth 6,500 shqiptarë të Kosovës. Gjatë procesit të gjetjes së të zhdukurve janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi. Deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve e sipas autoriteteve të Kosovës vazhdojnë të jenë ende të pagjetur trupat e pajetë të 1,600 të zhdukurve të tjerë.
Në Shqipëri ka varre të ushtarëve grekë, francezë, anglezë etj., por janë ende pa varre 6 mijë viktima të diktaturës komuniste.

blank

Prokurori në Shqipëri fshihet pas interpretimeve banale të ligjeve të diktaturës kur thotë se: ” u vranë sipas ligjeve të kohës” dhe kështu i largohet detyrimit për t’i gjetur, pa marrë parasysh në asnjë rast se është fjala për krime kundër njerëzimit. Është fjala për krime të shtetit shqiptar mbi qytetarët e tij. Megjithëse prokuroria insiston në rolin e saj bllokues për këtë proces, ligjet ndërkombëtare prevalojnë mbi ato shqiptare dhe Prokuroria do të duhej të ishte detyruar të kryente detyrën e saj në procesin e kërkimit të të zhdukurve gjatë diktaturës.

E pavarësisht kësaj, Prokuroria guxon ende të refuzojë, të pengojë e madje të ndalojë procesin e gjetjes së të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës komuniste.

Le t'i referohemi arsyetimit të Prokurorisë sipas të cilit: këta të zhdukur “u ndëshkuan sipas ligjeve të kohës”, atëherë sipas cilit ligj të kohës është zhdukur Marta Kadeli? Ajo ishte një foshnje disamuajshe, e cila ndërroi jetë në Kampin e Tepelenës në vitin 1950, atje ku vuante dënimin me internim bashkë me të ëmën.

Marta u varros në kampin famëkeq, mirëpo trupi i saj nuk u gjet kurrë. Të njëjtin fat kanë pasur rreth 300 fëmijë të tjerë në atë kamp. Ai sistem i çoi drejt vdekjes, iu humbi varret ndërsa institucionet e 30 viteve pluralizëm po u mohojnë të drejtën e një banese të fundit.

Vallë, cilat ligje të kohës e justifikojnë zhdukjen e këtyre fëmijëve? Cili ligj i kësaj kohe e ndalon kërkimin për gjetjen e eshtrave të tyre? Prokuroria nuk ka një përgjigje për këtë.

Çdo përvjetor të ditëzhdukjes, familjarët shkojnë e hedhin ndonjë lule rreth rrënojave të Spaçit, Burgut të Burrelit, Zallit të Kirit, Kampit të Tepelenës, lumit të  Bënçës, në Kalanë e Gjirokastrës, përballë Uzinës së Ballshit, në kodrën e Panahorit, e në dhjetëra vende të tjera ku mendohet se prehen viktima të të pafajshmve të diktaturës komuniste. Shkojnë në këto vende me shpresën se të afërmit e tyre mund të prehen diku aty pranë…

blank

Ndërkohë Prokuroria refuzon të nisë procesin e kërkimit pa shpjegime të qarta për këtë refuzim. E askush nuk po argumenton mbi shkaqet që e mbajnë peng procesin e kërkimit të eshtrave të të zhdukurve.

Për sa kohë nuk ka një argument ligjor për refuzimin e kërkimit të të zhdukurve, atëherë le të marrim perceptimin e familjarëve të viktimave të diktaturës. Ata kanë tashmë të drejtë të besojnë se kërkimi i familjarëve të tyre të zhdukur me forcë nga regjimi komunist, pengohet nga ish-zyrtarë të sistemit diktatorial që janë ende në politikë e në sistemin e drejtësisë. Ata besojnë gjithashtu se bijtë, nipërit dhe mbesat e drejtuesve të regjimit komunist që drejtojnë Shqipërinë prej 30 vitesh, nuk janë të interesuar të kërkojnë e të zbulojnë krimin e etërve të tyre.

Edhe nëse nuk e marrim në konsideratë këtë perceptim të palës së dëmtuar, atëherë është minimalisht neglizhencë e të gjitha institucioneve, partive politike dhe të gjithë faktorëve të shoqërisë shqiptare për rreth 6 mijë persona të zhdukur me forcë gjatë diktaturës komuniste.

Për 30 vite të tranzicionit, shoqëria shqiptare dhe institucionet nuk morën asnjë hap për t'u përballur me të shkuarën komuniste. Deputetja Mesila Doda mendon se është koha për të krijuar një moment të ri politik, për t’u shkëputur nga e kaluara.

Por çfarë e pengon politikën dhe institucionet për të ndërmarrë hapat e duhur drejt dekomunistizimit…

Këtë tetor, Komisioni Evropian publikoi progresraportin për Shqipërinë. Një ndër kritikat e Brukselit për Shqipërinë ishte edhe çështja e të zhdukurve gjatë diktaturës.

“Gjatë periudhës së raportuar, zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” në rastet e personave të humbur gjatë kohës së komunizmit. Zgjidhja e rasteve ka mbetur në nivele të ulëta, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve. Nevojitet vullnet politik për të vendosur një mekanizëm efikas bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për këtë çështje”. 

Fshehja e krimeve të komunizmit, është një histori që na bën me turp para Bashkimit Evropian, na bën me turp para të gjitha vendeve të lindjes komuniste. Na bën me turp para fëmijëve tanë që nuk mundëm e mesa duket nuk do të mundemi t’iu tregojmë atë pjesë të errët të historisë sonë. Krimi i shtetit mbi qytetarët e tij në diktaturë, nuk gjen shpagim as në drejtësinë e këtij sistemi.

Janë 6 mijë njerëz që ndërruan jetë nën torturë ose të ekzekutuar, në kampe internimi apo qeli burgjesh të diktaturës. Nuk janë thjesht numra, por makthi, njolla e zezë e së shkuarës që duket se do të na ndjekë edhe në të ardhmen. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet, të nxisë vullnetin pasiv politik, që tenton të shpalosë imazhin e një shteti demokratik, kur themelet e saj janë të gjakosura. Krimet e së kaluarës, nuk mund të hidhen në lumë e të groposen siç u bë me dhjetëra trupa shqiptarësh të pafajshëm, sepse pa zgjidhur problemet me të shkuarën, nuk ka asnjë mundësi që Shqipëria, shoqëria shqiptare të ndërtojë shtetin e së drejtës.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here