Kur nënë Luçija pa Dom Lazër Shantonë me këmbë të sharruara në hetuesi...

0
634
blank

Siç shkruan Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, "...kur Luçije Shantoja (1972-1948) vizitoi të birin, e gjeti atë në këtë gjendje: pas torturave, i kishin thyer duart dhe i kishin sharruar këmbët".

Në serinë e pafund të torturave makabre e varsjeve të komunistëve në Shqipëri, duhet veçuar pushkatimi pas torturave të tmerrshme i Dom lazër Shantosë dhe tronditjes së nënës së tij Luçije, kur e pa me duar të thyera e këmbë të sharruara, e më pas mori edhe ajmin e pushkatimit të tij.
I shpallur martir i Kishës katolike Dom lazër Shantoja ishte prift dioqezan, publicist, përkthyes i Gëtes, Shilerit dhe Leopardit, poet lirik, satirist dhe esperantisti i parë shqiptar. Ai ishte ndër priftërinjtë e parë të arrestuar e ekzekutuar nga komunistët sapo ata morën pushtetin dhe fundi i jetës së tij ishte me të vërtetë i tmerrshëm.

U lind më 7 korrik 1891. Studimet fillore dhe ata të mesme i kreu pranë Seminarit Papnor të Etërve Jezuitë në Shkodër e më tej vijoi për teologji në Austri ndërmjet vjeshtës të 1912 dhe verës të 1914. Eprorët e tij në seminarin e Insbrukut i shkruajtën në çertifikatë se ishte seminarist "shumë i talentuar".
Nisi të shkruante krijimet e para poetike në shqip, italisht, gjermanisht e esperanto, dhe filloi të përkthente. Më 1917 nisi shërbimin si famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll dhe Sheldî, ku madje hapi edhe shkollën e parë shqipe në atë vend. Më 1922 nisi punë si sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës.
Përkrahu shoqërinë "Bashkimi" dhe me rastin e varrimit të Avni Rustemit, qe ndër fjalimmbajtësit. Për arsye se ishte ndër mbështetësit, frymëzuesit dhe organizatorët e Lëvizjes e qershorit, me t'u kthyer në pushtet Ahmet Zogu me Triumfin e Legalitetit në dhjetor të 1924, u arrestua janarin e 1925. Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largua për në Jugosllavi. Me 2 tetor 1925 prej Beogradit, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit.
Më 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë, Austri. Këtu filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Shantoja doli prej atdheut dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne, më tej në La Motte te kantonit Vaud nga 1932, ku qëndroi për pesëmbëdhjetë vjet dhe përsosi frëngjishten.
Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, u kthye në gusht në Shqipëri. Po në atë vit u vendos bashkë me të ëmën në Tiranë. Më 1941 me Koliqin, Mustafa Krujën, P. Valentinin, Gurakuqin, Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht qeverinë Kruja, tek i cili shihte vazhdimin e mendimit politik të Gurakuqit. Në maj të 1943 merr pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politike.

Arrestimi, torturat dhe pushkatimi
I fshehur ndër malet e Sheldisë, u zbulua nga forcat e ndjekjes dhe u arrestua gjysmën e dytë të dhjetorit të 1944.
Akt-akuzën ia përpiloi prokurori Jonuz Mersini më 28/29 janar. Më 31 janar u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreun, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: "I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim."
Me 1 shkurt 1945, Enver Hoxha i shkruan Mehmet Shehut në Shkodër:

"Don Llazër Shantoja dhe Sulçe Begu duhet të dërgohen këtu stop, çashtje e tyre është lidhur me gjithë punën e trathëtis dhe çështjen e tyre kuptojm kështu dhe ashtu duhet ta kuptosh dhe ti.
Gjeneral Kolonel, Enver Hoxha"

Një ditë pas kësaj shkrese, me datën 2 shkurt 1945, Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e aprovon Dënimin me vdekje, ndërsa 9 ditë më pas edhe Enver hoxha hedh firmën poshtë një shkrese, ku shkruan:

"...Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Don Lazër Shantojas dhe Sulçe Beg Bushatit stop. na lajmeroni datën e ekzekutimit."
Siç shkruan Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, "...kur Luçije Shantoja (1972-1948) vizitoi të birin, e gjeti atë në këtë gjendje: pas torturave, i kishin thyer duart dhe i kishin sharruar këmbët".

Po ashtu një dëshmi për këtë skenë ka lënë edhe Imzot Zef Simoni: “E kanë marrë në hetuesi dhe nuk besoj se kanë torturuar tjetërkënd në Shqipëri, ashtu siç e kanë torturuar atë.... Qe meshtari i parë i pushkatuar pasi e torturuan tmerrësisht dhe barbarisht. Ndër të tjera, i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish i hodhën kripë, e përsëri, nën tortura, me hekura të nxehtë i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Trupin e tij të sakatur e çuan për pushkatim. Kur e pa në atë gjendje, me duar e këmbë që i vareshin pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të trupit, e ëma u tha rojeve: Ju lutem më jepni revolen ta vras..."

Vendimi me vdekje, pushkatim, për Dom Lazër Shantonë dhe Sulçe beg Bushatin u ekzekutua në Tiranë, me datën 5 mars 1945 diku në rrethinat e Tiranës. Pas ekzekutimit u thirr P. Viktor Volaj për t'i kryer shartet e vdekjes, duke qenë kështu edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit.
Pas vrasjes së djalit, nënës së tij, Luçijes, i konfiskuan gjithë pasurinë dhe bashkë me motrën, murgeshën Beti, e dëbuan nga Tirana.
"E dërguan në Shkodër, pa asnjë strehë. Disa miq ia dolën ta strehonin në azil, ku edhe vdiq. Në funeralin e saj s’guxoi kush të shkonte, veç familjes Shantoja", shkruan në librin e saj Fatbardha Saraçi, për fundin tragjik të kësaj nëne.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here