Tortura e morrit në filxhan

0
2996
blank

Dëshmia e Vashe Kolës/ Si vdiq nën tortura në hetuesinë e improvizuar në fshatin Derjan të Matit,  Shaqir Neli, duke i bërë presion të tregonte të arratisurit që kishin dalë në mal me në krye Bilal Kolën...

Kjo është dëshmia e Vashe Kolës, bashkëshortes së Bilal Kolës, i arratisur në vitin 1945, menjëherë pasi skuadrat e ndjekjes ishin futur në Mat për të eliminuar gjithë kundërshtarët e komunizmit.  Sapo partizanët e armatosur ishin futur në Macukull, kishin arrestuar Vashe Kolën, Shaqir Nelin dhe Xhemal Roshin. I kishin çuar në Derjan, në Shtabin Qendror të Operacionit, për t'i hetuar. Aty i kishin mbajtur  tre muaj nën hetim, duke përdorur mbi dajën e Bilalit, Shaqir Nelin, tortura të paimagjinueshme. Vashën e merrnin dhe e mbanin të pranishme gjatë gjithë seancave të torturave për ta mposhtur e dobësuar psikologjikisht që të tregonte. Këto janë kujtimet e saj, lënë familjes, për çfarë pa e përjetoi ato tre muaj të tmerrshëm.

"Nga Macukulli na çuan në Shtabin Qendror, të vendosur në shtëpitë e Sal Cenit. Shaqirin e futën në një dhomë dhe, veç duarve, i lidhën edhe këmbët, Xhemalin nuk e di ku e mbanin, kurse mua me fëmijën për gjiri më çuan në familjen e Bilal Xhetanit; ditën më merrnin dhe më mbanin ne dhomën ku torturonin Shaqirin. Xhemal Roshi u kthye në dëshmitarin që pohonte se unë i kisha dhënë para Shaqirit dhe ai bashkë me Xhemalin kishin shkuar në Tiranë për të blerë rrobat, të cilat Shaqiri ia kishte dërguar më pas Bilalit. I ishte kërkuar të tregonte ku strehohej Bilal Kola me çetën e tij. Deshmitari u kishte mbushur mendjen, se Shaqiri ishte njeri i besuar i Bilalit dhe ai i dinte vendstrehimet e tij. Ndaj, hetuesi, një oficer me gradë togeri, ia tha hapur: "Të kemi arrestuar të na tregosh ku strehohet krimineli Bilal Kola, meqenëse ti e di dhe ne jemi të bindur për këtë. Në tregofsh me të mirë, ke për të shpëtuar paq! Nëse nuk tregon, po ta them troç, do vdesësh në tortura!"

Pesëmbëdhjetë ditë, ky oficer u përpoq të bindte herë Shaqirin e herë mua me fjalë të mira e me premtime, pastaj, siç përsëriste herë pas here, e humbi durimin dhe nisi dhunën.

Caktuan një grup prej gjashtë partizanësh, katër burra e dy gra, nën urdhrin e hetuesit, toger Kopi Nikos. Partizanët burra do të torturonin Shaqirin, ndërsa dy partizanet femra do të merreshin me mua.

Rrahjet e Shaqirit bëheshin në praninë time. Kam parë gjëra të tmerrshme, gjëra që nuk i merr me mend njeriu. E rrihnin barbarisht, veç nuk i binin në pjesë të trupit ku mund të vdiste, por në vende që shkaktonin dhimbje të gjata e të forta. E shtrinin në dysheme, i lidhnin këmbët me litar dhe i binin me shkop, sa mundnin, në shputat e këmbëve; britma e Shaqirit çante kupën e qiellit! lu ënjtën këmbët si ta kishte pickuar gjarpri. Një javë e lanë pa mjekuar dhe, sapo qenë duke iu përmirësuar vetiu, mëngjesin e kreut të javës, ia behu Kopi Niko me partizanët e torturës. E zgjuan nga gjumi. Gjithë natën ishte përpëlitur nga dhimbjet e këmbëve, që s'kishin as dy orë pushuar dhe, ashtu i shtrirë në dysheme, mbi dërrasa pa shtrojë e mbulesë, i pat mbyllë sytë. I pa partizanët dhe bëri të ngrihej, por nuk mundi.

-Lidheni nga këmbët dhe vazhdoni programin! -urdhëroi hetues Kopi. E lidhën dhe filluan goditjet me shkopinj. Shaqiri bërtiste, e disa herë, dhe humbi ndjenjat.

- A nuk të vjen keq për mënyrën se si po të vdes daja i burrit?! Pse nuk tregon ta shpëtosh atë dhe, edhe ti të shkosh tek fëmijët? - m'u drejtua njëri nga partizanët.

- Ai nuk po vdes, po e vdisni ju! Ju, me torturat mizore, - iu përgjigja unë. Shaqirit iu nxinë këmbët, nga shputat në gjunjë, e iu bënë sterrë të zeza! Ai, as lëvizte, as çohej dot në këmbë. Në banjë e çonin me barelë! Torturat i kishin planifikuar sipas një programi me seanca, me mënyra të ndryshme dhe me hapësira midis seancave. I mësova më vonë këto, kur erdhen për herë të tretë dhe nuk e kishin shkopin në duar.

- Sot do të fillojmë seancën e parë të tortures së "morrit",- i tha hetues Kopi.

Kur nuk mori përgjigje, iu drejtua Shaqirit: - Pse nuk flet e nuk tregon ato që di! Ti e sheh, ne po bëjmë atë që ta thashë qysh ditën e parë: Ose trego, ose do të vdesesh me tortura! - Për hatër të Zotit më pushkato, se nuk kam ç'të them!

- Ai është Zoti yt, jo i imi!-u përgjigj Kopi. - Është i të gjithëve, - ia pat Shaqiri.

- Mbaje ti, se ne te dhjesim mu në Zot! - u nxeh hetues Kopi, ndërsa Shaqiri ktheu kokën nga muri, pa dashur të shihte me fytyrën e tij.

- Vazhdoni detyrën sipas programit! - urdhëroi grupin e torturave, hetues Kopi. E qethën me makinë, zero, ia rruan sheshin e kokës me brisk rroje dhe mbi të i vendosën një filxhan me disa morra brenda e kokën ia lidhën me një peshqir. Në momentin që morrat prekën sipërfaqen e rruar të kokë, Shaqiri fryu bulçitë, zgurdulloi sytë e u tjetërsua në nje bishë të tërbuar. Ndonëse, i lidhur e i mbërthyer nga katër burra, me një fuqi shpërthyese, flaku në dysheme dhe me vrullin e dashit në sulm, goditi murin me kokë me sa fuqi pati...

Si një trup i ngrirë e jetova këtë skenë përbindëshash, derisa pashë plasjen e currilave të gjakut nga koka e Shaqirit dhe plandosjen e tij në dysheme! Atëbotë, edhe unë kam humbur totalisht vetëdijen. Nuk e di pas sa orësh, foshnja rrekej të pinte në gjirin tim, tashmë të shterur, per të mos ardhur më kurrë! Nuk dija ç'kishte ndodhur me Shaqirin. Nuk më thirrën. Nuk erdhi as edhe ndonjëra nga dy partizanet, që me radhë, më shoqëronin nga shtëpia ku më kishin vendosur, në komandën e Shtabit të Operacionit. Ketu ku gjendesha, më kishin sjellë me barelë katër partizanë dhe ishin larguar pa fjalë. Në këtë shtëpi nuk hynte e dilte asnjë fshatar, ishte rreptësisht e kontrolluar, kështu që, s'kisha si të merrja ndonjë lajm. Heshtja ndaj meje, sipas planit dhe praktikimit deri ditën e torturës së çmendur, më bënte të dyshoja se Shaqiri kishte vdekur. Ndonëse, në hall të madh me fëmijë, se m'u pre gjiri e s'kisha me se ta ushqeja, përjetoja skenat e tmerrshme qe kisha parë mbi trupin e Shaqirit. Një ditë në mëngjes, nuk sollën ndërresë roje, as në drekë e as në darkë. Vazhdoi kështu tre ditë. Të katërtën, po vinin bashkë dy partizanet. Më morën në shoqërim deri te komanda e Shtabit. Unë ecja drejt dhomës ku kishin torturuar Shaqirin, por më ndalën dhe më drejtuan për në një dhomë tjetër. Njëra prej tyre trokiti. Mori përgjigjen "hyr", hapi derën dhe u futëm brenda. Një grup oficerësh hodhën vështrimin mbi mua. Njoha vetëm dy prej tyre: kapiten Medi Bilbilin dhe toger Kopi Nikon. Njëri na kishte arrestuar, tjetri hetuar, por më ngjanë njësoj. Të gjithë njësoj.

Ulu! - urdhëroi kapiteni, duke më treguar me dorë stolin pranë derës. Të ka marrë malli për Shaqirin? Ke shumë ditë pa e parë dhe, sigurisht, të ka marrë malli. Shaqiri u tregua malësor i besës, nuk e tregoi bazën e nipit të tij, Bilal Kolës. Na erdhi keq edhe neve për Shaqirin, e di përse? Se nuk arritëm t'i bëjmë të gjitha provat mbi të! U nxituam, e na la mangët edhe tri prova torturash. Por kemi ku t'i bëjmë edhe ato, se Bilal Kola ka shumë miq, dashamirës e përkrahës besnikë. Me radhë, një e nga një, sipas besueshmërisë, do të kenë fatin e Shaqirit! Kështu do të vazhdojë, deri sa ta asgjësojmë Bilal Kolën dhe gjithë reaksionin në veri, që është kundër partisë sonë. Kemi shumë të dhëna edhe për ty, të gjithë besnikët e Bilalit kanë lidhje me ty. Ti ke dhe paratë, florinjtë e tij dhe je baza kryesore e furnizimit. Por do të të degdisim nga sytë-këmbët, e jo që nuk do të mundesh me ndihmu më tët shoq, por as ke për ta parë me sy. Të shpëtoi foshnja që ke në gji këtë herë, se nuk do ta kaloje kaq butë.

Shoqërojeni për në familje, në Macukull! - urdhëroi i dy partizanet, pasi volli gjithë mllefin e urrejtjen, vetëm sepse viktima kishte vdekur pa mundur që të provonin gjithë egërsinë mbi të! Vdekjen e la të nënkuptuar. Nuk e kishte pëmendur në gjithë atë ligjëratë urrejtjeje fjalen "vdekje". Përse? Ka një domethënie të fshehtë, të trishtë, ogurzezë: fshehjen e kufomës! Lënien e njeriut pa varr! Kur të vije familja ta kërkojë, do t'i thuhet është në "x"vend. Pastaj në "y" vend. Derisa të mos kenë asnjë lekë për rrugë e asnjë fije shpresë se e gjejnë".

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here