Dru, pinca, kamzhik, litar i lagur, hekur i nxehtë…

0
1564
blank

Arrestoheshin pa bazë dhe pastaj torturoheshin derisa i arrestuari vdiste ose tregonte. Në birucat e hetuesisë, tortura ishte kthyer në vijë pune dhe përdorej  për lehtësi edhe atëherë kur i akuzuari mund të merrej në pyetje. Madje kuadrot e Sigurimit, ishin në garë kush rrihte më shumë ose kush shpikte ndonjë mënyrë të re torture, dhe pse atyre që përdoreshin nuk u mungonte makabriteti dhe egërsia

 

Sigurimi i Shtetit, në vitet e para të regjimit komunist, ishte një organ fuqiplotë arrestimesh, torturash dhe vrasjesh, i cili nuk respektonte asnjë ligj veç atij shtazarak “s’ka mëshirë për ata që s’tregojnë”. Ai kishte pushtet  të vëzhgonte edhe komunistët, por kjo ndryshoi pas arrestimit të Koçi Xoxes, kur anëtarët e Partisë dhe një varg funksionarësh fituan imunitet, ndërsa Sigurimi vazhdoi të ishte arma e terrorit ndaj “armiqve” dhe popullit. Në një përshkrim që Xhafer Sadiku i bën veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në vitet 1944-1948, në librin e tij “Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990”, financim i KAS Albania, vë në dukje arrestimet masive dhe të pabaza të kësaj periudhe, që në shumë raste përfundonin edhe me ekzekutime si dhe torturat që ishin kthyer në vijë pune. Autori është mbështetur në deklaratat e drejtuesve të Sigurimit të cilët u gjykuan së bashku me Koçi Xoxen, drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit, Vaskë Koleci dhe shefit të Seksionit të Dytë, i cili merrej me aktivitetin kundërshtar, Vango Mitrojorgji. Më poshtë po sjellim pjesë nga libri “Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990”, ku flitet për arrestimet e ndërmarra nga Sigurimi dhe torturat që kuadrot e tij aplikonin mbi të arrestuarit, në shumicën dërrmuese të rasteve, krejt të pafajshëm.

Arrestimet e pabaza

Sipas shefit të Seksionit të Dytë, arrestimet në përgjithësi bëheshin pa prova, më tepër çfarë dilte nga proceset e torturat. Ata dënoheshin për gjëra të pakonfirmuara dhe nga të dhënat e pa vërtetuara dhe të padokumentuara të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Në autokritikën e tij pasi u burgos, ish-shefi i seksionit të dytë të Sigurimit të shtetit theksonte se për një fjalë futeshin brenda dhe, “në këtë mënyrë u arrestuan me dhjetëra persona, pa asnjë material që s’dinim se ç’tju bënim dhe i përcillnim gjyqit me një fletë akuzë të thatë, fjalë boshe”. Në vitet 1946-1947 u bënë arrestime të shumta si në procesin e Sami Qeribashit, deputetëve, Tekniko-Intelektualëve, Ballit Kombëtar e të tjera. Këto arrestime, sipas ish Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit, Vaskë Kolecit, u bënë të rrëmbyera, pa material të vërtetuar. Kur doli çeshtja e deputetëve më 1947, me porosi të ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, u ngrit një komision në krye të cilit ishte Drejtori i Sigurimit, për të nxjerrë nga informatat që kishin elementët që implikoheshin dhe të bënte propozim për arrestime. Ne bëmë listën prej afro 80 veta, - shkruante Vaskë Koleci. Koçi vetë ka shtuar në të 120 veta. Një goditje kaq e gjerë nuk ishte e mirë. Ne s’kishim material të vërtetuar, dinim ndonjë gjë për një pjesë të tyre, kurse për të tjerët asnjë gjë. Një goditje e tillë rëndonte edhe vet punën e organeve të Sigurimit se s’kishte nga t’ja mbante më parë. Pastaj krijonte alarm në popull. Vetë proceset nxuarën se për një pjesë elementësh s’doli gjë dhe s’kishim se çfarë t’ju bënim. Nga maji 1947, kur u zbulua e ashtuquajtura “organizata e deputetëve”, ministri i Punëve të Brendshme urdhëroi Drejtorinë e Siguirmit të bënte propozime për të arrestuar ata që “implikoheshin”. Për këtë u krijua një komision prej katër antarësh me krerët e drejtorivë të Sigurimit. Në bazë të fakteve të pretenduara, ata caktuan arrestimin e 80 personave, listë e cila i vajti ministrit të Brendshëm. Por ministri e ktheu duke urdhëruar të shtohej numri deri në 200 persona, megjithë se për ata që do të arrestoheshin nuk kishte material kompromentues. Midis tyre ishte edhe emri i Zef Malës, ish-kryetari i Grupit Komunist të Shkodrës. Prova nuk kishte, por ministri i Brendshëm thoshte se do të dilnin gjatë procesit. Në 1948, u bënë arrestime të shumta: U arrestuan 11 veta në Kukës. Në lidhje me këtë, një agjent i Sigurimit kishte dhënë dy informacione sikur një organizatë e madhe po organizohej për një kryengritje së bashku me Kosovën. Një natë përfaqësuesi i sovjetikëve i tha ministrit të Brendshëm të kishin kujdes se nuk ishte e vërtetë, por të shikonin mbase ishte një provokacion i jugosllavëve. Në të vërtetë agjenti kishte shpifur për të përfituar për vete. Në qershor 1948, në Shijak u arrestuan 41 persona (kulakë dhe fshatarë të mesëm), sipas propozimit të ministrit të Brendshëm. Arrestimi i tyre bëhej për të spastruar fshatrat, pasi që kishte lëvizje të arratisurish. Pas diskutimesh midis krerëve të Sigurimit u vendos të arrestoheshin 20-25 veta, duke zgjedhur ata më të rëndësishmit.

Torturat çnjerëzore

Mjeti më i përdorur nga Sigurimi i shtetit gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist ishte tortura. Ish-drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të shtetit në promemorjen e tij pranonte se : “Vazhdimisht janë përdorur tortura të ndryshme, s’ka pasur procese si në qendër ashtu edhe në rrethe që të mos jetë përdorur druri, janë përdorur këto tortura: Dru, pinca, kamzhik, litar të lagur, telefon, jeleku, hekur i nxehtë, pa ujë, pa bukë, cveshur, hekura në trup. Në organet e Sigurimit ishte bërë vijë, bile edhe në raste kur mund të punohesh me pyetje për më kollaj përdorej druri”. Kuadrot e Sigurimit kishin arritur deri atje sa “kush të rrihte më tepër, kush të shpikte ndonjë metodë të re”, kjo si rezultat i pikëpamjes së futur nga krerët e lartë që thoshin se “s’ka mëshirë për ata kur s’tregojnë, ata janë armiq”. Në 1948, në procesin e Kukësit, që u zhvillua në Tiranë, dru nuk u përdor, por u lanë me pak bukë, ujë dhe pa rroba. Në Shkodër, Shijak, Ballsh është përdorur druri. Ish-shefi i Seksionit të Dytë të Sigurimit bënte autokritikë duke theksuar se ai vetë kishte rrahur në disa raste. Në 1946, kishte shkuar për të ndihmuar në procesin e shtatorit që zhvillohej në Shkodër. Që më përpara zëvendës ministri i Punëve të Brendshme i kishte thënë që të rrihnin pa u kufizuar. Kur vajta unë, - shkruante ai, - një kishte vdekur nga të rrahurit. Nga të rrahurit me dru dhe përdorimi i hekurit të nxehtë kishte vdekur në tortura avokati i njohur, Myzafer Pipa, vrasje të cilën e maskuan. Po kështu ishte rrahur në dru Paulin Pali në Shkodër, në procesin e Sami Qeribashit dhe në grupin e deputetëve. Në të njëtën mënyrë ishte përdorur druri edhe kundër Prof. Zuber-it dhe inxhinier Sulo Klosit. Në marrëdhëniet me prokurorinë kurrë s’ kishte vepruar sipas ligjeve në fuqi. Kurrë nuk kishte marrë aprovimin e prokurorisë si për arrestimet dhe kontrollet që bënin. Këto i bënin vetëm me urdhrin e Drejtorisë së Sigurimit, pa e vënë atë prokurorinë në dijeni. Asnjëherë, - theksonte ish shefi i Seksionit të dytë, - nuk është lejuar prokurori të njoftohet për veprimet tona. Për ne, ligjet e shtetit ishin të panjohura, asnjëherë nga ne nuk janë studjuar dhe as është shtruar për tu studjuar. Pushteti miratonte ligje, por ne nuk shërbeheshim aspak prej tyre. Ne punonim me format arbitrare të punës dhe nën udhëzimet arbitrare të Drejtorisë së Sigurimit. Gjatë gjithë proceseve për zhvillimin e tyre mbështeteshim kryesisht në torturat dhe kjo mënyrë jo e drejtë veprimi bëhesh se dhe arrestimet bëheshin me baza të dobëta. Për zbulimin e punës armiqësore mbetej në qëndrimin e çdo të arrestuari dhe në kapacitetin e çdo hetuesi. Për këtë ku hasej rezistencë përdoreshin me të madhe torturat deri sa i arrestuari vdiste ose tregonte. Për të ndaluar aktet çnjerëzore, asnjë masë nuk merrej nga ana e Drejtorisë së Sigurimit, përkundrazi ajo është vijë pune. Inkurajoheshin, madje në lidhje me torturat ishte krijuar psikozë e tillë që të bëhej garë kush të rrihte më shumë dhe kush të shpikte metoda të reja të torturës.

 

Marrë nga libri “Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990 (Genocidi mbi kulakët)” i autorit Xhafer Sadikut, financuar nga Fondacioni Konrad Adenauer Shqipëri

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here