Të gjithë famullitarët e Shkrelit në 20 vjet, të vrarë nga komunizmi

0
109
blank

Në botimet kushtuar krimeve të komunizmit, ku një pjesë të veçantë zë persekutimi i klerit katolik, Pjetër Pepa evidenton faktin e rrallë të famullisë së Shkrelit, gjithë famullitarët e së cilës që kishin shërbyer aty nga viti 1936-1956, u vranë nga komunizmi në vitet e mëvonshme.

 

Studimi i krimeve të komunizmit prodhon disa statistika të frikshme. Një prej tyre është ajo e famullisë së Shkrelit. Studiuesi Pjetër Pepa, në librin e tij “Dosja e diktaturës”, botim i ISKK, ka përmendur rastin e saj të rrallë. “…Të gjithë famullitarët që shërbyen aty që prej vitit 1936 e deri në vitin 1956 u masakruan dhe u vranë barbarisht nga diktatura, duke filluar nga dom Ndre Zadeja, pushkatur më 1945 në Shkodër…”, shkruan Pjetër Pepa. Të tjerët janë dom Nikollë Gazulli, vrarë pa gjyq në vitin 1946, dom Gjergj Volaj dhe dom Pjetër Çuni vrarë në prill dhe korrik të 1948-ës, për të përfunduar te dom Pjetër Gruda i cili vdiq në vitet e fundit në burgun e Sarandës. Përveçse klerikë, famullitarët e Shkrelit ishin intelektualë të diplomuar në shkollat perëndimore, deri edhe studiues të rëndësishëm të gjuhës dhe kulturës shqipe.

Më poshtë, po sjellim biografitë e tyre bashkë me përndjekjen që përjetuan në diktaturë, referuar jo vetëm librit "Dosja e diktaturës", por edhe publikimeve të tjera në nder të figurave të tyre.

Dom Ndre Zadejablank

Dom Ndré Zadej qe martiri i parë i tërbimit komunist të E. Hoxhës mbi Kishën katolike në Shqipëri e një dëshmitar i jashtëzakonshëm i fesë së krishterë dhe i vlerave kulturore e atdhetare të kombit shqiptar.

Dom Ndré Zadeja, prift, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të shkollës fillore i kreu në një shkollë italiane, ndërsa nga klasa e katërt e më tej studioi në Kolegjin Saverian, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua meshtar. U kthye menjëherë në atdhé e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta kremtonte meshën e parë në Kishën e Zojës pranë kështjellës Rozafa të Shkodrës. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.

Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, dom Ndré Zadeja e nisi shërbimin meshtarak si sekretar i ipeshkvit imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar në Mal të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak e ungjillor në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga regjimi komunist gjatë shërbimit në këtë fshat më 4 shkurt 1945.

Kujtojmë se më 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë afër Shkodrës kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet e vlerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike : “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

E i pari që do t’i përjetonte të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe, do të ishte pikërisht ai që i shqiptoi këto fjalë tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri e shtatë muaj para se të pushkatohej pas murit të varrezave katolike, me 25 mars 1945.

Dom Ndre Zadeja u pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me 14 burra. Dom Ndré Zadeja u vra me akuzën se kishte fshehur bashkëvallin prift, një nga figurat më të ndritura të shkollës letrare të jezuitëve, dom Lazër Shantojën, edhe ai ndër martirët e Kishës shqiptare.

Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me shpirt për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, kurse “Shpella e Bogdanit” mbet dorëshkrim e tjera, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. - Vatican News

Dom Nikollë Gazuliblank

"Një klerik katolik dhe një personalitet shkencor në gjuhësi, etnografi e në kulturën shqiptare. Rrjedh nga një familje e shquar, nga ajo e Gazullorëve e njohur që nga shekulli XV me teologët, astrologët, diplomatët, komandantët ushtarakë të saj, që tashmë me të drejtë quhet edhe “Universiteti i Gazullorëve”.

Dom Nikollë Gazulli ka lindur në Zadrimë të Lezhës, në vitin 1893, në fshatin Dajç ku dhe mori mësimin pikërisht në atë shkollë që e pati hapur Ndre Mjeda, më 1902. Shkollën e mesme e kreu në Shkodër, në Kolegjin Françeskan. Më 1912 dërgohet në Austri për të studiuar teologji dhe filozofi në Innsbruck. Mbaron studimet në Tirol dhe shkon në Romë, ku shugurohet meshtar dhe jep meshën e parë në 1917. Menjëherë kthehet në atdhe për të kontribuar si klerik dhe për të studiuar thellësisht problemet gjuhësore të shqipes" shkruan Pjetër Pepa.

Nikollë Gazulli bëri studime të rëndësishme në fushën e gjuhësisë dhe i përmblodhi në dy vëllime. Ai është një nga nismëtarët e punimeve shkencore në leksikografinë onomastike duke i dhuruar gjuhësisë shqipe dy fjalorë me vlerë të madhe. Në vitin 1927, mori pjesë bashkë me të vëllanë, Gjonin në lëvizjen antizogiste të Malësisë së Madhe: i vëllai u var në litar kurse Nikolla u dënua me 4 vjet burg. Ai ishte gjithashtu armik i komunizmit dhe me të mbaruar lufta gjatë së cilës ishte famullitar në Shkrel, mori arratinë në malësi. Qëndroi i fshehur në shpella për 14 muaj derisa u gjet më 23 mars 1946.

"Vrasja e Dom Nikollit është histori filmash. Velloja e misterit e mbulon atë vrasje për të cilën ende sot ka shumë rezerva. Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batare të gjata pushkësh. Kur u afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Një vrimë e vjetër plumbi i kish marrë jetën me kohë. Kush e kish bërë këtë? Dioqezani dom Nikoll Gazulli nuk kish si të vriste veten. Emrin e atij që e pati vrarë me një plumb në ballë dinë ta diftojnë malësorët e Shkrelit, si dhe At Zef Pllumi - memoria historike e atyre anëve.

Krahina kishte mbetur pa frymë. Një qerre e barti trupin e tij deri në fshatin e Stërkujës dhe aty ndaj rrugës, ballë kishës së Sterkujës e varrosën. Ata djem që çelën gropën, morën urdhër të mos linin asnjë shenjë, por ata duke e pasur famullitarin e tyre, të cilin gjithkush po e njihte për martir, e rrethuan varrin me gurë dhe i mbuluan ata me pak dhe. Shiu dhe koha do ta largonin atë dhe, menduan djemtë, e mandej kushdo kish mundësi ta kuptonte se aty ish një varr.

Enigma e varrit të Gazullit mbeti e tillë deri në vitin 1995, kur zoja Prendë, shërbyesja e dom Pjetër Grudës, famullitarit të ri të Shkrelit (pas 1949), pak para se të ndërronte jetë, u tregoi motrave të Nanë Terezës në Tiranë një sekret, të cilin kish kohë që e ndrynte në mendje. Kështu në një natë të ftohtë me stuhi në fillim të viteve ‘50, dom Pjetër Gruda në shoqëri të Gjomark Prelës, Kol Zefit dhe dy burrave të tjerë, lidhin besë më i marrë reliket e dom Nikollit dhe me i çu në kishë të Shkrelit. Ashtu ndodhi. Në "shi e kijamet" nën shkreptimën e rrufeve të Alpeve, Gazulli u rivarros me një përshpirtje të shpejtë në këmbë të altarit të Shna‘Ndojt brenda kishës së Shën Kollit. Dyshemeja asokohe ish me dërrasa dhe pas varrosjes, u mbyll përsëri pa lënë gjurmë. Sot trupi i albanologut fle ende në kishën e tij. Sekreti u nxor vetëm prej së amës s‘Dom Pjetrit, e cila e kish përgjuar gjaktrishtueshëm. E në merak të madh për të birin që kishte dalë atë natë të mnershme. E tronditur ajo ia kish treguar vetëm Prendës, së cilës, më vonë në mbarim të ditëve të veta i kish kërkuar të kujdesohej për të birin, dom Pjetrin, i cili tashmë qe burgosur. Dom Pjetër Gruda vdiq në burg në Sarandë... E vërteta e Nikoll Gazullit fatmirësisht u "tradhtua" nga Prenda”, shkruan Artan Shkreli, në një artikull të botuar në gazetën Shqip.

blankDom Gjergj Volaj

I lindur më 21 shtator 1904, në Shirokë. Më 19 tetor 1916 hyn në Seminarin Papnor në Shkodër, ku studion filozofi e merr një kulturë të gjerë. Që në ditët e para të jetës së tij në seminar, u dallua si student i zellshëm, i aftë dhe kokulur. Edhe në shkollën teologjike të Padovës ai fiton një respekt të veçantë nga eprorët dhe shokët e tij të klasës. Megjithëse është i huaj, eprorët e shkollës e emërojnë prefekt të Seminarit Minor të Sienës. Më 28 qershor 1930, shugurohet meshtar nga shkëlqesia e tij Arqipeshkvi Metropolitan i Shkodrës, imzot Lazër Mjeda. Emërohet famullitar në fshatrat Mali i Jushit, Shkrel, ku qëndron deri në vitin 1936. Aty merret me veprimtari apostolike për katër vjet në Malin e Jushit dhe gjashtë vjet në famullinë e madhe të Shkrelit, një zonë e thellë malore. Emërohet ipeshkëv i Sapës me qendër në Nënshatë dhe shugurohet në këtë detyrë më 8 gusht 1940, në moshën afro 35-vjeçare. Populli besimtar i këtyre dy famullive gëzohet shumë për emërimin e tij, por njëkohësisht e ndien shumë largimin e këtij bariu të mirë. Emërimi i të nderuarit Gjergj Volaj si ipeshkëv i Sapës në Shqipërinë e Veriut, më 26 qershor 1940, nuk qe një e papritur e madhe për katolikët shqiptarë. Selia e Shenjtë nuk do të mund të kishte zgjedhur një klerik më të mirë dhe një njeri në të cilin të kishte më besim grigja e tij sesa Gjergj Volaj. Qe i dhjeti ipeshkëv i Sapës pas imzot Gjergj Kolecit. Kur e nisi shërbimin në ipeshkëvinë e Sapës, një nga më të rëndësishmet e Veriut, ishte 36 vjeç, ipeshkëvi më i ri i botës, gjë e ndodhur rrallë ndër ipeshkvinjtë katolikë. Në Shqipëri kjo pati ngjarë vetëm me imzot Simon Gjeçin dhe imzot Lazër Mjedën.

Mjerisht, imzot Gjergj Volaj në moshën 40-vjeçare do të bëhej edhe ipeshkvi më i ri i pushkatuar.

Arrestohet e torturohet në mënyrën më çnjerëzore, shëtitet demonstrativisht me pranga në duar nëpër “Bulevardin Stalin” dhe dënohet me në Kinema Rozafa-Shkodër. Shumë qytetarë shkodranë patën mundësinë atë ditë, që me dhimbje të thellë e dëshpërim të madh, ta shihnin atë, pas torturave çnjerëzore, duke kaluar me duar të lidhura nëpër Bulevardin “Stalin” kur kthehej tashmë i dënuar me vdekje.

Ekzekutohet me pushkatim më 3 prill 1948.

Më vonë, në vitet e demokracisë, emri i tij përjetësohet në pllakën e Kishës së Shkrelit si martir i fesë. Fjala e tij e fundit: “Të m’i thoni shtëpisë se 58 meshët që kam lënë pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!”. - Dojsa e diktaturës, Pjetër Pepa.

blankDom Pjetër Çuni

Dom Pjetër Çuni, i biri i Kolës dhe Cile Lufit, ka lindur në Shkodër më 9 korrik 1914. Kryen mësimet e mesme në Kolegjin Saverian, ndërsa ato të lartat për teologji, në Propaganda Fide-Romë. Shugurohet meshtar në mars të vitit 1940 së bashki me afro 100 xhakoj të tjerë nga vende të ndryshme të botës, nga Piu XII. Kthehet në Shqipëri në qershor dhe thotë meshën e tij të parë në Katedralen e Shkodrës më 29 qershor 1940, ditën e emrit, Shën Pjetrit e Palit.

Ka shërbyer në famulli të  malësive të Shkodrës dhe kudo që shkoi ka punuar me një zell dhe vetëmohim të madh gjatë viteve të trazuara që ishin kaq të vështira për klerin katolik. Jep kontribut në "Kumbona e së Dielës" me shkrimet dhe pseudonimin e tij  R.I. Prift shembullor, i zellshëm e bari i mirë; i papërkulur kundër diktaturës. Kjo punë e tij spikat sidomos gjatë vitit 1942. Është nip i klerikut dom Ndre Lufi, i cili mund të ketë ndikuar për t’u bërë prift dhe që të dy e mbyllën jetën të papërkulur para diktaturës komuniste.

Në fillim qe Famullitar në Shkrel dhe pastaj në Rrjoll, prej nga ku shërbente edhe në Lohe e Reç.

Arrestohet në korrik 1948 me akuzën se ka përkthyer enqiklikën “Rerum Novarum” të Leonit XIII, torturohej keqas e së bashku me dom Aleksandër Sirdanin hidhen në një gropë wc-je për së gjalli e zhyten në sy të popullit duke mos pranuar të mohojnë fenë. Ishte vetëm 34 vjeç. Sipas dokumenteve të Min. së Rendit figuron vetëm se ekzekutohet pa gjyq më 31 korrik, nuk ka dosje. Nga dëshmitarët dihet që ndërsa vinte me biçikletë për në Shkodër, një ditë të korrikut 1948, ndalohet rrugës dhe përcillet në hetuesi ku gjen në seksionin e Koplikut dom Aleksandër Sirdanin e at Florian Berishën që masakroheshin së bashku me shumë malësorë të tjerë të zonës, shkruan Pjetër Pepa.

Vijmë te i fundit, i cili nuk u ekzekutua, por edhe i paralizuar u mbajt në burg nga komunistët, derisa ndërroi jetë.

Dom Pjetër Grudablank

Dom Pjetër Gruda, lindi në fshatin Grudë të Malit të Zi, më 1 gusht 1922. Studimet e formimin për meshtar i bëri në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor në Shkodër. Meshën e parë e kremtoi më 1946. Që nga ky vit filloi misionin e tij meshtarak duke u emëruar famullitar në Shkrel, prej nga më vonë u transferua në Sheldi, ku qëndroi deri në vitin 1967, vit ky kur u mbyllen Kishat dhe tempujt tjerë fetar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Pas mbylljes së tempujve dhe institucioneve fetare, dom Pjetër Gruda, si shumica e klerikëve të tjerë, qe detyruar të punonte si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore të Bushatit. Kështu krijimtaria e tij intelektuale, sepse dom Pjetër Gruda qe intelektual dhe artist i artit skenik, do të ndërpritej brutalisht nga regjimi çnjerëzor e antikulturor komunist.

Me talentit artistik që kishte, dom Pjetër Gruda do të ishte bërë regjisor i njohur, po të mos i ndërpritej brutalisht krijimtaria. Kujtojmë se vuri në skenë shumë pjesë teatrore, ndërmjet të cilave dramën përmendim "Flije Atdheut".

Në vitin 1972 ndërsa shërbente në Bushat u arrestua dhe u dënua më 20 vjet burgim si antipushtet e spiun i Vatikanit nga komunistët dhe u dërgua me duar të lidhura në  Sarandë, qytet në burgun e të cilit vdiq më 13 janar 1989, tre muaj para amnistisë së klerikëve. Në kishën e Shkrelit është vendosur një pllakë përkujtimore, ku lexohet emri i tij dhe ai i dom Ndré Zadejës, poshtë të cilëve - shënimi "Martirë të Fesë" dhe me plotë të drejtë, shkruan Vatican News.

Fotoja kryesore: Pamje nga Shkreli me në qendër kishën, Google.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here