SPAÇI ndër hone, shpella e rrkaja, ku diell as hanë nuk ndrisin!

0
2507
blank

Ajo grykë s’frynte si kudo... shfrynte furishëm si një lëfyt gjigant, nga vrima e shqyer në orbitë, me nuk di se sa kilometra në orë... Gjatë stinës së shirave mbi qiellin e burgosur mblidheshin retë e dynjasë; rrufetë oshëtinin; vetëtimat gjëmonin e të nxirrnin ment e kresë; teksa rrëketë rrukulliseshin në theqafje nga shpatet e pjerrëta, rrëmbenin gurë e dhera të murrme dhe i plasnin me rrapëllimë në shtratin e përroit kolektor

Nga: Shkëlqim Abazi

Një mal të kuqërremtë dhe të zhveshur, mbase nga horizonti i koncentratit të piritit apo mallkim nga Zoti,… e kishin qarkuar me gjerdhe teli.

O Zot, të gërrmoje në skutat më të errëta të Ferrit, të tillë panoramë zor se do hasje. Kishte vetëm dy stinë, dimër të gjatë dhe verë të thatë, vjeshta shkurtaqe s'para binte në sy, kalonte vetëtimthi ngaqë pemët ishin të rrjepura dhe shkrihej sakaq në një dimër tejet të ashpër. Në muajt e frohtë, dielli ndeshej rallë e për mall në ato zgëqe. Edhe në ditën më të bukur, dielli nuk ndriste mbi tri orë. Ajo grykë s’frynte si kudo, por bërrylat e kthenin në tramundanë rrjedhën me presion. Era shfrynte furishëm si një lëfyt gjigant, nga vrima e shqyer në orbitë, me nuk di se sa kilometra në orë... Gjatë stinës së shirave, mbi qiellin e burgosur, mblidheshin retë e dynjasë; rrufetë oshëtinin; vetëtimat gjëmonin e të nxirrnin ment e kresë; teksa rrëketë rrukulliseshin në theqafje nga shpatet e pjerrëta, rrëmbenin gurë e dhera të murrme dhe i plasnin me rrapëllimë në shtratin e përroit kolektor.

Stinët zëvendësonin befas njëra-tjetrën: sot ngrysje nën diell, nesër gdhiheshe mbi akull.

“Në kohët e lashta, Perëndia dërgoi për me njoft vendin të besuemin e vet…me piketue e me ngul një kishë gjithkah ku shihte njerëz… I dërguemi i Zotit i ra pash m'pash Mirditës. Ku pa gjallesa nguli nga një kunj… madje nguli edhe ku s’pa kame robi por njitu i zuni syni vec sopa për me ba sehir…

Pa veç male e male, prroshka, gremina, humnera pa pikë drite e drunë pa gjelbrim…

Gjithkund Mirditës ndërtuen kah një kishë, njitu shkreti… Tu nxinë malet, tu shkund dhe t’nisi me kja shkami me lot dhimjet… “m’fal i Ndrituni jem, i ka ra rrokulll krejt Mirditës… qatje s'kam pa kurrnji kame robi, veç hone, shpella, gropa, humnera, rrëshqana, rrkaja, as diell e as hanë nuk bijshme mbi ket bedat..”… S’PAÇ gjasëndi, e mbrojti fajtori, s'di ç'ke me ba veç du me e ndreq ket punë… e urdhnoi i Madhnueshmi. Po qe besa tash po e shndrroj në burg për Titanët. U tha dhe u ba! Qashtu prej kaheri u thirr  S’PAÇ  e njitash vonë kanë mbrri “titanët” …

Dhe gjithkush që kalon atypari duhet me kthye kryet, të kyç gojën, të dyllosë veshët, të mbyllë sytë dhe përsëriste refrenin: S’PAÇ, S’PASHË…

blank

Marrë nga libri: "SPAÇ", me autor Shkëlqim Abazi

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.