Ndreko Rino: Një muaj operacion, masakrat tona në popullin e  Shalës

0
556
blank

Raporti i raprezaljeve 22 shkurt 1945/ Në çarmatimin që iu bë popullit, disa fshatarë, mohonin se kishin armë edhe mbasi rifeshin me dru, nga ana tjetër shanin keq pushtetin dhe ushtrin t’onë pastaj kur u gjend arma u veprua simbas Urdhërit t’Operacionit d.m.th. u pushkatuan...

Sikurse në Kelmend edhe në Shalë, komunistët kishin bërë kërdinë mbi popullsinë vendase, e cila kishte dalë hapur kundër regjimit komunist. Pas disa raporteve të ditëve të para të shkurtit, Ndreko Rina, një prej drejtuesve të pamëshirshëm komunist të këtij aksioni në veri, i dërgon Mehmet Shehut në Shkodër një raport të gjatë mbi raprezaljet që kanë bërë në zonat e Shalës. Ja çfarë shkruan Ndreko Rino:

U.N.Ç. SHQIPTARE

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

Komanda e Operacionit

D U K A G J I N

Dukagjin 22/2/1945

 

KOMANDËS SË OPERACIONIT

S H K O D Ë R

 

Po ju paraqesim raportin mbi operacionin që është bërë në Komunën e Shalës prej forcave të Brigatës XXIV. Forcat e kësaj Brigate filluan nga veprimi në Komunën e Shalës duke kërkuar nga këshilli armët; mbasi nuk pat rezultate të mira në këtë më mënyrë, nuk ipnin armët atëhere u detyruan të përdorim aty ktu drurin, me anën e të cilit qitën mjaft armë, aqë sa skishin për të qitur kurrë me të mirë. Çarmatimi i Shalës pothuajse është bërë i gjithë, janë mbledhur 462 pushkë nesër na vijnë edhe disa nga Thethi. Nga 462 armët III (njiqintë njimëdhjetë) i mbajti Brigata pse i mungonin dhe 351 janë nisur për në Shkodër (nga këto 103 u janë dhënë vullnetarëve të mobilizuar që vijnë bashk me armët). Gjithashtu janë zënë 4 (katër arka me municion pushkë Italije duke patur çdo arkë nga 1800 fyshekë. Janë kapur afro 5000 fyshekë lloj lloj nga të cilët 2500 fyshekë i ka mbajtur Brigata. Janë zënë 12 revole (Karadaklije të vjetra 9, nji nagant dhe nji (I) karabiniere e nji gjashtshe asht mbajtur prej Brigatës), janë kap dhe 15 gjordan fyshekësh. Paralelisht me çarmatimin është bërë dhe mobilizimi, edhe këtu hasën pengesa të mëdha u mobilizuan 229 veta, nga të cilët 116 u dërguan për në Shkodër dhe të tjerët nji sasi mbajti Brigata e disa në Komandat e vendit.

Mbi riorganizimin: Shokët spastruan këshillat e vjetra duke vendosur në pjesën më të madhe  këshilltar të rinj, u janë mbajtur Konferenca ashtu siç shpjegonte Urdhëri i Operacionit të Gjeneral Major Mehmet Shehut.

Opinioni i popullit: Nga lista qi na ka dhanë Komanda e Rrethit konstatohet se nji pjesë fare e vogël ka qenë me L.N.ÇL. kurse shumica ka qenë me reaksionin dhe reaksionarët kanë akoma baza në Dukagjin. Ky popull ësht pothuajse dallaveraxhi, nuk e kanë kuptuar mirë Lëvizjen t’onë, Ushtrin t’onë, Pushtetin t’onë, janë njerëz të dhanun shum mbas lekut; me gjith’at me punën t’onë do të rregullohen, kur filloi Operacioni në fillim u friksuan, nga masat që muarëm për të qitur armët, dhe në çdo çasht si në konferenca që mbajshin shokët ashtu dhe në komand kur paraqiteshin u skjaronte mirë ky operacion se bëhesh për të zhdukur reaksionarët, dhe për rahatin e për të mirën e popullit. Në përgjithësi partizanët mirë janë sjellur me popullin, përveç nji toge (të Batajlonit IV) që u suallnë si bashibuzukët. Morali i shokvet qëndron mirë me gjithë vojtjet (të ftoftit dhe pak ushqim).

blank

Në çarmatimin që iu bë popullit, disa fshatarë, mohonin se kishin armë edhe mbasi rifeshin me dru, nga ana tjetër shanin keq pushtetin dhe ushtrin tonë pastaj kur u gjend arma u veprua simbas Urdhërit t’Operacionit d.m.th. u pushkatuan. Të pushkatuarit janë:

1) Lulash Sokoli nga Nicaj

2) Marash Gjeloshi nga Gimaj

dhe

3) Lulash Shytani nga Gimaj.

Gjithashtu u muarën masa edhe për t’aratisurit të cilve u dha nji afat dhe nuk u kthyen, këtyre iu dogj shtëpija si dhe i u sekuestrue malli.

Shtëpit e djegura:

1) Të Zef Nikës nga katundi Nicaj

2) Të Pjetër Micit nga katundi Nicaj

3)  “   Ndue Kolës  “         “     Lekaj.

Malli i sekuestruar:

1) Të Zef Nikës ... nji lopë, dy (2) mëzat, 4 dhi, 2 keça, 300 kg.misër

2)  “  Pjetër Micit ... nji (I) lopë, 2 dhen, 3 dhi.

3)   “  Mark Sadikut ... 9 dhi, 3 lopë e viça, nji (I) ka, nji (I) dash.

Me anën e Këshillit u shpërnda familjeve të vobekta 300 kg.misër të sekuestruar. Ushqimi tjetër u mbajt për forcat.

Arestimet: Në Komunën e Shalës janë arestuar gjithsej 30 (tridhjetë) veta, reaksionarë të ndryshëm; shumica nga këta i përfshinte lista e informatave dhe janë përcjellë me akuzat. Deri tashti janë dërguar aty 12 t’arestuar me akuzat komplet. Mark Delis nga Lotaj (Shalë) t’i shtohet edhe kjo akuzë: Ka marë direktiva nga majori Englez Nill që të punojë edhe mbasi Shqipërija të jetë në dorë të partizanve. Dyshohet shumë si agjent i Reaksionit Ndërkombëtar. Do të përcjellim edhe 21 të tjerë nga të cilët disa nuk i kanë akuzat, pse forcat i kanë arestuar simbas informatave të fshatit e nuk na i kanë dërguar akoma akuzat.

Komandat e vendeve. Në Komunën e Shalës deri diku janë spastruar nga elementa që skryenin shërbimin, por kta përgjegjsa të vendit sa do të mirë që të jenë kanë traditat që nuk i lenë të punojnë ashtu siç duhet, p.sh. kanë Besën, që ësht nji vyrtyt i mirë porse nji kohësisht përfiton dhe reaksionari, kanë miqsin që shpesh sjell pengesa në detyrë. Mbas mendimit t’onë do t’ishte më mirë që në Dukagjin të vinin nji pjesë e përgjegjsave prej t’ushtris sonë ose prej krahinave të tjera.

Brigata XXIV, tashti ka nisë veprimet në Komunën e Pultit.

Brigata XI s’ka mbaruar akoma operacionin në Komunën Shllak.

Kemi dërguar fjalë që Bajraktari i Shalës dhe ay i Shoshit të dorëzohen pa kondita si dhe Mark Sadikut.

Komandanti operacionit Dukagjin

Major

(Ndreko Rino)

(firma)

P.S. u dorëzua Bajraktari i Shalës (Kol Nou)

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here