"S'ka bukë për fëmijët e armikut të popullit"

0
1383
blank

Shpresa Selfo dëshmon për vuajtjet e familjes së saj gjatë diktaturës. E lindur në Gjirokastër, Shpresa ka rrëfyer persekutimin e familjes edhe të saj, që nisi në një moshë fare të vogël, kur ishte 13 vjeçe.

Kur nisi persekutimi i familjes suaj? Çfarë mbani mend?

Kur nisi persekutimi i familjes sime kam qenë e vogël, por pasojat i kuptoj sot. Babai, i detyruar, shkoi në aksion te Fabrika Myzeqeja, në Fier. Mua më la tek tezja, për të vazhduar shkollën. Isha në klasën e gjashtë. Klasën e pestë e kisha përfunduar tek “Ismail Qemali”. Isha një nga nxënëset më të mira në Shqipëri. Shtëpinë ku rrinte babai, në Fier, e mori më vonë Pali Miska.
Babai u bë drejtor i fabrikës në atë kohë. Fillimisht, mbaj mend se u sollën shumë mirë. Të gjithë e donin. Në vitin 1945, kur babain e arrestuan, ai ishte aksioner me gjashtë a shtatë të tjerë. Kur kam kërkuar më vonë dokumentet, i kishin djegur.
Na nxorën edhe nga shtëpia dhe na dërguan diku tjetër. Nuk na dhanë as triskat e frontit dhe si pasojë kaluam në një varfëri të tmerrshme. Nuk kishim bukë të hanim. Kishim uri të madhe, jo vetëm unë, që isha 13-14 vjeçe, por edhe fëmijët e xhaxhait, djali i të cilit punonte hamall, ngarkonte e shkarkonte vetëm që t’i jepnin një copë bukë. Mbaj mend se për muaj të tërë kemi ndenjur te xhaxhai. Ai, kur shkonte në dyqan, qëndronte në radhë, me orë, me njerëz pafund dhe kur vinte radha, i thonin: Ky defter të cilëson se kush je, të marrë një herë populli, më pas ju. Nëse arrinte të tepronte ndonjë gjë, hanim, qoftë edhe një copë të vogël bukë, në të kundërtën mbeteshim pa bukë, pa ngrënë. Kur jemi kthyer në shtëpitë tona, që kishim lënë e larguar me qira nëpër bodrume, pamë se gjithçka ishte grabitur.

Çfarë moshe kishit ju, pse u bë aq e vështirë jetesa? Si ju trajtuan?

Në atë kohë, isha 13-14 vjeç. Isha në shkollë, në Fier. Mbasi na larguan nga shtëpia, nuk u mjaftuan, por na vendosën në një kodër, në një shtëpi beu, të shkatërruar nga lufta; pa tavan, pa dysheme... Në atë shtëpi jetuam me familjen e xhaxhait. Ishim totalisht të izoluar. Nuk kam fjalë ta përshkruaj mjerimin dhe urinë.
Nuk kishim ç’të hanim, para s’kishim. Pasurinë që kishim na e morën, dhe të tjerat u shitën. Mbetëm pa asnjë gjë. Njëherë mamaja kishte bërë një tavë me dhjamë e me kungull të kuq. Kur e mora nga furra ishte përvëlim, dhe duke iu ngjitur kodrës, më bie e gjithë tava në krah. Nuk na mjaftonin hallet e shumta, mbetëm dhe pa ngrënë, ndërsa dora m’u përvëlua. Një herë tjetër, një natë vjen një mik i babait, dhe i thotë se e kishin piketuar për ta internuar. Ai ishte çam, babai e kishte mik. Për gjithë natën mblodhëm plaçkat dhe, në një qerre, u nisëm për Rrogozhinë ku gjetëm një makinë e shkuam për Tiranë. Ishim unë, babai dhe motra. Do të shkonim te motra e mamasë, tezja. Atje qëndruam shumë të ndrojtur, nga frika mos i bënim keq.

Donim vetëm të na ndihmonte të merrnim një triskë, të ushqeheshim. Më ka mbetur në kujtesë, nuk e harroj kurrë, kur erdhën e njoftuan se kishte mbledhje fronti te “Shkolla e kuqe”. Na kërkuan me ngulm. Unë dhe motra, si të reja që ishim, e morëm me gëzim. Shkuam me dëshirë të madhe se kushedi, do na jepnin triskat e Frontit. Hymë në një sallë të madhe, si sallë kinemaje. Ishte qetësi absolute. Na thanë që të dilnim përpara të gjithëve. Ne nuk e kuptuam, ishim të reja. Para se të niste mbledhja, dikush ngrihet në këmbë dhe thotë se kishte një problem. “Kundra dëshirës sonë po bëjnë pjesë në mbledhje edhe dy vajza, Flora Selfo dhe Shpresa Selfo. Mundësisht të dalin jashtë, sepse janë të padëshiruara”. Nuk e kisha ndjerë kurrë veten aq të turpëruar se ai moment. Faqet më ishin bërë vishnje dhe dolëm të dyja, sikur kushedi se çfarë turpi kishim bërë.

Në këto kushte, si arrije të siguroje punë, sa të vështira ishin?

Me shumë vështirësi kam mësuar rrobaqepësinë. Por, unë kam punuar në tetë punë të ndryshme. Kam punuar në gurore dhe në minierë. Punoja shumë, sa një herë kryetari i Bashkimeve Profesionale më pyeti, e më tha: Si arrite të bësh për vete 300 punëtorë?! Ia shpjegova se nuk më duhet klasa, kujt shtrese i përkisnin, unë thjesht bëja detyrën, shërbeja kush kishte nevojë.
Kam punuar në ekonomi si ndihmëse; mblidhja domate, fasule, hapja kanale. Hipja majë mullarëve, hiqja urinën e lopëve, e hidhja tutje. Kur lyhej stalla e lopëve merrja fshesën dhe shpejt e shpejt mbaroja punë, e pastroja. Puna më e vështirë që kam bërë nuk ishte ngarkim shkarkimi i tullave, por ruajtja e qingjave. Vrapo ato, vrapo unë, pas tyre, se nuk dija si mbahej tufa. Edhe në gurore ishte punë shumë e rëndë. Jetoja me 2 lekë bukë dhe 8 lekë djathë të shkrirë, edhe shishen e ujit e merrja.

Si arrite t’i përballosh gjithë këto punë të rënda?

Me vështirësi, shumë vështirësi, saqë e gjitha reflektoi mbi shëndetin. Ngaqë unë kisha ngarkesë shumë të madhe emocionale dhe shëndetësore, fillova të kisha probleme me depresionin, stomakun dhe tiroidet. U shtrova, disa herë, në spitalin psikiatrik në Elbasan dhe, më pas, në Tiranë. Mbas disa kohësh më shtruan përsëri në Spitalin 5, në Tiranë. Edhe aty duhej të isha e vëmendshme. Një infermiere më pati thënë, një herë, që të hiqja unazat dhe sahatin e dorës. Dyshova dhe nuk pranova. Por, ajo më tha se do pija ilaçe të forta, pranda, dhe nuk do mbaja mend. Me vete, po mendoja se kurrë nuk do t’i pija ato ilaçe. Mbasi kalova pjesën më të vështirë, poshtë, më kaluan në katet e tjera. Nuk i kisha më frikë. Në fundjavë, ato iknin sepse shkonin nëpër familje.

Shënim: Dëshmia e Shpresa Selfos, ish-e përndjekur politike, e cila u nda nga jeta në fillim të shtatorit 2022,  pjesë e  projektit “Zërat e kujtesës”, vëllimi VIII, Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit. Marrë nga faqja në facebook e ISKK
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here