Mihal Luarasi, regjisori që kreu 8 vjet burg dhe leu nga 2-3 herë shkollat e Tiranës

0
602
blank

Nga teatri në burg. Nga burgu në ndërmarrjen e mirëmbajtjeve të shkollave. Goditja e Mihal Luarasit  dhe qëndresa e admirueshme e tij dhe e bashkëshortes, Edit.

 

Mihal Luarasi nuk zgjodhi as tonin e heroit e as të viktimës kur fliste për dënimin e tij në diktaturë, por e vërteta flet vetë. Ishte dënuar me 8 vjet burg. Si pasojë, i ishte ndërprerë karriera e shkëlqyer si regjisor. Jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, Edi Luarasit, e cila duke mos pranuar të ndahej nga Mihali, humbi të drejtën për të qenë aktore dhe nisi punë si rrobaqepëse. Ndërsa Mihali, pasi u lirua nga burgu, punoi si bojaxhi. Dramat e vëna në skenë nga ai janë nderuar disa herë me çmime, ndërkohë që drama e jetës në diktaturë, përballuar me aq fisnikëri nga çifti Luarasi, i ka bërë dhe më të nderuara figurat e tyre.

Zhgënjimi

Mihal Luarasi ishte 14 vjeç kur iu bashkua brigadës së 9-të të batalionit “Fuat Babani” të ushtrisë nacionalçlirimtare të Korçës. Komandant kishte Irakli Bozdon, i cili, 30 vjet më vonë, në rolin e gjykatësit e dënoi Mihalin me 8 vjet burg. Luarasi, gjithsesi, nuk e hodhi poshtë Bozdon. Ky, pas viteve ’90, i kishte treguar se dosja e regjisorit i kishte ardhur e shënuar me numrin 8, që donte të thoshte se dënimi me 8 vjet ishte vendosur dhe gjykatësit i mbetej vetëm roli i një kukulle me zë. Bozdo kishte mbrojtur veten, duke demaskuar gjyqet e diktaturës, por me siguri Mihal Luarasi nuk ishte befasuar nga kjo histori. Shumë të tilla dolën në dritë gjatë viteve të mëvonshme, por besimi i tij te drejtësia e regjimit komunist, ishte tronditur që në vitet e para të këtij regjimi. Atëherë, kur vetëm 18 vjeç, kishte ndjekur në sallën e kinemasë “17 Nëntori” gjyqin e deputetëve. Ishte viti 1947. Lufta, ku dhe ai vetë kishte marrë pjesë, ende mund të quhej një ngjarje e freskët, mirëpo regjimi komunist po e tregonte fytyrën e tij për kë kishte sy të shikonte.

“Lëkundja e parë ka qenë…kur gjykoheshin deputetët që dolën nga zgjedhjet e 2 dhjetorit. Gjykohej njëri nga këta deputetët më të shquar që ishte njëkohësisht dhe nënkryetar i Frontit Nacionalçlirimtar, ka qenë Shefqet Beja. Prokurori e akuzonte vazhdimisht, ky nuk pranonte; ai përmendte vazhdimisht akuza për faje të presupozuara të tij, ai thoshte “nuk i pranoj” dhe në fund fare, prokurori mori një tufë letrash dhe i vajti para fytyrës dhe i tha: “Ja, të gjitha i ke firmosur, fajet që ke bërë”. Ai u çua në këmbë dhe ngriti pantallonat deri në gju: këmbët ishin gjak. “Më kanë mbajtur,-tha,- për një kohë të gjatë varur prej këmbësh, me zinxhirë, prandaj i kam nënshkruar”. Pati një heshtje disa sekondash dhe pastaj shpërtheu publiku që ishte në sallë: “Në litar, në litar, në litar”. Dhe në të vërtetë, pas disa ditësh e pashë të varur në litar Shefqet Bejën te fusha e druve që nuk ishte larg kinemasë “17 nëntori”. Kjo ishte tronditja ime e parë në besimin absolut që kisha në drejtësinë e regjimit të demokracisë popullore”, ka thënë Mihal Luarasi në një intervistë të hershme për Pandi Laçon në programin “Histori me zhurmues” të TV Klan.

Pas luftës, pavarësisht propozimit të Bozdos për të studiuar drejtësi në Bashkimin Sovjetik, Mihali i ri, i apasionuar pas artit, ndoqi Liceun Artistik në Tiranë dhe më pas Akademinë e Arteve në Budapest. Karrierën si regjisor në teatrin e Tiranës e nisi në vitin 1957, me dramën e Shilerit “Intrigë e dashuri” dhe deri në vitin, 1973, kur u dënua, ai vuri në skenë si në teatrin e Tiranës dhe të Korçës, ku punoi 5 vjet, shfaqje me rëndësi për artin dramatik shqiptar, duke u bërë edhe fitues çmimesh të para në festivalet teatrore. Mirëpo, paralelisht me suksesin e publikut dhe kritikës, shfaqjet e Mihal Luarasit shoqëroheshin me pakënaqësinë e udhëheqësve të partisë.

Dënimi

Drama “Njollat e murrme”, e teatrit "Andon Zako Çajupi" të Korçës, fituese e Festivalit IV Kombëtar të Teatrit, në vitin 1969, u cilësua nga Enver Hoxha si vepër armiqësore. Kur gjithçka kishte përfunduar mirë, kishte ardhur një kërkesë që shfaqja të jepej të hënën, ditë kur teatrot e kishin pushim, me qëllim që ta shikonte diktatori. Me sa duket ai ishte sinjalizuar për këtë shfaqje dhe tani duhet të jepte gjykimin e tij, i cili e goditi e rëndë dramën e regjisorit Mihal Luarasi. Në vitin 1972, një tjetër vënie e tij në skenë, “Çështja e inxhinier Saimirit” u dënua dhe pse në këtë rast shigjeta nuk ishte nisur thjesht ndaj Mihal Luarasit, por ndaj autorit, Fadil Paçrami. Ky i fundit bashkë me Todi Lubonjën, ishin figurat qendrore të goditjes në art të vitit 1973, që u akuzuan për liberalizëm. Valët e kësaj goditjeje, që do të pasohej nga të tjera në ushtri dhe ekonomi, përfshinë disa artistë, siç ishte Mihal Luarasi, të cilët u arrestuan dhe dënuan pak kohë para Paçramit dhe Lubonjës. Kjo goditje ndodhi pas festivalit të vitit 1972, por ky ishte pretektsti dhe jo shkaku. Në atë festival, Mihali ishte regjisor. “Festivali ishte e shfaqja e gjashtë imja që ishte goditur…dhe unë prisja diçka, ndoshta jo kaq të rëndë sa ndodhi sepse nuk e konsideroja veten armik të regjimit socialist. Nuk isha i tillë”, ka thënë Mihal Luarasi në “Histori me zhurmues”.

 

Ajo që pritej dhe nuk pritej ndodhi në shtator të vitit 1973. “Qëndrova në hetuesi 8 muaj, më pas në burg. Hetuesia është gjithmonë e egër. Më pas, në Ballsh, kam qëndruar 8 vjet”, ka thënë Luarasi në një intervistë të vitit 2016, për Julia Vrapin, në gazetën "Sot" duke treguar se si ndryshoi pas dënimit të tij, edhe jeta e Edi Luarasit, e cila nuk e pranoi ofertën e zakonshme që hidhej në tryezat e zyrave të regjimit komunist “lër burrin-mbaj punën” dhe zgjodhi të bëhej rrobaqepëse.

Për sa i përket burgut, në intervistën për “Histori me zhurmues”, Mihal Luarasi ka thënë se aty ndihej më i lirë se jashtë. “Në burg ishte më mirë sesa jashtë. Pse ishte më mirë? Sepse në Ballsh ku e kam bërë burgun unë ishim 1000 vetë. Pra, një shoqëri shumë e gjerë, shumë e hapur, kurse jashtë nuk të fliste kurrkush, as të njohur, as të panjohur. Kishe komunikim vetëm me gruan dhe me fëmijët në shtëpi”, ka thënë ai. Kur u lirua nga burgu, nisi të punonte si bojaxhi në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së shkollave për 10 vjet deri sa doli në pension. “I kam lyer të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet e Tiranës nga 2-3 herë, sepse ato lyheshin çdo vit”, ironizonte ai.

Edhe kjo ishte një praktikë e zakonshme e diktaturës, kur artistë e intelektualë të rëndësishëm, pasi mbaronin dënimin me burg, i ktheheshin jetës së lirë si punëtor krahu. Dënimi vazhdonte.

Pasi në krye të shtetit ishte vendosur Ramiz Alia dhe priteshin ndryshime, një profesor i gjimnazit “Qemal Stafa” e pyeti nëse do të ndryshonte edhe situata e tij, gjë që Mihali e kishte mohuar. Atëherë profesori i kishte thënë: “Si mo? Po ti jo vetëm që i lave fajet e tua, po dhe i leve”.  Ky profesor e dinte që vendi i Mihalit, nuk ishte aty ku e shihte prej 10 vitesh. Të gjithë e dinin. Vetëm se atyre që e kishin vendosur, kjo u jepte kënaqësi.

a.çano / kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here