Plumbat e 2 prillit që vranë drejtësinë në Shqipëri

0
543
blank

Ali Spahia: Gjak është derdhur edhe më parë në rrugët tona, por kësaj here na dhembi më shumë, sepse u derdh nga dora e atyre që e quajnë veten shqiptarë dhe na dhembi edhe me shumë, sepse u derdh në çastet më të para, kur ne sapo hidhnim hapin e parë në rrugën e demokracisë. Ajo që ndodhi në Shkodër më 2 prill qe një tragjedi e madhe. Nuk u vranë vetëm Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bishanaku dhe Besnik Ceka, por aty u vramë të gjithë, edhe ju, edhe ne, u vra demokracia që  po hidhte hapat e parë në rrugën e sapoçelur.

Sot mbushen 31 vite nga 2 prilli i vitit 1991. Në një protestë antikomuniste në Shkodër u vranë katër persona. Një ndër ta ishte edhe themeluesi i PD-së, një prej studentëve më aktiv në lëvizjen studentore, Arben Broci. Bashkë me të atë ditë u vranë edhe tre aktivistë të lëvizjes demokratike në Shqipëri. Arben Broci ishte një ndër studentët e dalluar ndër të tjerë për qëndrime të palëkundura kundër regjimit komunist. Ishte ndër të paktit që u përball me argumenta në takimin me Ramiz Alinë dhe më i qartë se shokët e tij studentë. Kaluan më shumë se tri  dekada dhe ende nuk ka një fajtor për vrasjen e tyre.

Ato ditë të para pas vrasjes, pati shumë përbetime që do të gjenden vrasësit dhe se ngjarja do të zbardhej patjetër. Ky angazhim u mor solemnisht nga ministri i Brendshëm i kohës, Gramoz Ruçi por edhe nga të gjithë deputetët e opozitës së kohës, Partisë Demokratike. Seancat parlamentare të prillit dhe të majit 1991, ishin të fokusuara vetëm tek kjo ngjarje. U ngrit një komision hetimor parlamentar për ta zbardhur ngjarjen. Pati edhe një raport të grupit hetimor, por në fund të gjithë procesit nuk pati fajtor dhe ngjarja mbeti thuasje në terr.  Ngjarja e 2 prillit ishte shkak edhe për bojkotin e opozitës demokrate menjëherë pas zgjehdjeve të 31 marsit. PD u kthye në parlament kur u vendos të ngrihej një komision hetimor për vrasjen e katër djemve shkodranë në protestë. Rikthejmë në kujtesë fjalën e deputetit të Partisë Demokratike, Ali Spahia, për vrasjen e 2 prillit në Shkodër:

blank“Ali Spahia, fjala në parlament 03.05.1991

I nderuar Kryetar, të nderuar deputetë, në mëngjesin e 2 prillit në Shkodër u krye një masakër e cila, për nga përmasat dhe në momentin kur ndodhi, është ndofta e pashembullt në historinë e popullit tonë.  Gjak është derdhur edhe më parë në rrugët tona, por kësaj here na dhembi më shumë, sepse u derdh nga dora e atyre që e quajnë veten shqiptarë dhe na dhembi edhe me shumë, sepse u derdh në çastet më të para, kur ne sapo hidhnim hapin e parë në rrugën e demokracisë. Ndofta, ata që e projektuan këtë masakër, pikërisht këtë donin të na tregonin, që me pushtet monopartiak ose në pluripartizëm, me diktaturë të proletariatit apo me demokraci pluraliste e shtet partiak, mënyra për të biseduar me popullin është një, me shkop dhe me grykën e pushkës. Populli i Shkodrës u thotë këtyre njerëzve: gaboheni rëndë. Nuk është kjo rruga për të biseduar me popullin, për të biseduar me njëri-tjetrin….

Ajo që ndodhi në Shkodër më 2 prill qe një tragjedi e madhe. Nuk u vranë vetëm Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bishanaku dhe Besnik Ceka, por aty u vramë të gjithë, edhe ju, edhe ne, u vra demokracia që  po hidhte hapat e parë në rrugën e sapoçelur.

Tani po flitet shumë, por përshtypja ime është që po flitet jo aq për të sqaruar gjërat, por më tepër (nga disa, jo nga të gjithë) për të dendësuar atë  mjegull që përhapën qysh në fillim.

Më bëri përshtypje përsëri fjala e zotit Ministër të Punëve të Brendshme, ku komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme e datës 2 prill cilësohet si vetëm renditje e evenimentëve, pa pretenduar për të dhënë kronologjinë e ngjarjes. Jo, zotërinj deputetë, të mos shkojmë deri aty, se është shkruar e zezë mbi të bardhë që në mëngjesin e datës 2 prill forca vandaliste sulmuan Komitetin e Partisë së Punës dhe në mbrojtje forcat e rendit vranë 3 veta. Dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha mbledhjet qeveritare që  janë zhvilluar në Shkodër, ku unë, për fat të keq, kam pasur rastin të marr pjesë, është ngulur këmbë të jepet e vërteta për ngjarjen, por akoma sot nga Qeveria nuk është dhënë një deklaratë e plotë e renditjes kronologjike të ngjarjeve. Jemi mjaftuar vetëm me një emision televiziv, ku njëri nga pjesëtarët e grupit hetimor tha që kronologjia është kjo, me një fjalë vrasja përpara etj. Megjithëse në të tëra mbledhjet, qoftë përfaqësuesit e Qeverisë, qoftë përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme apo të Hetuesisë së Përgjithshme, qoftë përfaqësuesit e partive politike, duke përfshirë edhe ata të Partisë së Punës në rreth, kanë pranuar që kronologjia e ngjarjeve është ashtu siç thonë populli dhe Partia Demokratike, përsëri me një këmbëngulje, do të thosha të pashpjegueshme, me një kokfortësi, Qeveria ngul këmbë vetëm në deklaratat e saj, të cilat, për fat të keq, kanë  qenë fund e krye të gënjeshtërta. Përse? Si ta shpjegojmë këtë këmbëngulje? Në të vërtetë, megjithëse nuk ka lidhje me ngjarjen, duke dashur t’i përgjigjem zotit Ministër të Punëve të Brendshme, po largohem pak te disa çështje të tjera.

Duke filluar që nga data 2 korrik, ne të gjithë jemi dëshmitarë që po përsëritet i njëjti skenar, mbase për të dhjetën herë ose më shumë. Vazhdimisht gjendet dikush që jep një lajm të rremë, madje shpesh ky lajm i rremë parajmërohet nga zëdhënësit e Qeverisë nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv që “ju mos i dëgjoni e mos u besoni fjalëve që në filan datë do të hapet filan ambasadë”. Lajm i gënjeshtërt. Ose lajme të tjera të gënjeshtërta: në filan datë hapet kufiri i Jugut, ose hapet kufiri i Veriut; ose vjen një traget nga aksh shtet në filan port e kështu me radhë. Dhe fill pas këtyre lajmeve të rreme do të grumbullohen disa mijëra veta, aty do të fillojnë eksese, vandalizma, eksod ose jo eksod etj.

blank

Si shpjegohet që përsëriten të njëjtat gjëra të paralajmëruara dhe asnjëherë nuk na u dhanë në bankën e të akuzuarve ekzekutorët, veglat, organizatorët? Çfarë forcash fshihen prapa këtyre organizatorëve? Çfarë qëllimesh kanë këto forca? Këto, më duket, janë pyetje të thjeshta për ne  që nuk jemi të zanatit. Si ta shpjegojmë: me paaftësi profesionale, me amatorizëm në kryerjen e detyrës? A mos vallë janë çështje që nuk kanë rëndësi kapitale për kombin, për shtetin? Atëherë pyesim: çfarë çështjesh është angazhuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria të zgjidhë, në qoftë se nuk është  e angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve?

Më duket se të gjithë e kemi kohën që të kërkojmë llogari për këto çështje. Për mua personalisht tashmë është e qartë që ka forca të huaja, të interesuara në këtë destabilizim, në këtë shprishje të vendit tonë. Dhe është gjak i arbrit ky që shprishet për rreth 500 vjet e s’gjendet forcë ende ta mbledhë në një kulm, rreth një sofre, për të mos dalë e bredhur dyerve të botës si lypsarë. Kjo forcë e huaj që na e ka dashtë dhe na e do të keqen vazhdimisht dhe është e interesuar që ne të shuhemi si komb, për fat të keq bindja ime është që gjen mbështetje edhe brenda. Nuk di si t’i shpjegoj ndryshe këto që  po ndodhin. Kaq për këtë.

Tash po vij te çështja e Shkodrës. Rreth orës 8.00 ose 8.10 të datës 2 prill isha në selinë e degës së Partisë Demokratike të rrethit të Shkodrës. Para selisë ishin grupe të vogla njerëzish, gjithsej rreth 40 ose 50 veta. Në këtë kohë vjen shefi i policisë dhe thotë: “ Doktor Aliu, ç’janë këto grumbullime? Ç’janë këto gjëra që po ngjasin?” Përse e keni fjalën? - i thashë. "Ja, për këto grumbullimet e paligjshme", - tha, - dhe vazhdoi:“Ju i përkrahni.” Përse mendoni kështu? - i thashë unë. "Po ja për këndej, - tha, - dalin parulla "(Ishte një fëmijë i vogël rreth moshës 8-9 vjeç që kishte në dorë një pankartë nga ato me dy gishtat lart të Partisë Demokratike). Për këtë, duket, e kishte fjalën. Unë iu përgjigja: Prej këndej nuk del asnjë parullë. Ne nuk i përkrahim grumbullimet e paligjshme. Shefi i policisë tha që ne do t’i shpërndajmë me forcë. Një qytetar që ndodhej atje i tha: “Njerëzve u ka ardhur komunizmi në majë të hundës”. Shefi iu përgjigj: “Këto janë grumbullime të paligjshme. Ne e kemi lejuar Partinë Demokratike të bëjë mitingje, por nuk do t’i lejojmë të gjitha”. "Mirë, - i tha qytetari, - ato janë grumbullime të paligjshme, po t’i ç’do  të bësh, do t’i vrasësh?" "Edhe do t’i vras," - tha shefi i policisë.

blank

Ç’është e vërteta, në mbledhjet zyrtare shefi i policisë i ka pranuar të gjitha, ka pranuar që na ka bërë thirrje për ndihmë, por nuk e ka pranuar që  ka thënë “edhe do t’i vras” Atëherë unë ndërhyra. Partia Demokratike e ka njohur zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve, - i thashë, - dhe e konsideron sukses të Partisë Demokratike. Shefi ndërhyri. "Po, - tha - , ju në Shkodër keni fituar." Unë vazhdova: “Ne jemi përgatitur për luftë parlamentare, si në të gjithë botën ku ka parlamente pluraliste, dhe gjithë ditën dje kemi ndihmuar forcat e policisë." "Na ndihmoni, - tha, - atëherë edhe sot." "Atë punë po bëjmë," - i thashë. Ndërkohë ai doli dhe u nis për në Komitetin Ekzekutiv, kurse unë bashkë me Arben Brocin dhe shokë të tjerë të komisionit drejtues, si dhe me 2-3 qytetarë të tjerë, morëm drejtimin e Komitetit të Partisë së Punës. Rrugës duke shkuar atje u ndeshëm me forcat e policisë që po rrihnin nxënës, fëmijë e të rinj që gjuanin me gurë. Hymë ndërmjet tyre, i shpërndamë, arritëm t’i hipnim në makinë forcat e policisë dhe vazhduam rrugën drejt Komitetit të Partisë. Edhe 30 metra na duhej për të arritur para sheshit, kur në këtë kohë krisën batare pushkësh. M’u desh të ndalesha që të vizitoja një të sëmurë, një fëmijë të plagosur, kurse Arbeni me shokë të tjerë vazhduan rrugën. Mbas dy minutash kam parë makinat që u nisën drejt spitalit me të vrarë e të plagosur. Në këtë kohë sheshi para Komitetit të Partisë ishte i boshatisur.

Prandaj, duke pasur parasysh fjalët që tha zoti Ministër i Brendshëm që  “ne e dinim se në datën 2 prill do të kishte grumbullime të paligjshme në Shkodër”, duke pasur parasysh faktin që erdhi e na thirri vetë shefi i policisë dhe kjo është pranuar (nuk e di pse nuk e theksoi askush deri më sot) në të gjitha mbledhjet zyrtare që janë bërë në Shkodër (për këtë ftoj të dëshmojë deputeti Shaqir Vukaj, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryehetuesi i Republikës, që kanë qenë prezentë në këto mbledhje), duke pasur parasysh që erdhën e na thirrën, duke pasur parasysh që u vramë pas shpine, kur sheshi ishte boshatisur, kemi të drejtë plotësisht që këto vrasje t’i quajmë vrasje politike, të organizuara dhe me paramendim.

Kam edhe një fakt tjetër. Që në mbledhjen e datës 2 prill iu tha kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme që të ulte snajperët që kishte vendosur në tarracat dhe pozicionet e fshehta zotëruese rreth sheshit para Komitetit të Partisë dhe para Radio Shkodrës.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme e mohoi një gjë të tillë. Dolëm nga mbledhja, i gjetëm, u kthyem në mbledhje pas një ore dhe u detyruam me  keqardhje ta cilësojmë kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme gënjeshtar. Atëherë ai tha: “E di unë se si e organizoj mbrojtjen e ruajtjes së rendit”. Pyes këtu zotërinjtë deputetë të pranishëm: për çfarë ruajtje rendi duhet snajperi në pozicionet dominuese? A mund të ketë dyshime për   atë se çfarë duhet një snajper në tarracën e pallatit pesëkatësh? Përse nuk thuhet asnjëherë, përse nuk i pranon askush, në asnjë deklaratë zyrtare, as Ministri i Punëve të Brendshme, as Qeveria, që kështu ka qenë rrjedha reale e ngjarjeve?

Edhe në  të dhënat e zotit Ministër të Punëve të Brendshme ka pasaktësi orësh. Jo në orën 9 u vra Arbeni, por në orën 8.20. Dihet edhe se kur është vrarë Nazmiu, se janë dokumentet në spital, është kartela e shtrimit, pasi është  operuar….”

blank

Ato vite të para të pluralizimit politik ishin shumë të ngjeshura me ngjarje të mëdha, sepse Shqipëria kishte nisur në dhjetor të vitit 1990 rrugën e saj drejt sistemit demokratik. Ishte rrëzuar komunizmi dhe Partia Demokratike ishte forca politike, tek e cila i kishte shpresat pjesa më e madhe e vendit. Pritej vendosja e demokracisë, pas 50 vitesh diktaturë. Dhe nisja nuk dukej aq premtuese. Mungesa e drejtësisë dhe e vërtetësisë për atë ngjarje u vendos si standard i mungesës së demokracisë në Shqipëri. Kjo ngjarje është kaq e rëndë jo vetëm se humbën jetër katër të rinjë, por siç e kishte parashikuar i ndjeri doktor Ali Spahija, ngjarja u bë vazhdimësi e traditës komuniste të mungesës së drejtësisë në Shqipëri. Mungesa e provave për atë krim ishte argument kryesor që e la ngjarjen në errësirë. Ky argument ka vazhduar të qëndrojë për vitet në vazhdim e deri sot. Ngjarje të rënda kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Shqipëri që lidhen kryesisht me skandale korrupsioni të nivelit shumë të lartë. Të gjitha raportet ndërkombëtare të këtyre viteve në krye kanë nivelin e lartë të korrupsionit qeveritar. Por ska zyrtar të niveleve të larta qëpërballen me drejtësinë. Ka raste sporadike të cilat përfundojnë kryesisht me akuzën "shpërdorim detyre". Sespe drejtësia nuk mori për asnjë moment kuptim edhe pas rrëzimit të sistemit komunist.

Sot pas tri dekadash vitesh, jemi në një situate, kur elita politike produkt i asaj kohe, po kërkon të bëjë reformë në drejtësi mbi një histori 31 vjeçare ku drejtësia është përçudnuar dhe jo pa qëllim. Nuk ka ardhur kjo histori rastësisht. askush nuk u përgjigj për vrasjet masive të mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës komuniste, mijëra të tjerë të burgosur e internuar. Ka ish-drejtues të hetuesisë famëkeqe që sot në vitin 2022 shfaqen nëpër studio televizive duke folur si historian. Qemal lame u shfaq pak ditë më parë si historian në një prej emisioneve më të rëndësishme në Shqipëri. Qemal Lame ishte drejtues i hetuesise në Shqipëri kur ndodhi ngjarja e 2 prillit. E dëshmon dokumenti që publikohet mëposhtë. blank

 

Në anën tjetër është vrarë përjetësisht shpresa për drejtësi, sepse shqiptarët janë qeverisur pa drejtësi në këto tri dekada, me korrupsion, varfëri, papunësi dhe sot një popull pa shpresë që vazhdon e ikën nga vendi i tij. Ndaj dhe plumbat e 2 prillit në të vërtetë vranë përgjithmonë drejtësinë në Shqipëri.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here