1946/Inxhinieri austriak i dënuar pa asnjë provë

0
1200
blank

Një austriak i ardhur herët në Shqipëri, inxhinier i Bashkisë Shkodër, projektues veprash dhe kontributor për hartat gjeografike të Shqipërisë së veriut, u arrestua nga komunistët fillimisht në ditët e shtetrrethimit të qytetit më 27.1.1945 për t’u liruar më 23.2.1945.

Leopold Vencil Dvorak, vjeç 72, i martuar me tre fëmijë, lindur në Hainfel të Austrisë, shtetas çekosllovak (me hartën e re, qyteti i tij i lindjes kishte ngelur jashtë Austrisë), banues në Shkodër.

Pasi e lanë disa ditë, e arrestuan prapë. Këtë herë akuzohej se kishte qenë “spiun i Gestapos”, por për këtë nuk paraqitej asnjë provë. Akuza ndaj tij u përpilua më 26.2.1945 dhe u mbështet formalisht në nenet 15, 18, 19 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”. Prokurori kërkoi dënimin me 7 vjet burgim, duke mos paraqitur asnjë provë. E vetmja gjë që referoi prokurori ishte një leje për të shkuar në kinema, e nënshkruar nga komandanti i policisë Mato Murati. Procesi ishte tipik komunist dhe nuk pati as avokat e as dëshmitarë.

Në proces deklaroi botërisht: “Nuk kam qenë spiun i Hausdingut, por si dragoman për gjuhën italishte. Më kishin shtrënguar nevojat ekonomike që të shkoja te Hausdingu (përfaqësues gjerman i Gestapos-shënim), pasi isha pa punë dhe nuk kisha me se të jetoja. Me Mato Muratin nuk e kam patur ndonjë miqësi, por këtë e kam njohur si kolonel i policisë që ishte dhe lejen e mora nga ai për të shkuar në kinema e për mos më ndaluar njeri.

Unë jashtë Shkodrës nuk kam dalë ndonjëherë. Nuk di se çfarë kanë shkruar në letrën e lejes. Mua nuk më është paraqitur ndonjëherë rasti, as kam patur nevojë që të kërkoja ndihma forcash të armatosura. Në Shqipëri kam ardhur qysh në vitin 1920 dhe kam qëndruar në Shkodër, gjithnjë si inxhinier i bashkisë, por qenë edhe më parë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, si oficer topograf dhe kam shëtitur në Shqipërinë e veriut pasi kam bërë harta topografike me urdhrin e komandës së Vjenës, të cilat ia kam dërguar asaj. Kur iku Austria, unë ika pas tyre, por u ktheva pas 3 vjetësh në Shkodër. Si inxhinier kam punuar në rrugën e Pukës, Urën e Matit dhe në Rubik. Tash 10 vjet jam sakat dhe merrja një pension të vogël nga bashkia, por ky nuk më dilte për jetesë dhe ushqim. Nuk është e vërtetë të kem qenë agjent i Gestapos. Unë jam socialdemokrat dhe kam qenë antifashist. Komandantor Rrokon nuk e njoh, as kam qenë ndonjëherë me të. Doktor Lopecin e kam njohur, por nuk kam pasur miqësi. Lufta e tashme botërore më është dukur e mirë”.

Gjykata Ushtarake e Qarkut Shkodër, e përbërë nga: toger Mustafa Iljazi, kapiten Namik Qemali, nëntoger Xhemal Bejtja, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Aranit Çela, me vendimin nr.84, datë 26.2.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet burgim, punë të detyruar dhe heqjen e të gjitha të drejtave politike për aq vjet.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here