Përpjekjet e komunistëve për të përçarë dhe goditur bektashinjtë në Shqipëri

0
121
blank

Si ndikuan komunistët për të mbjellë përçarje mes komunitetit bektashi. Si u përpoqën të vendosnin kontrollin e tyre mbi strukturat drejtuese dhe si eliminuan elementët më intelektualë e patriotë të klerit e besimtarëve. Vetë raportet e  sigurimit zbulojnë veprimet e dorës së regjimit në prapaskenën e zhvillimeve fetare dhe qëndresën e bektashinjve

 

Nga Xhafer Sadiku

Gjatë viteve të luftës, influencën e klerit mbi besimtarët e shfrytëzoi Partia Komuniste e Shqipërisë. Në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH, mbajtur në Labinot më 17-21 mars 1943, ajo udhëzoi strukturat e saj në bazë…”me u fut nëpër teqe mbasi aty kemi me gjet shumë element të mirë dhe që simpatizojnë luftën nacionalçlirimtare”.

Depërtimi i ideologjisë komuniste në mjediset e teqeve bektashiane përçau jo vetëm besimtarët, por edhe klerikët bektashianë. Kështu, Baba Mustafa Xhani, Fejzo Dervishi, Mehmet Zyka etj., u bënë përkrahës të komunistëve, ndërsa klerikë të tjerë si Baba Kamber Pagria, Baba Qamil Gllava, Baba Abazi etj., ruajtën profilin nacionalist. Që në kongresin e Përmetit, komunistët listuan klerikët me bindje antikomuniste dhe pas marrjes së pushtetit, filluan goditjen e tyre. Pas ekzekutimit të Papa Aleksit, regjimi komunist iu rikthye klerikëve bektashianë.

Pas luftës, klerikët bektashianë që mbështesnin partinë komuniste, morën iniciativë të reformonin bektashizmin. Reformat në fjalë kishin të bënin me heqjen e mjekrës së klerikëve bektashianë, veshjen me rroba civile dhe martesën e tyre. Reforma u përkrah nga një numër i vogël klerikësh të lidhur me regjimin, por u kundërshtua masivisht nga klerikët dhe besimtarët.

Konflikti brenda klerikëve bektashianë u shkallëzua deri në atë masë sa Dede Abazi vrau Baba Mustafa Xhanin (Baba Faja, shënim i kujto.al) e Baba Fejzo Dervishin dhe më pas edhe veten. Vrasja bëri bujë dhe tronditi regjimin. Më 24 mars 1947, Komiteti Qendror i PKSH udhëzonte sekretarët politikë të komiteteve qarkore, të ngarkonin të gjithë anëtarët e partisë, të punonin në zonat ku kishte teqe dhe influencë bektashiane për të marrë informacion të hollësishëm e të studiuar mirë mbi përshtypjen që kishte bërë në besimtarët dhe në popull çështja e reformave. -Këto informata të mos jenë të nxjerra nga thëniet e një ose dy vetave, theksohej,-“por nga opinioni i përgjithshëm i këtyre rretheve, si dhe i popullit që është i lidhur me këta”. (AQSH, FO.14, viti 1943, dosja 10)

…Për çështjen në fjalë kishte opinione të ndryshme. Në krahinën e Tepelenës, p.sh., besimtarët, vrasjen e quanin “si një vepër të madhe për fenë, e cila shpëton principet e saj”, pasi sipas tyre, “këta kanë qenë njerëz që donin të na prishnin fenë”.

Në krahinën e Këlcyrës, ku kishte shumë besimtarë dhe ku njiheshin të dy baballarët, ngjarja konsiderohej “si vrasje nga një element reaksionar dhe kundër pushtetit tonë”.

Megjithë presionin e regjimit, rezistenca e pjesës më të madhe të klerikëve dhe besimtarëve ishte shumë e fortë.

Kleri dhe besimtarët “reaksionarë” do të mbaheshin nën kontrollin e sigurimit edhe në vitet që do të vinin. Sipas raporteve të sigurimit, në rrethin e Përmetit, më të përhapur ishin ortodoksët dhe bektashinjtë, ndërsa në një masë më të vogël paraqiteshin myslimanët dhe ungjillorët. "Si klerikë predikues të fesë, theksohej në raport, kemi vetëm në drejtim të bektashinjve, ortodoksëve dhe ungjillorëve. Në drejtim të klerit mysliman nuk kemi në këtë rreth. Më në aktivitet armiqësor në radhët e klerit është treguar ai bektashian, ungjillorët, pastaj kleri ortodoks".

Në raportin vjetor të seksionit të sigurimit në Përmet për vitin 1958, theksohej se kleri “…është shprehur me agjitacion e propagandë, për ndryshimin e situatës në vendin tonë. Kanë propaganduar për të mbrojtur pikëpamjet reaksionare fetare, duke ç’frytëzuar këtu besimtarët që janë të dhënë pas fesë”.

Për të kontrolluar më mirë klerin ortodoks e bektashian, gjatë vitit 1959, në drejtim të tyre u aktivizuan bashkëpunëtorët e sigurimit, “Tërbuqasi” dhe “Besniku”.

Politikë dhe intrigë

Pasi dështuan të bindnin klerikët që kundërshtonin reformat, për të vënë nën kontroll klerin bektashian, regjimi shfrytëzoi zgjedhjen e Kryegjyshit, që do të zëvendësonte Dede Abazin. Figurat më autoritare ishin Baba Ali Tomorri dhe Baba Rustemi. U bë kujdes të mbaheshin nën kontroll delegatët, të cilët do të zgjidhnin dedenë dhe këshillin bektashian.

Në raportet që i vinin udhëheqjes komuniste nga strukturat e saj vartëse të zonave ku kishte teqe dhe influencë bektashiane, bëhej një përshkrim i hollësishëm për opinionet e klerikëve, delegatë të këshillit bektashian. Më 30 prill 1947, komiteti qarkor i Gjirokastrës i raportonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, se përsa i përkiste opinionit të delegatëve të Gjirokastrës, “janë pro Baba Aliut, duke e paraqitur këtë si njeri të zgjuar dhe që ka përmirësuar qëndrimin e tij…”

Në fakt, emri i dedesë së bektashinjve nuk do të reduktohej në këto dy kandidatura. Përveç Baba Rustemit që biseduam kur ishim aty, shkruhet në raport, “edhe Baba Ahmeti i Kus Babas të Vlorës është i shoqëruar me polic nga pas. Këtë ja ka dhënë seksioni i Punëve të Brendshme Vlorë. Baba Ahmeti kur ka ardhur këtu ka folur mirë, ka dënuar veprën e Dedesë para myhypve dhe është paraqitur më i thjeshtë. Baba Rustemi parathotë se Baba Faja me Baba Fejzon u vranë ca në punën e tyre, megjithëse ky i kishte këshilluar për të qenë më të matur”.

Natyrisht, si kryegjysh u zgjodh Baba Ahmeti.

Për të eliminuar klerikët me profil intelektual dhe besimtarët që i mbështesnin, regjimi intrigoi për t’i implikuar në të ashtuquajturit grupe armiqësore. Kështu, pas zgjedhjes së kryegjyshit dhe këshillit bektashian, u arrestuan Baba Ali Tomorri, Baba Shefqet Koshtani, At Gjergj Suli dhe dhjetëra besimtarë, midis të cilëve: Islam Radovicka, Zenel Shehu, Mestan Ujaniku, Syrja Vasjari etj..

Sipas skenarit të sigurimit, ata ishin krerë të “Grupit Miks” që gjoja vepronte në Shqipërinë e jugut dhe, pa asnjë provë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.

Pasi vendosi nën kontroll komunitetet fetare në qendër, regjimi bëri spastrimin e institucioneve fetare nga klerikët me “biografi të keqe”.

Kleri nën kthetrat e sigurimit

Më 1958, kleri bektashian në rrethin e Përmetit përbëhej nga katër baballarë dhe dy dervishë. Në raportet e sigurimit vihej në dukje se “në përgjithësi nga ana e këtij kleri është zhvilluar aktivitet armiqësor në forma të ndryshme”.

Sigurimi kishte vënë në përpunim aktiv baba Zenel Çobanin e teqesë së Përmetit dhe në kontroll operativ baba Selim Kaliçanin e teqesë së Frashërit, të cilët, sipas sigurimit, “kanë treguar aktivitet të hapur kundra pushtetit, që të dy këta kanë çfaqur tendenca për arratisje”. Për klerikët e tjerë vihej në dukje se “kanë punuar në një formë më të mbyllur, kryesisht nën predikimin fetar”.

Kontrolli i sigurimit mbi klerin bektashian u shtua gjatë vitit 1959, veçanërisht përpunimi i baba Zenelit, i cili, sipas sigurimit, kishte shfaqur tendencën për t’u arratisur jashtë shtetit dhe kishte folur me simpati të madhe për Dervish Rexhepin, i arratisur jashtë shtetit.

Sigurimi përgatiti dokumentet dhe e propozoi për ta goditur, pasi që “qenia e tij e lirë është e dëmshme”.

Në planin e punës të 15 marsit 1959, seksioni i sigurimit planifikonte të siguronte agjenturë paralele për përpunimin e baba Selim Kaliçanit në teqenë e Frashërit, i cili, “me të ardhur në teqenë e Frashërit mblodhi rreth vetes elementin e pakënaqur dhe kulak…” Në drejtim të klerit bektashian sigurimi kishte aktivizuar gjashtë bashkëpunëtorë.

Në raportin e sigurimit për vitin 1960 lexohet:

“Në drejtim të klerit bektashian për vitin që vjen do të marrim këto masa:

Të bëjmë një evidencë të plotë të gjithë myslimanëve të regjistruar në teqetë e këtij rrethi si besnikë të këtij.

Do të marrim masa për të forcuar kontrollin agjentural në drejtim të teqesë së Frashërit dhe teqesë së Sukës, si teqe me influencë dhe që baballarët e këtyre teqeve zhvillojnë aktivitet armiqësor, për të zbuluar lidhjet e afërta të këtyre baballarëve dhe aktivitetin armiqësor nën maskën e fesë.

Të marrim në përpunim baba Mehmet Zykën, në drejtim të tij kohët e fundit kemi të dhëna për aktivitet armiqësor.

blank
Mehmet Zyka

Kontrolli vazhdoi edhe në vitet pasardhëse. “Ka ardhur me transferim në teqenë e Përmetit baba Sabri Kalaja", theksohej në një raport të sigurimit dhe i bënte biografinë: “në të kaluarën ka mbajtur qëndrim armiqësor, familjarisht ka qenë i lidhur me organizatën tradhtare. Mbas çlirimit, familja e tij ka qenë e cilësuar kulak”.

Atë e kishin marrë në kontroll operativ “për të kaluar të keqe”, por vihej në dukje se "ka treguar dhe tregon aktivitet armiqësor”. "Gjatë kohës që ishte në teqenë e Turanit ka qenë i rrethuar me agjenturë, ka patur të dhëna të bollshme për aktivitetin e tij armiqësor". E kishin transferuar shpesh dhe ishte jashtë kontrollit të agjenturës. Por në fillim të vitit 1964, e vunë në kontrollin e agjenturës.

Më 1963, sigurimi mori në përpunim agjenturor Mehmet Zykën, në teqe të Frashërit, për shkak se në një rast, duke pirë raki, “ngre shëndetin e Hrushovit dhe në vazhdim tregohet i pakënaqur e flet keq kundër pushtetit”. Sipas sigurimit, organet e partisë dhe pushtetit kishin konsideratë të mirë për të, për faktin se ishte me përbërje të mirë politike.

Seksioni i Sigurimit propozonte ta transferonin në teqenë e Përmetit për të qenë më afër organeve të partisë e pushtetit dhe kishte aktivitet më të kufizuar fetar se në Frashër.

Në qershor 1967, Babai i teqesë së Frashërit, u arrestua. Gjykata e Rrethit Përmet e deklaroi fajtor për veprën e terrorizmit të mbetur në tentativë, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e dekoratave. (AQSH, FO.890, viti 1967, dosja 175)

Një thikë buke në sofër, u konsiderua nga sigurimi si armë që Babai i teqesë do të kryente akte terroriste, ndërsa agjitacioni dhe propaganda e tij ishte se i quajti “të poshtër e frikacakë ata që heqin dorë nga ushtrimi i fesë”. Si për ironi, theksohej se “Në dhënien e dënimit gjykata mori parasysh marrjen pjesë aktive në luftë si dhe moshën e madhe”. Babai i teqesë nuk doli as i gjallë, as i vdekur nga burgu.

Marrë nga “Skenarë të përgjakur Përmeti, 1943-1990” i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here