Edhe Qemal Draçini thërriste: “Dritë, dritë!!”

0
140
blank

Një homazh për Qemal Draçinin (6 mars, 1922-10 tetor, 1947)

Përgatiti Arben Borshi

<<10 tetor 1947. Një ditë vjeshte me shi, kur drita ende nuk kishte zhdavaritë terrin kobzi të natës, dikush pa në gjysmëterr të agimit një trup të vdekur me fanele të kuqe, që tundej në një karro plehu, e tërhequr nga një kalë, andej nga çinaret, matanë vorreve katolike, atje te gropa e përbashkët. Medet! Me sa Katinë është mbushur toka e shqiptarëve!! Tragjikisht e ndoqi fati pse guxoi, por burrnisht e mbylli jetën me nder, veçse me sa vuejtje. Dhe fjala "vuejtje" është e paktë, nuk e shpreh dot lemerinë!!>>
<<Ishte dritë, kërkonte dritë, prandaj e shuan ata që donin (terrin) errësirën. Kur Volfang Gëte, në "Olimpia e Vajmarit", po ndahej nga kjo jetë, u ngrit çastin e fundit në shtrat dhe thirri: "Dritë, Dritë!" I pëlqente Qemal Draçinit ta përsëriste shpesh këtë thirrje perëndish.
Jeta e tij qe aspiratë e mishëruar për liri e dritë dhe për DRITËN ai ra therror. Që fëmijë e karakterizoi energjia e guximi i paskajshëm, afekti i thellë njerzor, pasioni për kulturën dhe artin e kryesisht per letersinë. Përherë në zgrip të greminës, me rrezikun u rrit binjak. Shpirti i tij, Abis i thellë njerëzor, u çmerit nga mirazhi i idealeve fisnike dhe u turr nga majat e ndritshme të një ...vegimi të lirë e shoqëror që mendoi dhe synoi të realizonte praktikisht përmes veprimtarisë revolucionare. Kjo shpjegon lidhjen e hershme me Qemal Stafën që adoleshent, pa i mbushur 15 vjetët. Në dhomën e tij bibliotekë, punonte, përkthente, shaptilografonte, shkruante, shkruante, diskutonte me Spasse Trimçevin dhe Emin Durakun. Jeta, kjo mësuese e rreptë, shpejt e burrëroi, por edhe e përpiu në vorbullat e saj: 16 vjeç e gjysmë, ai qëndronte në bankën e të akuzuarve në gjyqin e Tiranës, në krah të Qemal Stafës (ishte aq i ri sa trupi gjykues u përça në fillim, ta dënonte apo jo?). Por diktatura, e çfarëdo ngjyre qoftë, është pikësëpari dhunë, pastaj dhunë e prapë dhunë çnjerëzore.

Kështu që në pranverën e jetës, ky djalë i zjarrtë provoi të parat tortura e pastaj të parat pranga të burgut të egër real, të burgut të Mbreshtanit në Berat. Takimi i parë me diktaturën la gjurmë të dhimbshme në trupin dhe në shpirtin e tij. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, të burgosurit e Mbreshtanit lirohen, ai kthehet pranë familjes dhe ndjek mësimet e ndërprera ne Liceun e Shkodrës. Është kjo periudhë dyvjeçare e mbushur me një jetë aktive e, papushim, shkruan e boton me pseudonimet Malseni, Imperitus, lexon shumë, përvetëson dhe dashuron. Ai e ka dashur shumë jetën e tij të shkurtër. Ai, burim i pashtershëm, emanonte afekt të thellë njerëzor, por përpinte dashurinë e të tjerëve. Kur, më 1940, vdiq poeti i madh At Gjergj Fishta, e përcolli me lule ndër duar e pikëllim në shpirt në banesën e fundit, pse e desht pa hile, por dhe poeti kombëtar, sa qe gjallë, e ngrohu me miqësinë e vet. Kur ia patën prezantuar, poeti i madh kishte shpërthyer në një gaz të çilter: "Po a ti qenke Malseni, â?" Kishte para vetes një çun 16 vjeçar. Kishte njohur ma parë Malsenin, pseudonimin e tij, tash po njihte njeriun.
Në faqen e parë të "Lahutës se Malcisë", që ia dhuroi, Ati i urtë, duke ia pasur frikën vrullit marramendës të pasionit të tij fisnik për DRITËN, këtë autograf i dedikoi: "P.T. Malsenit! Sa të kesh hapin, mate vrapin! A.Gjergj Fishta, O.F.M."(Parandjenjë profetike, pse vrapin shpejt do t'ia ndalnin!)>> ( Pjesë nga parathania e librit :"Qemal Draçini-njeriu, intelektuali, martiri. Nga Enver Draçini, vëllau, dhe Nexhmi Bushati)

Shkruan prof. dr. Fatbardha Hoxha: <<Një episod për t'u veçuar është miqësia e afërt e Qemalit me Gaspër Palin poetin, prozatorin, kritikun e panjohur më parë nga studjuesit, veprës së të cilit Qemali do t'i kushtojë një shkrim elitar kritik në faqet e revistës "Fryma", ku ai e quan G. Palin "Poet kerkimtar i dëshpëruem drite.
"Në vitin 1944, realizon një ëndërr të tij të djalërisë; së bashku me avokatin e ri, Myzafer Pipa, krijuan revistën "Fryma". Aty ai shkruan me emrin e vet, me pseudonimin Genc Valbona dhe reçensimin e botimeve të reja e nënshkruan me inicialet I-i, Alni Qendra. Ishte vetë redaktor, kryeredaktor dhe korrektor.
Jetoi pak, por pak e jetuan jetën aq intensivisht sa ai. Ia këputen jetën në gonxhe të porsaçelun, pse qe luftëtar për jetën e nuk pranoi qënijen e prishun, shpirtin e molisur siç e donin "jo njerëzit". Dhe sot, kur njeriu përfytyron në njërën anë këtë personalitet njerëzor dhe në anën tjetër ato kafshë të neveritshme, të vjen të bërtasesh. Por fjalët nuk kanë forcë të shprehin atë dallgë e duf të brendshëm që përvëlon, atëherë buzët, dhimbsurisht dhe revoltueshem, pëshpërisin atë vargun e Poetit: "O Perëndi, a ndjeve?!..
Ai djalosh 16 vjeçar, kur vdiq Migjeni, me pseudonimin "Malseni" nënshkroi artikullin e vet "Në cungim të flatrave të letërsisë sonë". Por për atë vetë askush "s'arriti të shkruante": "Një shkëndijë e zjarrtë në qiellin e errët shqiptar i grimcuar dhe xixat me mijra ranë mbi tokë." Po xixat jetuan xhelozisht të fshehura në zemrat e shumë njerëzve. (botuar në gazetën "Shkodra", nr.4, tetor, 1991)

Shkrimi është marrë me shkurtime nga faqja e fb të Arben Borshit

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here