Riza Alizoti, inxhinieri i varur në datën e lindjes

0
277
blank

I diplomuar në Angli dhe i specializuar në Strasburg, inxhinier Riza Alizoti, ia kushtoi dijet e tij, punës në fushat vajgurore të Kuçovës. Aty e arrestuan dhe aty e sollën, pas disa muajsh për ta varur në litar. Ishte mëngjesi i 10 tetorit 1947. Atë ditë Riza Alizoti mbushte 37 vjeç.

 

 

Rizai ishte djali i vogël i Fejzi dhe Ismihan Alizotit. I ati ishte diplomuar në Stamboll ku kishte studiuar financë e diplomaci duke mbajtur më pas poste të rëndësishme në qytete të ndryshme të perandorisë osmane. E ëma ishte bijë e familjes Koka, një prej familjeve në zë të Delvinës. Kur lindi Rizai, më 10.10.1910, ata ndodheshin në Stamboll. Fejziu u rrit në një vilë me tetë dhoma, mes një kopshti plot pemë e lule, rrethuar nga kujdesi i prindërve, vëllait më të madh, Hasanit dhe tri motrave. Kur mbushi moshën e shkollës, i ati e regjistroi në Robert College, një shkollë private amerikane në pjesën evropiane të Stambollit, që kishte nxjerrë njerëz të shquar e ku kishin studiuar edhe mjaft shqiptarë.

I ati i Rizait zhvendosej shpesh nga një qytet në tjetrin për shkak të punës, por në 1913-ën ai u largua nga Stambolli si i dëbuar, për shkak se ishte anëtar i Komitetit shqiptar. Në Shqipëri mbajti detyra të rëndësishme, si prefekt, ministër, administrator qyteti apo drejtor financash.

Do vinte dita që do i bashkohej edhe familja, e cila u largua përfundimisht nga Stambolli, për t’u vendosur fillimisht në Durrës e më pas në Tiranë. Aty ndërtuan një vilë me tri kate në rrugën e Kavajës. Rizain, që ishte tashmë në moshë gjimnazi, e regjistruan në shkollën Teknike të Tiranës. E mbaroi “Harry Fultz”-in në vitin 1929 dhe disi ndryshe nga shokët e tij që parapëlqenin të studionin në Austri ose Itali, duke zgjedhur Akademinë Ushtarake apo Mjekësinë, zgjodhi Anglinë dhe inxhinierinë. Bëri një kërkesë për bursë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare për të studiuar në Shkollën e Minierave të Camborne të Universitetit të Exeter-it dhe pas përgjigjes pozitive u nis drejt Anglisë duke pasur të qartë detyrimin për t’u kthyer në atdhe me përfundimin e studimeve.

Në Angli ai u njoh dhe u dashurua me Kathleen, me të cilën, pavarësisht kundërshtimeve të prindërve të saj, u martua në vitin 1930, martesë nga e cila iu lindën një djalë dhe një vajzë. Gjithçka ndodhi shpejt, pa bërë asnjë llogari, por kur Rizai përfundoi studimet duhej të kthehej në atdhe, detyrim që i ati ia kujtonte në çdo letër, duke qenë se ai kishte studiuar me shpenzimet e shtetit shqiptar. Bashkëshortja nuk pranoi të vinte me të duke këmbëngulur që duhet të qëndronte ai. U kthye në Shqipëri, por zemra dhe mendja i mbetën te familja. Mundohej ta mbante gjallë marrëdhënien me anë të letrave, por ishte e vështirë. Në një nga këto letra merr lajmin e kobshëm që djali i tij kishte humbur jetën në një aksident. Dhimbja i ndau edhe më shumë derisa humbën çdo komunikim, pavarësisht që Rizai, sa herë mundej, i dërgonte ndonjë dhuratë së bijës që e kishte pagëzuar me emrin Belkiz.

Në Shqipëri, ku motrat ashtu si dhe i vëllai ishin martuar dhe ishin bërë me fëmijë, Rizait i mbetej t’i kushtohej punës. Nisi të punonte në fushën vajgurore të Kuçovës. Vitet rodhën. Në 1938-ën, shkoi për një specializim në shfrytëzim minierash në Strasburg, nga ku u kthye sërish në Shqipëri.

Në këtë kohë, kur kishte mbushur 30 vjeç dhe kur të afërm e miq iu vunë pas, vendosi të krijonte familje. Gruaja e tij do të bëhej vajza e vetme e Jaup Ypit, Vera, që kishte studiuar në Torino dhe vinte nga një familje e dëgjuar si nga nëna, pasi gjyshi Fehim Zavalani kishte qenë rilindës i dëgjuar dhe nga i ati, duke qenë që xhaxhai i saj, Xhafer Ypi kishte qenë kryeministër i Shqipërisë në vitin 1922. Vera e bukur dhe e dashur, do ia mjekonte disi plagët e shpirtit Rizait dhe do i rikthente gëzimin e jetës. Në vitin 1941 ata u martuan me një dasmë madhështore, në shtëpinë e prindërve në Tiranë, me festime që zgjatën disa ditë dhe menjëherë më pas, u nisën për muaj mjalti në Romë, ku u takuan me vëllanë e Verës që studionte në Modena.

blank
Fejzi Alizoti, plaku

Por jeta e ëmbël nuk zgjati shumë. Në nëntor të vitit 1944, komunistët arrestojnë babanë e Rizait, ndërkohë që disa ditë më parë kishin arrestuar vëllanë e tij, Hasanin. I akuzonin si armiq e bashkëpunëtorë me okupatorin pa asnjë provë. Fejzi Alizoti u gjykua nga gjyqi special dhe u dënua me pushkatim bashkë me 16 intelektualë të tjerë më 13 prill 1945. Dy ditë pas pushkatimit të tij, doli në gjyq Hasani dhe u dënua me dy vjet burg.

Rizai nuk mund të bënte asgjë. I mbetej vetëm të punonte. Vazhdoi punën në Kuçovë, ku tashmë jetonte me familjen e tij, një strehë e ngrohtë, në mes të stuhisë. Shtatori i viti 1946 e gjeti me tre fëmijë. Pas dy vajzave, i lindi një djalë që i vuri emrin e të atit e që vite më vonë do të bëhej një tjetër i dënuar politik, tashmë i brezit të tretë, i Alizotëve. Ai nuk do ta njihte të atin sepse ishte ende i vogël, kur Rizain e arrestuan në maj 1947.

blankE çuan në birucat e Tiranës dhe e torturuan gjoja për të treguar bashkëpunëtorët dhe për të pranuar që kish qenë spiun e Fultzit. Pas disa muajsh tortura, bashkë me intelektualë të tjerë, më 27 shtator të 1947-ës, e nxorën për gjykim në atë që u quajt gjyqi i parë i deputetëve e që u zhvillua në kinema “17 nëntori” në Tiranë. Vendimi për të, si dhe për Shefqet Bejën dhe Sulo Klosin, ishte varje në litar. Vendosën ta ekzekutonin në Kuçovë ku kishte punuar për vite me radhë. Nuk kishte gdhirë ende kur shkuan ta merrnin për ta çuar në vendin e ekzekutimit. Ishte data 10 tetor 1947. Ditëlindja e Rizait. E varën në një vidh në qendër të Kuçovës dhe e lanë aty deri të nesërmen. Trupi i tij humbi.

Të dhënat e këtij shkrimi janë mbështetur në librin “Vaji i gurit” të Miranda Haxhias, botim i UET Press.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here